'Bujqësia'/ Prenga: Të mbrohen produktet vendase, jo teste me lodra kineze! Rrapaj: Të subvencionohen fermerët! Muçaj: S’jemi në konkurrencë të ndershme

Bujqësia dhe blegtoria shqiptare dhe për rrjedhojë produktet shqiptare, janë në ditët e tyre kritike për shkak të konkurrencës së pandershme që i bënë importi i produkteve të huaja nga kompanitë e mëdha, mungesa e subvencionimeve nga qeveria dhe mbështetjes ndaj fermerit dhe blegtorit.

Kjo ishte tematika e diskutuar sot në mbrëmje në panelin e emisionit “Studio Live” në Report TV, e drejtuar nga gazetari Arbër Hitaj, me temë “Prodhimet vendase dhe sfidat, vështirësitë që hasin fermerët shqiptarë”.

Të ftuar ishin Altin Prenga, kuzhinier dhe pronar i agro-turizmit 'Mrizi i Zanave', Bujar Muço, nënkryetar te Shoqata e Biznesit të Vogël dhe Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agro-Biznesit. Të tre të ftuarit në panel ngritën shqetësimin e mungesës së mbështetjes ndaj prodhimit vendas dhe paradoksit se në lokale apo restorantet shqiptare nuk ofrohen produkte bio tradicionale vendase, madje edhe gjatë sezonit stinor, por ato të importuara nga jashtë. Dhe kjo, për shkak të mungesës së mbështetjes ligjore, promovuese dhe subvencionuese nga qeveria.

Altin Prenga ngriti shqetësimin se “në 90 për qind të restoranteve mund të gjesh prodhimet e importit”, teksa theksoi se ky raport duhet të ndryshojë.

“Të ndryshojmë zakonet, të bëjmë kulturë produktin vendas, biznesin tonë, mënyrën se si konsumojmë dhe të shmangim hemorragjinë e largimit nga këto zakone. Ta bëjmë kulturë tonën. Nëse ofrojmë produkte të huaja për turistë shqiptarë e të huaj që vijnë për produktet tona, atëherë ikja do vazhdojë”, tha Prenga.

Ai përmendi këtu precedentin me verën, ku në shumë restorante shërbehet vera e importit dhe jo vendase, e cila as mbështetet dhe as promovohet, ndoshta për shkak të certifikimit, por edhe çmimit, pasi ajo e huaj ka kosto më të ulët dhe shitet më lirë.

E kujt është përgjegjësia, e biznesit madh apo ministrisë? Kësaj pyetje ai i përgjigjet:

“Të gjithë kemi përgjegjësitë tona konsumatori biznesi shteti, s’jemi të organizuar mirë. Të kesh vizitorë të huaj e të mos shesësh prodhimin vendas, ky është paradoks!”, tha ai. Më tej përmendi se përveç verës vendase, edhe produktet e stinës nuk serviren dhe preferohen produktet e huaja. “Ky është paradoks, kjo nuk ndodh as në Maqedoni, mal të Zi dhe më gjerë. E pafalshme që nuk ka verë shqiptare në restorante shqiptare. Trishtim i madh kur hidhet prodhimi shqiptar”, thekson Prenga.

Kurse Bujar Muço ngriti shqetësimin se Qeveria nuk i mbështet as bujqit dhe as fermerët shqiptarë. As me subvencione, as me taksën e TVSH-së që importet e huaja nga kompanitë e mëdha e përfitojnë, por edhe konkurrenca jo e ndershme.

“Nuk kemi konkurrencë të ndershme me importet e huaja. Qeveria nuk ka stimuluar fermerët e blegtorët për të rritur cilësi e sasi. Kemi pengesë për informim dhe reklamim apo promovim të produkteve të vendit dhe se di kush janë përgjegjësit por edhe fermerët s’janë të organizuar. Sidomos produktet e mira, bio, me cilësi, por që nuk frekuentohen për shkak të çmimeve më të ulëta të produktit të huaj dhe mungesës së stimulimit nga qeveria shqiptare. S’jemi në konkurrencë të ndershme me produktet e importit. Si biznese jemi të disfavorizuar nga produktet e importit, si nga çmimet dhe promovimi”, tha Muço.

Ai vijoi se në fakt nuk ishte vera produkti i huaj më i konsumuar në tavolinat e restoranteve shqiptare, por mishi.

“Produkti kryesor është mishi në restorante. 70 për qind e tregut të mishit ne restorantet shqiptare është i importit, ndërkohë që duhet të ishte e kundërta. Ndaj duhet synuar tek mishi si prodhim vendas. Para 6 vitesh kishte organizim, jo me 100 për qind vendas, por të paktën 70 për qind. Por çfarë ndodhi?  U braktis me politika jo të drejta dhe fermat u braktisën, s’u stimuluan fermerët dhe u braktisën. Nuk kishte raporte të drejta dhe qeveria nuk ndihmoi”, sqaron ai.

Kurse kreu i Agro-Biznesit, Agim Rama ngriti disa çështje që sillnin problematikat në fjalë. Ai tha se çështja kryesore ishte kooperimi mes fermerëve dhe më gjerë.

