Tirana e vitit 1978. Në shkallët e hotel Dajtit bashkë me një grup studentësh italianë ngjitet edhe Allaman Allamani, 28 vjeç, mjek i ardhëm, me nënën italiane dhe babanë shqiptar. Po shkelte në tokën e të parëve pas afro 3 dekadash. Shqipëria ishte në kulmin e diktaturës. Por sitës së Sigurimit të Shtetit duket se i kishte shpëtuar emri i tij.
Allamani, ishte vetëm 2 vjeç kur u largua nga Shqipëria. E ëma Leonela, atë kohë grua e re, sapo kishte kaluar një traumë të papërshkrueshme. I kishin pushkatuar bashkëshortin në rrethana misterioze. E mbetur e vetme me një fëmijë 2 vjeç, ajo vendos të kthehet në Itali, pa e besuar kurrë se i shoqi ishte pushkatuar nga komunistët. Ishte e lënduar, me dashurinë e saj të vrarë dhe një foshnje, që duhet ta rriste pa praninë e të atit. Si do ta mësonte djali i saj Allamani, të vërtetë e asaj cfarë kishte ndodhur me të atin Isuf Allamani? Si do ta qetësonte zemrën e Leonelës, dhe si do ti gjenin eshtrat e babait shumë vite më vonë, vetëm pas rënies së diktaturës, në vitin 1992?
****
Isuf Allamani u lind në vitin 1907 në fshatin Kurdari të Matit. Bir i një familje të pasur që trashëgonte sipërfaqe të mëdha tokash dhe numër të madh bagëtish, nuk është çudi që ai zgjodhi të bëhej veteriner.
Familja vendosi ta shkollojë në Itali, ku Isufi merr një diplomë nga Universiteti i Firences si mjek veteriner. Vitet shkollore në Itali përkojnë edhe me njohjen e tij me italianen Fiorentine Leonela, e cila e ndjek Isufin edhe në Shqipëri, pasi ai ishte i vendosur që të kthehej e të kontribuonte në vendin e tij.
Nipi i Isufit, Eduard Allamani, tregon:
“Duke qenë më i vogli, fmailja i dha mundësinë e studimeve dhe ai u diplomua në Firence të Italisë për veterinary. Isufi u kthye në Shqipëri, që fare mirë mund të ndërtonte jetën dhe karrierën edhe në Itali, por u kthye në Shqipëri për të kontribuuar dhe realisht ka kontribuuar shumë, ka qenë drejtori i fermës së parë të krijuar në Shqipëri në Xhafzotaj të Durrësit dhe ka lënë shumë dorëshkrime që edhe sot janë në arkivin e Ministrisë së Bujqësisë shqiptare”.
Si një intelektual i ditur, ai spikat mes shumë intelektualëve të tjerëve të cilët kishin përfunduar studimet e larta në universitetet më të mira europiane të kohës. Edhe pse kthimi I tij në atdhe përkon me vitet e Luftës, ai angazhohet maksimalisht dhe hedh hapa të sigurt në profesionin e tij. Shumë shpejt ai do të bëhej një nga drejtuesit e fermës Xhafzotaj, e cilësuar atëkohë si një nga ekonomitë më moderne të viteve ’40.
Ndërkohë shkruante artikuj të ndryshëm në revistat tematike të kohës. Në numrin e nëntorit të vitit 1940 të revistës “Ekonomia Kombëtare”, ai shpreh pikëpamjen se mjeshtëria e bujkut dhe blegtorit është më e vështira, por njëkohësisht edhe më e ndershmja dhe më e dobishmja për njerëzit, atdheun dhe kombin si në kohë paqeje dhe lufte”.
Studiuesi Xhevahir Gradica që i ka kushtuar një shkrim përndjekjes së fisit Allamani, shkruan mes të tjerash se Isuf Allamani, la edhe mjaft dorëshkrime të vlefshme në fushën e zooveterinarisë, fati i të cilave nuk dihet ende saktësisht.
Eduard Allamani tregon se Isufi, vëllai i gjyshit të tij, e ndante jetën në këtë periudhë mes fshatit të tij të lindjes, Kurdarisë dhe shtëpisë së tij që e kishte ngritur pranë fermës në Xhafzotaj.
Eduard Allamani: Bashkëshortja e Isufit quhej Leonela dhe erdhi nga Firence dhe fillimisht në Kurdari e pastaj e ndanin jetën mes Kurdarisë dhe Xhafzotajt, pasi kishin edhe një shtëpi në fermën e Xhafzotajt dhe lindën një djalë të cilit i vunë emrin Allaman.
Pushkatimi pa gjyq i Isuf Allamanit dhe Deliallisëve
Eduardi tregon se kjo tablo e jetës së realizuar e plot kontribute të Isufit shpejt do të përmbysej. Vendosja e regjimti komunist në Shqipëri do të trondiste nga themelet edhe familjen e bukur të Isuf Allamanit. Një natë nëntori të vitit 1944, në moshën 37-vjeçare Isuf Allamani pushkatohet pa gjyq nga forcat komuniste.
Rrethanat e sakta të vrasjes së Isuf Allamanit nga komunistët nuk janë unifikuar në një variant të vetëm, por është e sigurt se ai u vra në nëntor 1944, në periferi të Tiranës, bashkë me burra të fisit patriot dhe antikomunist Deliallisi, me të cilët, siç shkruan studiuesi Gradica, ishte miqësuar gjatë viteve të punës në Xhafzotaj.
Eduard Allamani: Familja jonë ka pasur një miqësi të fortë me familjen Deliallisi në Shijak. Më 17 nëntor, deri më 30, por ekzakt thuhet në 17 nëntor të 1944-s, thonë që kanë shkuar në Pezë për një takim dhe aty i kanë pushkatuar. Një variant tjetër është që i kanë marrë te shtëpia, duke qenë se, si të thuash, përfituan nga konfidenca që kishte Isufi me familjen Deliallisi dhe kërkuan të shuajnë d.m.th. ato konfliktet e asaj periudhe ndërkohë ndodhi e kundërta, që i pushkatuan.
Sipas Xhevahir Gradicës, mbrëmjen e pushkatimit, “në shtëpinë e Isuf Allamanit në Xhafzotaj shkojnë për darkë miqtë e fisit të tij, Jakup e Kapllan Deliallisi. Disa orë pasi burrat kishin nisur bisedën, shtëpia e Allamanit rrethohet nga forcat e ndjekjes dhe rrëmbejnë forcërisht dy burrat e Deliallisëve. Por Isuf Allmani nuk mundi të rrinte indiferent në atë situatë të pazakontë të marrjes me forcë të miqve nga konaku i tij. Kështu ai vendos të shkojë me Deliallisët të futur në mes të disa personave të armatosur.
Siç thonë pasardhësit e familjes Allamani ende nuk i kanë plotësisht të qarta rrethanat e këtij ekzekutimi. Halit Allamani tregon rrëfimet e babait të tij Sherifit mbi këtë ngjarje.
Halit Allamani: Është pushkatuar për besë, jo se bëri ndonjë gjë, bëri ndonjë krim a ndonjë gjë. Isufin e kanë pushkatuar me Deliallisët e Shijakut. Arsyeja se Deliallisët edhe Isufi rrinin bashkë, kishin miqësi, muhabet dhe rrinin bashkë. Ata, sistemi i asaj kohe, i thanë Isufit: të na dorëzosh Deliallisët. Tha: unë nuk i dorëzoj. – Do t’i dorëzosh, - i thanë. Tha: me një kusht. Me sa kemi dëgjuar ne tani prej babait. Isufi i tha që unë i dorëzoj, - tha, - por për të mos i dëmtuar. – Jo, - i thanë ata, - për burg, që e kishin pranuar edhe ata vetë, që ne jemi dakord që të dorëzohemi, por jo të na dëmtoni. Si përfundim, i kanë marrë, shteti i asaj kohe dhe i kanë thënë: Isuf tani ti ndahu prej këtyre se nuk kemi punë me ty. Dhe ai ka thënë: si të keni punë me këta, pa mbaruar me mua nuk bëni punë me tjetër kend. Jo, pa më vrarë mua! Atëherë, ata i kanë thënë: ne këta do t’i vrasim, ty jo. – Jo, - ka thënë, - unë nuk i pres në besë këta prandaj pa më vrarë mua nuk do të vriten këta. Kanë njoftuar qeverinë sipër ata që kanë qenë aty dhe si përfundim u kanë dhënë urdhër që pushkatojeni edhe atë. Edhe është pushkatuar Isufi me gjithë Deliallisët, në Sharrë të Tiranës”.
Ky version është i mbështetur në disa fakte. Isufi kishte miqësi me Deliallisët, por njëkohesisht ai njihej edhe me Medar Shtyllën, i cili ishte një prej drejtuesve të fermës së Xhafzotajt. Po ashtu fakt ishte edhe njohja e vvëllait të tij Dylit me Myslym Pezën. E në këto rrethana thirrja e Isufit si garanci për Deliallisët duket me vend. Po ashtu edhe fakti se ai i ka dalë para togës së pushkatimit për të mos i prerë në besë miqtë e tij, mbështetet nga thënia e drejtuesit të togës së pushkatimit, ish partiznit të çetës së Pezës Sali Verdha, i cili ka treguar në vitin 1992 edhe vendndodhjen e eshtrave. Ai u ka treguar Allamanëve se “Isufi është vrarë i pari, tek Ura e Beshirit, duke mbrojtur miqtë e tij Jakup e Kapllan Deliallisi”.
Eduard Allamani: Sipas drejtuesit të skuadrës së pushkatimit të asaj kohe, që pastaj tregoi edhe varrin në vitin 1992, Isufi nuk pranon. Ata donin të pushkatonin Deliallisët, ndërkohë Isufi nuk pranon, thotë: atëherë duhet të më pushkatoni edhe mua sepse ne erdhëm për tjetër gjë. Tani këto janë gojëdhëna, se sa është e vërtetë, dhe futet, rri para tyre, të pushkatohem edhe unë, - thotë, - sepse nuk ka kuptim, - thotë, - unë nuk jam i pabesë d.m.th. Dhe natyrisht e pushkatojnë”.
Drama e Leonelës dhe Allamanit të vogël….
Pushkatimi i Isufit në këto rrethana, ishte i papranueshëm për Leonelën. Ajo nuk mund ta imagjinonte që një mjek veteriner, djalë i pasionuar pas shkencës dhe jetës, i papërfshirë kurrë me politikë, të vritej se donte të mbronte miqtë e tij. Ajo çonte në mend dhjetra skenare, por faktin e pushkatimit të tij në këto rrethana nuk e pranonte dot. Gjithsesi, ajo kishte mbetur vetëm, me djalin e saj të vogël që nuk pati mundësi ta njihte të atin. E vetmja rrugë që i mbetej ishte kthimi në Itali.
Eduard Allamani: Kur pushkatuan Isufin, i shkoi lajmi edhe bashkëshortes Leonelës, që ka ndodhur kjo situatë, kështu e kështu, kjo ngjarje. Ajo e përjetoi shumë keq. Dhe ishte një dramë Akoma më e madhe, sepse nuk e pranonte logjikën që mund ta kenë pushkatuar. Ajo mendonte që kushedi çfarë ka ndodhur, do ketë ikur në ndonjë vend tjetër. Dhe pastaj gjithë fisi vendosën, të asaj kohe, mblidhen, se ka qenë dhe një traditë faktikisht, që mblidheshin për çdo lloj situate dhe vendosën që të shkonte dhe të shikonte jetën e vet, sepse ata e dinin shumë mirë që ai ishte pushkatuar. Edhe iku, u kthye në Itali. Mirëpo ajo ishte një zonjë fisnike, që nuk e preku kurrë kujtimin e dashurisë së saj në zemër. Nuk u martua kurrë dhe vazhdonte e përjetonte këtë pjesë. Në fakt kishin qenë shumë të lidhur, shumë të dashuruar.”
Pas largimit nga Shqipëria, për Leonelën dhe Allamanin e vogël jeta do të rridhte e qetë në Itali. Leonela zemërthyer, do të mblidhte forcat për të rritur e shkolluar djalin e saj të vetëm. Dashurinë për Isufin e ksihte kyçur në zemër, pavarësisht mendimeve dyshuese që ja ngacmonin ndërgjegjen për rrethanat e ngjarjes ku humbi jetën Isufi.
Djali, Allamani, do të rritej e shkollohej në Firence duke ndjekur gjurmët e të atit dhe do të diplomohej në mjekësi. Ishte pikërisht koha kur ai vijonte studimet për mjekësi, kur do ti jepej rasti të vinte për herë të parë në Shqipëri që nga vitit 1945 kur ishin larguar…. Si do ta gjente Shqipërinë? A ishte ajo siç e kishte përfytyruar nga rrëfimet e të jëmës? A do të zbulonte ai diçka rreth fatit të të atit?
Eduarti e tregon këtë episode sipas rrëfimeve të kushëririt të tij.
Eduard Allamani: Në vitin 1978 Allamani ka qenë, 35 vjeç, dhe vjen në Shqipëri për herë të parë, me një grup studentësh, ishte student i mjekësisë në Firence. Dhe thotë: shyqyr që po vija. Edhe vjen në Tiranë. Ditën e parë, thotë: fjetëm te hotel “Dajti” dhe të nesërmen e kishim vendosur që të shkojmë në Elbasan. Në mëngjes, - thotë, - na trokasin te dera: Allaman Allamanin e kërkojnë poshtë. Natyrisht Sigurimi i Shtetit kishte auditoret e veta aty dhe e thërrasin, i thonë: nga je ti? I thotë: nga Shqipëria. – Por e di ti që je djali i filanit është armik i popullit, Isufi? Dhe thotë ai: tani, - thotë, - nga njëra anë ishte natyrisht e rëndë, por isha i gëzuar që do të mësoja diccka rreth fatit te babait.Se ishte rritur me atë pjesën e histories, sipas rrëfimeve të së jëmës, aq sa dinte ajo.
Dhe i thonë: ti do të largohesh nga Shqipëria, je person non grata, nuk do të vazhdosh me shokët 4 ditë që do rrinin dhe kthehet. Thotë: nuk u mërzita se po kthehesha, por më shumë më gëzoi fakti që do të kisha mundësi tit hoja nënës time: babai im nuk të ka faj për këtë pjesë d.m.th. ajo ka qenë fatkeqësi e tij që e pushkatuan se nuk varej nga ai”.
Haliti dhe Eduardi, tregojnë se pavarësisht largimit në Itali, Leonela dhe Allamani nuk i shkëputën kurrë lidhjet me familjen në Kurdari. Ata kujtojnë, letrat dhe kartolinat e shumta që Allmani i dërgonte gjyshes së tij, dhe kuhserinjve, letra qe herë vinin e herë ju mbaheshin prej Sigurimit të Shtetit. Vetë Allamani, i larguar me forcë nga Shqipëria, atë ditë të vitit 1978, pasi e thirrën në Hotel Dajti, nuk do ta shkeltë më për disa vite rresht atdheun e tij, derisa diktatura ra. Në vitin 1992, nëna e tij Leonela do të ndahej nga jeta, e po atë vit, ai dhe familjarët në Kurdari do të merrnin një lajm të madh. Kishin zbuluar pas 48 vjetësh eshtrat e të atit dhe të vërtetën e pushkatimit të tij. Drejtuesi i togës së pushktatimit kishte treguar të vërtetën, madje edhe vendin ku ishin varrosur pranë Urës së Beshirit.
Eduard Allamani: Ai na çoi fiks, më 1992. Unë nuk kam qenë prezent, se kam qenë student në atë kohë, por ka qenë babai im dhe gjithë këta sepse ne për fat jemi edhe fis i madh dhe i morën eshtrat dhe i rivarrosën në Kurdari dhe eshtrat e Isufit prehen sot në varrezat e Kurdarisë.
Eduardi tregon se pas tij momenti paqëtimi shpirtëror, familja rivendosi lidhjet me Allamanin, i cili do ta vizitonte sërish vendin e të parëve të tij. Ndërsa e ëma Leonela u nda nga jeta pa mundur të kthehej më.
Eduard Allamani: Ajo vdiq më 1992, madje unë kam qenë. Shkojmë shpesh tek Allamani, edhe ai vjen në Kurdari, dhe te varri i Leonelës dhe për nderim kemi vënë 2 herë edhe lule. Por edhe këtu ndihesh keq, që si të thuash u shkatërruan, u dëmtuan vlerat e një shoqërie d.m.th. që dhe prapë, për të qenë korrekt, edhe sot akoma nuk del e vërteta qoftë për familjen Allamani, qoftë për shumë familje të tjera. Ç’rëndësi ka? Ashtu ndodhi, ashtu e menduam, ashtu qe fati për të gjithë, por tani e më tej, të jemi të gjithë si të thuash, përtej atyre ngjyrave politike, sepse ngjyrat e kanë dëmtuar si të thuash gjithë këtë pjesë të historisë sonë.
Në dhjetor të vitit 2009, Presidenti i Republikës dekoroi me Urdhrin "Nderi i Kombit", intelektualët e vrarë në periudhën 28 tetor-16 nëntor 1944, ku bën pjesë dhe Isuf Allamani. Po ashtu edhe për vëllanë e tij Dyl Allmani pushkatuar po ashtu prej komunistëve në vitin 1945, u dha prej presidentit të Republikës, dekorata e artë e shqiponjës për kontributin patriotik dhe luftën e vendosur kundër pushtuesve të Shqipërisë, si dhe për qëndrimin dinjitoz kundër regjimit komunist deri në sakrifikimin e jetës”.
Përveç, dy vëllezërve Dyl dhe Isuf Allamani edhe babait të tyre Sulejman bej Allamanit, i është akorduar urdhri për veprimtari patriotike të klasit të dytë, me motivacionin: “Atdhetar dhe Luftëtar i shquar në luftën për mbrojtjen e Shkodrës nga pushtuesit serbo-malazezë”.
Ky vlerësim, vendos disi në vend, drejtësinë për ta, duke i dhënë fund mohimit të kontributeve të vyera që ata dhanë për Shqipërinë.
Ndërkohë një mesazh i fortë u dha prej mjekut epidemiolog, Allaman Allamanit në vitin 2024, me rastin e 80-vjetorit të vrasjes së intelektualëve të Tiranës. Në mesazhin e tij që u lexua gjatë ceremonisë dr. Allamani shkruante:
“Të nderuar familjarë të 39 intelektualëve të Tiranës, të vrarë padrejtësisht nga barbarët komunistë “Nëntori është një muaj i dhimbshëm.
Shqipëria, në veçanti, kujton shumë njerëz të vrarë nga diktatura. Ishte dhe mbetet dhimbje e madhe.
Mes njerëzve që vuajtën nga vrasja e babait tim Isufit, qe nëna ime Fiorentine Leonella. Pasi u arratis me mua shumë i vogël, foshnjë në Itali, ajo e mbajti në mendje dhe në zemër kujtimin e tim eti.
Më pas u largua nga kjo botë shumë e hidhëruar për shkak se nuk e pa kurrë bashkëshortin e saj për 46 vjet.
Edhe për mua nëntori është muaj dhimbjesh, i ftohtë, i errët, sepse babain tim nuk e njoha kurrë. Por kjo është jeta dhe historia.
Pas tij vdiq edhe personi që e vrau; edhe qeveria, edhe regjimi që e mbështeti atë vrasës kanë vdekur. Tani çfarë ka mbetur? Ajo që mbetet është kujtimi dhe mësimi që na lanë baballarët tanë dhe babai im dhe ne pas tyre përpiqemi t’ua përcjellim brezave që vijnë pas nesh.
Le të përpiqemi të sjellim paqe dhe të jetojmë në falje, falje për të gjithë ata që i janë dorëzuar arrogancës, frikës, urrejtjes në atë kohë dhe në kohën tonë”,
Dr. Allaman Allamani
Firence
Itali 17 nëntor 2024
Komente












