Historia e dhimbshme e skllavërimit të jetës në fshatrat shqiptare për 45 vitet e regjimit komunist.  Si iu bind Enver Hoxha, Stalinit në vitin 1951, për të zbatuar në fshatin shqiptar çdo politikë që impononte Moska, deri tek porosia që fshatarët të ushqeheshin vetëm me bukë misri. Dokumentet arkivore zbulojnë një histori të panjohur diskriminimi të fshatarit shqiptar, ku regjimi i diferenconte deri me çmime dyfish më të larta se sa qytetarët për çdo produkt që blinin ne dyqanin e fshatit

Kursi Stalinist që zuri të ndiqej në Shqipëri sidomos pas vitit 1951, e ktheu vendin në një satelit të vogël e të largët të Moskës, ku ndikimi i politikës Sovjetike dominonte në çdo fushë të jetës.  Ky ndikim, e ndryshoi rrënjësisht jetën e deriathershme në fshatin shqiptar, dhe fatin e afro 80 përqind të popullsisë që jetonte në fshatra.

Gjithçka kishte nisur të ndryshonte fill pas një vizite që Enver Hoxha bëri në Kremlin, ku u takua me Stalinin dhe zëvendëskryeministrin Anastas Mikojani, prej të cilëve mori direktiva të qarta se si do ta zhvillonte në Shqipëri kolektivizimin e bujqësisë. Pikërisht në atë vizitë Enver Hoxha mori edhe udhëzimin e çuditshëm sipas të cilit fshatarët shqiptarë duhet të ushqeheshin gjatë komunizmit vetëm me bukë misri dhe gruri të prodhohej vetëm për qytetin. Çfarë prapaskene kishte ky udhëzim dhe ç’rol kishte ai në thyerjen e fshatarit shqiptar dhe zhytjen e tij në një jetë skllavëruese për shumë dekada rradhazi?

Që kur prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë, Partia e Punës së Shqipërisë kopjoi në çdo çështje, përvojën e Bashkimit Sovjetik e të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Në mbledhjen e KQPPSH, mbajtur në prill 1951, regjimi vendosi të shpejtonte ngritjen e kooperativave bujqësore, siç kishte vepruar Bashkimi Sovjetik gjatë kolektivizimit integral, në vitet 1929 -1932.

Por planet ndryshuan gjatë një vizite që bëri në Bashkimin Sovjetik një delegacion i kryesuar nga Enver Hoxha.

Studiuesi Xhafer Sadiku, autor i librit “Koopertivat bujqësore dhe disidenca e fshtarëve 1946-1991”, thotë në emisionin “Dosja K”, se:

“Enver Hoxha, në vizitën që bëri në Moskë, ku u takua me Stalinin dhe me Mikojanin,  mori këtë porosi nga Stalini, i cili i tha: ngadalësojeni ritmin e ngritjes së kooperativave, merruni me ato që keni ngritur deri tani, fuqizoni ato, dhe pastaj gradualisht duke ngritur kooperativa të tjera”.

Në takimin me Stalinin ata trajtuan një sërë problemesh, por kryesorja ishte çështja e kolektivizimit në bujqësi.  Në kujtimet e Enver Hoxhës, sipas dorëshkrimeve të ruajtura në Arkivin e Shtetit, për këtë takim shkruhet:

"Në atë kohë ne kishim një numër fare te vogël kooperativash. Shoku Stalin më porositi të mos bëjmë më të tjera po të forcojmë ato që kishim. Pastaj shoku Stalin më shpjegoi rëndësinë e kooperativave si dhe rreziqet e mëdha që mund të hasim po të ecim në mënyrë të shpejtuar dhe pa u matur mirë në këtë cështje...Për ju, më tha shoku Stalin, - detyra kryesore është të forconi kooperativat ekzistuese, ndryshe do të shkatërroni edhe ato që keni. Pastaj më bëri një sëri pyetjesh për jetën në kolkozet (kooperativat) tona se si rrojnë. Më pyeti nëse kanë parë kolkoze apo jo shokët që merren me bujqësi tek ne, nëse keni specialista për bujqësinë e kolektivizuar apo jo etj. Dërgoni njerëz tek ne, tha shoku Stalin, -të shohin jetën në kolkoze pse pa i parë këto dhe pa hyrë dëshira do t'u prishen edhe ato që janë ngritur. Prandaj më porositi të marrim masa që ti shohim mirë".

Enver Hoxha shkruante edhe për takimin me Mikojanin, i cili i kishte thënë se i kishin dyert të hapura në Bashkimin Sovjetik, sidomos për pleh kimik.

Sipas Enver Hoxhës, Mikojani e këshilloi të hapnin kanale të mëdha kulluese, të nxiste fshatarët duke u dhënë kredi për të mbjellë pambuk. “Në këtë mënyrë do të kishim pambuk, jo vetëm për vete, por do t'u jepnim edhe demokracive popullore e do ti nxirnimn paret shpejt”.

“Bëni pambuk, dhe mos kini frikë për bukë se bukë gjeni. Lërni një pjesë të importit të grurit dhe blini pleh dhe do të shihni si do t'u bëhet pambuku dhe, po të kini pambuk kushdo u jep bukë. Ua them këtë, se pambuku është me interes të madh për popullin tuaj”, e porosity Mikojani.

Stidiuesi Xhafer Sadiku thotë se “porosia e dytë ishte që të, fshatarët duhet të hanë bukë misri, duhet t’u jepni bukë misri dhe bukën e grurit duhet ta përdorni për qytetin.  D.m.th., bukë misri do të hante fshatari dhe bukë gruri do të hante qyteti. Porosi e Stalinit që Enver Hoxha e zbatoi pikë për pikë, deri në fund”.

Po në kujtimet e Enver Hoxhës  shkruhet se Stalini e kishte pyetur se ç'ishte bërë me misrin që u kishte dërguar.

“Në këtë kohë, unë u skuqa dhe sikur më ranë muret e Kremlinit përsipër. Fakti është që Stalini i madh mendon për gjithë dynjanë, se ç'u bë misri jonë,  që të shtojmë ne prodhimin, atë misër që ai e dërgoi për të bërë ne eksperiencë…

Këtë misër të Stalinit unë e mora në valixhe dhe ja dhamë Gaqo Tashkos për ta mbjellë. I kam thënë për këtë misër edhe Bedriut, Spiro Kolekës, Ramadan Xhangollit dhe hala nuk di se ç'është bërë me këtë misër. Ky është një problem me rëndësi të madhe për bujqësinë tonë. Ne për veten tonë, si Byrто Politike, dhe unë si Sekretar i Përgjithshëm këtë misër që më dha Stalini duhej ta kisha menduar thellë, pse na i dha…".

Sipas kujtimeve të diktatorit, Stalini i këshilloi që misri të mbillej në Shqipëri, se kjo bimë kishte interes të madh për Shqipërinë.

"Populli juaj ha misër dhe jo grurë. Atëherë përse nuk mbillni misër", më tha shoku Stalin. "Grurin mbilleni për qytete dhe qendrat e punës" na tha ai. "Kërkoni nga ne farë që të prodhojnë dy ose tre herë më shumë".

Historia tregoi se Enver Hoxha e ndiqi me përpikmëri udhëzimin e Stalinit, dhe për dekada me rradhë, fshatarët shqiptarë edhe pse e prodhonin grurin, vetë, hanin vetëm bukë misri, ndërsa grurin e dorëzonin për qytetet dhe qendrat e punës.

Kjo ishte një prej formave që do ta ndihmonte regjimin për ti bërë fshatarët të varfërohehsin e të bindeshin, duke vendosur kështu skllavërinë në fshatin shqiptar. Përve këtij udhëzimi regjimi ndërmori edhe një varg masash që do ta thellonin varfërinë në fshat. Një  prej tyre ishte diferencimi i çmimeve për fshatin dhe për qytetin. Të njëjtin produkt, p.sh. një palë çorape, për banorët e qytetit shitej 60 lekë, për fshatarët 100 lekë, pra 40 përqind më shtrenjtë. Kripa në tregun e garantuar ku blinte vetëm qyteti kushtonte 5 lekë, ndërsa në tregun reciprok ku blinin fshatarët shitej 10 lekë, pra dyfish më shtrenjtë.

Pothuajse të gjithë prodhimet industriale, fshatarit i shiteshin shumë më shtrenjtë se banorëve të qytetit, ndërkohë që mallrat e prodhuara në fshat, ju bliheshin fshatrëve nën kosto. Kjo do ta thellonte varfërinë në fshat, dhe  sistemi skllavërues, nga viti në vit, do të funksiononte në perfeksion.

“Sa më shumë ta lësh të varfër fshatarin, sa më shumë ta shtypësh fshatarin, aq më shumë e thyen dhe po e theu, ai nuk e kishte problem pastaj për ta pasur skllav për tërë jetën”, thotë studiuesi Xhafer Sadiku.

Roli i Sigurimit të Shtetit për skllavërimin e fshatarësisë

Kolektivizimi masiv i bujqësisë në vitin 1956 e rriti edhe më shumë pakënaqësinë e fshatarësisë. Propaganda e Partisë për kolektivizimin nuk funksiononte më për të bindur fshatarët të hynin në kooperativë. Disidencën e fshatarëve kundër kolektivizimit regjimi nuk mund ta përballonte me mjete propagandistike, ndaj përdori mjete administrative dhe policore. Për të goditur fshatarët me influencë që, sipas Sigurimit, bëheshin pengesë për kolektivizimin, regjimi ngriti rrjetin e Sigurimit edhe nëpër fshatra.

Ministria e Punëve të Brendshme urdhëroi forcimin e punës agjenturiale-operative në drejtim të kooperativave bujqësore, kulakëve dhe çifligarëve. Familjet e cilësuara kulakë dhe të bejlerëve u regjistruan si kontingjente dhe u morën në përpunim aktiv, kontroll operativ dhe për-punim paraprak, "për veprimtari armiqësore kundër kolektivizimit". Në drejtim të tyre u drejtua një rrjet i dendur bashkëpunëtorësh të Sigurimit.

Në zbatim të detyrave të Partisë, në tetor 1956, Sigurimi i Shtetit organizoi rezidentura në çdo kooperativë bujqësore dhe një rrjet të gjerë agjenturalo-operativ, të cilat do të luftonin fshatarët e cilësuar kulakë, për të krijuar tek fshatarësia ndjenjën e frikës.

Për të thyer rezistencën e fshatarësisë kundër kolektivizimit të bujqësisë, gjatë vitit 1957, u arrestuan një numër i konsiderueshëm fshatarësh. Në rrethin e Gjirokastrës, Sigurimi "zbuloi" gjatë vitit 1957 disa "grupe" që vepronin kundër kolektivizimit.

Sipas një relacioni të Sigurimit të shtetit, datë 25 qershor 1957, “mbi veprimtarinë armiqësore kundër kolektivizimit”, cituar në librin e studiuesit Xhafer Sadiku: 

“Në fshatin Skore u arrestua një grup prej 5 vetësh,  të cilët, u përpoqën të prishnin kooperativën. Ata, u përpoqën të digjnin dhe stallat e bagëtive dhe depot e produkteve të kooperativës”.

Ndërsa "grupi" i Libohovës kishte në plan që pasi të përçante radhët në kooperativë, të rrëmbente të gjitha bagëtitë e kooperativës e të kalonte në Greqi.

Në Glinë, Sigurimi akuzoi një grup tjetër. Në Tepelenë e Delvinë u goditën "grupet armiqësore” të cilët "propagandonin në popull që të mos futeshin në kooperativë”. Në kooperativën e Këlcyrës Sigurimi arrestoi një “grup", i cili, sipas Sigurimit, u përpoq të digjte stallat e kooperativës, të vrisnin kryetarin dhe sekretarin e organizatës bazë të kooperativës. Të gjithë akuzoheshin se pengonin ngritjen e kooperativave dhe prishjen e saj”.

“Ai nuk e zbatoi kot atë tezën: mbështetje te fshatari i varfër, aleancë me fshatarin e mesëm dhe luftë kundër kulakut. Çfarë ka ndodhur? Si e theu ai fshatarin shqiptar që edhe sot pas 30 e ca vitesh voton për partinë që i ka shtypur d.m.th. i ka bërë gjëmën?

Në 67-n bëheshin mbledhje në fshat dhe vinte operativi i Sigurimit nga partia, i ngarkuar nga partia, dhe u bënte biografinë njerëzve, që ata e dinin se kush ishte kulak sepse kush ishte i cilësuar kulak e dinin, por mund të kishte ndonjëri ndonjë gjë kështu, ndonjë teze, dajë a hallë diku në një fshat tjetër dhe nuk e dinin se çfarë lidhje kishte. Atëherë bënin mbledhje dhe thoshin: filani, e çonin atë, aty përpara popullit. E shikoni këtë? Po. Ky ju e dini se është burrë i mirë ose se është familje e mirë, por ky ka pasur, ky ka një dajë atje, ky ka një ballist atje, ky ka një zogist këtej, edhe. Pra këta quheshin kontingjente të hapura që masat, Fronti, rinia, gruaja, e ruanin këtë, këta persona, i kontrollonin. Në qoftë se ti do thoje, do flisje një fjalë që mua më tingëllonte jo mirë në vesh, unë vija raportoja në darkë te sekretari i partisë. Sekretari i partisë e raportonte te komiteti i partisë, komiteti i partië i thoshte Degës që ik, vëreni atë nën përpunim aktiv ose në përpunim paraprak. Ky ishte mekanizmi i krimit”, shpjegon studiuesi Xhafer Sadiku.  

