Maqedonia sërish u bë top-lajm i medieve evropiane gjatë gjithë javës që mbeti pas. Vetëm një vendim i Gjykatës Themelore Shkupi 1, e nxori nga binarët lokomotivën me avull të shtetit maqedonas, duke dëshmuar brishtësinë e shtetit maqedonas.

Gjykatësit në rastin e quajtur “Monstra”, nxorën një verdikt, që për shumëkënd lë hapësirë për interpretim ndryshe, për faktin se vendimi më shumë i ka ngjarë karakterit ndëretnik sesa atij juridik të mbështetur në fakte.
Prandaj, vendimi për t’i dënuar me burgim të përjetshëm gjashtë shqiptarë, nxori në rrugë mijëra të tjerë, të cilët u përleshën me Policinë e Maqedonisë dhe për epilog deri tash pati dhjetëra protestues të lënduar, disa të arrestuar dhe shumë dëme materiale e morale.

Protestat e fundit përveç që dëshmuan paqëndrueshmërinë e Maqedonisë si shtet, në sipërfaqe nxorën edhe disa çështje të tjera, që kërkojnë studim.
Sa i përket intervenimit të Policisë, kjo dëshmoi se Qeveria Gruevski është e pakompromis ndaj shqiptarëve, duke përdorur dhunën dhe duke nxjerrë nëpër rrugë makinerinë si Millosheviqi dikur në vitet ’90 në Kosovë.

Në këtë segment, pushteti në Shkup po përdor standarde të dyfishta sa i përket ruajtjes së qetësisë.
Në kohën kur qytetarët maqedonas protestuan pas vrasjes banale të një të riu maqedonas nga një bashkëmoshatar shqiptar, policia u tregua shumë e përmbajtur, pavarësisht se protestuesit ishin shumë agresivë, madje iu vërsulën edhe pronave të shqiptarëve nëpër disa lagje të Shkupit duke i djegur e shkatërruar.

E kur shqiptarët protestuan kundër vendimeve arbitrare në rastin “Monstra”, Ministria e Punëve të Brendshme i futi në sistem gjithë mekanizmat e shtetit, kurse gazi lotsjellës dhe shok-bombat u përdorën duke krijuar pamje si në luftën qytetare në Siri.
Kjo dëshmon edhe një herë se në Maqedoni shqiptarët vazhdojnë të konsiderohet si njerëz të dorës së dytë, ku u mënjanohet e drejta për gjykim të paanshëm, për përdorim të gjuhës zyrtare, për punësim, për protesta e për shumëçka tjetër.

E shqiptarët në Maqedoni përbëjnë më shumë se 30 për qind të trungut demografik, ndërsa përdorimi i gjuhës u kufizohet vetëm në ato komuna ku shqiptarët përbëjnë 20 përqindëshin. Që në start ka shkelje të të drejtave të njeriut.

Nëse të drejtat janë globale, atëherë duhet ecur shumë pak për të ardhur në Kosovë, ku serbët përbëjnë vetëm 5 për qind të popullsisë, ndërsa gjuha e tyre është zyrtare në gjithë Kosovën.
Pra nëse ka standarde evropiane, ato duhet të vlejnë në gjithë Ballkanin, jo vetëm aty ku ka serbë apo maqedonas.

Megjithatë, për gjithë këtë padrejtësi nuk janë fajtorë vetëm të huajt, por edhe ne shqiptarët që jemi bërë pikë e pesë.

“Sëpata e pret malin, por e ka bishtin mbrapa”, thotë një urti që i ngjason rastit të shqiptarëve në Maqedoni.

Në të gjitha trojet shqiptare, partitë politike janë aq shumë të ndara, sa të gjithë e konsiderojnë “vëllaun si shkaun”, ndërsa në Maqedoni partitë politike ka disa vjet që janë në bela, jo me pushtetin maqedonas por me njëra-tjetrën. Këto mosmarrëveshje po i shfrytëzon më së miri Nikolla Gruevski dhe po luan me shqiptarët “si macja me miun”.

Edhe në rastin “Monstra“ nuk pati reagim të menjëhershëm të partive politike, pavarësisht se rasti është shumë i ndjeshëm.
Është shumë e natyrshme se asnjë njeri, as klan politik e as qeveri nuk mundet t’u dalë në mbrojtje kriminelëve.
Mirëpo, në këtë rast duhet kërkuar vetëm paanshmëri në vënien e drejtësisë, qoftë duke kërkuar edhe një gjyq ndërkombëtar.
E sa u përket protestuesve, një gjë duhet të kihet parasysh, se protestat duhet të zhvillohen në karakterin kombëtar dhe jo fetar, siç ka qenë ditëve të para.

Fundi i fundit, nëse ka pasur gjykim të njëanshëm, kjo është bërë për çështje të ndasive kombëtare e jo fetare. Ndryshe, nëse ndër shqiptarët e Maqedonisë përdoret feja si element i ngritjes së zërit, atëherë të njëjtën “deja vu” e kanë përditë.