Vrasjet e bujshme në Durrës, Henrik Hoxhaj konfirmon dëshmitë në GJKKO: Për Dorian Shkozën, Dumani më premtoi 60 mijë €! Për vëllezërit Haxhia 30 mijë €

Gjykata e Posaçme shtyu seancën e përballjes mes dy të penduarve të drejtësisë Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj për katër vrasje të ndodhura në Durrës gjatë vitit 2020, ku mbetën viktima vëllezërit Besmir e Viktor Haxhia në prill 2020 dhe atentatin ku u vranë Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Marrja e dëshmisë së Dumanit do të bëhet në 14 qershor në orën 09.00 pasi avokatët e Enver Divës dhe Besian Xhixhos, kërkuan të njihen me dëshmitë e dhëna nga i penduari tjetër Henrik Hoxhaj. Ky i fundit tregoi në gjyq, detaje për vrasjen e Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt si dhe pazaret që u bënë për këto krime.

“Dumani premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky i fundit ka qenë në timon, unë te sedilja e pasme e pasagjerit. Kam patur 2 pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdylajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Kam qëlluar me të dyja armët, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar në për planin e vrasjes së Besmir Haxhisë”, tha Hoxhaj.

I penduari Henrik Hoxhaj, ka folur edhe për vrasjen e dy vëllezërve Haxhia, ku sipas tij, objektiv ishte Besmiri ndërsa vrasja e të vëllait ishte rastësi, duke shtuar se për këtë krim, Nuredin Dumani i kishte dhënë 30 mijë euro.

Bashkëpunëtori i drejtësisë, foli në gjyq edhe për përplasjet mes Nuredin Dumanit dhe Talo Çelës por edhe për atentatin ndaj njerëzve të Erion Alibejt në Bradashesh.

“Dumani më ka thënë se kishte siguruar eksplozivin me të cilin shpërthyen banesën e Talo Çelos. Talon as se kam takuar as njohur nga afër. Nuredini më thërriste "kusho", asnjëherë me emër. Altin Ndocin ma ka treguar Dumani me foto, nuk e kam takuar as parë. Dumani e ka vëzhguar gjatë pandemisë disa ditë, por nuk e vrau dot. Gjatë bisedave dëgjova se donte ti vriste për llogari të tij, por që me paratë e ndihmonte Erion Alibej I cili dyshonte se Ndoci dhe Besmiri kishin qenë të përfshirë në vrasjen e trefishtë në Bradashesh, ku vdiqën vëllai dhe xhaxhai i Alibejt dhe një shtetas turk”, tha Hoxhaj.

Henrik Hoxhaj dhe Nuredin Dumani po përballen për dëshmitë që kanë dhënë në procesin ndaj ndaj Altin Ndocit, Klevis Allës, Besian Xhixhës e Enver Divës të cilët akuzohen për vrasjen e katër personave në Durrës.

Procesi për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia po zhvillohet si një i vetëm me vrasjet e shtetasve Dorian Shkoza dhe Anxhelo Avdia. Shkak i bashkimit të dosjeve nga SPAK u bë fakti se viktimat kishin njohje dhe marrëdhënie miqësore mes tyre me dy viktimat, Shkoza dhe Avdia. Katër vrasjet, sipas prokurorisë, janë kryer nga grupi i Talo Çelës, ku bënin pjesë Nuredin Dumani, Klevis Alla, Altin Ndoci, Besian Xhixha dhe Enver Diva. SPAK bashkoi dy dosjet, të Besmir dhe Viktor Haxhiaj e ndodhur më 27 prill 2020 dhe te dy te rinjve që u ekzekutuan në 2 mars 2020, ku të përfshirë ishin 6 persona.

Henrik Hoxhaj, cilësohet nga policia si njeriu më i afërt i Nuredin Dumanit. Hoxhaj u arrestua bashkë me Dumanin më 29 mars 2022 në qytetin e Fierit, pas atentatit që ranë pre e u plagosën të dy. Ai njihet si një nga ushtarët më të besuar të Dumanit, me të cilin ka mbajtur kontakte si në Kosovë e Shqipëri. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:38
Vrasja e vëllezërve Haxhia, dëshmia e Hoxhajt: Më dha 30 mijë euro, më tha e kam hall personal, po ta kërkoj si nder

1685438585_vellezerithaxhia.jpeg

Në GJKKO, Henrik Hoxhaj ka dëshmuar edhe për vrasjen e vëllezërve Haxhia, për të cilët Nuredin Dumani i dha 30 mijë euro. Henrik Hoxhaj ka treguar detaje ku të përfshirë në atentat ishin edhe Klevis Alla që po monitoronte lëvizjet e Besmirit që kishin në shënjestër ndërsa për Viktorin thotë se ishte rastësi.

“Objektiv ishte Besmiri, kur u afruam i pamë të dy, dhe Nuredini me Klevis Allën, i thanë njëri-tjetrit, qenka me vëllain. Viktori ishte rastësi. Dëgjova më pas se kishin plan tjetër edhe për atë por jo atë ditë. Sipas Nuredinit, Klevis Alla do na njoftonte, vrasjen do e bënim ne. Alla na priste me makinën. Mbaja veshur një jelek të OFL dhe kapele  OFL, Nuredini më tha se i kishte gjetur në Elbasan. Kisha dy armë automatike në makinë, njërën në dorë tjetrën në xhepin e derës. Shoferi ynë u fut në parakalim kur i pamë vëllezërit, dhe nisa të qëlloj. Nuredinit s'po i shkrepte arma. Kam goditur me xhama mbyllur, Nuredinin se kam parë ç'ka bërë se nuk e kisha mendjen. Kam qëlluar edhe nga xhami i pasëm, shoferin e mjetit, Besmirin. Kam zbritur dhe mora armën tjetër se më mbaruan plumbat dhe qëllova sërish për tu siguruar. Me Klevis Allën që ishte shoferi ynë nuk kam folur asnjë fjalë. Madje teksa më shikonte në fytyrë një moment i kam thënë "ç'ke që sheh, kthehu para". Kapelet dhe jelekun i hodhëm rrugës dytësore në Vorë kur po ktheheshim në Tiranë me Nuredinin."

Hoxha identifikoi në seancë edhe Besian Xhixhon që ndodhej në kafazin e qelqët duke thënë se e ka njohur në Shëngjin.

"Dumani më ka thënë se kishte siguruar eksplozivin me të cilin shpërthyen banesën e Talo Çelos. Talon as se kam takuar as njohur nga afër. Nuredini më thërriste "kusho", asnjëherë me emër. Altin Ndocin ma ka treguar Dumani me foto, se kam takuar as parë. Dumani e ka vëzhguar gjatë pandemisë disa ditë, por nuk e vrau dot. Për vrasjen e vëllezërve Haxhiu, Dumani më dha 30 mijë euro. Kur i thash pse kaq pak, më tha "kusho, e kam hall personal, po ta kërkoj si nder". Gjatë bisedave dëgjova prej tij, se donte ti vriste për llogari të tij, por që me paratë e ndihmonte Erion Alibej. Alibej dyshonte se Ndoci dhe Besmiri kishi qenë të përfshirë në vrasjen e trefishtë në Bradashesh, ku vdiqën vëllai dhe xhaxhai i Alibejt dhe një shtetas turk", tha Hoxhaj.

Ora 11:17
672 telefonata për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia në Durrës! Vrasësi me pagesë: Krimi bëhet, vendi ishte i mirë

672 telefonata mes porositësit Nuredin Dumani dhe vrasësve me pagesë, Besjan Xhixha dhe Enver Diva kanë mjaftuar për të bindur SPAK se ishin pjesë e planit për vrasjen e vëllezërve Haxhia në Durrës më 27 prill 2020, edhe pse në fund rezultoi që plani nuk shkoi siç duhet. Vëllezërit Haxhia u vranë, por autorë nuk ishin Besjan Xhixha dhe Enver Diva, pasi ky i fundit rezultoi me COVID dhe prandaj për vrasjen u angazhuan Altin Ndoci dhe Klevis Alla. Ishte ky i fundit që ka zbardhur skemën/ 

Nuredin Dumani dhe Besjan Xhixha kanë komunikuar me njëri-tjetrin 4 herë, nga data 16 prill deri në 27 prill, pra edhe në ditën e vrasjes. Ndërkohë, dy vrasësit e punësuar Besjan Xhixha dhe Enver Diva kanë pasur telefonata më të shpeshta, plot 668 herë me njëri tjetrin, për të folur mbi planet e ekzekutimit.

Mes porositësit Nuredin Dumani, Besjan Xhixha vrasësi me pagesë dhe Klevis Alla, i penduar i drejtësisë ka pasur edhe një drekë në një restorant në mbikalimin e Fushë Krujës. Nga sa mësohet, Besjani ka deklaruar se "ishalla i ikën shpejt COVID-i Verit", (i referohet Enver Divës) teksa Dumani ka deklaruar "ishalla e mbarojmë shpejt këtë punë se nuk presin çunat", pa përmendur se cilët për cilët çuna bëhet fjalë.

Dumani u ka dhënë 2 vrasësve të punësuar një kapar prej 5 mijë euro, por duke qenë se njëri prej tyre u infektua me COVID, u anulua si plan, për të kaluar te plani B. U vendos që vrasja të kryhet nga Nuredin Dumani, Talo Çela dhe Altin Ndoci dhe Klevis Alla, këto dy të fundit të arrestuar. Objektivi ka qenë që të vritej vetëm Besmir Haxhia dhe jo Viktor Haxhia. Klevis Alla ka zbuluar edhe se si kanë lindur konfliktet mes Talo Çelës dhe Besmir Haxhiajt. Sipas Allës, Nuredin Dumani kishte deklaruar se "Besmirit i kishte hipur vetja në qejf dhe po nxjerr emrsat e shokëve". Po kështu, sipas tij, ato kanë pasur edhe një problem në Elbasan, por që nuk dinte detaje të tjera. Nuredin Dumani i ka thënë Klevis Allës se Besmirit i kishin humbur një sasi lekësh, por që nuk e dinte se nga buronin këto lekë. Dyshimet janë se bëhet fjalë për paratë e grabitura në Rinas, ku Nuredin Dumani ka qenë një nga autorët.

Ora 11:15
Vrasja e Dorian Shkozës, Henrik Hoxhaj konfirmon dëshminë: Nuredin Dumani më premtoi 60 mijë euro, nuk ishte me ne kur qëlluam

1685438181_henrikhoxhaj.jpg

Henrik Hoxhaj, i penduar i drejtësisë ka konfirmuar në GJKKO dëshminë që ka dhënë më parë për vrasjen e Anxhelo Avdisë dhe Dorian Shkozës, i cili ishte objektiv. 

"Me Nuredin Dumanin jam njohur në ditëlindjen e Festim Çolit, rreth 6 muaj para vrasjes së Dorian Shkozës dhe Anxhelo Avdiajt. Aty shkëmbyem numrat e telefonit, dhe kemi folur e takuar. Dumani premtoi 60 mijë euro, nga të cilat më ka dhënë 35 mijë, sepse pjesën tjetër i mori Elio Bitri. Ky i fundit ka qenë në timon, unë te sedilja e pasme e pasagjerit. Kam patur 2 pistoleta 9 mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli. Objektivi sipas Dumanit ishte Dorian Shkoza, madje ky i ka dalë para Avdiajt për ta mbrojtur kur kemi qëlluar. Me Bitrin s'kam patur komunikim, kur vajta te shtëpia e Nuredinit, e kam gjatur aty dhe jemi nisur drejt vendit të ngjarjes. Dumani s'ishte me ne por vinte rrotull. Kam qëlluar me të dyja armët, edhe Bitri qëlloi njëherë me armën e tij, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjërin nga viktimat. Para ngjarjes madje, në shtëpinë e Dumanit, Elio qëlloi, na tha se ishte shkrepje e pavullnetshme. Elio kishte një javë që qëndronte në shtëpinë e Dumanit para atentatit. Me Dumanin, pasi më dha pagesën, jam takuar dhe për planin e vrasjes së Besmir Haxhias”, tha Henrik Hoxhaj.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?