 Ai shton më tej se “emrat e atyre që kishte kundërshtarë,  i kishte Partia e Punës e Shqipërisë nëpër zyrat e saj, dhe këto lista i bënë publike, që këtu në këtë fshat kemi këtë e këtë, janë armiq, janë kulakë, këta janë ish-ballistë, këta janë ish-zogistë, këta janë me biografi jo të mirë, kështu janë këta, i shikoni këta? Tani çfarë bënë këta të tjerët që ishin me biografi të mirë, që u thoshte: ju jeni me biografi të mirë, ju. Këta me biografi të mirë ruanin se çfarë do të thoshe ti gjatë ditës, çfarë do të thoshte ky gjatë ditës. Thoshe: mirëmëngjesi, mirëmbrëma, e përshëndesje, ai të fuste një shpifje se do të rregullonte, do të fitonte ndonjë gjë për vete edhe raportonin. Raportonin, vinte, mblidhte frontin, bënte demaskimin, demaskim publik. Si e bënte demaskimin? Po them pse e bënte. Jo se nuk e demaskonte aty ai, e merrte  e rrihte në Degë, i fuste një hu atje në Degë, por ai e bënte jo thjesht për të demaskuar këtë. Ai e bënte për të trembur këta të tjerët. Çfarë bënin këta të tjerët? Këta ngriheshin në mbledhje dhe ofendonin, e quanin armik fshatarin e tyre, komshiun e tyre, por kjo nuk kalonte ashtu. Ata i regjistronin këta, kush është ngritur, kush ka thënë kundër këtij. Ai ishte skllav i përjetshëm”.

Studiuesi Xhafer sadiku  veçon më tej edhe rolin që patën agjitatorët në këtë skemë skllavërimi të banorëve të fshatit nën komunizëm.  

“Regjimi krijoi agjitatorët. Agjitatorët ishin patronazhistët e sotëm. Sa kishte në vitin 51? 35 000. Vinin në çdo fshat dhe të merrnin shpirtin ose do t’u jepje tepricat, jo tepricat, çfarë kishte aty në shtëpi, grurin, misrin, çfarë të kishe ose do t’ua jepje atyre të grumbullimit ose të merrnin shpirtin, të fusnin hekurat dhe të çonin në burg. Aty në vend”, thotë studiuesi Sadiku.  

Kështu politika e kontrollit, e shtypjes dhe e frikës,  zuri vend pak nga pak në jetën e çdo shqiptari që banonte në fshat.

 “Ishte një sistem i tillë i kontrollit të rreptë, shto këtu edhe varfërinë pastaj në fshat, shto pastaj sistemi i punës se si funksiononte puna, shto diferencimet në të drejtën e arsimit, shto biografinë e kuadrove, specialistëve, si i mbante, shto shkollat. Edhe atyre që u jepte shkollë, të drejtën e shkollës, nuk kishte të një standardi. P.sh., Instituti i Lartë i Arteve, nuk vinin, rrallë vinin nga shtresat e gjera të popullit, të qytetit apo të fshatit. Ata vinin njerëz të nomenklaturës, që kishin në nomenklaturë prindërit e tyre, të afërt me pushtetin dhe që i përdorte pushteti”, thotë studiuesi Sadiku.

Varfëria e pasuar me vdekshmëri të lartë

Panorama e varfërisë, e kontrolli dhe dhunës,  sa vinte e thellohej në fshatin shqiptar gjatë viteve të regjimit komunist. Një varg faktorësh e theksonin këtë varfëri dhe pasojat e jetës skllavëruese në fshat, dhe duket se gjithçka ishte e mirëmenduar për të pasur kontroll të plotë mbi shumicën dërrmuese të shqiptarëve, që regjimi i detyronte të jenonin në fshat.

Studiuesi Xhafer sadiku thotë se “në fund të regjimit komunist, në Shqipëri kishte 2/3 e popullsisë jetonin në fshat dhe 1/3 jetonte në qytet. Po t’i rrumbullakosim kështu d.m.th., 2/3 e popullsisë jetonin në fshat.  Nuk e lejonin lëvizjen e lirë. Nuk ekzistonte e drejta për të zgjedhur punën ose për të zgjedhur banimin. Jo. Edhe ndonjë nga fshati që lëvizte, lëvizte që mund të bënte ndonjë martesë me ndonjë, vajzën e ndonjë zyrtari të regjimit ose ndonjë që ishte me biografi të mire”, thotë ai.

