Pas zhvillimeve më të fundit në Hungari, ku një lumë qytetarësh në qendrat e votimit rrëzuan me votë një autokrat të njohur botërisht siç është Victor Orban, në Shqipëri, sy shqiptarësh po kalojnë në sitë opozitën tonë: Ku mund të gjendet një Péter Magyar? Te kush është fshehur?
Pa dashur të bëjmë listën e opozitarëve shqiptarë e të rikujtojmë se kush është në PD, kush është jashtë saj etj.etj., deri më tani ka një humnerë të madhe dhe një gur të rëndë sizifi në shpatullat e të gjithëve: Dy ngjarje tepër të rënda e të pashlyera për popullin tonë: Gërdeci 2008 dhe 21 janari 2011! Pa u distancuar thellësisht nga këto dy masakra të paparanueshme në çdo shoqëri që dëshiron dhe ëndërron bërthamën e bekuar të demokracisë, asgjë e mirë nuk mund të duket në horizont.
Po kalojnë vite e vite dhe disa opozitarë që sot pretendojnë të jenë një alternativë ndaj pushtetit të Edi Ramës nuk e kanë vënë ende gishtin në këtë plagë: Jo vetëm që punuan, e admiruan dhe u rreshtuan krahas Sali Berishës dhe familjes së tij pikërisht në vitet e kryerjes së këtyre dy masakrave ndaj shqiptarësh të pafajshëm, por edhe sot e kësaj dite, që i janë larguar atij, e kanë tabu’ qoftë edhe vetëm ta prekin si temë nëpër debate publike. Ashtu siç kanë tabu’ dhe korrupsionin e familjes Berisha, apo të kuptojnë thellësisht pse vazhdon të jetë “non grata” nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Eshtë qesharake kur dëgjon, edhe pas Hungarisë, ata që vazhdojnë retorikën boshe të një lideri të mbaruar pengmbajtës të opozitës si alternativë pushteti, por edhe më e rëndë kur kupton se të tjerë opozitarë nuk e kanë kuptuar ende se ku qëndron problemi i vërtetë i opozitës dhe jetëgjatësisë së pushtetit sot në Shqipëri.
Nuk janë mjerane protestat pa protestues të Sali Berishës, nuk janë mjerane deklarat publike me gënjeshtrat e anatemimet e tij, që tashmë jemi mësuar, mjerimi më i madh mbeten ata politikanë që duart me gjakun e shqiptarëve nuk ia panë e tani kujtojnë se çdo gjë e ka pastruar, i gatshëm për të marrë përsëri në dorë fatet e Shqipërisë. Babai i masakrës së Gërdecit dhe 21 janarit…
Komente











