Del ekspertiza paraprake për 25-vjeçarin, Klodjan Rasha  që u vra nga polici. Report Tv mëson se Rasha nuk ka marrë asnjë plumb në kokë.

Kjo pas këqyrjes së trupit të pajetë të të ndjerit dhe sipas relacionit për masë sigurie që ka bërë prokuroria ndaj policit.

Arma e policit ka bërë 2 qitje ndërsa 1 plumb e ka kapur Rashën në pjesën e pasme të shpatullës.

Plumbi i ka prekur një organ jetik e për pasojë i ka shkaktuar vdekjen ndërsa plumbi tjetër nuk e ka prekur fare.

Prokuroria tashmë është në pritje të ekspertizës për gjurmët datiloskopike (gishtërinjve) tek arma nëse ajo ka qenë në dorën e Rashës.

Të dy efektivët e policisë që kanë ndjekur Rashën deklaruan se 25-vjeçari ka patur një send në dukje si armë që e kanë nxjerrë nga brezi. "I kemi kërkuar të ndalojë, ka ikur me vrap. Kemi mbushur armët e jemi nisur ndjekjen" - thonë ata.

I riu mbeti i vrarë orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit në rrugën 'Dritan Hoxha' në kryeqytet, pak metra larg shtëpisë nga efektivi i policisë me iniciale N.H. Referuar njoftimit zyrtar, ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:45, atëherë kur në fuqi ishte ora policore, ku sipas SHÇBA, Klodjan Rasha, ka kryer disa veprime të dyshimta e për pasojë patrulla e Shërbimit e përbërë nga 2 punonjës i kanë bërë thirrje që të ndalojë.

Këtij urdhri, Rasha nuk i është përgjigjur, duke u larguar me vrap. Në këto kushte, 2 punonjës së Patrullës së Shërbimit kanë kërkuar përforcime, pasi sipas tyre ai kishte me vete një send në dukje armë zjarri, por duke mos e specifikuar saktësisht. Teksa Rasha po largohej me shpejtësi, ai është përballur me efektivin e policisë i cili kishte ardhur për përforcime dhe pasi nuk arriti që ta prangoste ka qëlluar në drejtim të tij.