Vrau dy policë më 1998, Kushtetuesja pranon ankimin e "Mjeshtrit të Arratisjeve" Dritan Rexhepi

I njohur si mjeshtri i arratisjeve dhe i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve në vitin 1998, Dritan (Gramoz) Rexhepi një ndër personat më të kërkuar nga policia shqiptare arrin të fitojë në Gjykatën Kushtetuese të drejtën për t’u rigjykuar nga kolegji penal i Gjykatës së Lartë. Rexhepi prej më shumë se 2 vitesh ndodhet i arrestuar në Ekuador me dyshimet se është i përfshirë në trafikun e kokainës, por kjo se ka penguar që nëpërmjet avokatëve të tij në Shqipëri ai të fitoj një proces gjyqësor në Gjykatën Kushtetuese. Pas këtij vendimi një nga personat e cilësuar si më të rrezikshmit në Europë nga Interpoli, ka mundësinë për të provuar edhe një herë fatin në Gjykatën e Lartë për t’i shpëtuar dënimit.

Shkarkoni dokumentin

Prej më shumë se një dekade Rexhepi ka qenë në listën e më të kërkuarve por ai ka mundur të arratiset si nga burgjet italiane ku ishte duke vuajtur një dënim, si dhe të shmangë arrestimin nga autoritetet spanjolle, belge, e britanike, për t’u kapur vetëm në vitin 2014 në Ekuador. Gjykata Kushtetuese ka vendosur pranimin pjesërisht të padisë së Rexhepit dhe shfuqizimin e vendimit të Kolegjit penal të Gjykatës së Lartë, e cila më parë s’kishte pranuar rekursin e të dënuarit me 25 vite burg për vrasjen e dy policëve.

Në vitin 1999 Dritan Rexhepi u hetua dhe më pas u akuzua për vrasjen e policëve Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998 në Fushë-Krujë, ku së bashku me të u akuzuan edhe disa persona të tjerë. Ai kishte arritur të arratisje nga komisariati i Durrësit, ku ishte ndaluar në vitin 2006, dhe në vijim Rexhepi është arratisur edhe nga burgjet në Itali e Belgjikë, duke u kthyer në një prej personave më të kërkuar nga Interpoli. Në vitin 2014, Shqipëria i kishte kaluar Ekuadorit dosjen për ekstradimin e vlonjatit Rexhepi. Në fakt në garë për ekstradimin e tij janë edhe shtete të tjera të Europës si, Italia, Spanja apo Britania e Madhe, vende në të cilat akuzohet për vepra të rënda penale.

Kush është Dritan Rexhepi
Dritan (Gramoz) Rexhepi është dënuar me 25 vite burg si autor i vrasjes së dy policëve Arben Keqi e Durim Kasmi në vitin 1998 në Fushë-Krujë. Në vitin 2006 ai është kapur nga policia “Hotel Tirana” në qendër të kryeqytetit së bashku me një person tjetër, ku të dy kanë qenë të armatosur me pistoleta. Sipas akuzës të dy të rinjtë ishin vrasës me pagesë dhe Dritan Rexhepiu dërguan në komisariatin e Policisë në Durrës, pasi ishin dënuar nga gjykata e këtij qyteti për krimin në Fushë-Krujë. Dy të rinjtë i lanë në komisariat me qëllim që dy ditë më pas dilnin para Gjykatës. Atë natë filloi legjenda e arratisjeve të vlonjatit. Gramoz Rexhepi mundet të përfitojë nga hutimi i efektivëve që duhej të ruanin të prangosurit, që nuk kishin marrë masa të fortë sigurie brenda në komisariat. Madje, ata kishin vendosur t’iu linin dyert hapur me qëllim komunikimin me njëri-tjetrin.

Sipas përshkrimeve të bëra nga dëshmitarë të asaj ngjarjeje Dritan Rexhepi gjen momentin e përshtatshëm për t’u shkëputur nga vëmendja e policëve roje. Ai ndryshon xhupin, duke e kthyer anën e brendshme për të jashtme, dhe niset në drejtim të daljes me një dosje nën krah, që gjeti mbi një tavolinë dhe kaloi pa asnjë problem edhe rojen tek dera e jashtme. Pavarësisht alarmit dhe kërkimeve nga policia i riu vlonjat nuk u kap dhe nga ky moment filloi “telenonela kriminale” e Dritan Rexhepit me shumë episode arratisje spektakolare nga burgjet e Europës dhe akuza për aktivitet criminal nga 4 shtete të ndryshme europiane veç Shqipërisë.

“Karriera” në Europë
Pas ikjes spektakolare nga komisariati i Durrësit, emri i Gramoz Rexhepit ka dalë disa herë në skenë si i arrestuar nga policitë e vendeve të ndryshme europiane, por më pas edhe për arrtisjet e tija nga burgjet e këtyre vendeve. Gramoz Rexhepi u arrestua në Itali në fillim të vitit 2011, pasi kërkohej nga Holanda si i akuzuar për trafik droge. Por, vetëm pak kohë më pas në 17 mars 2011, Rexhepi së bashku me dy shqiptarë të tjerë u arratis nga burgu i sigurisë së lartë të Vogera-s në Pavia. Dritan Rexhepi, Ylli Ndoji dhe Leonard Myrtaj, që të tre të akuzuar për krime të rënda arritën të arratiseshin atë natë.

Myrtaj u arrestua pak kohë më vonë në Vlorë, ndërsa Rexhepi u arrestua më vonë në Barcelonë, ku vodhi një bankë. Rexhepi dhe grupi i tij goditën një nga bankat më të mëdha të Barcelonës pikërisht ditën e 29 majit 2011, kur qyteti i Katalonjës po festonte triumfin e skudrës së futbollit që kishte fituar “Champions League”. Kjo vjedhje bëri bujë të madhe dhe policia vendase arriti që të kapte grupin e shqiptarëve mes të cilëve i shumë kërkuari Dritan Rexhepi.

Nga aty nuk dihet asnjë e dhënë se si ka mundur që shqiptari, emri i të cilit lakohet si ndër më të rrezikshmit e Europës, të jetë larguar nga duart e drejtësisë spanjolle. Ajo që dihet me sigur është që pas disa muajsh ai shfaqet në Belgjikë. Autoritetet belge e arrestuan shqiptarin dhe e dërguan të qëndronte në burgun e Merksplas në Antverp, në tetor të vitit 2011. Duke qenë se Rexhepi nuk kishte bërë ndonjë krim të rëndë në Belgjikë dhe ishte në pritje të ekstradimit të tij në drejtim të Italisë, u la në një burg të sigurisë së ulët, ku ai pa ndonjë problem u arratis sërish.

Si u zbulua në Ekuador
Duke qenë se kërkohej nga pesë shtete; Italia, Holanda, Belgjika, Spanja e Shqipëria, duket se Rexhepi vendosi që të rrinte ca kohë larg Europës duke kaluar në anën tjetër të Oqeanit Atlantik. Gjurmët e tij zhduken për shumë kohë për t’u rishfaqur pas 3 viteve në 2014 në Amerikën e Jugut, më saktësisht në Quito të Ekuadorit. Ai është arrestuar në fundin e qershorit 2014 në Quito të Ekuadorit, në një superoperacion policor vendas ku u sekuestruan 278 kilogramë kokainë. Në këtë grup ndërkombëtar ishin shumë të huaj dhe policia vendase kërkoi ndihmën e Interpolit për identifikimin e tyre.

Dritan Rexhepi ka qëndruar për më shumë se një muaj në burg, i paidentifikuar derisa Interpoli zbuloi se kishte bërë një goditje të madhe duke kapur një nga kriminelët më të kërkuar në Europë. Fillimisht askush nuk kishte dijeni për emrin e vërtetë të tij, pasi i kërkuari kishte ndryshuar pamjen dhe identitetin duke mbajtur një pasaportë greke me identitet të rremë. Është dashur verifikimi i Departamentit të Daktiloskopisë së zyrës qendrore të Interpolit në Lion që të zbulonte identitetin e vërtetë të tij. Gjurmët e gishtave zbuluan se personi i arrestuar ishte pikërisht 34-vjeçari, në atë kohë, nga Vlora, emri i të cilit ndodhej në listën e 10 personave më të kërkuar nga Interpoli.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen