Ambasadori i Bashkimit Europian në vendin tonë, Luigi Soreca është shprehur se Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kërkesat në lidhje me vizat dhe se asgjë nuk ka ndryshuar.
Parlamenti i Holandës me një shumicë të pazakontë prej 2/3 (108 Vota Pro, 42 Vota Kundër) votoi ditën e djeshme "pro" propozimit të 5 partive parlamentare (VVD, CDA, PVV, SP dhe CU), me argumentin se emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve në Holandë ka sjellë rritjen e krimit, argument i cili është vlerësuar si i pa bazuar në fakte nga ana e Soreca-s. Ai ka deklaruar se qeveria holandeze nuk është shprehur qartë se ka një lidhje mes emigrimit të paligjshëm dhe krimit. Holanda duhet të mbledhë faktet, tha ambasadroi i BE, ndërkohë theksoi se udhëtimi pa viza i shqiptarëve në zonën Shengen do të vijojë.
Duke e cilësuar heqjen e vizave në vitin 2010, si një ndër arritjet më të mëdha të Shqipërisë, Soreca u shpreh i bindur se pas këtij propozimi, qeveria shqiptare do të marrë masat e duhura, duke vënë në pah nevojën për të rritur bashkëpunimin me Holandën për këto dy çështje.
"Kjo do të thotë që është shumë e qartë për qeverinë shqiptare për integrimin e Shqipërisë në Be dhe çeljen e negociatave. Pra kemi rregullore dhe në bazë të kësaj rregullore, raporti do të kryhet në dhjetor të 2019. Që do të thotë në atë moment do të bëhet vlerësimi nëse Shqipëria ka marrë ato masa që i janë caktuar një vit më parë. Që do të thotë tani për tani KE do të bëjë vlerësimin në rast se apo kur qeveria të sjellë raportin e saj. Është shumë rëndësishme për të përmendur diçka tjetër, qeveria nuk është shprehur se ka një lidhje të gjatë mes emigrimit të paligjshëm dhe krimit. Prandaj do të nevojiten të dhëna për të vërtetuar këtë lidhje. Asgjë nuk ka ndryshuar deri në këtë moment, vijon udhëtimi pa viza në zonën Shengen. Më lejoni që të them që kemi ftuar qeverinë shqiptare që të rrisë bashkëpunimin me Holandën për emigracionin e pa ligjshëm dhe lufta kundër krimit. Udhëtimi pa viza është një arritje fantastike për Shqipërinë, që do të thotë ka pasur një progres që prej vitit 2010. Ju e dini që kam qenë në krye të këtij procesi dhe jam i sigurt që Shqipëria do të marrë masat e duhura që të ruhet kjo arritje fantastike", tha Soreca.
Ndërkohë ambasadori italian Alberto Cutillo është shprehur se ky është një vendim i Holandës dhe jo i BE. Përsa i përket hapjes së negociatave Cutillo shprehet se Shqipëria e meriton hapjen e negociatave.
"Mekanizmat në bazë të të cilave BE vendos për heqjen apo jo të vizave është shumë ekzakte dhe e detajuar. Është një e drejtë e të gjithë anëtarëve që të kërkojnë verifikime. E djeshmja është një kërkesë dhe vendosje e Parlamentit holandez dh do të jetë qeveria ajo që do të bëjë kërkesën në BE. Ne dimë që KE.çdo vit bën vlerësime, ky vlerësim është bërë pak muaj më parë dhe për Shqipërinë janë dhënë rezultate pozitive dhe ne presim që kur të bëhet vlerësimi në fund të vitit të ketë rezultate pozitive. Vendimi i Holandës nuk mendoj se do të ndikojë tek vendet e tjera anëtare. Shteti italian nuk e sheh këtë problem të rritjes së kriminalitetit për të hequr vizat, ne se kemi parë këtë problem. Përsa i përket hapjes së negociatave për ne Shqipëria e meriton hapjen e negociatave, por politika duhet të punojë për çuarjen përpara të reformave. Nëse e gjithë klasa politike do të bashkëpunonte reformat do të bëheshin më shpejt dhe kjo është ftesa ime, kontribuoni për të mirën e vendit", tha Cutillo.