Shqipe Alhasa ishte vetëm 25 vjeçe kur humbi jetën në shpërthimin në fabrikën e demontimit të fishekëve në Gërdec, në vitin 2008. Kishte 10 ditë që kishte nisur punën. Paguhej 1000 lekë në ditë. Me siguri ishte një nënë e lumtur sepse do të conte në shtëpi të ardhura për Denisën, vogëlushen 3 vjecare dhe djalin më të madh. Ndoshta, kur ai shpërthim i papritur, i tmerrshëm e kapi në befasi vdekjeprurëse, po ëndërronte me sy hapur: “Ja, u bënë 10 ditë x 1000 = 10 mijë lekë. Rrogën e marr pas 15 ditësh dhe janë 15 mijë lekë. Denisës do t’i marr një fustan të bukur se po vjen pranvera. Cunit do t’i marr pantallona dhe një këmishë… se u rrit”.
Nënat janë njësoj në gjithë botën. Tamam si Shqipe Alhasa, nëna e re e Gërdecit. Nënat ëndërrojnë më shumë për fëmijët se sa për veten. Nënat vetmohohen, anulohen. Si Shqipja që u bë një nënë pluhur fishekësh që do të niseshin në Afganistan.
Denisa është sot 18 vjece dhe të gjithë gazetarët e intervistojnë ndërsa kujton nënë e saj të shtrenjtë: “Nuk e mbaj mend shumë, - thotë me sinqeritet, -por babi më ka treguar. Pastaj kur u rrita lexoja mediat dhe mësova shumë. Sot po studioj për Drejtësi, sepse dua Drejtësi për nënën time. Dua të vërtetën”.
Kur Denisa flet, sytë e mëdhenj të zi sikur i hapen më shumë, sikur shkëlqejnë më shumë. Ka portretin e një vajze të vërtetë shqiptare. E veshur pastër dhe thjeshtë me një kostum xhins, që e bëjnë më të bukur se një supermodele. Ja pra c’të bëka me të vërtetë të bukur. Ja ç’të emocionon më të vërtetë e të mbledh lotët grusht në fyt: Ëndrrat për drejtësi. “Dua që të çohet deri në fund hetimi”, thotë Denisa. E të dënohet kush ka faj. Nuk është “giustizialista”, (gjykuese) edhe pse do të kishte të drejtë ta bënte. Nuk akuzon me emër e mbiemër, edhe pse dëgjon përditë politikanë dhe gazetarë apo qytetarë që e bëjnë. Ajo ka durimin e një juristeje të lindur. Ajo do të presë fjalën e fundit të Drejtësisë për nënën e saj. Si Zamira Durda për djalin. Si të gjithë shqiptarët që janë cënuar dhe presin dhe ëndërrojnë që drejtësinë t’ua japin të tjerë djem dhe vajza, shqiptarë më të pastër, më të drejtë, më me dinjitet e të pakompromentuar.