Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, i është drejtuar sot Gjykatës së Lartë me rekurs, ku kërkon zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg” me një masë më të lehtë, duke ofruar si garanci edhe një shumë pasurore.

Në maj të këtij viti, ish-ministri kërkoi zëvendësimin e masës së sigurisë duke ofruar garanci pasurore në vlerën e 20 mijë eurove. Asaj kërkese ai i kishte bashkëngjitur edhe vendimin unifikues të kësaj gjykate, që mbajti qëndrim sa i takon masave “arrest me burg”.

Beqaj ndodhet në burg që prej 4 korrikut 2024, kur u arrestua lidhur me dosjen e abuzimeve me fondet e Bashkimit Evropian në SASPAC.

Sipas SPAK, Ilir Beqaj, në cilësinë e drejtorit të Përgjithshëm i SASPAC-ut, ka urdhëruar Kurtulajn, me të cilin kishte njohjet të hershme pasi kanë qenë ortak të shoqërisë Intech+, që të zbatojë vetëm përgjatë viteve 2022-2023 prokurime fiktive në kundërshtim me ligjet e BE për projektet e EUSAIR, paratë e të cilave përfundonin në xhepat e Beqajt. Tenderat, sipas SPAK, bëheshin vetëm për efekt dokumenti dhe më vonë se nga lidhja dhe zbatimi i kontratës me kompani të ndryshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë