Fragment epistolar për Moikom Zeqon

Fragment epistolar për Moikom Zeqon

Moikom Zeqo

Unë kam patur fatin të jemi ndërgjegjshëm për Moikomin në një moshë të hershme fëminore.  Falë disa rrethana ve shumë të veçanta familjare, Moikomi ishte pjesë e bisedave he mendimeve në një mënyrë shumë personale.

Kuptohet që nuk e kisha takuar kurrë edhe pse kasha referenca shumë të sakta lidhur me të. Kjo falë librit që ai kish shkruar për gjyshin tim, Mujo Ulqinaku. Kjo lidhje kaq e veçantë më bënte të mos kisha asnjë perceptim për Moikomin si autor apo shkrimtar.

Fakti që ai kishte shkruar një libër të tërë për gjyshin tim përtypej nga mendja ime primitive feminore si një zgjatim i figurës së Mujos; pa ndonjë tipar individual që gëlltitej nga gjithë graviteti i egër që kishte krijuar ideja e një gjyshi hero brenda meje.

Derisa një ditë dikush nga prindërit më blen librin me tregime të Moikomit të titulluar "Heroi i detit Nanas dhe shpendi i tokës Guraks".

Mbaj mend që në atë moment i thashë vetes: “Oh një tjetër Moikom paska shkruar një libër të veçantë me emra të çuditshëm në titull”.

Dhe kështu, Moikomi në kopertinën e librit Mujo Ulqinaku mbeti një tjetër Moikom; ai që ishte zgjatim i gjyshit tim dhe që nuk na vinte asnjëherë për vizitë ne shtëpi.

Që nga ana tjetër, nuk më shqetësonte aspak sepse edhe gjyshin tim nuk e kisha takuar asnjëherë…

Si fëmijë mbaj mend që e shijova shumë atë libër.

Madje më shumë se e shijova, ai libër zgjoi brenda meje një mori ndjesish që nuk isha në gjendje t'i përkufizoja.

Mirëpo ajo që arrija të kuptoja është ndjesitë e atij libri më bënin të ndjehesha në pajtim të plotë me çdo gjë rreth meje sa here shkoja në Durrës dhe kaloja anash mureve Bizantine, Muzeut të vjetër Arkeologjik, - apo sa here ndodhesha në majë të kodrës tek  ish Vila e Zogut dhe shihja poshtë perëndimin dhe kolona antike,- që ngrinin kryet përmbi ujë.

Në mënyrë të pashpjegueshme gjërat vetë-shpjegoheshin përmes disa referencave , që ishin zgjuar në mënyrë të egër nga ai libër dhe, që bënte mos përkufizimin të mos më shqetësonte aspak. Madje, besoj se në atë moment fillova me praktikën eksituese që të gjithë mos përkufizimet, ose paaftësitë e mia për të përkufizuar, t'i mblidhja në një qoshe të trurit e t'i lidhja më pas me referenca rastësore kryesisht me bazë estetike.

Ne momentin që ato tashmë lidheshin me një element estetik, për mua kishin fituar kuptimin e vërtetë ekzistencial.

Pas 30 viteve kuptoj se ai libër i Moikomit më mësoi strukturën e kohës si një ngjeshje e çdo reference kuptimore të së Shkuarës në një të Tashme që zgjerohej brenda meje.

Ai libër më mësoi marrëdhënien me ngjyrat, shijen dhe aromat e kohës së shkuar.

 Përmes një imagjinate të çmendur ai libër më mësoi të mos kisha frikë të hamendësoja dhe të ndjehesha mire dhe i drejtë në hamendësimet e mia prej djaloshi dhjetëvjeçar.

 Një libër guximtar për guximtarët e ardhshëm të shpirtit dhe mendjes.

Gjithsesi, nuk dua ta shndërroj këtë përsiatje për Moikomin në një me mua rreth një libri të tij të lexuar në fëmijëri.

 

Monumenti i Mujo Ulqinakut në Durrës

                                                            ***

Të persiatësh për Moikomin fillimisht duhet të përcaktosh termat e referencës për shkak se ai është një figurë kaq multidimensionale , saqë është e pamundur të mbulosh të gjitha këto dimensione.

Moikomi shkrimtar, eseist ,arkeolog, paleolog, bizantolog, historian,politikan, studiues,historian arti, kritik, krijues,piktor, grafist, mendimtar, filozof.

 Por është edhe një meta-dimension tjetër më i hollë dhe eterik që i përshkon secilin prej tyre në formën e një strukture mendimi dhe frymëzimi në themel të secilit prej këtyre dimensioneve.

E kam fjalën për Moikomin Poet.

 Poeti i çdo grimce elementare që shndërrohet në planet në vargjet e tij.

 Kam patur fatin e jashtëzakonshëm të lexoj shumicën e “Miscellanea”-ve, por edhe vëllime të tjera si “Shkruesi i Egjiptit”, “Grifonët në Shishe”,” I Padukshmi,” Blici i Engjëjve” “Letra  te Makabe  Zaharias “ “Eshtra Zodiaku “ ,”Njeriu Jeshil “ etj etj.

