Pas pak ditësh qëndrimi në Itali sheh dy botë të ndryshme post Covid-19. Italianët, që kanë nxjerrë mësim nga goditja e rëndë, ndërsa ne jo. Mbajtja e maskave në vende të mbyllura dhe me njerëz, mosdhënia e dorës, ulja të distancuar në lokale publike në Itali është bërë pothuajse e natyrshme. Nëse dikush harron, është tjetri përherë i gatshëm të ta kujtojë. Kudo: në takime pune, në spitale, në ristorante, dyqane, në floktore e në shkallët e pallatit. Dhe jeta rrjedh normalisht me këto veprime sigurie të vogla, infektimet bien përditë dhe Puglia, krahina italiane përballë nesh, po shënon 0 infektime në të gjithë qytetet. Kjo krahinë kishte pak a shumë të njëjtin ritëm infektimesh si vendi ynë. Tek ne, pamjet e para që të dalin para syve janë lokalet plot dhe ngjeshur që te rruga e Durrësit, si fillim, e kudo në Tiranë. Çfarë bëjnë 8 burra bashkë në një tavolinë kafeje që në 9.30 të mëngjesit? Çfarë bëjnë 5 vajza e gra bashkë në një tavolinë në kafe që në 9.30 të mëngjesit?
Nuk hoqëm dorë të tregojmë sikur kemi një dashuri të pakufi për kë na rrethon. E vetmja gjë që na intereson është të dukemi se mezi presim të takojmë shoqërinë, të afërm, kolegë, fqinj e këdo. Më shumë se frika nga Covid,është frika se mos humbim ndonjë muhabet,gallatë,apo intrigë. Vazhdojmë ta mendojmë gabim se shkëputja nga "tufa" na dobëson, ndërkohë që mund të jetë një shanc për të na forcuar si individë, qoftë përkohësisht. Dhe duket se mosmbajtja e distancimit fizik, maskës, është një mungesë respekti ndaj grupit, sikur tjetri, ”ofendohet” nga mbrojtja jonë. Në të vërtetë dëgjon edhe komente shpotitëse nëse mban maskën në një rrugë mbushur me qytetarë, sepse gjendet gjithnjë dikush që ka diçka për të thënë, pasi gjuhën, në liri, nuk arrin ta frenojë.
E megjithatë duhet ta fusim në kokë që e kundërta është e vërtetë: Nëse nuk japim një dorë, nuk ofendojmë, por respektojmë; nëse nuk rrimë tufë në një tavolinë, nuk ofendojmë, por respektojmë; nëse takojmë në distancë të moshuarit tanë, tregojmë se i duam dhe është e rëndësishme për ne që ata të jetojnë sa më gjatë e mirë. Eshtë ende herët të sillemi siç po sillemi tani. Shqipëria është një vend me fat për shkak të pozicionit dhe të kushteve që bënë Covid-19 të mos godiste rëndë. Nuk ka pse të mos tregojmë kujdes, seriozitet dhe përgjegjshmëri. Në fund të fundit, nga sjelljet e secilit individ mund të duket qartë se sa të qytetëruar e përparuar jemi, ose, nëse vazhdojmë të mendojmë e veprojmë si tufë pa mendje, sy e logjikë, nëse vazhdojmë të dëgjojmë më shumë fallxhorët e magjistarët sesa shkencën, atëherë, le të presim ndëshkimet e kufizimet masive si në kohën e Enverit, kur shteti, partia mendon e vendos për një masë.
Artikull i bukur por pse e shoqeron me ate foto...vere mire masken se nuk merr fryme nga gusha.... Nuk eshte turp as dobesi te vihet maska.
PërgjigjuDhe do te sinjalizoje qe Italianet Jane ok me Respektin e Rregullave,,dhe jo shqiptaret .. Mese e Drejte qe e ka vene ne gushe..Se po ta vinte Masken ne goje. ! Per ke do behej fjala ne Artikuj. ! Flm.
Ngaqe eshte mes pemeve kushedi. Mire eshte masken ta mbajme gjithmone me vete dhe ta vendosim kur jeni mes njerezve