“Kushdo që kontrollon mediat, kontrollon kulturën.”
– Allen Ginsberg
Vitet e fundit, media digjitale ka njohur rritje të gjerë e të shpejtë në të gjithë botën duke u shndërruar në një histori komplekse zhvillimi që mbart të mirat e të këqijat e asaj që po ndjek të tashmen dhe padiskutim, do të shoqërojë edhe të ardhmen tonë të përbashkët. Në këtë realitet të ri gjithnjë e më surprizues për nga inovacioni, thuajse të gjitha mediumet tradicionale në Shqipëri kanë përqasur paralelisht punën e tyre me evolucionin teknologjik, i cili çdo ditë na njeh me dimensione të paeksploruara më parë. Tashmë, çdo televizion, gazetë, revistë apo radio që ka operuar për vite më radhë në treg, disponon së paku edhe një dritare elektronike tek e cila pasqyron prodhimtarinë e vet për të shkuar te publiku përmes kanaleve të reja të komunikimit si ndërthurje mes së vjetrës dhe të resë. Gara mediatike shton çdo moment pistat, shumon lojtarët, ndryshon rregullat, shumëfishon ngjyrat, shton ritmin e lojës dhe duket sikur nuk ekziston vërtet asnjë vijë finishi.
Fëmijët përballë tregut të anti-vlerave në ekran ose epidemia “Ujku i Cërrikut”
Shpejtësia e madhe me të cilën po lëviz sot informacioni, krahas efekteve pozitive, padyshim ka thelluar edhe dimensionin negativ të medias, e cila reaksionon një sërë problematikash socio-kulturore të lidhura kryesisht me aspektin etik. Nisur nga ajo që shohim çdo ditë, mund të konstatohet lehtësisht se tregu i medias elektronike tashmë thuajse ka dalë nga kontrolli i autoriteteve duke rrezikuar nxitjen e një epidemie digjitale, pjesë e së cilës jemi të gjithë, e shohim a nuk e shohim, e pranojmë a nuk e pranojmë. Madje, më të riskuarit janë ata në vijën e parë që e ushqejnë këtë mungesë etike, duke qenë kështu preja e parë e vetë produktit të cilin servirin.
Për ta konstatuar këtë mjafton një monitorim i thjeshtë i platformave online për të kuptuar shkeljet e përsëritura të të ashtuquajturit Kodi Etik i Medias Shqiptare, atë të cilin në shkollë profesorët/et e ligjërojnë si Biblën e një mediumi mediatik për të funksionuar ashtu siç duhet në të mirë të publikut, së vërtetës dhe paqes sociale. Ndërkohë, në praktikë shpesh janë të parët po vetë ata që nuk i shpëtojnë dot epidemisë digjitale, duke u gjendur me apo pa dashje në shkelje që fatkeqësisht janë shndërruar në normalitet dhe standard të gjithëpranuar. E, nëse të rriturit kanë fituar një lloj imuniteti dhe janë pajtuar me të keqen (shpesh pa vetëdije), ata që preken më shpejt dhe drejtpërdrejt janë të miturit dhe adoleshentët.
Andaj, mes shumë problematikave që has syri – jo domosdoshmërisht edhe aq i stërvitur – çdo sekondë, minutë apo orë në kredhjen e medias online, shqetësimi im më i pastër e i vetëvetijshëm shkon tek ekspozimi i fëmijëve dhe të rinjve përballë të ashtuquajturit treg të anti-vlerave në platormat digjitale. Ky i fundit duke cenuar etikën, bëhet pjesë e pandashme e (ç)edukimit dhe (keq)formimit të tyre.
Ndër vite kryesisht media elektronike thuajse ka qenë e pamëshirshme ndaj së ardhmes dhe fenomeni “Ujku i Cërrikut” është mishërim perfekt i kësaj shpresëvrasjeje. Sajmir Rexhepi, i njohur nga audienca si “Ujku i Cërrikut” është një personazh i cili në mediat elektronike është prezantuar e shitur fillimisht si një model i rrjeteve sociale, këngëtar e aktor, madje-madje, për hir të marrëzisë e komedisë, edhe mbret me kurorë, pavarësisht se Shqipëria është Republikë Presidenciale! 45-vjeçari nga Cërriku, i sapodalë nga qelia, u shfaq fillimisht në vitin 2014 në emisionin “Zonë e Lirë” të moderuar nga Arjan Çani, transmetuar në televizionin kombëtar “Klan”. Edhe pse i sjellë e trajtuar fillimisht me nota humori që shkonin në kufijtë e banalitetit, ai sot është shndërruar në një idhull për shumë fëmijë. Tashmë, çdo qytet i Shqipërisë ka personazhe të ngjashëm me të ku në ekranet e mjeteve tona teknologjike mund të gjejmë lehtësisht të tjerë imitues që shfaqen nën emrat: “Ujku i Shijakut”, “Ujku i Fierit”, “Ujku i Mamurrasit”, “Ujku i Librazhdit”, etj. Kërkimi më bazik në platformat e mediave sociale apo në motorrin e kërkimit “Google” nën gërmat “ujk…” na orienton sipas algoritmave që njohin aq mirë preferencat e audiencës jo drejt ujkut të përrallave e Kësulkuqes, por drejt kopeve që kanë pushtuar median elektronike dhe po shqyejnë e bëjnë copash etikën në pikë të ditës.
Pasqyrimi i këtyre individëve në media me zhargonin tej normave, sjelljes agresive, mesazheve të dhunës dhe qasjes së tyre ndaj publikut, ka dhënë një ndikim jo pak të vogël në jetëzimin dhe përtëritjen e herëpashershme të brand-it të antivlerave, ku personazhet i lënë vendin e yllit të momentit njëri-tjetrit. Jo pak herë me shfaqjet e tyre, ata transmetojnë dhunë fizike, psikologjike, emocionale dhe seksuale, duke depërtuar përmes hapësirës virtuale në shtëpitë tona, ambjentet arsimore dhe komunitetin që na rrethon, të cilit edhe dozat e veta të përditshme të dhunës multidimensionale i dalin e i teprojnë.
Për të maksimalizuar më shpejt përfitimet, mediumet elektronike kanë zgjedhur që këtë personazh (dhe të ngjashmit me të në çdo fushë e program) ta paketojnë dhe shesin ashtu siç është, të pafiltruar, sipas një filozofie të re mediatike nën parrullën e mediokritetit që sjell më shumë audiencë. Si ilustrimi më i drejtpërdrejtë i këtij fenomeni që kristalizon të keqen e së nesërmes, është një video-çmenduri e fundit ku disa fëmijë brohorasin idhullin e tyre, 45-vjeçarin “Ujk’ të Cërrikut”.
Heroi për fëmijët në këtë video nuk është princi që shpëton princeshën nga kthetrat e kafshëve të egra, nuk është zana që shpërndan mirësi, nuk është polici që ndjek kriminelin, as ndonjë astronaut që fluturon duke i dhënë krahë potencialit njerëzor, apo as ndonjë misionar drite që shkon drejt thesareve të fshehura të natyrës. Jo: superheroi model, ndryshe nga sa jemi mësuar, ditët e sotme është një tjetër lloj kafshe, “Ujku i Cërrikut”, specie që noton në ujërat e ndotura të mediave tona elektronike. Sajmir Rexhepi është një ndër ata shumë personazhe të dala nga moçali i medias, flamurtar i denjë i degradimit të Kodit të Etikës së Gazetarit, ku antivlerat marketohen para fëmijëve si vlera. Njëri prej fëmijëve mban një armë (që nuk dihet në është e vërtetë apo e rreme) dhe e drejton drejt bashkëmoshatarëve të tij në formë triumfi teksa brohoret idhullin e tij. Natyrisht që ne nuk mund të parashikojmë dot se si do të jetë e nesërmja e këtyre fëmijëve, por njohim të tashmen e tyre shqetësuese dhe kjo është mëse e mjaftueshme (fatkeqësisht). Vetë fenomeni i “Ujkut të Cërrikut” që portretizohet e imponohet thuajse kudo me dhjetëra personazhe të shumëfishuar, meriton sot ende në kohë një studim të thelluar polihedrik. Sot ama, para se të jetë tepër vonë dhe të jemi duke korrur kostot e papërballueshme që nuk njohin brez të madh e të vogël.
Fluturon gomari? Fluturon!
Shpesh është thuajse e pamundur ta ndash në një përgjigje të vetme dilemën e gazetarisë së sotme digjitale se cila i shkruan standardet e servirjes së lajmit: audienca apo Kodi i Etikës? Trysnia e krijuar nga parimet e etikës dhe ajo e numrit të klikimeve janë në përplasje të vazhdueshme me njëra-tjetrën, e kjo e fundit dukshëm ka më shumë përparësi dhe epërsi.
Rritja e audiencës, e përmasave të platformës mediatike dhe fitimeve monetare, janë tri kritere jetike në vlerësimin e punës së gazetarit/redaktorit nga pronari mediatik, pasi në këtë trekëndësh rrotullohet edhe suksesi i një medie që mbijeton nga reklama. Paradoksalisht, këto janë madje më të rëndësishme sesa vetë etika. Pakkush prej tyre merr në konsideratë sesa etike ka qenë media e tij elektronike, por ama bilanci i audiencës është ballafaqimi kryesor. Në këtë pikë, njerëzve u serviret ushqimi më i lirë, ai i mediokritetit i cili nuk ka kosto të madhe dhe është i gëlltitshëm menjëherë nga konsumatorët. Tashmë, e mësuar me këtë menu mediatike, është vetë audienca ajo që e kërkon, e aq më tepër fëmijët dhe adoleshentët. Natyrisht, asnjë nga gazetarët digjitalë nuk niset të shkruajë një artikull duke pasur si synim shkaktimin e problematikave tek të miturit dhe adoleshentët. Përveç ndonjë kokëkrisuri që s’është diagnostikuar ende, nuk mendoj e nuk besoj se është keqdashësia ajo që i servir produktet. Në fakt, kam bindjen se rrënja është edhe më problematike, duke qenë pikërisht pavetëdija kolektive për dëmin që shkaktohet. Në fakt, redaksitë përgjithësisht kanë mungesë të personave të specializuar dhe me përvojë që t’u dedikohen çështjeve të lidhura me fëmijët apo ofrimin e këndeve të posaçme për të mbrojtur brezin e ri nga keqinformimi. Në këto kushte, pavetëdija kolektive bën që të lulëzojë fenomeni “Ujku i Cërrikut” i cili bën që audiencës të mos i serviret ajo çka duhet, por ajo që kërkohet. Madje-madje, nëse konsumatori mediatik thotë se gomari fluturon, mediumi nuk e bën fjalën dysh! Sot, mes gazetarësh e njerëz të medias, ende është e vështirë të bihet dakord për faktin se parimi “Fluturon gomari? Fluturon!” nuk duhet të zërë vend në hapësirën mediatike e se jo gjithmonë i duhet lënë në dorë audiencës që të përzgjedhë. Ajo, e shumta, mund të orientojë produktet mediatike, por jo të diktojë etikën në media e cila nuk ka pse të venitet në emër të këtij revolucioni virtual. Nëse çmimi që duhet të paguajmë është kjo përballje e fëmijëve dhe të rinjve me epideminë digjitale, atëherë kemi përpara një të ardhme që rezervon rrezik social, kulturor dhe emocional në të gjitha fushat thelbësore të zhvillimit të shoqërisë, mendimit demokratik dhe në fund të fundit, rritjes së qytetarëve të denjë me mendim kritik.
Jo, gomari nuk fluturon! Të paktën jo ai i medias së shëndetshme!
Aksesi i fëmijëve në mediat elektronike
Le të mos keqkuptohemi: kjo nuk është anarki ndaj progresit. Alergjia nga zhvillimi teknologjik është qesharake dhe luftë e humbur, pasi një mjet i lidhur me internetin në duart e fëmijëve u jep atyre pafund mundësi jo vetëm për të eksploruar botën, por edhe për të zgjatur shikimin në shumë dritare diturie që hapin kanatat veç me një klikim. Kjo, në fakt, është alergjia ndaj menefregizmit dhe shkeljes së rregullave jetike për mediumet që formojnë qytetarin e sotëm dhe të nesërm. Do të ishte më shumë se naive nga ana jonë po të besonim se në tregun mediatik shqiptar u kushtohet rëndësi apo kujdes i nevojshëm fashave të orarit transmetues bazuar në rregullimet ligjore në fuqi. Çdo përmbajtje e produkteve të transmetuara në fasha standarde, sot me median elektronike transmetohet dhe rishpërndahet thuajse bruto në çdo orar dhe faqe interneti pa iu nënshtruar paraprakisht asnjë filtri elementar. Ai/ajo që mendon se mund ta kontrollojë si xhandar fëmijën për ta ruajtur nga “Ujku” nuk mund ta bëjë dot këtë plotësisht, e aq më pak me numrin gjithnjë e në rritje të atyre që zgjidhjen më të shpejtë për t’ju shmangur prindërimit e kanë gjetur duke u dhënë më të vegjëlve një smartfon në dorë, teksa vazhdojnë punët dhe daljet e ditës.
Në një studim për vitin aspak të largët 2020, UNICEF ka konkluduar se fëmijët mbi moshën 9 vjeç në Shqipëri kanë akses të palimituar në internet, duke theksuar se 77% e tyre e përdorin telefonin çdo ditë, pa shumë ndryshim nga fëmijët e vendeve të tjera. Shkurt, s’do mend për të kuptuar se fëmijët dhe adoleshentët tanë janë të ekspozuar përballë fenomenit “Ujku i Cërrikut” në çdo moment dhe në çdo platformë të mediave elektronike, krejtësisht pa filtra dhe mbrojtje. Në mungesë të kontrollit të këtyre të fundit dëmi shkon edhe më përtej tyre: me imunitetin tonë ndaj plagëve mediatike. E këtu, me neglizhencën dhe moskuptimin tonë për impaktin e tyre të vërtetë, po dëmtojmë të sotmen e mirërritjes dhe po minojmë të nesërmen tonë sociale. Siç thoshte edhe publicisti i njohur italian Giancarlo Bosetti, “mediat e tjetërsojnë rrënjësisht mjedisin, nga ku fëmijët zgjedhin modelin për të imituar. Rezultati: po rrisim shumë kriminelë të vegjël”.
Përballë ligjit dhe moralit në përmbyllje
Një sërë aktesh ndërkombëtare mbrojnë fëmijët nga kjo epidemi digjitale e prodhuar nga masmedia. Që prej vitit 1989, Konventa e të Drejtave të Fëmijëve e Kombeve të Bashkuara vendoste detyrimin për shtetet për marrjen e të gjitha masave legjislative, administrative, shoqërore dhe edukative për mbrojtjen e fëmijëve nga çdo formë e dhunës fizike, apo mendore. Pavarësisht ratifikimit që në vitin 1991 nga Kuvendi i Shqipërisë, deri më sot në vendin tonë nuk ka asnjë iniciativë serioze nga Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik për ta kanalizuar problemin. Edhe pse nuk mungojnë grupimet e ligjvënësve si “Miqtë e Fëmijëve” apo “ Ministria e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët”, deri më tani pakkush është shqetësuar, madje ndonjë prej tyre i ka përdorur këta personazhe edhe vetë si mjet argëtimi.
Po aq të përdhosura mbeten rregullimet ligjore të ligjit “Për median audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i cili vendos shprehimisht në nenin 46 detyrimin që në çështjet që përfshijnë moralin dhe etikën në materialet programore, veçanërisht kur kjo nënkupton paraqitjen e sjelljeve të dhunshme dhe seksuale, duhet të tregohet kujdes ndaj ndjeshmërisë të publikut dhe efekteve të programeve të tilla në zhvillimin moral, mendor e fizik të të miturve. Orari i transmetimit apo masa të tjera teknike si paralajmërimet akustike apo simbolet vizive janë mjetet e vetme në dorën e transmetuesit, e edhe ato nuk shfrytëzohen për t’i ruajtur fëmijët nga keqedukimi mediatik. Mesa duket, as këto pak parashikime ligjore nuk ekzistojnë për institucionet përkatëse dhe aq më tepër për Agjencinë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve (ASHDMF) që “harron” të monitorojë e jo më të propozojë nisma ndaj të paprekshmëve të medias elektronike, veprimtaria e të cilëve nuk rrugëton në shina juridike.
Çdo indicie tjetër ligjore, propozim apo draft i hartuar që afrohet me kohën e sotme të epidemisë digjitale, ka ngjallur debat të gjerë publik dhe më pas nuk ka mundur të implementohet dot, duke i lënë fëmijët të ekspozuar përballë Ujqërve të shumtë që promovojnë dhunë shumëllojëshe. Mungesa e vullnetit politik, prapaskenat prapa çdo pakete ligjore, konkurrenca mes operatorëve mediatikë dhe presioni i klikimeve që shumë gazetarë apo kryeredaktorë kanë busull gjatë punës së tyre, e bën secilin aktor në këtë mision që jo vetëm të harrojnë rolin e tyre, por edhe normat ligjore dhe morale, si profesionistë, si qytetarë dhe edhe më keq, si prindër. Edhe pse shpesh nuk është problem mungesa e ligjit, por zbatimi rigoroz i tij, në një peizazh mediatik online që ndryshon dita-ditës, nevojitet hartimi, miratimi dhe respektimi i një ligji special për mbrojtjen e fëmijëve si zgjidhja më efiçente e kësaj situate në degradim e sipër, ku në veprim të vendoset jo vetëm media, por edhe trinomi shkollë-familje-shoqëri për të luajtur rolin e tyre në funksion të një brezi të edukuar shëndetshëm.
Kur i kthejmë sytë nga shkolla, nuk duhet harruar se lënda e “Edukatës Qytetare” është ende e një modeli të vjetër ku në brendi të saj lipset të atashohen kurikula të posaçme për edukimin mediatik të fëmijëve qysh në moshë të hershme si parapritë për epideminë digjitale. Sakaq, kur vjen çështja te shkollat e gazetarisë, është një nevojë për jetë a vdekje që lëndët që lidhen kryesisht me etikën në media të kenë kurrikula të veçanta të cilat të ligjërohen në bashkëpunim me psikologë dhe sociologë, pasi në këtë mënyrë profesionistët e rinj të medias kuptojnë impaktin që puna e tyre ka jo në numra klikimesh, por në fëmijë, me mendje dhe zemra në formim e sipër, si dhe mbajnë të karikuara shqisat e tyre të empatisë si gazetarë.
Fushata të tilla intensive në kuadër të një ligji special nuk mund të jenë 1 ditore, 1 javore, 1 mujore apo 1 vjeçare. Ato duan kohë të gjatë, seriozitet të plotë, durim të kalitur, studim të terrenit dhe strategji eficente për të pasur në fund një rezultat që na shkëput nga praktikat e së shkuarës. Deri në realizimin e tij, fatkeqësisht fenomeni “Ujku i Cërrikut” do vijojë të shqyejë çdo Kod Etike dhe do të minojë mirëedukimin e fëmijëve. Ulërimat kanë mbërritur deri pranë shtëpisë sonë, andaj para se të vijë vetë ujku, nuk mjafton veç thjesht ta dëgjojmë, por edhe të veprojmë shpejt e saktë. Në të kundërt, faji edhe për këtë dështim kolektiv të radhës s’do të jetë jetim, por i secilit prej nesh.