Fondacioni “M&M Ivanaj Institute” sjell edicionin pilot 2026 të Çmimit “Mirash Ivanaj – Mësuesi i Vitit” për shkollat publike në Tiranë. Iniciativa synon të vendosë mësuesit përsëri në qendër të vëmendjes publike, duke ju njohur përkushtimin, etikën dhe ndikimin në formimin e brezave.
Nga 26 janar deri më 6 shkurt 2026, qytetarët mund të propozojnë mësues aktivë ose në pension, në këtë link: https://ivanaj-foundations.org/sq/blog/2020/06/25/cmimi-mirash-ivanaj/
Ndërsa nga 15 deri më 22 shkurt 2026, kandidatët do t’i nënshtrohen votimit publik online dhe një vlerësimi profesionalparalel nga një juri e pavarur.
Frymëzuar nga vizioni i Mirash Ivanajt, reformator i arsimit shqiptar që e konsideronte dijen si themel të shoqërisë moderne, çmimi ndërton një model bashkëkohor vlerësimi mbi meritën, integritetin dhe ndikimin shoqëror. Struktura e shpërblimit i jep 70% vetë mësuesit si vlerësim profesional, ndërsa 30% i dedikohet një projekti edukativ që ai ose ajo zhvillon me nxënësit.
Edicioni i parë fokusohet në tre nivelet e arsimit parauniversitar të shkollave publike të Tiranës: fillor, 9‑vjeçar dhe të mesëm; duke shpallur një fitues për secilin nivel.
Kombinimi i votës së komunitetit me analizën e jurisë krijon një proces të drejtë, të hapur dhe të besueshëm, duke i dhënë mësuesve shqiptarë një vlerësim të merituar dhe duke rikujtuar se investimi në edukim është investim në të ardhmen e shoqërisë.
Komente












