COVID në Shqipëri, Gjata në Repolitix: Tre muajt e ardhshëm, sfidë për sistemin shëndetësor! Thirrja e Piperos: Reduktoni ceremonitë fetare

Situata që po kalon Shqipëria me rritjen e numrit të të infektuarve me koronavirus ishte në fokusin e emisionit Repolitix mbrëmjen e sotme. Rektori i Universitetit të Mjekësisë, mjeku Arben Gjata u shpreh se 3 muaj e ardhshëm do të jenë sfiduese për sistemin shëndetësor shqiptar, kjo pasi ulja e temperaturave favorizon përhapjen e virusit. Ai thotë se gjatë kësaj periudhe mund të ngatërrohet shumë lehtësisht koronavirusi me gripe të tjera stinore.

"Në tre muajt që do vijnë do të jetë sfida më e madhe për sistemin tonë shëndetësor. Periudha e dimrit favorizon shumë viruset dhe do të ketë një bashkim mes COVID dhe gripit stinor. Sipas informacioneve që kam shumë universitete të mëdha botërore janë në fazat e fundit të prodhimit të vaksinës por në fund të tunelit ka dritë " - tha Gjata.

Ndërsa për masat e marra, Gjata tha se do të ishte mirë edhe një karantinim rajonal me zona, por nuk hedh poshtë dhe vendimin e Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Ndërkohë Mjeku Pëllumb Pipero ka ngritur një shqetësim tjetër. Duke iu referuar dhe infektimit të klerikëve Anastas Janullatos dhe George Frendo, ai i bën thirrje institucioneve fetare që të reduktojnë sa më shumë ceremonitë fetare. Ai thotë se në ambientet e mbyllura është më i lartë shansi për tu infektuar.

"Unë do i bëja thirrje komuniteteve fetare që të reduktojnë sa më shumë ceremoni apo grumbullime fetare. Në këto institucione fetare është e vështirë që të ruhet distanca në ambiente të mbyllura. Do të ishte shumë e rëndësishme që për një kohë ato të pezullohen. Ky virus nuk bën përjashtim dhe asnjë nuk është i mbrojtur. Po shohim raste që e kanë kaluar dy herë. Ne këmbëngulim që të respektohen të gjitha masat parandaluese, pavarësisht besimeve fetare" - tha Pipero.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:53
Mjeku në Itali: 50 % e shtretërve në spitale janë zënë nga pacientë me COVID, ka kaluar pritshmëritë!

 

Mjeku Albert Troci i ftuar në emisionin Repolitix deklaroi se në Itali, 50% e shtretërve të spitaleve janë zënë nga pacientë me COVID. Ai tha se kjo i tejkalon pritshmëritë dhe parashikimet e mëparshme.

"Kemi patur një problem në saturimin e shtretërve në spitale. Kemi të dhëna se 50 % e shtretërve të spitaleve në Itali janë të zëna nga pacientët me koronavirus. 50 % është përtej limitit të paracaktuar ku ishte 40 %. Në Milano dhe Lombardi vijon të jetë një zonë e nxehtë ku kemi mbi 9 mijë raste në ditë. Në spitalin ku punoj unë është i tejmbushur me pacientë COVID. Kurba epidemiologjike është në rritje por jo aq të madhe krahasuar me javën e kaluar. Kjo na jep shpresë për ftohjen e kurbës. Italia ka kaluar mbi 1 mln pacientë të infektuar. Po bëhet e pamundura për të evituar izolimin total të Italisë. Po shpresohet që masat që janë marrë të japin efekt në javët e ardhshme" - tha Troci.

Ora 22:37
Haxhimali: Tirana nuk duhet të jetë e vetmja qendër për luftën kundër COVID, të fuqizohen spitalet rajonale

Drejtori i Shoqatës së Bashkive, Agron Haxhimali i ftuar në Repolitix i bëri thirrje qeverisë që të mos luftojë opozitën por të kthejë vëmendjen në luftën kundër koronavirusit.

Ai tha se Tirana nuk duhet të ishte kthyer në qendër për luftimin e koronavirusit por të fuqizoheshin spitalet rajonale.

