Sot kalendari i krishterë ndalet në një nga ditët më të shenjta për besimtarët, Fjetja e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari. Një ditë që kujton fjetjen, ngjalljes dhe lavdërimin e Virgjëreshës, e cila njihet ndryshe si “Pashka e verës” apo “Pashka e vogël.”
Fortlumturia e Tij, Joan, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, mori pjesë në meshën e veçantë të mbajtur në Kishën e Ungjillëzimit të Hyjlindëses, në fshatin malor Agriadi në ishullin e Imbros. Në këtë ceremoni, ishte edhe Tërëshenjtëria e Tij, Bartholomeu, Patriarku Ekumenik.
Për këtë festë, nuk munguan as urimet nga politika përmes rrjeteve sociale.
“Festë të bekuar”, uroi kryeministri Rama për besimtarët dhe ngjashëm me të, edhe presidenti Begaj.
Kishat dhe manastiret kushtuar Hyjlindëses Mari gjatë kësaj dite janë kthyer në vende lutjeje, adhurimi dhe pelegrinazhi.
Kjo ka ndodhur edhe në Manastirin e Zvërnecit ku besimtarë nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe qytetarë e pushues ndezën qirinj dhe u lutën për paqe e mbarësi.
Edhe në Apoloni, Imzot Nikolla u kujtoi të gjithëve se nuk jemi vetëm në sfidat e përditshme ndërsa u bëri thirrje edhe politikanëve për të reflektuar e bërë më të mirën.
"Ajo na mbush me gëzim dhe shpresë se në sfidat dhe vështirësitë tona nuk jemi vetëm", tha Imzot Nikolla.
Një nga traditat e kësaj feste është edhe marrja në shtëpi e degëve të dafinës, si shenjë bekimi.
Festa e Hyjlindëses së Tërëshenjtë Mari është kremtuar edhe në Manastirin e Apolonisë, ku kanë mbërritur besimtarë të shumtë. Mesha e shenjtë u drejtua nga Hirësia e Tij, Imzot Nikolla, i cili e cilësoi këtë ditë si një festë të gëzueshme për mbarë besimtarët ortodoksë, të njohur ndryshe edhe si “Pashka e Verës”.
“Festa e Hyjlindëses është festë shumë e gëzueshme për mbarë botën e krishterë ortodokse. Quhet ndryshe edhe Pashka e Verës. Ajo na mbush me gëzim dhe shpresë se në sfidat dhe vështirësitë tona nuk jemi vetëm", tha Imzot Nikolla.
Gjatë liturgjisë u lut edhe për udhëheqësit e vendit, me thirrjen që ata të kenë urtësi dhe të veprojnë në të mirë të qytetarëve.
“Zoti t’i ndriçojë udhëheqësit tanë me urtësinë e Tij, që të bëjnë veprat e duhura për të mirën e kombit dhe qytetarëve tanë", tha Imzot Nikolla.
Besimtarët ndoqën shërbesat, ndezën qirinj dhe uruan njëri-tjetrin për shëndet, paqe e harmoni në familje. Kjo ditë bashkon besimtarët ortodoksë në lutje dhe adhurim.
Kryeministri Edi Rama u ka uruar besimtarëve të krishterë Festën e Fjetjes së Shën Mërisë. “Festë të bekuar” shprehet ai në postimin e tij në rrjetet sociale.
“Dita e shenjtë e Festës së Fjetjes së Shën Mërisë. Për të gjithë besimtarët katolikë dhe ortodoksë, një festë të bekuar”, shkruan Rama.
Besimtarë të shumtë nga qytete të ndryshme të vendit, por edhe qytetarë e pushues, u mblodhën këtë 15 gusht në Manastirin e Zvërnecit për të kremtuar fjetjen e Shën Mërisë, një prej festave më të rëndësishme të kalendarit të krishterë.
Qirinjtë e ndezur, lutjet për shëndet, paqe e mbarësi shoqëruan pelegrinazhin në një prej monumenteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore e fetare në jug të vendit.
“Lavdi Perëndisë dhe sivjet na dha mundësinë Perëndia të festojmë së bashku, siç i themi në gjuhën tonë popullore, Pashkën e Vogël ose Pashkën e Verës. Dhe pse themi Pashkë? Sepse fjala Pashkë në kuptimin e vet është kalim. Sot festojmë ndryshimin e jetës së Shën Mërisë, kalimin e saj nga kjo botë në qiell, pranë Birit të saj dhe Perëndisë”, thotë At Jani Tereziu.
Një tjetër traditë e kësaj dite është marrja e degëve të dafinës nga manastiri.
“Dafina në Kishën Ortodokse ka kuptimin e saj në të Dielën e Dafinave, për hyrjen triumfale të Zotit Jezu Krisht në Jerusalem. Por sot nuk ka ndonjë kuptim të veçantë fetar. Është një traditë popullore e fshatrave përreth, që e marrin si bekim nga manastiri, por edhe e përdorin si zahire për dimër”, shpjegon ai.
Për shumë prej besimtarëve, kjo ditë është një moment i veçantë lutjeje dhe falënderimi.
“Shën Mëria është e të gjithëve. Dafinën e mora si shenjë për Shën Mërinë.”
“Unë erdha nga Greqia, por shtëpinë e kam këtu. Vij një herë në vit, kur është kjo ditë.”
“Është dita e nënës së të gjithëve. E gjithë botës është nëna.”
Në fund të ceremonisë, besimtarët u larguar nga manastiri me degët e dafinës dhe urimet për njëri-tjetrin, duke e mbyllur këtë ditë feste me shpresë për ditë më të mira.

Presidenti Bajram Begaj ka uruar besimtarët e krishterë për festën e Fjetjes së Hyjlindëses Mari, një nga të kremtet më të rëndësishme të kalendarit ortodoks.
“Uroj të gjithë besimtarët e krishterë në mbarë vendin: Gëzuar Festën e Fjetjes së Hyjlindëses Mari!”, shkruan ai krah një fotoje duke ndezur qirinj.
Kjo ditë përkujton fjetjen, ngjalljen dhe lavdërimin e “Nënës” së Zotit, Jezu Krisht, ndërsa konsiderohet si “Pashka e verës” dhe paraprihet nga një periudhë kreshme.











Komente
Komento