Saranda është tronditur nga një skandal që ka prekur drejtpërdrejt kupolën e policisë lokale. Zyrtarë të komisariatit të qytetit bregdetar, dyshohen se kanë mbyllur sytë përballë ndërtimeve pa leje, investime këto nga grupet kriminale, në këmbim të përfitimeve të paligjshme.

Hetimet që zbuluan përfshirjen e shefit të komisariatit të Sarandës, Gëzim Bashllari si edhe tre inspektorë të policisë, Andi Duro, Ajdin Ismailaj dhe Robert Çullaj, nisën pas një denoncimi të mbërritur në adresën elektronike të drejtuesit të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, dy ditë më parë.

Bëhet fjalë për një beach bar dhe plazh privat pa leje në vijën bregdetare të Sarandës, në lagjen numër 1, ngjarje kjo, që pasi u zbulua nga policia, çoi në arrestimin e 8 punëtorëve dhe shpalljen në kërkim të pronares, të paktën në letra prej 2022-shit, të stacionit të plazhit, Arjola Dhrami Bajo. Objekti pa leje, u shemb nga IMT-ja.

Por verifikimet e mëtejshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore zbuluan se gjithçka kishte ndodhur me dijeninë e zyrtarëve të komisariat, të cilët kanë detyrë të kontrollojnë territorin. Jo vetëm kaq. Ata dyshohet se kanë marrë ryshfet të majmë për ta toleruar këtë ndërtim të paligjshëm.

CopaCabana Beach’ është beach bar-i dhe stacioni i plazhit në Kanalin e Çukës në Sarandë, përgjatë vijës bregdetare, ku ndodhen gjithashtu disa nga hotelet dhe resortet më të njohura dhe luksoze të qytetit.

Plazhi privat që prej disa vitesh ka qenë i hapur, kur u zbulua nga policia, po përgatitej sërish për sezonin veror, duke ngritur strukturat e drunjta për beach barin dhe vendosjen e shezlongëve e çadrave. 

Foto si dukej Beach-Bari

E njëjta pronë, në zonën më të lakmuar të bregdetit Jon, ka qenë më herët objekt konfliktesh, dhe dyshohet se lidhet edhe me vrasjen me tritol në makinë ndaj Isuf Jaçajt, në tetor të vitit 2025 në Sarandë. 

Hetuesit dyshojnë se pas këtij atentati qëndron një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili ka dyshime se fshihet edhe pas ndërtimit të plazhit privat dhe në të tjera ngjarje kriminale në Sarandë.

I njëjti grup, në vitin 2025, vetëm 3 muaj para atentatit të Isuf Jaçajt, dyshohet se organizoi edhe planin për t’i vrarë të birin, po me tritol në makinë, në korrik të 2025-ës, por i riu, Klaus Jaçaj shpëtoi.

E gjitha, dukej të ishte hakmarrje për një përplasje me armë në Sarandë të 32 vjeçarit Jaçaj, me të njëjtin grup të dyshuar nga Kamza, më 17 korrik 2025. I riu ishte në një krah me Ramadan Zoton, një burrë nga Saranda i cili pretendonte të shfrytëzonte të njëjtin beach bar që sot shkriu komisariatin e Sarandës. Ngjarja çoi në pranga të Klaus Jaçajn, pasi largoi nga vendi i ngjarjes, Zoton, i cili qëlloi me armë. Të plagosur mbetën Gëzim Hajdari dhe Ernest Lami.

Të arrestuarit u pezulluan nga detyra dhe Hita paralajmëriu se po përgatit përjashtimin e tyre nga radhët e policisë.

Shefi i Komisariatit i Sarandës, tashmë i arrestuar, Gëzim Bashllari, përpara hetuesve të AMP-së ka deklaruar se ka qenë i zënë këtë javë me një ngjarje kriminale, vrasjen në fshatin Gjashtë të Sarandës të biznesmenit Rexhep Ismaili më 8 maj, ndaj nuk ka pasur kohë të merret me ndërtimet pa leje.

Ndaj shefit të komisariatit dhe vartësve të tij rëndojnë akuzat për “Shpërdorim detyre”, “Kryerje të veprimeve arbitrare” dhe “Mosmarrje masash për ndërprerjen e gjendjes së paligjshme”, vepra që dyshohet se janë kryer edhe në raste të tjera.

Gjithashtu u pezullua nga detyra edhe Shefi i Krimeve në Komisariatin e Sarandës, Blerim Tafçiu, pasi nuk u paraqit për t’u marrë në pyetje nga AMP gjatë veprimeve hetimore.

EMRAT E POLICËVE TË NDALUAR
Gëzim Bashllari, me detyrë Shef Komisariati;
Andi Duro, specialist për hetimin e krimeve
Ajdin Ismailaj, specialist për rendin
Robert Çullaj, specialist zone
I PEZULLUAR NGA DETYRA
Shefi i e Krimeve në Sarandë, Blerim Tafçiu

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:49
Beach bari pa leje i bandave në Sarandë/ Shefi i komisariatit justifikon veten: Isha i zënë me vrasjen e një biznesmeni, s’kam pasur kohë të merrem me këtë

1778876489_gezimbashllari.jpg

Shefi i Komisariatit i Sarandës, tashmë i arrestuar, Gëzim Bashllari, përpara hetuesve të AMP-së ka deklaruar se ka qenë i zënë këtë javë me vrasjen në Sarandë, ndaj nuk ka pasur kohë të merret me ndërtimet pa leje, raporton gazetari i Report Tv Sokol Dema.

Ora 14:17
Ndërtimet pa leje në Sarandë, ja cili është beach bari i famshëm që ka çuar në përplasje kriminale

‘CopaCabana Saranda’ është beach bar-i dhe stacioni i plazhit në Kanalin e Çukës në Sarandë, pronë e cila ka çuar në shkarkimin e kupolës drejtuese të policisë së qytetit për shkak të ndërtimeve pa leje si dhe në përplasje kriminale.

Ky lokal rezulton të jetë në pronësi të Arjola Dhrami Bajos që prej 2022, ndërkohë që dyshohet se kjo pronë t’i përkiste dhe Isuf Jaçajt, i ekzekutuar me tritol në 2025-ën dhe se kjo tokë t’i jetë marrë me forcë nga një grup kriminal me bazë në Kamëz.

Ora 10:25
Saga e krimeve që fshihet pas ndërtimeve pa leje në Sarandë/ Prona ishte e Isuf Jaçajt, i ekzekutuar me tritol! Kupola e policisë mori ryshfet nga bandat

1759615212_isufjacaj.jpg

Isuf Jaçaj

Ndërtimi pa leje i zbuluar nga policia të enjten në Sarandë dyshohet se lidhet me një seri ngjarjesh kriminale që kanë tronditur qytetin muajt e fundit. Sipas burimeve pranë policisë për gazetarin e Report Tv Sokol Dema, prona ku po kryheshin punimet rezulton të ketë qenë në emër të Isuf Jaçajt, i cili mbeti i vrarë pas një shpërthimi me tritol në automjetin e tij në tetor të vitit 2025.

Hetuesit dyshojnë se pas atentatit mund të qëndroj një grup kriminal me bazë në Kamëz, i cili po verifikohet edhe për përfshirje në episode të tjera kriminale në Sarandë. Në pronën që dyshohet se ishte marrë me forcë nga ky grup, po ndërtohej një beach bar që synohej të vihej në funksion gjatë sezonit turistik.

Për lejimin e ndërtimit, dyshohet se janë dhënë ryshfete ndaj drejtuesve lokalë të policisë. Për këtë çështje, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ndaluar shefin e Komisariatit të Policisë Sarandë, si dhe tre vartës të tij, të dyshuar për shpërdorim detyre dhe përfshirje në skemën korruptive që lejoi vijimin e punimeve.

Ora 10:10
Drejtuesit e policisë së Sarandës 'njësh' me krimin! Lamallari: Kush shkel ligjin ‘të heqë uniformën’

Për shkrirjen e komisariatit të Sarandës, nën dyshimet se drejtuesit kanë favorizuar ndërtime pa leje, përfshirë dyshimet se subjektet janë të lidhur me krimin, ministri i Brendshëm Besfort Lamallari, tha se në radhët e policisë nuk ka vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit e që bashkëpunon me element kriminalë.

Në reagimin e tij, Lamallari theksoi se në radhët e Policisë së Shtetit nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit apo që tradhton besimin e qytetarëve.

"Në Policinë e Shtetit nuk ka dhe nuk do të ketë vend për askënd që bëhet palë me shkelësit e ligjit, që abuzon me detyrën apo bashkëpunon me elementë kriminalë. E përshëndes me respekt operacionin në Sarandë, ku Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe vetë Policia e Shtetit, bashkëvepruan për të arrestuar drejtues e punonjës policie të bërë njësh me shkelësit e ligjit.

Kjo provë vullneti për të pastruar radhët e Policisë së Shtetit nga çdo element që cënon ligjin dhe besimin e publikut, nuk është e para dhe nuk do të jetë as e fundit. Në çdo rast abuzimi, që nga symbyllja përpara ndërtimeve pa leje deri tek kompromisi me elementët kriminalë, reagimi do të jete me zero tolerancë. Efektivët që tradhtojnë popullin dhe abuzojnë me detyrën, do të identifikohen, goditen dhe përballen me drejtësinë. Përgëzime dhe kurajo lidershipit të ri të Agjencisë së Mbikqyrjes Policore dhe Policisë së Shtetit. Asnjë hap mbrapa", shkroi Lamallari.