Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona, 38-vjeçarin Arlen Coku dhe 35-vjeçarin Endrit Tota, gjatë një operacioni kundër trafikimit të emigrantëve të paligjshëm.
Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se automjeti me drejtues 38-vjeçarin e arrestuar, me të cilin udhëtonin si pasagjerë 4 emigrantë të cilët po transportoheshin drejt Kukësit u ndalua në aksin Tiranë-Durrës. Në Kukës emigrantët më pas do të ndihmoheshin nga 35-vjeçari për të kaluar më pas ilegalisht drejt vendeve të BE-së.
Ndërkohë Policia në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar të tjerë persona që mund të jenë përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet pas disa javësh hetime me metoda speciale, operacioni i koduar “Relay 4”.
Transportonte drejt Kukësit, 4 emigrantë që synonin të kalonin ilegalisht në shtetet e BE-së, arrestohet 38-vjeçari.
Vihet në pranga dhe bashkëpunëtori i tij.
Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 2 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i hetimeve të kryera gjatë disa javëve, me metoda speciale, me qëllim dokumentimin e veprimtarisë kriminale të 2 shtetasve që bashkëpunonin për aktivitetin e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, finalizuan operacionin e koduar “Relay 4”.
Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit: A. C., 38 vjeç, banues në Tiranë dhe E. T., 35 vjeç, banues në Kukës.
Në aksin rrugor “Tiranë-Durrës”, u ndalua automjeti me drejtues 38-vjeçarin dhe pasagjerë 4 emigrantë, të cilët po transportoheshin drejt Kukësit dhe më pas do të ndihmoheshin nga 35-vjeçari, për të kaluar ilegalisht në shtetet e BE-së.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente










