Ajo kishte humbur gjithçka: familjen, nderin, kontaktet, pushtetin që kishte pasur si pjesë e një familjeje aristokratike. Por Leman Ypi thoshte se gjëja më e rëndësishme i kishte mbetur ende ishte dinjiteti.
“Gjyshja ime e konceptonte dinjitetin si një cilësi morale, të lidhur me forcën tonë të vullnetit, diçka që askush nuk mund të na e marrë, as në burg, as në gulag, as në një kamp përqendrimi”.
Kështu tregon për ANSA filozofja shqiptare Lea Ypi, shumë e dashur për brezat e rinj, e diplomuar në “La Sapienza” të Romës dhe që flet italisht në mënyrë perfekte, gjatë pjesëmarrjes në Panairin e Librit në Torino 2026 me librin e saj të ri “Dinjiteti”, sapo dalë në librari nga Feltrinelli.
“Sado përpjekje të bëjnë regjimet për të të zhveshur nga gjithçka, nëse të mbetet forca e vullnetit, aftësia për të rezistuar, për të luftuar dhe për të qenë gjithmonë i vetëdijshëm për kompromiset që mund të refuzosh, atëherë të mbetet dinjiteti. Ky është thelbi i rezistencës”, shpjegon Ypi.
“Kjo aftësi për t’i rezistuar tiranisë është ajo për të cilën kemi nevojë sot dhe që duhet ta rikuperojmë, në mënyrë që të mos humbasim horizontin e shpresës, prej nga lind më pas edhe veprimi politik. Kjo të lejon të kapërcesh mendimin paralizues: ‘Çfarë mund të bëj unë?’, ‘Çfarë kuptimi kanë përpjekjet e mia në një botë të kontrolluar nga oligarkët, tiranët dhe të fortët në pushtet?’”, thotë filozofja dhe shkrimtarja.
A mendon ajo se të rinjtë, të rritur me idenë se nuk kanë të ardhme, mund ta rikuperojnë këtë aftësi?
“Varet nga konteksti ku rritet secili, por nuk besoj se mund të thuhet që të rinjtë nuk kanë dëshirë të ndryshojnë apo nuk mendojnë për të ardhmen. Problemi është se mungojnë format e organizimit politik që t’u lejojnë të projektojnë së bashku dhe ta shprehin këtë dëshirë për ndryshim me të tjerët, në solidaritet dhe jo në vetminë e rrjeteve sociale. Përgjegjësia për këtë nuk është e të rinjve, por e strukturave politike dhe partive politike, që duhet të rimendojnë demokracinë përtej përfaqësimit të thjeshtë dhe votimit”, përgjigjet Ypi.
Libri i Lea Ypit ndërthur historinë e familjes së saj me historinë politike të Europës, nga rënia e perandorive deri te shembja e komunizmit, duke sjellë njëkohësisht edhe një reflektim filozofik mbi kuptimin e dinjitetit në jetën personale dhe politike.
“Sot Europa ndodhet në një udhëkryq dhe mendoj se zgjedhjet që po bën nuk janë ato që duhet të bëjë. Europa ka qenë gjithmonë e varur nga Shtetet e Bashkuara, tani ekziston nevoja për më shumë pavarësi, por riarmatimi dhe mbrojtja duhet të jenë hapi i fundit, jo i pari. Duhet ndërtuar një proces politik dhe social, sepse para se të mbrohesh, duhet të kesh diçka për të mbrojtur”, shpjegon Ypi, e cila jeton dhe punon në Londër.
“Dinjiteti” synon të jetë edhe një ftesë për të reflektuar, përmes figurës së fuqishme të Leman Ypit, mbi mënyrën si lidhemi me kujtesën, burimet institucionale dhe arkivat. Frymëzimi për librin nisi nga një foto e gjyshes së shkrimtares gjatë muajit të mjaltit në vitin 1941, e buzëqeshur dhe e mbështjellë me një peliçe të bardhë, e postuar në rrjetet sociale nga dikush që Lea Ypi nuk e kishte takuar kurrë.
“Kjo lidhej pjesërisht me botimin e ‘Të lirë’, librit tim të mëparshëm, që në Shqipëri hapi debat për mënyrën si e konceptoja lirinë, me polemika në rrjetet sociale për familjen time dhe figurën e gjyshes sime. Kur përdhoset jeta e një personi që ka vdekur, lind problemi i përgjegjësisë së atyre që mbeten për t’i vënë gjërat në vend. Kërkimi për këtë libër është pjesërisht historik, në arkiva, por njëkohësisht ngre edhe problemin se kur kërkon burime nuk ekziston një këndvështrim neutral, por ai i një pushteti të vendosur”, thotë Ypi.
“Po shohim të përsëritet gjithçka: rikthimin e fashizmit, krizën ekonomike, elitat transnacionale. Historia përsëritet, por ne duhet të mësojmë nga gabimet e së kaluarës dhe për ta bërë këtë duhet të kuptojmë si të hyjmë në kujtesë. Ajo që na jep mjetet për ta rimenduar pushtetin në mënyrë kritike është letërsia, sepse na lejon të shtrojmë pyetje mbi boshllëqet e arkivave”, nënvizon filozofja.
“Në fund, nuk është e rëndësishme çfarë gjejmë, por si e tregojmë. Gjyshja ime thoshte gjithmonë: ‘E rëndësishme nuk është çfarë kujtojmë, por si kujtojmë’”. ANSA
Komente








