Covidi pas dere…

Covidi pas dere…

Spitali Infektiv

Mjeku i njohur Tritan Kalo ka një kritikë të fortë që lidhet me pandeminë dhe me rolin e mjeteve të transportit publik në përhapjen e virusit. Sindroma e “autobusit të Unazës” ka qenë dhe mbetet njëra ndër hallkat më të dobëta të luftës kundër Covid 19, ku dominon respektimi thuajse ingezistent i rregullave, ku nuk gjen një maskë për be dhe ku kanë plasur dasmat e ceremonitë e tjera të ngjashme për shtatë palë qejfe.

Shqipëria jeton një realitet disamujor relaksi dhe “shthurjeje shëndetësore” që prej disa javësh tashmë, nuk përkon më me numrat e infektimeve që rriten e rriten. Çdo i huaj që shkel në vendin tonë, çdo emigrant që vjen nga vendet fqinje apo edhe më larg, çdo shqiptar që shkon me pushime jashtë shtetit – që të gjithë bashkë, kanë të njëjtën përshtypje kur vijnë në Shqipëri: këtu nuk ka asnjë lloj vetëfrenimi që lidhet me pandeminë! Nga sezoni i gjatë i mbylljes dhe paralizës së vitit të shkuar ka mbetur vetëm kujtesa e gjallë e njerëzve dhe etiketat e tabelat e zverdhura nëpër bare e dyqane me mbishkrimin “mbaj distancën” ose “nuk lejohet hyrja pa maskë”.

Pjesa tjetër ka të bëjë ekskluzivisht me mosdurimin klasik të shqiptarëve dhe neverinë e tyre për respektin e rregullit e të ligjit. Jemi ashtu siç na përshkruajnë, popull i ekstremeve. Një herë të gjithë në shtëpi, një herë tjetër të gjithë në rrugë. Ose siç e tregon metafora, të ngjeshur në autobusin e Unazës, fabrikën më të çuditshme por edhe më të rrezikshme të imunizimit kolektiv natyror.

Kryeministri Rama duket se tani në fund të verës, kur turizmi mundi të marrë dhe një herë frymë e kur Shqipëria priti e përcolli disa miliona pushues, ka vendosur të bëjë një gjest të fortë, si ata të vitit të shkuar. Ka komunikuar se vaksinimi do të jetë i detyrueshëm për pedagogët e studentët. Një hap i duhur dhe madje i vonuar, duke parë ritmet e infektimit me variantin Delta.

Qasja ndaj vaksinave, tani që muajt kalojnë e stoku i tyre e bën gjithnjë e më të lehtë marrjen e dozave që dikur shiheshin si mjeti magjik për t’i ikur Covid 19, është një problem etik, social, politik e ekonomik në shumë vende të botës. Në Francë e Gjermani imponimi i vaksinimit ka hasur në rezistencë të fortë, në Itali një mjek paralajmëronte pardje se nëse vaksinat bëhen të detyrueshme “do të ketë luftë civile”.

Nga mungesa e vaksinave e muajve të parë të vitit 2021, tani Perëndimi e vendet e zhvilluara të hemisferës veriore po përballen me shtrirjen e vaksinimit të detyruar në të gjitha kategoritë, si dhe me vendimmarrjen e vështirë të injektimit të një doze të tretë apo të uljes së pragut moshor për marrjen e vaksinave.

Janë të gjitha vendime delikate, të diktuara më së pari nga situata dinamike dhe e paqëndrueshme që lidhet me mutacionet që pëson virusi, por edhe me numrat e infektimeve, shtrimeve në spital e vdekjeve. Për të mos harruar edhe një luftë tjetër paralele, që duhet zhvilluar ndaj skepticizmit dhe refuzimit që rrethon vaksinat në një pjesë të popullsisë. Një fenomen global ky, e jo vetëm shqiptar.

Një sondazh i fundit i kryer pak ditë më parë nga mediat në Tiranë, zbulonte se më shumë se 42% e të pyeturve nuk donin ta bënin vaksinën anti-Covid. Një shifër që e bën serioz dhe urgjent sensibilizimin e shqiptarëve për të mos dëgjuar zhurmën e “taboreve të idiotëve të rrjetit”, siç i quante Umberto Eko ata që flasin për gjithçka në internet. Dhe që si gjithmonë gjejnë një kategori njerëzish që janë gati t’u besojnë, si në rastin e Tokës së sheshtë, të Elvis Presleyt që s’ka vdekur apo të zbritjes në Hënë që s’ka ndodhur kurrë!

Vjeshta shqiptare duket si një moment kur duhen marrë disa vendime të qarta, që mund ta devijojnë idenë e përgjithshme të jetës totalisht normale që gëzuam gjatë verës. Mjekët bien të gjithë dakord: pas shtatorit nuk do të jemi më si në sezonin e nxehtë. E ndërsa i kemi habitur të gjithë për shpërfilljen tonë ndaj virusit, por edhe për situatën tonë pozitive në lidhje me pandeminë (paradoks i pastër ky), do të duhet që në të hyrë të dimrit të nisim të mendojmë me përgjegjshmëri dhe pjekuri për atë që na pret.

Më së pari shtetit dhe organizmave të tij ju takon të parashikojnë konkretisht nëse do të duan të imponojnë rregullat që i vendosin vetë, apo do të vijojmë të jetojmë në një regjim me dy shpejtësi: atë të shkruar në letër nga Komiteti Teknik dhe realitetin në terren ku askush nuk çan kokën për maskat, vaksinat dhe distancimin. Shifrat nuk janë opinion dhe flasin qartë: 95% e të shtruarve në spital aktualisht me Covid, janë të pavaksinuar!

Krahasuar me një vit më parë, sot kemi një ambjent dukshëm më të imunizuar ndaj Covid 19, kemi importuar më shumë se 1,8 milion vaksina dhe dimë më tepër për sëmundjen. Një mbyllje tjetër për shkak të paaftësisë së shtetit për imponuar rregullat që ka firmosur vetë, apo e papërgjegjshmërisë dhe mungesës së vullnetit tonë për të qenë të disiplinuar, do të ishte një dramë sociale, ekonomike e mbi të gjitha e kotë dhe absurde.

Plazhi mbaroi, vera po ikën dhe qejfet e pushimeve gjithashtu po lihen pas. Tani fillon një stinë tjetër me virusin nëpër këmbë, që e dimë sesa tinzare është dhe sesa e komplikuar mund të bëhet gjatë rrugës. Le të mos e hamë gjelin e Vitit të Ri të mbyllur vetëm pse s’mbajmë dot maskën te dyqani i lagjes apo pse nuk bëjmë dot një vaksinë sepse kështu na ka thënë një idiot në një faqe interneti pa emër.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Profesori: 28/08/2021 07:04

    Alfred Cako meriton te nominohet per cmimin Nobel kur thote se kjo nuk eshte pandemi por plandemi per te zhdukur nje pjese te madhe te popullsise te globit. Tani kjo kur po e shohin qe virusi nuk po e ben efektin si duhet po perpiqen ta realizojne nepermjet vaksinave qe sic thote profesor Cako qe nuk jane gje tjeter vecse futja e virusit ne trup nepermjet injeksioneve. Me vjen turp kur degjoj mjeke te tille si z. Tritan Kalo per te cilin kam nje respekt te jashtezakonshem sepse kam mbaruar shkollen e mesme me te kur permend se virusi qarkulloka ne urbanin e Unazes. Neqoftese do ti referohemi ketij fakti edhe linjat e tjera jane bartes te virusit sepse edhe atje i sheh njerezit qe rrine pa maska. Jo i nderuar profesor Kalo nuk eshte maska qe te mbron as vaksina. Prandaj o popull shqiptar mos i ha keto pallavra sic thoshte Vaso Pasha i madh Conju shqiptar prej gjumit conju te gjithe ne nje bese shtrengoju

    Përgjigju
  • Cami: 27/08/2021 13:10

    Sa bukur e analizojne situaten. Por asnje kritike per qeverine qendrore apo lokale. Nuk eshte populli qe duhet te "vetfrenohet", por ato qe ai paguan per te qeverisur te cilet duhet te kryejne detyren e tyre ligjore. Qe mesa duket nuk e kane kryer. Dhe per mos kryerje detyre mor zoteri ne nje vend normal organet kompetente te hetimit edhe hetojne ose te vene para pergjegjesise penale. Asqe e vrisni mendjen apo keni investigu se cfare ka bere qeveria lokale per transportin publik ne kohe pandemie. E shikoni se sa patetike jeni, maksimumi u shkon mendja tek atobuzi unazes, ne Tirane. Po ai i Plepave ne Durres, ne Berat, Vlore etj????

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Ilir Meta sulmon kreun e SPAK, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Hajduti nga Skrapari vjedh banesën në Shkodër, mori para e bizhuteri

Hajduti nga Skrapari vjedh banesën në Shkodër, mori para e bizhuteri