FIRENZE - Të martën në stadiumin 'Artemio Franchi' u zhvillua ndeshja e fundit e fazës së 1/8-ave në Kupën e Italisë. Miqtë nga Como përmbysën 1-3 Fiorentinën dhe pas 40 vitesh e gjejnë veten në fazën çerekfinale të këtij turneu, ndërsa do kenë përballë Napolin e Contes.
Sfida nisi shumë më mirë për Fioren që pati disa raste të pastra, ndërsa kaluan në epërsi me Roberto Piccolin pas shtatë minutave lojë. Como 'u zgjua' dhe doli në lojën e saj, për të barazuar me veteranin Sergi Roberto në minutën e 20-të, gol që erdhi pas një shtylle dhe rrëmujës në zonë.
Pjesa e parë u mbyll 1-1, ndërsa me nisjen e fraksionit të dytë ishte Nico Paz që kaloi Comon në epërsi me një të majtë nga jashtë zone. Goli i cili 'vulosi' kalimin e Comos në çerekfinalet e Kupës së Italisë erdhi në minutën e parë shtesë.
Alvaro Morata, i cili kishte pesë minuta në fushë, mori një pasim nga Kuhn dhe me portën thuajse të zbrazur nuk e pati të vështirë të 'përshëndeste' rrjetën. Festë për Comon, pasi ky shihet si një sukses historik që nuk ndodhte prej 40 vitesh.
Tanimë përballë do jetë Napoli i Contes, por Fabregas dhe djemtë e tij për të dytin sezon radhazi na kanë mësuar me lojën e bukur dhe befasistë që kanë në mendje e këmbë.
Komente








