Intervista- Miho Gjini, Arti dhe letërsia në orbitën krijuese të një mjeshtri

Intervista- Miho Gjini, Arti dhe letërsia në orbitën krijuese të një mjeshtri

Shkrimtari Miho Gjini

"Nëse ndonjëherë jeta ime mund të jetë e dobishme për ju, ejani dhe kërkoni atë." - Anton Chekhov 

Figura e Mjeshtrit të Madh Miho Gjini, si një studiues arti, shkrimtar dhe publicist, në një periudhë gjysmëshekullore, i cili jeton dhe punon si një emigrant i thjeshtë në Greqi dhe se, në vendin e tij gëzon nderim të madh, midis afro njëmiljon mërgimtarëve të sotëm që bujtën në tokën helene, me Urdhërimin e Lartë:- MIHO GJINI “MJESHTËR I MADH”." 

Fisnik, një njeri i thjeshtë, i ndershëm, korrekt, i vëmendshëm ndaj fjalëve, flet pak, duket nga ecja e tij e butë, fjala e tij e ngrohtë, mikpritja e tij që në bisedën e parë, çanta e tij e rëndë që nuk e ndan prej vetes, nga lëvizja e syve të tij, thua se ky njeri shikon përtej dimesionesh, në thellësitë e shpirtit për të pare, se çfarë thua e çfarë nuk ke thënë, të krijon në pak kohë një mirësjellje dashamirëse, një nderim të veçantë dhe respektin tim më të lartë!

Ai u lind në Piqeras të Sarandës (tani në juridiksionin administrativ të Himarës), më 20 mars 1938 dhe me arsimimin e tij të mesëm dhe të lartë, përvetësoi disa zanate e profesione, si ajo e teknikut të apareteve elektro-mjekësore, të aktorit, rregjizorit e të kritikut, studiuesit të Artit. Gjatë një periudhe të gjatë kohore, ai ka punuar si Teknik Rontgeni në Spitalin Civil të Gjirokastrës dhe që ka marrë pjesë në një sër shfaqjesh teatrore në Pallatin e Kulturës të këtij qyteti. I sugjeruar nga talenti vetiak mbaron Shkollën e Lartë për aktor "Aleksandër Moisiu” , që hapej për herë të parë në vendin tone në vitin 1959, ku  është shquar veçanërisht në shfaqjen e-dipllomës në komedinë e Shekspirit" Shumë zhurmë për asgjë ", së bashku me Robert Ndrenikën, Bexhet Nelkun, Edi Luarasin, Albert Verrinë, Mario Ashikun, Aishe Starin dhe kështu me radhë… Do emërohej më pas regjiosor e drejtor i Teatrit "Skampa" Elbasan, ku interpreton si aktor në disa shfaqje dhe ve në skenë, dramën Finlandeze "Justina" e komedinë e Gollsuorthit, “Kutia prej argjendi”, me interpretues kryesorë aktorët Robert Ndrenika, Shpëtim Shemili, Demir Hyskja, të cilët në atë kohë kanë punuar në këtë teatër. Meqënëse në atë periudhë teatrot e estradat profesioniste ishin shtuar në të gjitha qytetet tona dhe kishin nevojë për për repertor artistic, në vitin 1966, Miho Gjini emërohet si Kryeredaktor i revistave, "Teatri " dhe "Estrada" në Shtëpinë Qendrore të Krijimtarisë dhe pak më vonë si Inspektori i Përgjithshëm i Teatrove e Estradave të Republikës në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës. Për 12 vjet rresht në Drejtorinë e Artit të këtij Dikasteri, kryen paralelisht  punë krijuese të mësimdhënies në arsim, në Institutin e Lartë të Arteve të Bukura (në degën dramatike), si pedagog i jashtëm i “Mjeshtërisë së Aktorit” me disa studentë që më pas do të kishin të arrdhme të sukseseshme në skenat teatrore dhe ekranin tonë, sikundër ishin Timo Flloko, Birce Hasko, Saimir Kumbaro, Mevlan Shanaj, Llazi Serbo, Minella Borova, Gëzim Kame, Niko Kanxheri, Kristaq Mitro, Petrika Riza, Karafil Shena, etj. Në vitin 1976 dënohet për pikëpamje liberale,  shkarkohet nga detyra në këto institucione të rëndësishme në përkrahje të dramës “Njollat e Murme” të Minush Jeros dhe vendoset si mësues në Shkollën e mesme të Kulturës, ku përsëri do të anatemohet për mbrojtjen në shtyp të dramës, “Historia e një Vajze” të Kleanthi Dushës e do të “përcillej” prej këndej, pas tre vjetësh, me anë të një letre anonime, në drejtim të internimit, në Minierën e Qymyrgurit Memaliaj” e të burgjeve të Tepelenës, Spaçit e të Ballshit, me etiketimin e tmerrshëm:- “Armik i Popullit”, për Agjitacion e Propogandë, dhe për minimin e rrëzimin e Pushtetit “!??

Miho Gjini dhe Margarita Xhepa

 

Lirohet nga burgu me amnistin e vitit 1982, por do të vuaj edhe 10 vjet të tjera nën presionin e ”Luftës së Klasave” në punë të rënda krahu. Detyrohet kështu të emigrojë në Greqi, pas shembjes së Shtetit të Diktaturës, ku përsëri e prêt puna e krahut, deri në kryerjen e moshës së pensionit. Po në të gjithë këtë hark kohor, megjithë privacionet e shumta, ndëshkimet e rënda dhe emigracionin e gjatë, Miho Gjini nuk e ndërpreu anën shpirtërore të jetës së vet, krijimtarinë artistike e letrare, duke i dhënë lexuesit deri më sot 30 vepra artistike, letrare, të memorialistikës e të publicistikës.

Është “Qytetar Nderi” i Bregdetit e “Mjeshtër i Madh” i Republikës.

***

- Ku është kritiku i famshëm i teatrit Miho Gjini tani?

-Aktualisht figuroj në Greqi për tridhjetë vjet, por shpirti im ka mbetur në Shqipëri, ku u linda, u rrita dhe u edukova, si një njeri artist.

-Ju promovuat në Athinë librin tuaj të njëzetë e tetë. Çfarë trajtoni në këtë libër?

-Kritikat e mia të 10 viteve të fundit, të shpërndara andej – këndej, përmes organeve të shtypit. Mendova që ti organizoj në një libër, sikundër kushdo krijues që ka këtë "mani" nëse më lejohet ta quaj kështu. Si pula që mbledh zogjtë në këmbët e veta!

-Si e keni ndarë tematikën dhe impresionin e këtij libri?

-E kam ndarë në dy pista": në atë të artit skenik dhe letërsisë, sepse këto janë dy "binarët" e udhëtimit tim krijues. Për mua, është kryesisht arti i skenës pasioni im kryesor; ndërsa e dyta është letërsia, "dritaren" e së cilës e hapa sa erdha në Greqi, kur s’kisha se çfarë të bëja e "haja veten me dhëmbë". Kur perdja e teatrit në vendin tim ishte mbyllur për mua. Vura re që ky pasion ishte "i fshehur" në shpirtin tim, si ai i zjarrit që mbulon  përkohësisht hirin. Dhe çfarë ndodhi? Pas një përmbytjeje që ndodhi në Athinë 15 vjet më parë, baranga ime prej dërrasash ku kam jetuar, diku në periferi të këtij qyteti të madh, u përmbyt gjithashtu dhe kjo ngjarje lemeritëse më shtyu për të shkruar tregimin" Shtëpia me rrota", e cila fitoi çmimin e parë në një konkurs letrare në Selanik. Pas kësaj pasuan 6 libra me tregime dhe romane!

Teatri dhe letërsia nga Miho Gjini

-Pra, pasioni i juaj si krijues është i ndarë përgjysëm, midis artit skenik dhe letërsisë. Po, cili predominon më shumë?

-Nuk e shpreh dot të saktë. Janë lexuesit, mandej edhe kritikët që mund të thonë diçka. Se, është e njohur edhe thënia e Gëtes, i cili shprehet që për shkrimtarët e artistët flasin veprat e tyre e jo ata vet, ndërsa tek ne ndodh e kundërta: janë shkrimtarët e artistët që flasin pa kursim e me superlativa për krijimet e tyre, sido që të jenë ato, që nxitohen ti promovojnë e ekspozojnë menjëherë, pa i lexuar kush e pa i parë e rrahur mendimet në rrethe kolegësh e kritikësh..Ndërkohë nuk di çtë them për veten, por nuk botoj e ekspozoj asgjë, pa u bindur se nuk do të pëlqehet nga lexuesi e miqtë e mi të afërm. Po di vetëm një gjë: që dashuria e parë i përket teatrit dhe se jam një monoman i pandreqshëm që më “përthyen” vetëm letërsia…

-Çfarë është arti për ju Miho Mjeshtri? A nuk ngërthehen të dyja bashkë këto segmente të shpirtit artistik?

-Për mua arti është një vuajtje e bukur do të thoshnja. Është dhimbje e një shpirti që do të dalë jashtë trupit të artistit, ama që i ka përbrenda vetes “shkëndijëzat e zjarrit”. Shekspiri, kur u flet aktorëve për të interpretuar një lodër skenike nëpërmjet Hamletit, përmend “grackën”, grackën që zë zogj! Është një metafor, sigurisht. Se Ai e ka fjalën për grackën që e zë shpirtin të gjallë, që e kap dhe e shpreh atë, po këtu, shkrepsia që e “ndez zjarrin”, pra shpirtin e njeriut, ka të bëjë me talentin, që është edhe një dhunti e natyrës së artistit apo e shkrimtarit. Aktori ynë i madh Naim Frashëri, ishte fort i qetë nga pamja kur i thoshte këto fjalë përpara mbretit që kishte zaptuar fronin, për t’i marrë si grua edhe të ëmën, por shpirti i tij përbrenda vetes, vlonte si përpara një shtrëngate që sapo do të shpërthente. Një dualitet i brendshëm dhe i thellë fort! Aktori tepër popullor tek ne, Mihal Popi, për të cilin shkrova një monografi (sikundër bëra më pas edhe për Naimin), para se te vdiste në një krevat të vjetër të një dhomë mizerabël, më thirri që ti lexoja dorëshkrimin tim për jetën e krijimtarinë tij dhe më këshilloi që ta nënvizojë sekretin e artit të tij në interpretimin e tipit komik se, sipas tij, për ti bërë njerëzit që të qeshin, jo vetëm që nuk duhet të qesh vetë për ato që thotë, por të lozësh dramën e personazhit komik, vuajtjen e tij! Dualiteti i aktrimit ka të bëjë me planin e dytë te interpretimit, që është i kundërt me të parin, sikundër shprehet teoricieni i madh i teatrit, Stanislavski. Po Mihali, Kryekomiku i Kryeqytetit Shqiptar, sikundër e quanin edhe Italianët që në vitet 30 të shekullit të kaluar, as që e njhte fare teoricjenin reformator rus dhe mandej ishte edhe i pashkollë, talenti e shtynte që të kuptonte e ta shprehte në skenë thelbin e artit. Arti i tij kishte të bënte me “vuajtjen” e njeriut që interpretonte me përsosmëri, në po ato “shina” që interpretonte me virtuozitet, i paarritshmi artist botëror, legjenda Çarli Çaplin, endacaku i pashkollë, që në saj të intuitës së jashtëzakonshme dhe forcës së talentit, krijoi shkollën e vet dhe i bëri të qeshnin e të qanin nga lotë të mëdhenj e të vegjël në mbarë rruzullin tokësor. Pikërisht, ndër artistë të tillë fshihet talenti i jashtëzakonshëm, ajo shprehje e emocioneve të thella e plotë nuanca që ta shkurton jetën. Ndaje, edhe regjisori i famshëm rus Sergej Jutkeviç, tek ndiqte provat për realizimin e filmit Sovjeto-Shqiptar “Skënderbeu”,  që u përball me emocionet e mëdha të aktorit Naim Frashëri në rolin e Palit, nga një vuajtje e thelle për humbjen e një beteje të prijësit shqiptar, i tha atij, jo pa shprehur habi: “Me të tilla vuajtje emocionale të jashtëzakonshme, ju do ta keni jetën të shkurtër!”. Dhe kështu do të ndodhte me të vërtetë!

-Në raportin midis të kaluarës e realitetit të sotëm, çfarë vendi zë krijimtaria juaj?

-E përgjysmuar gati, megjithëse mbizotëron e sotmia dhe e ardhmia. Të kaluarën dua ta harroj gjithësesi, po ajo të fanitet e të “vardiset nga pas”. Dhe është e pamundur që të harrohet dhe lypset që të bëhet e njohur ndër brezat e rinj që nuk e kanë jetuar atë kohë të tmerrshme. Fëmijet e mi as që e imagjinojnë dot që dikur nuk kishte në dyqanet tona qumësht, mish e patate dhe që po ta thoshnje këtë me zë të lartë, të priste burgu, me një ndëshkim deri në 8 vjet heqje lirie! Po përse,- habiten ata?! Dhe unë qesh hidhur e u them shkurt:”Për një dryn që të mbyllje gojën!”. 13 libra i kam të kasaj periudhe, për këtë realitet të paimagjinueshëm, ndërsa 18 libra të tjere i kushtohen kohëve të reja që jetojmë…

-A keni shkruar ndonje vepër me karakter autobiografik?

-Po. Kam shkruar e botuar një trilogji letrare, të përbërë nga tre libra:”Dëbimi,-Udha për në Ferr”(roman),”Arraitisja e kujtesës”(tregimet e burgut) dhe “Vdekja e Artistit”(me tregime dhe novela), që i përkushtohet  periudhës së “lirisë”, e cila merr kuptimin metaforik të një “burgu nën qiellin e hapur” dhe që aludon me kohën e tmershme të së ashtuquajturës “lufta e klasave”. Unë tashmë isha kthyer në një fantazmë dhe i përkisja një sistemi të përmbysur, me armiqtë e tij të shumtë fiktiv!

-Përse zgjodhët pikërisht Greqinë për tu larguar nga vendi, kur ky sistem diktatorial u përmbys?

-Së pari, sepse aty kisha xhaxhan tim tim të arratisur që në vitet tridhjetë, fanolist i thekur, kur idhulli i tij, Fan S.Noli, u rrëzua dhe ai nuk donte që ti shërbente kundërshtarit të tij, Mbretit Zog si ushtar, i cili iku dhe nuk u kthye më në Piqeras. Ika edhe unë, 70 e ca vite më vonë dhe për fat, e gjeta gjallë, për ti shprehur brengën e tim eti, që e kishte qarë me lot të vëllan, pa e parë me sy! Dhe, së dyti, për habinë time dhe të të gjithëve, kufiri qe hapur befas, si i thonë, “për kuç e maç”(!). Ika me të shumtit, pa e vrarë shumë mendjen, duke qenë i pashpresë, ish i syrgjynosur  që mbante ende mbi shpinë, etiketën e rëndë  “armik i popullit”, pa qenë fare i tillë!

-Si e shihni tani periudhën 30 vjeçare të mërgimit tuaj? Fituat, apo humbët?

-Thjesht mbijetova! Fillimisht i vetmuar, si nj Robinson Kruzo në ishullin e vet në periferi të Athinës e, mbas shumë e shumë vitesh, si njeri i respsektuar e i nderuar në të dy shtetet, në Shqipëri e në Greqi. I bëra, siç e dini 28 libra, duke punuar 12 vjet natën si punëtor krahu, në moshë madhore, e pastaj duke “bredhur” në gjithë Ballkanin, si studjues e kritik Arti, gjithmonë në lëvizje e duke punuar, parë e shkruar, jeta ime mori keshtu një kuptim tjetër më të madh.

- Si i ndjetë ju e të tjerë si ju, pasojat e rënda të Krizës Greke?

-Pata pakëz “fat”, sepse kjo hata e madhe ndodhi kur kisha punuar 20 vjet në një punë të rëndë dhe e pata siguruar pensionin ekonomik, bile mbi moshën e lejuar. Por këtë të ashtuquajtur “shans”, nuk e patën edhe familjarët, miqtë e shokët e mi emigrantë. Qindra e mijëra fabrika e vende të tjera pune të mbyllura dhe ata që e pësuan dhe ndjenë me tepër krizën, ishin emigrantët shqiptar, të cilët përballonin këtu punët më të rënda. U tkurr e gjithë jeta, u morrën masa drastike kursimi nën presionin e Europës, në drejtimin e së cilës “qenë shtrirë duart” e grekërve, bile edhe pensionet u zvogëluan në maksimum! Shumë nga ne u kthyen mbrapsh, pjesa tjetër mbeti këtu, me shpresën se gjendja do të ndryshonte. Por jo! Lëre mos e nga…”Asta pane”,-thotë greku për kaosin e ndodhur në shtëpinë e tyre. Qe një gjëmë që zgjati 10 vjet e tashmë sikur ajo është kapërcyer dhe Tcipras, udhehëqesi i tanishm Grek, e vendosi në fyt kollaren e vet, sikundër kishte premtuar përpara popullit të tij!

-Në çfarë mase është ndërtuar krijimtaria juaj në raport me këtë realitet, duke menduar gjithmonë se letërsia e arti, në frymëzimin e vet në ato mjedise e rrethana ekzistuese, që i paraqiten realisht jetës së çdo krijuesi?

-Në trajtën paralele. Sidomos në letërsi. Se letërsia është si një pasqyrë joidentike e realitetit, e ëndrrave, e vuajtjeve reale, e të pathënave në përditshmërinë e njeriut, që e përvëlojnë atë nga brenda vetes. Shkrova fillimisht një tregim për “Shtëpinë me Rrota”, ku edhe banoja, për atë barangë që do ta merrte përroi gjatë përmbytjeve të mëdha e disa vjet me von një tregim tjetër (“Hijena”), kur me pushuan nga puna në fabrikën ku punoja e pastaj shkrova e botova librin me tregime e novela “Adio Xhulja”, ku hyri një tematikë më e gjerë e emigracionit në Greqi . Këtu hynë të gjitha kontradiktat e kontrastet e realitetit të ri kapitalist, me po ato dhimbje e gëzime të rimëkëmbjes, gjthsesi duke qenë tashmë i lirë, për të bërë diçka, për të ecur në jetë e për të fituar ca me tepër! Po kënaqësin e shkrimtarit e kam ndjer kur shkrova e botova romanin”Letra nga Spanja”, që u përkthye menjëhere edhe në gjuhën Greke, ku trajtoja problemet e dhimbshme të përdoruesve të drogës, si viktima të kohës, kur ata i pret vdekja rrugëve të metropoleve të mëdha e shteti merret vetëm me trafikantët e “miellit të bardhe”!

-Ju jeni ndër emigrantët e parë në Greqi, në mos i pari dhe i vetmi që jeni nderuar nga Presidenti i Republikës me Urdhërin e lartë “MJESHTËR I MADH” që në vitin 2005. Përse, ç’keni bërë ju më shumë nga të tjerët?!

-Nuk e di. Nuk flas dot…Kur ma bëri të ditur këtë ngjarje të rëndësishme të jetës time, ish ambasadori i atyre viteve Bashkim Zeneli, sytë m’u mbushën me lot. Qava me ngashërim për herë të parë si burrë.

- Ju keni themeluar dhe drejtuar Lidhjen e Shkrimtareve e Aristëve Shqiptare në Greqi (Litter-Art) për 15 vjet me radhë dhe tani jeni “Kryetar Nderi” i saj. Paralelisht edhe Kryeredaktor i një reviste me karakter letraro-artistik (Revistën “Pegas”) për 13 vite. Çfarë roli kanë lozur ato në jetën e komunitetit Shqiptar në Greqi?

-Egzistencën e tyre e quaj një fenomen pozitiv, sepse na mbajnë të lidhur me njëri-tjetrin, për një jetë ëshoqërore sociale e kulturore vellazërore, për lartësimin e mëtejshëm të vetëdijes kombëtare. Vepra artistike mbulon dimesione të ndryshme, për prodhimin artistik. Ato nuk prishin asnjë punë, sidomos kur ato kanë vlerën e tyre. Më kujtohet një shprehje e Mao Ce Dunit, tek thoshte:” Le të lulëzojnë njëqind lule e të hapen njëqind shkolla!”. Bukur e ka thënë. Po kanë edhe anën e kundërt, kur ngrihen ca shoqatabërës që sajojnë shoqata pa kritere, për të lançuar veten etyre, që si fillim të japin përshtypje për “një angazhim vullnetar”.  Këta tipa të sëmure dhe jashtë kohe, me qëllim të kthehen në delire të madhështisë dhe që mbledhin pa asnjë lloj dobie, pa filtra kritik kthehen në shpërndarës çertifikatash qesharake,  (P.Sh: “Shkrimtari…Gazetari…Burri a Gruaja më e mirë e vitit”, !?!? Pa përmendur rastet ekstreme, kur shqitarët i “vërsulen” njëri-tjetrit, që të bën, të vesh duart në kokë e të ulërish!...

-Si e shihni ju, si qytetar e si krijues, përkrahjen e shtetit shqiptar aty?

-Ç´të them?! Doemos që përkrahja është e dukshme, por të bën përshtypje negative kur vijnë zyrtare të ndryshëm , titullar dikasteresh, deputet e ministra dhe çuditërisht mblidhen për ti dëgjuar ata të njejtët njerëz e tipa të papunësh, që gënjehen e sorrollaten, dhe që shpeshtohen sidomos përpara zgjedhjeve. Shumë vijnë e ikin po problemet mbeten më së shumti pa u zgjidhur. Mjafton të përmendim vetëm njërën prej tyre, atë të Çertifikatave Shqiptare që nuk njihen nga të dy shtetet e vihet mbi to dynjaja e pullave e vulave, duke zbrazur xhepat e duke i drobitur emigrantët e gjorë për 30 vjet me rradhë. Por ”Besimi dëshmohet me vepra tha Dekarti”…Le të përmendim dhe problemin e ngritjes në Athinë të një Qendre Kulturore Shqiptare që është miratuar edhe në Parlamentin Shqiptar 10 vjet më parë…dhe nuk dihet se ku kanë ngecur”. E sa herë që vijnë deputetë, ministra, Presidenta e Kryeministra, mbahen pafundësisht shënime nga sekretaret e tyre…. E të tjera, e të tjera… Po, le të gëzohemi e lumturohemi që më së fundi “fryjnë erëra të mira e të ngrohta midis shteteve tanë fqinjë!

-Muzika juaj e preferuar!

-Po, Bach, Moxart, Sibelius, Zot, rifillimi i një Bote të RE!

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion