Deputetja demokrate Jorida Tabaku ngriti shqetësime të forta mbi mënyrën sesi funksionon sot pushteti vendor në vendin tonë.

Tabaku, e cila është njëherësh anëtare e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale, i ngriti shqetësimet në dëgjesën e radhës së Këtij Komisioni.

Teksa solli në vëmendje eksperiencën e saj si pjesë e reformës territoriale të vitit 2014 dhe si ish-nënkryetare e Bashkisë së Tiranës, Tabaku theksoi se problemet aktuale janë pasojë e një reforme të ndërtuar mbi baza të njëanshme.

Kjo pasi sipas Tabakut, reforma është ndërtuar me një qasje politike, e cila ka prodhuar pabarazi dhe mungesë funksionaliteti.

Më tej Tabaku tha se sot pushteti vendor vuan nga mungesa e përfaqësimit real dhe nga një centralizim i theksuar financiar. Kjo pasi sipas Tabakut, 61% e të ardhurave të shpërndara nga pushteti qendror përqendrohen vetëm në 10 bashki, duke krijuar një hendek të madh mes njësive vendore.

Deputetja Tabaku kritikoi gjithashtu mënyrën se si përdoren të ardhurat nga bashkitë, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e rritjes së taksave shkon për paga dhe jo për shërbime ndaj qytetarëve.

“Bashkitë nuk mund të jenë ndërmarrje punësimi, por institucione që ofrojnë shërbime”, tha mes të tjerash Tabaku, duke shtuar se pesha e pagave në buxhetet vendore është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara.

Deputetja demokrate vuri në dukje nevojën për një reformë të vërtetë që sipas saj garanton decentralizim real, duke u dhënë bashkive më shumë kompetenca dhe të drejta mbi të ardhurat që gjenerohen në territorin e tyre.

Tabaku kërkoi po ashtu që reforma e re territoriale të mos udhëhiqet nga madhësia e bashkive, por nga aftësia e tyre për t’iu përgjigjur nevojave të qytetarëve.

“Bashki më të mëdha nuk do të thotë bashki më të forta apo më pranë qytetarëve. Shqipëria ka nevojë për bashki europiane – dhe sot nuk i ka”, përfundoi deputetja Tabaku.


Lajmi kryesor:

Komisioni i Reformës Territoriale mban dëgjesë publike në Elbasan, Mazniku: Zgjidhje afatgjatë për 30–40 vitet e ardhshme