"Politikisht dua që të mos jetë e përqëndruar. Unë i besoj vetëm komitetit teknik të ekspertëve. Unë kam folur për ndarjen në zona sipas infektimit. Nëse gjërat do të kishin ecur, të mos izolohej e gjithë Shqipëria do të kishim situatë tjetër. Ka nevojë që qeveria të lejë retorikën politike dhe të mos luftojë opozitën. Duhet ta lënë fushatën dhe të kthejnë vëmendjen në luftën kundër pandemisë. Nuk mund të përballohet koronavirusi pa instrumente financiare në nivel lokal. Duhet mbështetur lufta kundër koronavirusit edhe në rajone. Nuk duhet të ishte Tirana qendra ku luftohet COVID. Institucionet në rajone duhet të kishin më shumë buxhet" - tha Haxhimali.

Ora 21:56
Pipero: Nëse shfaqni simptoma, mos u alarmoni! Merrni antigripal për 3-4 ditë, më pas kontaktoni mjekun e familjes

Mjeku Pëllumb Pipero i bëri thirrje të gjithë qytetarëve shqiptarë që të mos alarmohen. Ai thotë se nëse qytetarët shfaqin simptoma si temperaturë apo kollë për 3-4 ditë të mos shkojnë tek mjeku i familjes por të trajtohen me aspirina apo dhe antigripale.

Pipero u shpreh se nëse këto simptoma vijojnë më shumë se 3-4 ditë, atëherë do të duhet të kontaktojnë me mjekun e familjes dhe të marrin rekomandimet e tyre.

"Unë do t'i këshilloja qytetarët që në këtë periudhë të mos nxitohen dhe të alarmohen nëse kanë temperaturë apo kollë për disa ditë. Këto janë shenja dhe të gripit. Nëse kjo periudhë zgjat më shumë se 3-4 ditë duhet të konsultohen me mjekun e familjes. Përpara se të shkojnë tek mjeku i familjes, qytetarët duhet të trajtohen me antigripalë dhe aspirina dhe të konsumojnë sa më shumë lëngje. Kaq mjafton, krahas vitaminës C për 3-4 ditët e para. Në asnjë mënyrë mos përdorni antibiotikë pa konsultën e mjekut të familjes apo dhe mjekëve të tjerë. Bëjmë një gabim që na kushton më pas" - tha Pipero.

Ora 21:40
Thirrja e mjekut Pëllumb Pipero: Reduktoni ceremonitë fetare! Rreziku i infektimit nga COVID më i madh në ambiente të mbyllura

 

Në një kohë që Kryepeshkopit Anastas Janullatos dhe Arqipeshkvit George Frendo janë infektuar nga koronavirusi, mjeku Pëllumb Pipero u bën thirrje drejtuesve të institucioneve fetare që të reduktojnë sa më shumë ceremonitë fetare.

I ftuar në Repolitix ai tha se ato duhet të pezullojnë aktivitetin e tyre për disa kohë për shkak se rreziku i infektimit është më i madh në ambiente të brendshme.

"Unë do i bëja thirrje komuniteteve fetare që të reduktojnë sa më shumë ceremoni apo grumbullime fetare. Në këto institucione fetare është e vështirë që të ruhet distanca në ambiente të mbyllura. Do të ishte shumë e rëndësishme që për një kohë ato të pezullohen. Ky virus nuk bën përjashtim dhe asnjë nuk është i mbrojtur. Po shohim raste që e kanë kaluar dy herë. Ne këmbëngulim që të respektohen të gjitha masat parandaluese, pavarësisht besimeve fetare" - tha Pipero.

Ora 21:38
COVID, Gjata: Gabimi i vetëm, paaftësia për të ndërgjegjësuar qytetarët! Fazën e parë e kaluam mirë

Rektori i Universitetit të Mjekësisë, Arben Gjata tha në emisionin Repolitix se gabimi i vetëm që ka bërë qeveria është paaftësia për të ndërgjegjësuar qytetarët.

"Pika më e dobët që kemi pasur në menaxhimin e situatës është paaftësia për të ndërgjegjësuar qytetarët. Të kishim kaluar fazën e parë njësoj siç e kanë kaluar Italia apo Spanja qytetarët do të ishin më të frikësuar" - tha Gjata.

E.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës

Ylli Pata: Legjendat elektoralo-amerikane të Sali Berishës