/ATSH/.- Ministri i Punëve të Brendshme i Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, po qëndron për vizitë pune në Austri, ku pati rastin që të lobojë për anëtarësim më të shpejtë në Interpol dhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Europolin.

Siç njoftoi MPB, Hyseni në St. Polten të Austrisë qëndron për të marrë pjesë në Konferencën Ministeriale të Forumit të Salsburgut mbi çështjet e migrimit, azilit, sigurisë dhe bashkëpunimit policor, si dhe luftën kundër terrorizmit, të organizuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e Austrisë, njoftoi MPB.

Përveç kësaj konference, sipas njoftimit, Hyseni merr pjesë edhe në takimin e 13-të të Këshillit të Ministrave të Konventës së Bashkëpunimit Policor për Evropën Juglindore, mikpritës i së cilës është Ministri i Punëve të Brendshme të Hungarisë.

Në të dy takimet Ministri Hyseni u paraqit me nga një fjalë rasti, fillimisht për problematikën e migrimit gjatë muajve të fundit në Kosovë, e pastaj për rëndësinë e një bashkëpunimi të shtuar policor midis Policisë së Kosovës dhe mekanizmave rajonalë e ndërkombëtarë.

Ministri Hyseni pati rastin që në prag te konferencës të bisedojë me ministrat e Punëve të Brendshme të Austrisë, Hungarisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe me sekretarin e përgjithshëm të INTERPOL-it z. Jurgen Stock dhe drejtorin e EUROPOL-it z. Rob Wainwright.

Në një bisedë të shkurtër me drejtorin e EUROPOL-it, Ministri Hyseni theksoi nevojën e avancimit të bashkëpunimit midis Policisë së Kosovës dhe EUROPOL-it dhe ka shtruar kërkesën që edhe me Kosovën EUROPOL-i të nënshkruajë marrëveshje bashkëpunimi, njësoj sikurse me vendet tjera të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkaq, në komunikimin e tij të shkurtër me sekretarin e përgjithshëm të INTERPOL-it, Ministri Hyseni shfaqi shpresën dhe kërkoi që aplikacioni për anëtarësim në INTERPOL, të cilën Kosova tashmë e ka dërguar, të trajtohet në mbledhjen e radhës të Komitetit Ekzekutiv, njoftoi MPB./KosovaPress/