'Gjahtari' i fosileve që zbulon peshq e guaska në Dajt, Pezë, Krujë dhe zona të tjera: Duhet muzeu i natyrës

Bajram Hoxhaj, me profesion inxhinier minierash, e ka kthyer  shtëpinë, por edhe oborrin e kopshtet e saj në një muze koleksionesh të ekzemplarëve të pasurisë minerale dhe të paleontologjisë.

Me këtë koleksionin, Hoxhaj rrëfen ekskluzivisht për Report Tv pasuritë e të gjitha trevave shqiptare

 Ai ka gjetur mënyrën më të mirë për të na vetëdijesuar se Shqipëria pa asnjë dyshim gjendet në një trevë të pasur thesaresh.

“E para është pasioni im, që duke pasur mbi 47 vjet në profesionin e inxhinierisë së minierave, që kam një jetë duke u njohur me sekretet e nëntokës, unë kam gjetur e kam sjellë në shtëpi minerale të bukura edhe me vlera të mëdha. Ka për shembull edhe kampionë të vegjël, por që kanë të përziera mbi 18 lloje mineralesh.” 

Por ndërsa në  profesionin e tij është e natyrshme të ndihet i lidhur me mineralet, një tjetër pasion, ai i “gjahut” të fosileve do ta rrëmbejë të gjithë kohën e lirë të Bajram Hoxhajt.]

fosile.jpg" style="height:880px; width:1531px" />

Kam gjetur guaska në Dajt, në Pezë, në zonën e Brarit, shihet se në këto vende guaskat ndryshojnë, janë të tipave të ndryshme. Në Krujë ku punoj unë kam gjetur fosile, disa lloje fosilesh të peshqve, që janë edhe më të mëdhenj, të fuqishëm.”

Ndërsa tregon tufat e peshqve dhe gjallesave të tjera detare, Hoxhaj shprehet se Shqipëria është një hapësirë e mirë për studimet e paleontologjisë, ku gjen edhe varreza masive peshqish të fosilizuar”

Bajram Hoxhaj vet, nuk është paleontolog. Kërkimet e tij i mbështet mbi bazën e njohurive elementare që ka marrë në Universitet, të cilat ia nxisin edhe më shumë kureshtjen pas çdo zbulimi të rrallë. E tashmë që zotëron këtë koleksion, ai zbulon edhe nevojën e zhvillimit të kësaj shkence në vendin tonë, por mbi të gjitha domosdoshmërinë e një Muzeu të Natyrës në Tiranë. Le ta ndjekim gjatë intervistës që ka dhënë për Report TV.

Intervista
Zoti Hoxhaj, jemi këtu në shtëpinë tuaj, ku keni një koleksion që tregon pasionin tuaj për të zbuluar e njohur pasuritë e tokës shqiptare. Përse ky pasion për paleontologjinë, kur dihet që profesioni juaj është inxhinier minierash?
-Për mua janë të shenjta se kanë vlerë minerale, artistike dhe ky pasion më ka detyruar që të bredh nga Saranda në Mitrovicë dhe të marrë ajkën e  këtyre ekzemplarëve. Shqipëria është e bekuar nga zoti. Ka pasuri të mëdha të paparashikueshme, ka miliona tonë minerale me vlerë. Shumica kanë plotësuar nevojat e vendit dhe kanë siguruar të ardhura. Sot që industria minerale është privatizuar, vërejtja ime konsiston tek sistemi gjeologjik shqiptar, që është shumë madhor në dije, por që janë larguar nga profesioni i gjeologut në terren. Shfrytëzimi po bën punën e vet dhe një ditë do të mbarohen këto rezerva.

A ka një muze ku prezantohen thesaret minerale të vendit?
-Përgjigja që kërkoni ju është jo shumë pozitive është zbehur dëshira për zbulimin e mineraleve dhe e kanë më të lehtë të shfrytëzojnë shpejt ato që janë. Pra nuk është e mirë gjendja e muzeve, Fakulteti i Gjeologjisë së minierave ka pasur një ekspozitë minerale. Sot nuk janë më ato. Unë e kam pasion, i mbledh dhe të gjitha muzetë bashkë nuk kanë aq ekzemplarë sa kam un këtu, jo se nuk konkurroj me njeri, por edhe pse kam pasur oferta për t’i shitur,  unë i dua këto gurë, jetoj çdo ditë me ta, i pastroj i mirëmbaj.

Pra, mineralet janë kryesisht fusha jote, por ju keni edhe një pasion tjetër: të gërmoni thellësitë e tokës, ose atë që quhet shpirti i tokës, shndërrimi i saj, ku keni zbuluar shumë fosile. Si keni hasur për herë të parë në fosilet e kafshëve që ka ruajtur toka në gjirin e vet?
-Unë si gjurmues ose si pasionant, aty çdo ditë kam parë çka po më del përpara. Dhe kam kapur një ditë një gurë. E kishte rrotulluar një çoban në mal, prej arsyes së vet, kur e shoh atë gur përmbys, e kam kthyer dhe i ka humbur ngjyra natyrore dhe ka marrë ngjyrë më të bardhë. Dhe ishin aty shtatë fosile peshku si shtatë vëllezër Dhe them “ky gur ka ardhur nga diku këtu, s’ka ardhur nga qielli”. Dhe duke hulumtuar, duke gërmuar gjatë kohës që kam në dispozicion krahas punës, kam gjetur shtresa fosilembajtëse, ose në gjuhën gjeologjike quhen varreza masive të atyre gjallesave që historikisht gjithë këto miliona vjet kanë qenë nën ujë. Dhe historia e gjeologjisë e tregon se këto llumra kanë rënë nga malet. Kanë varrosur këto gjallesa dhe një ditë të bukur toka duke pësuar lëvizje të fuqishme që quhen tërmete dhe prej këtyre lëvizjeve pjesë të tokës bashkë me fosilet kanë shkuar atje. Pra është i gabuar termi që ka qenë deti në Malin e Dajtit.

Unë kam thirrur shkencëtarë nga gjeo-shkenca, nga gjeologjia shqiptare. I kanë dokumentuar. Është një zonë me një kilometër shtrirje dhe ajo është një zonë shumë e mirë studimi për studentët. Dhe unë i kam thirrur se këto janë një laborator shumë i mirë për studentët për këtë linjë. Gëlqerorët shumë lehtë atakohen nga uji dhe i gërryejnë ato, ndërsa ka ikur shtresa gëlqerore nga uji në një masë të caktuar, dhe për fatin e mirë e joshës të ekzistencës së tyre  kanë ngelur atyre shkëmbinjve,  sepse kuarci nuk është hidroskopik, nuk gërryhet nga uji dhe kanë ngelur këto. Unë i kam propaganduar dhe në fakultet. U kam çuar kampione,  por edhe pse i kam thirrur për interes studimor, nuk kanë shprehur interes. Nuk studiohet më si më parë tani.

Le të kthehemi tek shkenca e paleontologjisë. Në çfarë niveli është ajo në vendin tonë, a ka studime të tilla, sepse këto objekte që ju i keni grumbulluar vërtetë kanë një interes të madh muzeal?
-Ne jemi njohur me fosilet me disa nga llojet që nga bankat e fakultetit. Unë ia kam treguar këto profesorit të nderuar Selam Meçe. Ai ka shprehur një interes maksimal dhe unë e di që këto kanë vlera jashtë shtëpisë sime, vlerën më të madh e kanë në mjediset e fakultetit, ndërsa mineralet në ambientet e gjeologjisë shqiptare.

Profesori më tha se njihen këto, por atëherë ka pasur pak, dhe ekzemplarë nuk kanë dalë në dritën e diellit në këtë masë. Sot janë mundësitë, sepse zhvillimi i gërmimeve ndërtimore ka marrë përmasa të tjera. Dhe unë këto i kam gjetur nga puna në terren, jo se nuk njihen, por nuk kanë dalë në dritën e diellit, nuk janë prezantuar. Gjatë këtyre punëve ndërtimore janë takuar fosile, janë takuar zbulime të tjera, deri edhe burime ku kanë jetuar njerëzit në lashtësi. Prandaj gjatë këtyre punimeve dhe këtyre ndërtimeve po t’i kthehemi ligjit mineral shqiptar të vitit 2010 ka thënë shprehimisht “çdo karrierë ose dy-tre karriera duket të ketë një gjeologji, sepse gjeologu është gjuetari i këtyre gjallesave, gjuetari i çdo ngjarjeje të re për ta pasuruar hartën e librave të gjeologjisë shqiptare. Dhe unë i kreva këto detyra prej pasionit tim. Unë gjithçka e di se ku i kam marrë, i di përmendësh të gjitha vendet.

Meqë ju na tregoni nevojën e prezantimit të gjithë pasurive që ka vendi ynë, vendlindja juaj Tropoja çfarë pasurish minerale ka?
-Ka të shumta. Tradicionale ka kromim, që ka qenë shfrytëzuar edhe nga italianët kur kanë qenë pushtues provizor këtu në zonën e Kamit andej. Ka krome të pasura, ka krome mesatare dhe të varfra. Ka bokse në Valbonë me mijëra tonë. Ka kuarcin e Kërnajës që është 99 për qind Silic O2, është një perlë që u shfrytëzua në kohën që iku, ka aszbestin, ka olivinitin,  ka qymyr që nuk është prekur fare. Janë thesare që presin të lëvizin nga vendi.

Ju na prezantuar edhe me ekzemplarët që gjenden në zonat e Trepçes dhe të Mitrovicës, aty ku ka edhe një konflikt të madh me serbët në këto zona. Pra, shkaku i këtyre konflikteve në këto dy zona a kuptohet se është për pasuritë minerale?
-E kam shkelur Mitrovicën gjashtë herë. Kam tentuar dhe kam hyrë edhe në pusin e Minierës. Serbët e kanë shfrytëzuar në mënyrën më të barbare, merr e merr, se e kanë parë fundin një ditë.  Tani qeveria që është në kalim e sipër e Ramush Haradinaj e kanë shpallur minierën pasuri publike kosovare. E kanë nxjerrë jashtë llumin që kanë lënë pas serbët. Është një pasuri marramendëse. Është një plumb zinku që ka një peshë të madhe ekonomike, përpunohet jashtë, e tregtojnë serbët me çmime të majme. Aty pritet një investitor strategjik. Sot pas gjithë këtyre shfrytëzimeve, Kosova eksporton 40 milionë tonë, plumb zink, ar, argjend...

Nga ekzemplarët që prezantuat ju vumë re se jo pak minerale kishin kokrriza ari. Në çfarë cilësie e sasie gjendet ari në mineralet  e tokës shqiptare?
-Ari emrin e ka të madh, por nëse kemi një bllok një tonë, quhet me vlerë kur vlera e arit është 2 për qind, më e larta 4 për qind. Pra, duhet të ketë 2 apo 4 kilogram në një bllok të madh një tonësh.  Ndryshe flasin disa me pasion e me mungesë njohjeje se Shqipëria ka dërguar qindra ton ar gjatë diktaturës jashtë. Nuk është e vërtetë, Rubiku ku prodhohej bakri dhe nxirrte 20-25 kg ar në vit, ky ar është siguruar si pasuri shtetërore në Lingota. Unë si 75-vjeçar them që të rikthehet gjeologjia shqiptare dhe djemtë tanë të mos punojnë në vendet e botës, dhe të kthehen këtu, por terreni, kërkimi për pasurinë është mënjanuar. Pra këto miniera një ditë do shterojnë dhe kjo është keq.     

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s

DASH e cilëson 'retorikë të papërgjegjshme' kërcënimin e Medvedevit ndaj NATO-s