Garancia e 12 tetorit

Garancia e 12 tetorit
Marrëveshja për ndryshimet në Kodin Zgjedhor është hapi i parë i sigurtë në rrugën që delegacioni parlamentar shqiptar nis drejt Brukselit. Ndryshimet në formatimin e KQZ janë projektuar më mire se në draftin e opozitës dhe e shtojnë mundësinë që kryetari i institucionit të jetë i paanshëm. Gjithashtu hapja e kutive, megjithëse duket vetëm si dordolec për zgjedhjeprishësit, krijon premisën për të mësuar të vërtetën, pasi proçesi të jetë mbyllur. Nga marrëveshja e djeshme, që u arrit në fundin e punës së komisionit parlamentar, mbetën jashtë partitë e vogla dhe të reja, të cilat kërkonin më shumë hapësira nëpërmjet korrektimit kombëtar të rezultatit rajonal të zgjedhjeve. Gjithsesi, nëse thelbi i reformës ishte garantimi i një sistemi sigurie, është bërë maksimumi i mundshëm. Sistemi i përfaqësimit, nëpërmjet korrektimit të propozuar nga partitë e tjera mund të gjejë hapësira edhe gjatë diskutimit dhe votimit të Kodit në Kuvend.
Pjesa më e rëndisishme e marrëveshjes së nëntorit u realizua. Tani mbeten 2 pikat e tjera që paketës së integrimit, reforma parlamentare dhe kufizimi i imuniteteve. Sesioni parlamentar, që si rregull përfundon në korrik, u shty të paktën deri në 6 gusht kur do të votohen amendamendet kushtetuese që heqin imunitetet e zyrtarëve të lartë. Ndoshta, deri atë ditë, mund të përfundojë edhe reforma parlamentare, që shtatori të vihet në dispozicion të prioriteteve të tjera që kërkon Brukseli. Pritet lajm i mirë në 12 tetor. Pas dy refuzimesh Shqipëria do të kapërcejë më në fund pragun e kandidatit dhe do të përfitojë subvencione të paktën 200 milionë euro në vit, që në krizë shërbejnë më shumë se kurrë. Burime nga brenda dhe nga jashtë Shqipërisë flasin arritjen e këtij objektivi. Pavarësisht se 12 prioritetet janë larg realizimit, kërkesa e llogarisë është zbutur nga Komisioni Europian. Rezultati politik do të jetë prioritet dhe sfondi politik do të dominojë edhe këtë ngjarje. Opozita ka vendosur të jetë po aq aktive sa maxhoranca në lobimin pro integrimit. Kodi elektoral, por edhe realizimi e reformave të tjera pritet të shtojnë vizitat e socialistëve në Bruksel që filluan me turin e Gramoz Ruçit. Edi Rama kur paraqiti paketën e tij, përfshiu edhe kërkesën konsensuale nga Tirana për Brukselin. Opozita do të japë garanci në BE që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat dhe për të dhënë këtë garanci, duhet të merrte më parë garancitë nga Qeveria, ato që përmblidheshin në marrëveshjen e nëntorit. Dhe në afatet e fundit duket sikur letrat janë në rregull.
Por nxitimi i opozitës për të dalë garant se Shqipëria është e gatshme për të marrë statusin e kandidatit, nuk duket shumë i bazuar. Arritja e reformës zgjedhore në letër nuk garanton zgjedhje të lira. Zgjedhjet, më shumë se kodi dhe më shumë se KQZ, i garanton vullneti politik i Qeverisë, që mbetet organizatori kryesor i proçesit. Në qershor 2013 do të vendosen ambientet kur do të vendosen qendrat e votimit, do të dalin listat e zgjedhësve dhe do të organizohen forcat e rendit për të shmangur incidentet dhe presionet mbi zgjedhësit, por edhe për të garantuar sigurinë e komisionerëve dhe materialeve të votimit gjatë transportimit. Të gjitha këto varen nga Qeveria. Nëse gjërat nuk shkojnë mirë, garancia që po jep sot, do të kthehet kundër. Përveç garës së meritave që do të fillojë pas 12 tetorit, socialistët e argumentojnë qëndrimin e sotëm me atë që presin nga marrja e satusit të kandidatit. Duke qenë vend kandidat për BE, do të jetë më e vështirë për Berishën të ndërhyjë në proçesin zgjedhor sipas tyre, për shkak të mbikqyrjes më të afërt dhe presionit më të madh të Brukselit. Perceptimi se Shqipëria do t'i ngjajë më shumë një vendi demokratik nëse merr statusin, është masive. Pritet më pak korrupsion, më shumë demokraci, më shumë ekonomi. Por nëse për ekonominë ka shifra të mëdha, për të tjerat nuk ka asnjë premtim dhe asnjë praktikë të mëparshme të Brukselit. Vende anëtare që në janar 2004, si Rumania dhe Bullgaria nuk kanë shumë zhvillime në këto fusha edhe pse kanë zhvillim ekonomik. Korrupsioni dhe demokracia në dy vendet ballkanike, anëtare prej më shumë se 8 vjetësh, mund të krahasohen edhe me Shqipërinë që nuk është as kandidate. Orban në Hungari e sfidon pa kokëçarje Bashkimi Europian. Këto përvoja nuk shërbejnë për të justifikuar hiperaktivitetin e opozitës në dyert e Brukselit dhe Stasburgut. Me votimin e reformave, kodeve dhe ligjeve të rëndësishme, me predispozicionin për një klimë të qetë politike, opozita e realizon detyrimin e vet. Për më tepër e ka mandatin maxhoranca.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë