Mes të arrestuarve për protestën e dhunshme të opozitës sot para Kryeministrisë është edhe i ashtuquajturi "Ujku i Cërrikut". Saimir Servet Rexhep, 42 vjeç është prangosur nga komisariati i policisë së Cërrikut për llogari të policisë së Tiranës. Sipas policisë, personazhi atipik ka qenë mes grupit të protestuesve të dhunshëm që çau kordonin e policisë dhe sulmoi ndërtesën qeveritare, ku u shkatërruan edhe dy vepra artistike (Lexo këtu). Mësohet se "Ujku i Cërrikut" është dërguar mbrëmjen e sotme në ambientet e Drejtorisë së Policisë të Tiranës.  

"Ujku i Cërrikut" ishte protagonist i padiskutueshëm i protestës së sotme. Edhe në një prononcim për Report Tv ai u shpreh i revoltuar me kryeministrin Edi Rama kur kërkoi largimin e tij pasi siç tha e ka lënë popullin pa bukë (Lexo këtu). 

“Ujku i Cërrikut”, u bë i “famshëm” në disa dalje në media. Të njohur e bëri Arian Çani duke e ftuar në emisionin “Zonë e Lirë’ nga ku “Ujku i Cërrikut" jepte mesazhe "befasuese". “Ujku” shfaqte "talentin" e tij teksa sulmonte personazhet e tjerë në emisionin e Arian Çanit. Ndërsa tashmë është bërë pjesë edhe e politikës, duke dalë hapur në mbështetje të opozitës. Gja të cilën e tregoi edhe gjatë çadrës së opozitës në 2017 (Lexo këtu).  

"Ujku i Cërrikut" është personazh i njohur edhe për policinë pasi në të kaluarën është dënuar me 6 vite burg për trafik droge.