I vetëm në betejën tonë

I vetëm në betejën tonë
TIRANE - Në mars të këtij viti Prokuria e Lezhës ia doli të hetonte një kuti votimi në komunën e Dajçit të Zadrimës dhe të gjente atje një “Ruzhije zadrimore”, pikë për pikë ashtu siç e kishte denoncuar kandidati i opozitës, Rrok Rroku. Komisionerët e shumicës, të mbështetur nga pasiviteti apo oportunizmi i disave të pakicës, kishin futur vota në emër të emigrantëve duke u fallsifikuar fi rmat. Disa javë më vonë Gjykata e Lezhës e gjeti plotësisht të bazuar akuzën që ngriti më këtë rast prokuroria kundër komisionerëve manipulatorë dhe i dënoi ata në bazë të përgjegjësisë së gjithsecilit. Mediat kanë shkruar e folur meritueshëm për këtë ngjarje të rrallë, që prekte vetëm një çip të vogël të gangrenës sonë elektorale.

Protagonisti i këtij akti, i pari në llojin e vet në Zadrimë, ku zgjedhjet cënohen sistematikisht prej vitesh nga sekserë dhe militantë të partive në pushtet, ishte Rrok Rroku. Ky ia doli të siguronte nga sistemi TIM i pikave të kalimit të kufirit provat konkrete të manipulimit, duke hartuar një listë të emigrantëve që kishin votuar pa shkelur në Shqipëri! Ky nuk u dorëzua, ky nuk e la, siç ndodh me mjaft kandidatë të tjerë që vidhen hapur në zgjedhje por nuk shohin përspektivë të fillojnë një betejë për të drejtën në një sistem që duket i mbyllur nga të katër anët për drejtësinë.

E kishte nga sedra dhe inati? E kishte sepse ndjente përgjegjësi për zgjedhësit dhe komunitetin ku jeton? E kishte nga ideali? Për mua e kishte dhe e ka për të gjitha këto motive njëherësh, por kjo nuk ka pikë rëndësie. E vërteta është se beteja e tij, ngado që ta shohësh e sido që ta marrësh, nuk është personale, nuk mund të jetë personale. Në përmasat e saj modeste, por kuptimplote, ajo është në fakt beteja jonë politike dhe publike për sfidën numër një demokracisë dhe zhvillimit, që janë zgjedhjet e lira e të ndershme. Nga kjo pikpamje, pikërisht ky Rrok Rroku i Zadrimës, me vendosmërinë e tij për t'i shkuar deri në fund të vërtetës së zgjedhjeve në komunë e Dajçit, ka fituar vetvetiu tiparet e një luftëtari të trasparencës dhe votës së lirë. Natyrisht, bashkë me prokurorin që hetoi kutinë e parë, bashkë me gjykatësit që dhanë një vendim të mbështetur në prova të qarta, bashkë me median opozitare që e ka mbështetur dhe ka shpalosur kontekstin shoqëror të betejës së tij.

Si dukuri e mprehtë shoqërore dhe politike "Ruzhdija zadrimore" duhej të kishte provokuar reagime në nivel institucional në Tiranë. Si mund të ushtrohet më tej një mandat që rrezulton i njollosur nga një seri manipulimesh pasi janë mbyllur afatet e ankimimit në instancat e Kodit Zgjedhor? Kodi aktual ka vakum në këtë pikë. Në këto kushte, mënyrat e reagimit mund të jenë disa: jep dorëheqjen i zgjedhuri me vota të pandershme; vepron kryemininistri që ka kompetencën e shkarkimit të motivuar të kryetarëve të komunave e bashkive, vihjet në lëvizje Avokati i Popullit apo Gjykata Kushtetuese.

Partia Socialiste nga ana e saj duhej t'i kishte dhënë më shumë mbështetje betejës së Rrok Rrokut dhe më shumë jehonë kontekstit të saj shoqëror. Rroku Rroku, një kandidat me mbeshtetje të gjerë , i nxorri në shteg arushën, siç thotë një shprehje e popullit. Ai meriton një mirënohje dhe vëmendje të shtuar nga drejtuesit e PS-së jo vetëm për këtë fakt, por edhe për faktin tjetër se nuk vjen nga e majta tradicionale. Duke u nisur rasti i Dajçit, kjo parti, minimalisht duhet të analizojë në thellësi sjelljen e komisionerëve të opozitës në zonat rurale dhe rolin e juristëve që ajo angazhon në fazën e ankimimeve në KQZ dhe në Kolegjin Zgjedhor. A janë të gjithë të lartësinë e detyrës? A e kanë të gjithë mendjen te drejtësia , apo disa shkojnë vetëm për të bërë pazare?

Mirëpo pas vendimit të gjykatës së Lezhës për kutinë e hetuar as reagime në nivel institucional nuk ka patur dhe as opozita nuk i ka dhënë jehonën e duhur "Rushdijes së Zadrimës". E gjithë kjo ka berë atë që ndodh rëndom në raste të ngjashme, kur luftëtarët për të drejtën, që janë të detyruar të notojnë vazhdimisht kundër rrymës, mbesin vetëm përballë përfitursve dhe nunëve të manipulimeve, të cilët, pasi nuhasin se mund të dalin të palagur, fillojnë të mendojnë për revanshin dhe hakmarrjen.

Një shënjë e qartë e këtij kundërzhvillimi është hezitimi prej pothuajse gjashtë muajsh i prokurorisë së Lezhës për të hetuar dy kutitë e tjera të paditura nga Rrok Rroku. Nuk e di në këtë moment se cila është baza ligjore e mbajtjes pezull të një padije. Unë e kam përshendetur hetimin e kutisë së parë si një akt me ndikim pozitiv të drejpërdrejtë për ndalimin njëherë e mirë të vjedhjes së votave në Zadrimë.E e marr me mend se prokurorët kurajozë që merren me këto çeshtje janë nën presion. Kjo është lufta për ligjin. Por nuk mund të pajtohem me një mendim në qarkullim sikur prokororia heton kuti vetëm kur nuk e ka mendjen pushteti ekzekutiv!

"Ruzhdija e Zadrimës" në zgjedhjet e vitit 2011 nuk do të kishte ndodhur po të ishte realizuar hetimi parlementar i zgjedhjeve të vitit 2009. Ngadalsimi, frenimi dhe dështimi e ventual i drejtësisë në ketë ishull të vogël të farsës zgjedhore do të këtë pasoja të drejpërdrejta në manipulimin sërish të zgjedhjeve të vitit 2013. Krimi elektoral i pandëshkuar riprodhon vetveten edhe kur nuk porositët më nga lart. Manipulatorët e kanë shdërruar në bines trafikun e votës.
Ky është sërish një sinjal alarmi për opozitën. Rrok Rroku është i vendosur ta çojë deri në fund betejën e tij, që nuk ka qenë e nuk është e tij, por e publikut, e partive, e institucioneve, e OSBE-se, e mediave. Ai është rasti kur një individ i lirë nuk mund të lihet vetëm në betejën për të gjithëve.

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë

VIDEO/ E nis dhe e mbyll aksionin, Edon Zhegrova shënon me Lille në Francë