Ekstradimi në Itali i  'Ben Qimes'
dosja e harruar 8 ditë në ministri

Ekstradimi në Itali i  'Ben Qimes'<br />dosja e harruar 8 ditë në ministri
TIRANE - Hije të forta dyshimi bien mbi praktikën e ndjekur nga Gjykata e Apelit, lidhur me çështjen e ekstradimit të të kërkuarit nga shteti italian Arben Isufaj, alias “Ben Qimja”. Ndryshe nga praktika ligjore, ku normalisht gjykatat kanë vendosur masën e “arrestit 40 ditë në burg”, afat i cili shërben dhe për palën kërkuese të ekstradimit për të sjellë dosjen penale të huaj, Gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur dje të ulë afatin në 30 ditë. Ky vendim është marrë nga treshja e gjyqtarëve të kryesuar nga Fatmira Hajdari, e cila në vitin 2009 ka liruar Arben Isufaj nga burgu për akuzën e vrasjes së biznesmenit Piro Koçiu. Gazeta “Shqiptarja.com” zbulon se autoritetet italiane kanë sjellë në 27 mars
2014 kërkesën për ekstradim përmes rrugës diplomatike siç e parashikon procedura ndërkombëtare.

Dosja nga autoritetet italiane është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë dhe materiali hetimor duket se prej 8 ditësh është harruar në Zyrën e Marrëdhënieve me Jashtë, pranë kësaj ministrisë. Dosja ka dalë nga kjo zyrë dhe ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme vetëm pasditen e djeshme, pasi Gjykata e Apelit ka dhënë masën e sigurisë “arrest 30 ditë në burg” për Arben Isufajn. Afati 30 ditor fillon nga dita e ndalimit të Isufajt, pra nga dita 9 mars. Praktikisht gjykata i ka lënë prokurorisë vetëm 4 ditë kohë për të dorëzuar dosjen, në të kundërt Arben Isufaj duhet të lirohet.
 
HARROHET DOSJA
 

Materiali hetimor i mbërritur nga drejtësia Italiane, ku tregohet aktiviteti kriminal i Arben Isufaj dhe dënimi i tij me 30 vite burg, është dorëzuar në Ministrinë e Drejtësisë shqiptare në datën 27 mars 2014. Mësohet se materiali ka mbëritur i përkthyer në gjuhën shqipe dhe gati për të kaluar në prokurori. “Shqiptarja.com” kontaktoi disa zyrtarë të Ministrisë së Drejtësisë, ku tentoi të mësojë pse kërkesa për ekstradimin e Arben Isufajt ishte harrura prej 8 ditësh në një sirtar, por nga ana e zyrtarëve nuk u dha një përgjigje konkrete, duke u justifikuar se çështja e materialit konsiderohet si konfidenciale dhe s’mund të shpreheshin. Ndërkohë zyrtarë të Zyrës së Marëdhënieve me Jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, pohuan se kërkesa u ka mbëritur dje pasdite, pra në momentet e fundit të mbylljes së orarit zyrtar të punës. Që prej datës 27 mars 2014, dosja ka qëndruar në Ministrinë e Drejtësisë dhe nuk dihen arsyet e kësaj vonese prej 8 ditësh. Duhet thënë se kreu i këtij institucioni, ministri Nasip Naço është prej disa ditësh për një vizitë zyrtare
në SHBA.
 
AFATI NË 9 PRILL
 
Gjyqtarja Fatmira Hajdari në vendimin e saj, vendosi të zbusë masën e sigurisë nga 40 ditë në burg, në 30 ditë, duke bërë që në 9 prill Arben Isufaj të linte qelinë nëse nuk mbërrinte kërkesa nga Italia. Sipas burimeve të akuzës, tashmë afati i 9 prillit, i caktuar nga gjykata për lirimin e Ben Qimes, nuk mund të ekzekutohet dhe se biznesmeni i ndërtimit në Shqipëri, i dënuar me 30 vite burg në Itali, do të qëndrojë në burg deri në vendimin përfundimtar të drejtësisë shqiptare, për ekstradimin ose jo. Të paktën ky është pretendimi i prokurorisë, pasi për lirimin ose jo të Ben Qimes, gjithmonë do të vendosë gjykata. Vendimi ndaj Arben Isufaj ishte parashikuar për ditën e enjte, por çuditërisht gjyqtarja Fatmira Hajdari ka vendosur të shtyjë seancën gjyqësore, për ditën e djeshme, me argumentin për kompleksitetin e çështjes gjyqësore. Arben Isufaj, është
arrestuar në datën 9 mars në Tiranë, për llogari të drejtësisë italiane, e cila e ka dënuar me 30 vite burg për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale.


Shkrimi u publikua sot (5.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë