Detaje/ Si u pastruan 11 mln euro të krimit përmes ‘Green View Marketing’, i çuan në Kanada! Kompania u krijua nga roja e plazhit! Në sitë 38 shoqëri të huaja, me aktivitet kazino e baste online

Detaje/ Si u pastruan 11 mln euro të krimit përmes ‘Green View Marketing’, i çuan në Kanada! Kompania u krijua nga roja e plazhit! Në sitë 38 shoqëri të huaja, me aktivitet kazino e baste online

Darin Gezdari dhe faqja web Greenview Marketing

Të paktën 11 milionë euro, të transferuara nga vendet e parajsave fiskale, janë tentuar të pastrohen përmes Shqipërisë me kompani fiktive, kryesisht kompani kazinosh dhe bastesh online.

Darin Gezdari, 34 vjeç dhe Arlinda Marku, 41 vjeçe, janë arrestuar pasi dyshohet se transferuan 11 milionë euro nga kompanitë guaskë në Qipro, Gjibraltar dhe Maltë, drejt Shqipërisë me destinacion final Kanadanë. Sipas prokurorisë dyshohet se paratë burojnë nga aktiviteti kriminal.

Prokuroria e Tiranës u njoftua në fillim të muajit dhjetor për skemën e mashtrimit nga Hetimi Tatimor në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, e cila mundi të identifikojë grupin që aktivitetin për sjelljen e 11 milionë eurove të pista e kryen gjatë viteve 2021-2022, për rreth 1 vit hetime.

Të prangosurit Gëzdari dhe Marku janë në akuzë për 2 vepra penale, fshehje e të ardhurave dhe pastrim parash. Me vendim të Gjykatës së Tiranës, policia ushtroi kontrolle në vende të ndryshme në Tiranë dhe u sekuestruan prova materiale me interes për hetimin, kompjuterë, aparate celularë dhe akte të shumta shkresore, të cilat po verifikohen.

Darin Gezdari dhe Arlinda Marku rezultojnë pronarë të 10 kompanive fiktive në Shqipëri, prej të cilave 7 të Gezdarit dhe 3 të tjerat të Markut, të cilat janë kryesisht për konsulencë, por që natyra e tyre e vërtetë ishte për transferimin e parave.

Skema dyshohet se është bërë me kompaninë “Green View Marketing”, në emër të 34-vjeçarit. Gjatë procesit të kontrollit nga Drejtoria e Kontrollit Tatimor në Lezhë, pasi kishte ndryshuar disa herë adresën, përfshirë Shkodrën dhe Tiranën, dhe duke shmangur kontrollet e thelluara operacionale tre herë radhazi, administratori Gezdari dërgoi shkresë në sistem që ndodhet në situatë të rëndë shëndetësore.

“Green View Marketing” u krijua në vitin 2020 nga Edmir Simoni i cili ia shiti italianit Lorenzo Cerantola dhe ky i fundit Gezdarit. Pronari i parë, Edmir Simoni, sipas prokurorisë, gjatë kohës që kishte krijuar shoqërinë por edhe në vazhdim rezulton i punësuar me kohë të plotë si roje bregdetare edhe pranë një restoranti. Ajo nuk posedon asnjë instalim, makineri apo pajisje informatike zyre sipas inventarit të vetëdeklaruar në 2021 dhe kryen shitje me vlerë mbi 1 miliardë lekë për 2 vjet. Bankat i thanë prokurorisë se janë kryer mbi 5.8 milionë euro transferta nga subjekte të huaja me aktivitet kryesisht kazino dhe baste online.

10 kompanitë e 2 bashkëpunëtorëve janë kryesisht me shërbime konsulence financiare, por edhe në fushën ligjore, shërbimeve online, informatikës, kibernetikës, teknologjisë, madje dhe shit-blerje mjetesh dhe dhënie me qira. Ironike është se mashtruesit në një prej kompanive ka të shënuar edhe shërbim për “mbrojtje nga mashtrimet financiare” për klientët e tyre.

Një kompani, Information Business System, rezulton se Gëzdari e ka blerë për 7,6 milionë dollarë, në disa të tjera rezulton se i krijonte, i shiste dhe i blinte sërish, dhe kjo dyshohet se është edhe skema e pastrimit të parave e zbuluar.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    19 Dhjetor, 08:16

    5 vite nga krijimi i SPAK, jeni të kënaqur me punën e bërë?



×

Lajmi i fundit

Armenia njeh pasaportat e Kosovës

Armenia njeh pasaportat e Kosovës