Me dekretimin e presidentit Begaj, Belinda Balluku zyrtarisht nuk është më zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë. Por në Kuvend mbetet ende për t’u votuar kërkesa e SPAK për arrestimin e saj.

Nga ana tjetër, në vendimin e zbardhur të Gjykatës Kushtetuese u cilësua se pezullimi i Ballukut nga ana e GJKKO ishte konform ligjit. Më pas, Rama prezantoi nismën ligjore për ndalimin e gjykatave për pezullimin e posteve kushtetuese.

Në këndvështrimin e Albatros Rexhajt, të cilin ai e ndan në “Sot Live në Shqipëri” në Report Tv, është gjëja e duhur për t’u bërë. Shkrimtari e sheh aprovimin e pezullimit nga GJKKO si hapjen e kutisë së Pandorës.

“Në mendimin tim, është gjëja e duhur për t’u bërë sepse pezullimi i zyrtarëve të lartë të shtetit që burojnë direkt nga Kushtetuta, kryetari, Avokati i Popullit, kryeministri, anëtarët e qeverisë, këto s’mund me një akt procedural t’i pezullosh se nesër pezullon kryeministrin. GJKKO në momentin që ka aprovuar pezullimin, ka çelur kutinë e Pandorës dhe ka çelur një hapësirë debati e diskutimi dhe një çështje ligjore ka kaluar në politikë, mazhorancës i ka krijuar hapësirë për të sfiduar zgjedhjet e SPAK-ut”, tha Rexhaj.

Ndërsa ish-deputeti Enkelejd Alibeaj thotë se të gjithë ministrat janë të pezullueshëm, ndryshe nga postet që zgjidhen me votë nga populli të vilët s’mund të pezullohen.

“Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, gjykata ka thënë një gjë të thjeshtë: imuniteti i deputetit është i njëjtë me të ministrit ose anasjelltas. Çështja e debatuar është brenda suazës së imunitetit, a përfshihet pezullimi nga detyra apo jo? Kodi i Procedurës Penale thotë që pezullohen nga detyra çdo funksionar shtetëor nga më i larti te më i parëndësishmi përveç deputet, kryetar bashkie, anëtar i këshillit bashkiak. Gjithë të tjerët janë të pezullueshëm nga GJKKO. Logjika është e thjeshtë: ata zgjidhen drejtpërdrejt me votë nga njerëzit. Gjithë të tjerët, nuk zgjidhen nga shqiptarët me votë, por nga Kuvendi ose organe të tjera. Kërkesa e Ramës është që përveç tre funksioneve, të fuste edhe ministrat. kjo çështje mori përgjigje nga Gjykata Kushtetuese. Ajo ka thënë që pezullimi nga detyra për ministrat nuk përfshihet te imuniteti, pra ata janë të pezullueshëm nga gjykata dhe ky vendim është marrë 8-0. Kur ka ardhur çështja te rasti konkret, Balluku, janë ndarë 4-4. Në këtë rast, sipas Kushtetutës dhe ligjit të Gjykatës Kushtetuese, ka vendim rrëzimi që kërkesa e Ramës për të shfuqizuar vendimin e GJKKO-së për pezullimin e Ballukut duhet të merrte së paku 5 vota, i 9-ti nuk është. Nëse merr më pak se 5 vota, është rrëzuar. Në këtë rast ka marrë 4 vota që do të thotë është rrëzuar”, tha Alibeaj.

Sipas tij, me ndryshimet ligjore në Kodin e Procedurës Penale, Rama kërkon të rrisë imunitetin për veten dhe ministrat e tij, gjë që mund ta bëjë sepse ka numrat.

“Me fjalë të tjera, kjo që po bën Edi Rama është veçse rrit imunitetin. Kjo s’ka gjë të keqe, ka numrat dhe mund ta bëjë. Çështja është: sot në Shqipëri, cila është më e rëndësishme, të mborhen funkisonarët e lartë nga drejtësia apo drejtësia të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar që bëjnë pushtetarët?”, u shpreh Alibeaj.

Ndërsa Albatros Rexhaj mendon se “Rama ka të drejtë të dyshojë, ka të drejtë të besojë në  pafajësinë e ministres së vet”, tha ai. Megjithatë, SPAK ka thënë se Belinda Balluku mund të prishë provat ose intimidojë dëshmitarët nëpërmjet vartësve të saj, nëpërmjet personave që vetë ajo mund t’i ketë emëruar dhe që ka kontroll mbi ta.

“Kjo punë s’bëhet kuturu. Këto janë llafe kafenesh. Këtu duhet vetëpërmbajtje. SPAK-u dhe vetëpërmbajtja janë dy gjëra të ndryshme. SPAK-u s’ka idhje me vetëpërmbajtjen. Ne duhet të insistojmë që ky precedent të ndërtohet në mënyrë që t’u shërbejë të gjitha rasteve në të ardhmen se nëse ndërtohet keq, jo vetëm që do të dështojë reforma në drejtësi, por edhe demokracia funksionale në Shqipëri”, thotë Rexhaj.

Në analizën e Alibeajt, Rama është i dyzuar për shkak të presionit të dyfishtë nga Balluku dhe ndërkombëtarët, ku me këtë të fundit, rrezikon shumë.

“Rama është në një dyzim, në një kryqëzim. Së pari, ndodhet në një presion. Presioni i parë vjen nga Balluku, drejtpërdrejt. Ajo është ministre që sot, është nën procedim për 11 dosje. Ne e dimë të gjithë që ato dosje janë çështje tenderash shumëmilionëshe, janë bërë nën orientimin e kryeministrit. Unë nuk e di nëse ka prova drejtpërdrejt për implikimin e tij, por janë bërë nën orientimin e Ramës. Edhe Balluku ka të drejtë të thotë që unë kam bërë çfarë ti më ke thënë. Tani që jam në një situatë rreziku, dua që ti të më mbrosh. Vetëm Rama flet, Balluku nuk ka folur hiç. Nga ana tjetër është presioni i ndërkombëtarëve, McAllister e tha në mes të Tiranës kjo është test kritik, duhet ta lexojë mirë ç’do të thoë. Rama, nëse nuk voton heqjen e imunitetit, sakrifikon vetë reformën në drejtësi dhe bashkë me të, sakrifikon edhe rrugëtimin e Shqipërisë në Europë”, shprehet Alibeaj.

Rexhaj mendon se ndërkombëtarët nuk kanë ndonjë interes për çështjen e Ballukut sepse ata “bazohen te narrativa”, por Alibeaj thotë se nëse imuniteti i Ballukut nuk hiqet, “drejtësia bie dhe fiton Rama”. Paralelisht, kjo do të sillte pengim të drejtësisë dhe kërcënim për marrëdhëniet me BE-në.

“Kam bindjen që nevoja më e madhe që ka sot Shqipëria është të hiqet çfarëdo lloj pengese ndaj drejtësisë. Beteja s’ka mbaruar ende, do të shohim se ç’do të ndodhë, por uroj shumë që Edi Rama të mos e marrë këtë rrugëtim për t’u bërë pengesë e drejtësisë, të skrifikojë drejtësinë dhe të vendoset përballë ndërkombëtarëve sepse një krijesë që është ndërkombëtare e Brukselit dhe e Uashingtonit, nuk shitet aq kollaj. Ata mund të ngrijnë procesin e integrimit, fondet e BE për Shqipërinë, të pezullojnë sistemin e lëvizjes së lirë. Uroj që mos të shkojë deri në këtë pikë, por kjo është për t’u parë”, përmbylli Alibeaj.