Mirëpo edhe Moikomi, ashtu si Borges vuante nga ajo që unë e quaj sindroma e Borges-it.

 Të dy, ndonëse veprat më influence se i kanë në eseistikë/prozë,- të dy preferojne që të identifikohen si   thjesht si poetë.

Këtu më së shumti i referohem ndoshta dy kryevepra  proze të Moikomit që janë “Anima Mundi” dhe “Refuzimi i Shkrimit”.

Të dy botimet jo vetëm revolucionarizuan prozën shqipe dhe mënyrën e të menduarit dhe shkruarit në Shqip, por edhe në rrafsh global janë të vetme referenca Borges-iane në letërsinë bashkëkohore botërore.

 Të tillë, të dy librat, përmes një sintezë të ngjeshur dhe të shfrenuar shkatërrojnë ciklikalitetin e kohës dhe krijojnë një kohë fillestare autentike dhe të pahulumtuar.

 Nëse  Zhak Derrida na dhuroi dekonstruksionin e mendimit përmes gjuhës, Moikomi dekonstruktoi kohën përmes sintezës.

***

Në një nga letërkëmbimet me Moikomin, mbaj mend se dikur më pat thënë se mrekullohet shpejt.

Ai ndoshta e përmendi me shkujdesje atë detaj, por është pikërisht në atë moment kur unë më në fund kuptova sekretin e gjenialitetit dhe frymëzimit të Moikomit.

Moikomi është i ndjeshëm ndaj mrekullimit, sepse Moikomi nuk ka frikë të mrekullohet e të ngazëllehet nga asgjë që është manifestimi shpirtit njerëzor.

Ai e sheh dhe e ndjen mrekullimin si konflikt ekzistencial; si trazues i status quo-së ,së një jete të cekët dhe mediokre, dhe e sublimon atë jo në art, por në formë sipërore mendimi.

Sepse duhet të jemi të qartë, që këtu jemi në një dimension meta-artistik dhe post-ontologjik.

Jemi në një dimension ku fjalët dhe dijet puqen nëpër për këmbime matematikore në sajë të një algoritmi konceptual, që krijon kode të reja kuptimi.

 Dhe kjo është ajo që ndodh në veprën e Moikomit:rikrijimi i mendimit përmes alkimisë konceptuale.

 E njëjta lloj alkimie që nuk e bëri kurrë të përlyejë veprën e vet me kohët teknikishit të cilave u përkiste.

Dhuntia e Moikomit i përkiste kohëve të marra e të mbrapshta.

 Por Moikomi e sfidoi kohën.

Ashtu, në pamje të pare, u duk se u fsheh dhe priti në kohë.

 Por nuk ishte as fshehje e as pritje; ishte timoni më guximshëm dhe i zgjuar nëpër në për stuhitë e marrëzisë së të menduarit të kohës.

 Moikomi nuk u shpalos në kohë, sepse ajo do e kishte gllabëruar dhe shndërruar në Bishën e saj prej Totemi Universal

 Por Moikomi u fermentua në kohë derisa u shndërrua në gjallesat e thella të oqeaneve që mahnisin shkencëtarët me ekzistencën e tyre kur ato dalin sipër ujërave.

Kishte vullnet në gjithë këtë, por edhe destin siperor; të dyja te eperme  në fakt vullneti dhe destini, dhe Moikomi i mbajti ato në lartësinë e merituar.

 Në lartësinë që Mistika sipas tij u ndje e plotësuar e i mikluar nga gjithë ajo sintezë e relikeve transcedentale që Moikomi i përjetëson në veprën e tij.

***

Jeta është e çuditshme.

Sërish rrethanat e jetës e sollën që unë dhe Moikomi të njihemi personalisht dhe të kemi një komunikim të thellë.

 Që prej viteve që nuk jetoj më në Shqipëri, Moikomi është e vetmja spirancë intelektualiteti në jetën time...nga ai llojin telektualiteti race që gjithmonë ngjan si specie në zhdukje, por që asnjëherë nuk zhduket, sepse ndodh jashtë kohës dhe nuk ka asgjë që ta gërryejë dhe zhdukë

. Në jetët tona të vogla të gjithë i detyrohemi Moikomit për kodet e pafundta dijes që ai me bujari na i ka falur në librat e tij, dhe që ne i mbajmë në raftet tona.

 Njësoj si ai simboli që zbërthen misterin e universit dhe që ka qenë gjithmonë i shpalosur para nesh, por ne kemi refuzuar ta kuptojmë dhe besojmë.

 Të gjithë i detyrohemi bujarisë intelektuale të tij, por që tani është e jona dhe duhet të fillojmë ta zbërthejmë dhe interpretojmë. Kemi nevojë vetëm për kohë; atë kohë që Moikomi e krijoi dhe na e dhuroi plot bujari. Rrugëtimi nëpër kohën Moikomiane  apo ka filluar!

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë