Ish kreu i OMONIA, Leonidha Papa ka reaguar në lidhje me prishjen e resortit pa leje të Mihal Kokëdhimës në Porto Palermo duke nxjerrë detaje të reja mbi ndërtimin e objektit. Sipas pretendimeve të Leonidha Papa resorti i Mihal Kokëdhimës është ndërtuar mbi rrënojat e një kishe.  Më pas Papa shkruan se nipi i Kokëdhimës, duke iu referuar lidhjeve të gjakut që Mihal Kokëdhima kishte me ish-deputetin Socialist, Koço Kokëdhima, dikur ishte i fuqishëm dhe në këtë mënyrë ndërtoi resortin e tij mbi rrënojat e kishës.

Ndër të tjera ish kreu i OMONIA-s hedh akuza ndaj qeverisë duke thënë i cilësuar si arrogantë dhe hipokritë.

"Sulmi i Mihal Kokëdhima  ndaj turistëve spanjoll (thyer xhamin e makinës së tyre) për refuzimin e pagimit të peshkut që ata porosisën është bërë virale në të gjithë botën. Qeveria veproi menjëherë për të rikthyer imazhin e Shqipërisë "mikpritëse", duke prishur restorantin. Nuk kam ndërmend të mbroj 'kushëririn' e Kokdhima dikur të fuqishëm që ndërtoi këtë restorant pranë rrënojave të një kishe, por them që disa "shokë" e kuptojnë edhe arrogancën dhe hipokrizinë e pushtetarëve tanë që duhet të largoheshin dje." shkruan Leonidha Papa.

Resorti i Mihal Kokëdhima u shemb ditën e djeshme nga IKMT pasi ishte pa leje, si dhe shfrytëzonte bregun e detit duke vendosur shezlongë dhe kishte kthyer ndërtesën në hotel duke zhvatur pushuesit.  Ndërsa vetë Kokëdhima është në burg për shkak se sulmoi një familje turistësh spanjollë që kishin ardhur për tu ushqyer në restorantin e tij. Në videon që Report Tv siguroi ekskluzivisht shfaqej Mihal Kokëdhima mbi kofanon e makinës që po lëviznin turistët spanjollë, teksa godistë xhamin me grushte.