 Po ashtu një rol të rëndësishëm në thellimin e varfërisë dhe rritjen e skllavërisë ën fshat, sipas studiuesit Xhafer sadiku kshte edhe mungesa e investimeve në fshat gjatë diktaturës,  vlerësimi i diferencuar dhe i padrejtë në punë, lufta e klasave etj. 

“Asnjë investim nuk bëhej në fshat. zero investime. Asnjë, të gjitha ato produktet edhe produktet blegtorale që kishte, ia merrte qyteti, ia merrnin për qytetin. Vlerësimi i punës. Një fshatar punon në bujqësi, në bujqësi punon edhe një i fermës ose i fermës, për të njëjtën punë, ai i fermës merrte 3 herë më shumë se ai i fshatit. Fshatit nuk i njihej leja e zakonshme, leja, sepse thoshte që kjo pronë është pronë e grupit, pronë e grupit të fshatarëve. Por ky grup nuk kishte asnjë tagër, as pronësore, as posedimi, asgjë. Krijimi i asaj që thamë, i pabarazisë, i terrorit. Lufta e klasave që është bërë në fshat, e dini shumë mirë, të gjithë e dinë mbase, shqiptarët, përjashto këta të rinjtë, është bërë luftë klase. Çfarë do të thotë? Luftë klase në një shoqëri që s’kishte klasa. Në vitin 48-49 po themi, që u shtetëzuan bagëtitë, tufat e bagëtive, nuk kishte më fare, ishin të gjithë të barabartë”, thekson studiuesi Xhafer Sadiku.

Kjo jetë e kontrolluar dhe skllavëruese,  kishte sjellë një varg pasojash fatale në rradhët e popullsisë së fshatrave shqiptare gjatë regjimit komunist, mes të cilave, siç shpjegon studiuesi Sadiku, edhe rritjen e lartë të vdekshmërisë në përgjithësi dhe vdekshmërisë foshnjore në veçanti.

“Kolektivizimi i bujqësisë ka sjellë këto tmerre. E para, varfërim ekstrem jo vetëm të fshatit por të gjithë Shqipërisë, të gjithë popullit shqiptar. E dyta, ka sjellë rritjen e vdekshmërisë, mbase e ceka pak më herët por rritja e vdekshmërisë në përgjithësi dhe e vdekshmërisë foshnjore në veçanti, që do të thotë, nga viti 45 deri në 50, e thamë, 100 000 fëmijë 01 vjeç të vdekur, 5 000 fëmijë në çdo vit, 01 vjeç. Me vdekshmërinë foshnjore të një vendi matet niveli i mirëqenies së atij populli dhe Shqipëria e Enver Hoxhës ishte vendi i parë në Evropë që kishte vdekshmërinë më të lartë foshnjore. Është një tragjedi e madhe kombëtare, që duhet, që historia duhet t’u japë përgjegjësinë atyre që e kanë. E dyta, fshati në raport me qytetin thamë ishte 2/3, popullsia në fshat sesa në qytet dhe vdekshmëria në fshat ishte 5 me 1, jo 2/3 por 5:1, në fshat”, thotë ai, duke shtuar se  edhe pse e panjohur dhe e pastudiuar sa duhet, jeta në fshat gjatë diktaturës duket se na zbërthen formulën se si, regjimi komunist,  e mbajti nën kontroll dhe skllavëri popullin shqiptar për afro 5 dekada.  Me librin e tij “Koopertivat bujqësore dhe disidenca e fshtarëve”, studiuesi Xhafer Sadiku na shpalos më së miri këtë temë, që lë shteg për dhjetra hulumtime të tjera që rrjedhin prej saj.

“Nga 49-a deri në 90-n, ndaj familjeve që kanë qenë të cilësuara kulakë në fshat, sidomos kulakë të kategorisë së parë, është ushtruar një terror barbar. Unë si studiues, si njeri, dhe si një nga familjet, një nga ato familjet që është terrorizuar më ashpër nga regjimi komunist, unë i akuzoj. Unë akuzoj Partinë Komuniste, Partinë e Punës së Shqipërisë dhe mbrojtësit e tyre sot për terrorin që kanë ushtruar ndaj familjeve tona, ndaj shtresës që ka mbajtur Shqipërinë, siç thotë Kadareja, në kohë të rënda. Dhe askush nuk ka kërkuar falje sot, prandaj edhe është kjo gjendje që është Shqipëria, prandaj është braktisur fshati shqiptar. Dhe nuk është braktisur se kanë ardhur në Tiranë, por janë larguar nga atdheu për të mos u kthyer më në atdhe”, përfundon studiuesi Xhafer Sadiku.