Debati real mbi mandatet vendore

Debati real mbi mandatet vendore
Një eurodeputet që merret me vendin tonë deklaronte me gjysëmzëri ditë më parë se Shqipëria është vendi i paradokseve: “BE bën presion e apel që palët politike të takohen dhe bashkëpunojnë, por kur kjo ndodh, - Brukseli ndjen frikën se palët do të prodhojnë dicka të gabuar”. E kemi shembullin e ndryshimeve kushtetuese 2008, e kemi shembullin e hyrjes në kushtetutë për KQZ më 2006/2007, patëm shembull kur palët deleguan
persona politikë në institucione jopolitike, dhe kemi shembuj periodik të “reformave” zgjedhore, që nisin me angazhim për parime e vlera dhe përfundojnë me pazare në dëm të të tretëve. I fundit “konsensus i frikshëm” ishte debati politik mbi mandatet kushtetuese të kryetarëve të njësive vendore. Politikanë nga dy palët politike thuajse janë unanim se ky mandat duhet kufizuar me ligj, se modeli aktual ka prodhuar kryetarë të   përhershëm, se qeverisja vendore i ngjan më tepër modelit të bajraktarit dhe pashallekut otoman, sesa modelit qeverisës modern. Në këtë mënyrë, shqetësimin e ngritur me të drejtë nga grupe civile për keqpëdorimin politik të qeverisjes vendore, politika po e përkthen si një rast për të diktuar
rregullat e saj konsensuale mbi mandatet përfaqësuese. Problemi është kushtetues: asnjëkushtetutë në vendet e BE nuk ka kufizime mandati për kryetarët e njësive vendore. Kushtetuta jonë i krijon mundësinë kujdo të konkurrojë dhe nëse fiton, të drejtojë.Problemi është ligjor. Cili mekanizëm
ligjor mund të pretendojë të dalë mbi Kushtetutën dhe parimet europiane të së drejtës? Kodi Zgjedhor nuk ka kufizime dhe nuk mund të ketë...Çdo kufizim do të apelohej dhe rrëzohej në Gjykatën Kushtetuese. Problemi kërkon trajtim e konsultim me dokumentet që Shqipëria ka nënshkruar në kuadër të BE, Këshillit të Europës dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale. Së fundi, problemi ëshë sa moral aq edhe politik. Partitë e mëdha japin alarmin e mandateve pa kufizim, por cili është modeli që ato ofrojnë? Le të shohim vetë partitë. Kemi deputetë të vegjetojnë me 3-4-5-6 mandate parlamentare në parti, pa kontribut publik, pa profesion tjetër, pa mbështetje publike, thjesht e vetëm se bëjnë pjesë në oborrin e shefit të tij. Partitë e kanë hequr prej vitesh klauzolën se kryetari drejton vetëm dy mandate. Ato nuk kanë aplikuar asnjë rregull në zgjedhjen (emërimin) e deputetëve të tyre, në zgjedhjen e funksionarëve të lartë drejtues, etj, madje nuk bëjnë as zgjedhje formale periodike brenda familjes së tyre. Pra, partitë që vetë veprojnë e funksionojnë si modele parademokratike kritikojnë e kanë vullnet të ndryshojnë kushtetutën që ti kufizohet mandate pushtetit vendor!
Përvoja e ndërhyrjeve të deritanishme gjithashtu është argument kundër. Më 1996 demokratët patën vendosur kusht që çdo kryetar vendor duhet të kishte arsim të lartë, një vit më vonë ky kusht u heq sepse në 67 njësi nuk pati kandidatë me arsim të lartë. Më 1998 socialistët ndryshuan kushtetutën duke vendosur mandat 3 vjeçar për qeverisjen vendore, më 2007 dy palët e ndryshuan kushtetutën dhe rikthyen mandatet 4 vjeçare. Tani përsëri zgjidhja kërkohet tek formaliteti. Mbetet të kemi një ligj të ri në thelb me pasojë direkte konsensusin e ri që kryetarët e njësive vendore emërohen sipas raportit politik nga kryetari i partisë! Dhe kjo ndodh ndërkohë që palët politike në programe e tyre elektorale flasin për pushtet vendor të pavarur, për zgjerim të demokracisë dhe forcim të institucionit të zgjedhjeve.
Palët mendojnë se problematika vendore lidhet vetëm me mandatin e kryetarëve dhe ata kontrollojnë zgjedhjet, imponojnë rizgjedhjen e tyre dhe janë më shumë autonomë sesa duhet. Ky është një problem i madh sepse dëshmon se institucioni i zgjedhjeve në Shqipëri qenka “privatizuar” dhe rezultatet paracakohen nga individë dhe lobet e tyre financiare e familjare. Në fakt, ky nuk është një sistem që vjen nga poshtë–lart, por anasjelltas. Ky është modeli që politika qëndrore ka imponuar për dy dekada mbi pushtetin vendor dhe shoqërinë. Struktura e pushtetit vendor është krijuar në mënyrë të tillë që të mos jetë funksionale. Psh, ne kemi qark dhe këshill qarku me raporte përfaqësimi disproporcionale me rezultatin e zgjedhjeve, kemi prefekt dhe kryetar bashkie me konflikt kompetencash, kemi kryetar njësie dhe këshill bashkiak/komune me funksione paralele dhe penguese, siç kemi një strukturë të ndarjes administrative tërësish disfunksionale, me dhjetra komuna e bashki fiktive, pa numër banorësh dhe kapacitete funksionimi, pa burime financiare dhe njerëzore, pa infrastrukturë politike dhe as administrative.
Ky është shqetësim dhe kjo kërkon debat, konsensus dhe reformë të thellë. Reformave e vertetë duhet të nisë nga baza, thelbi i problemit (ndarja administrative, kriteret e funksionimit të njësive, shkrirja e strukturave paralele, decentralizimi real, sistem taksash vetfinancuese, etj) dhe jo nga koka formale, - të heqim një kryetar e të emërojmë një tjetër. A nuk do të ishte zgjidhje më e mirë që palët të saksionojnë me statusin e tyre detyrimin për zgjedhjen e kandidatëve për njësitë vendore me parimin “një anëtar-një votë”, që palët të heqin dorë nga emërimet me telefon të kandidatëve, që palët politike të lejojnë praktikën e referendumeve lokale për çështje të rëndësishme, që këshillat të zgjidhen me lista të hapura dhe më me shumë liri konkurrimi, që ligji elektoral të heqë kufizimet in extremis për kandidatët e pavarur, dhe që vetë deputetët të mendojnë për një ligj elektoral më përfaqësues, sesa emërimi i tyre nga partia?
Më pas reforma duhet t’i japë përgjigje pyetjesh, përse 40% kryetarëve të njësive vendore nuk banojnë de facto në njësitë që drejtojnë, përse kryetarët e bashkive bëjnë fushata për arsim më të mirë, kujdes më të madh shëndetësor, administrim të rendit dhe qetësisë, etj, kur këto fusha ende janë monopol vendimmarrës i qeverisë qëndrore, përse eksperimenti i minibashkive në Tiranë rezultoi i dështuar, përse Tirana mbetet kryeqyteti i vetëm europian që trajtohet si pjesë administrative me disa komuna e bashki periferike, përse një komune (Farka) i jepet më shumë akses politik në sensin e zhvillimit dhe infrastrukturës sesa vetë kryeqytetit, dhe e fundit, përse de facto buxhetin vendor e përcakton vullneti personal/politik i një ministri? Këtu palët heshtin, sepse secila mendon ta përdorë këtë praktikë të padrejtë kur të jetë në pushtet.
Debatet politike i bëjnë mirë demokracisë, edhe ku vijnë nga zyra që ndryshe mendojnë për të tjerët dhe ndryshe sillen brenda vetes. Ngjan si me modelin otoman kur sulltanët e shikon të keqen tek bejlerët, kur në fakt ata janë vetëm zgjatim i modelit, sjelljes dhe mentaliteteve të tyre. Debatet kanë nevojë për arsye dhe argument, për koncepte bashkëkohore dhe gjetje rrugësh që ofrojnë progres, larg rikthimit tek “pluralizmi i mendimeve” një model i regjimit të kaluar mbi oborret kooperativiste. Vetëm kështu debati për mandatet nuk merr formë folklorike si në qëndrimet e fundit të dy partive të mëdha, por bëhet institucional, serioz, i përgjegjshëm, me një standard dhe transparent në dobi të qytetarëve, demokracisë dhe shtetit të së drejtës.
(Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Joe Biden tërhiqet nga gara presidenciale në SHBA, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

‘Ngec’ garancia sovrane për fasonët, deri tani vetëm 1 përfitues, refuzojnë bankat! Humbjet e eksportuesve më të thella me euron që bie

‘Ngec’ garancia sovrane për fasonët, deri tani vetëm 1 përfitues, refuzojnë bankat! Humbjet e eksportuesve më të thella me euron që bie