“Nuk certifikohen ushqimet, produkti. Supermarketet s’ia marrin produktin pa certifikatë, nuk ka organizim apo vetëorganizim. Por e domosdoshme të mbrohet dhe garantohet me ligj. E dyta,  e rëndësishme është se kompanitë e importit janë më të fuqishme se ato shqiptare, ato marrin 20 përqindshin e TVSH-së si rimbursim, fermeri dhe bujku shqiptar nuk e merr dhe këtu ka disavantazh. E treta, prodhimet tona se kanë masën e kostos së prodhimeve te huaja, kemi disbalancim, ka edhe informalitet dhe kjo çorienton tregun. Ne s’e promovojmë dhe stimulojmë prodhimin vendas, se janë kompani të fuqishme që e promovojnë produktin e tyre”, thotë Rrapaj.

Por ai preku edhe çështjen e antireklamës që bëjmë vetëë ne shqiptarët, si rasti i fundit me nitratin, nga personazhe të njohur apo influencerë dhe deri njerëz të medias, që me makineri të pacertifikuara bënin matje nitrati në prodhimet shqiptare dhe i nxirrnin pa cilësi, duke dëmtuar tregun.

“Nga ana tjetër ne bëjmë edhe kundërpromovim si me nitratin. Kohë më parë, me atë makinë të pacertifikuar, që nuk jep rezultat real dhe hiqet si mbrojtës konsumatori dhe kjo s’është reale. Edhe buxheti është më i vogël nga shteti, 1,3 mld më pak për bujqësinë dhe blegtorinë. Problem edhe mungesa e laboratorëve të certifikuar reference për prodhimet vendase, që të matemi me argumente shkencore dhe që garantojnë cilësinë tonë. 1600 kamionë kanë shkuar jashtë me produkte vendase, fare pak janë kthyer, pra kemi produkte me cilësi, pasi fermeri ynë ka dhe vështirësi dhe duhet ndihmuar”, theksoi Rrapaj.

Edhe kuzhinieri Prenga mbështeti konstatimin e Rrapajt për pajisjen matëse, duke e deklaruar si një markë kineze.

“Pajisje pa markë që vjen nga Kina, e pacertifikuar. De me disa produkte si me shalqinin, i cili në fakt në gusht bëhet vetë automatikisht dhe s’ka nevojë kimikate. Ka mosnjohje të tematikës ushqimore që është e thellë. Ai që e kupton e merr vesh që është lodër kineze për të terrorizuar njerëzit, lodër dhe jo makineri”, shtoi ai. Teksa theksoi se prodhimi vendas duhet subvencionuar, pasi me përvojën personale tregoi rastin e mollës së Korçës, teksa “i dukej vetja si hajdut kur fermerët e shisnin me 17 lekë kilen". Duhet ndryshuar kultura personale, ke mollë në Korçë dhe ne restorant te shërbehet molla italiane. Po nuk ndryshuam kulturën personale, nuk ka lidhje shteti, s’ka çfarë bën. Pra jemi në Korçë, shërbehet mollë Korçe, lëng molle, sallat molle etj, ose jë në Dibër, shërbehen produkte tradicionale të asaj zone”, shpjegon ai.

Përsa i përket hartës së importit, Rrapaj u shpreh se vendi ynë importon më shumë nga Italia, Greqia, Serbia, Turqia.

“Çështja e mishit për shembull vjen nga fakti se s’i kemi më fermat apo kafshët si më parë, sepse ose janë mbyllur e shitur për shkak të mungesës së mbështetjes. Në Maqedoni subvencioni është 4 herë më shumë, përmes skemave dhe granteve. Kemi 71 mln euro pa disbursuar nga 2014-2018. Edhe mekanizimi problem si flota e traktorëve mekaneria e vjeljes, punëtorët, humbje e prodhimit, problemeve të tjera, si koha, kushtet etj. Bujqësia nuk po merr mbështetjen e duhur. Një grup ministri po punon për një paketë mbështetëse investimi dhe kreditimi”, tha Rrapaj ndër të tjera.

Kurse Muçaj këmbënguli se fermeri dhe bujku shqiptar janë në disavantazh me ata të rajonit dhe më tej.

“Në subvencionim jemi 2-3 herë se pjesa tjetër e rajonit. Të shohësh buxhetet, ata akordojnë për bujqësi e blegtori dyfishi dhe këtu nis baza. Ne kemi produkte shumë të mira në Shqipëri, por kemi mungesë promovimi. Si promovimi që i bëri qeveria Turizmit, të bëhet edhe me bujqësinë. Në serbi psh çohet produkti që ka tregu uri atje, por të dërgosh produktet e tjera duhet të kalosh nëpër procedura. Pra shteti duhet ta mbrojë prodhimin vendas siç bëjnë ata. Ne s’themi të ngremë trarët, por ka mënyra si të mbrohet prodhimi vendas”, theksoi Muço.

A.Q/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Shqipëria hap negociatat me BE për kapitullin 1, kur do ndodhë integrimi?



×

Lajmi i fundit

Marrëveshja me Italinë/ 'La Repubblica': Të mërkurën pritet të niset anija e parë me emigrantë drejt Gjadrit, por mund të jetë edhe udhëtimi i fundit! Çfarë mund të ndodhë?

Marrëveshja me Italinë/ 'La Repubblica': Të mërkurën pritet të niset anija e parë me emigrantë drejt Gjadrit, por mund të jetë edhe udhëtimi i fundit! Çfarë mund të ndodhë?