ITALI - Në Itali po eksperimentohet me marijuanën për tu përdorur për mjekësi. Kjo është sera e administruar nga ushtria italiane në Firence, ku po rriten fidanët e parë që do të përdorën për kurimin e sëmundjeve të ndryshme.
 
Kolonel Antonio Medica thotë se se qëllimi është t’u garantojmë përdoruesve një produkt, që nuk mund të gjendet lehtësisht në treg, me një çmim konkurrues.
 
Prej vitit 2013, marjuana mjekësore, siç quhet ndryshe, është e ligjshme në Itali. Ajo përdoret për të larguar dhimbjet e sklerozës së shumëfishtë, kancerit, si edhe për të trajtuar glaukomën.
 
Por pavarësisht kësaj, në Itali nuk ka patur prodhuese të liçensuar. Pacientët që kishin nevojë e blinin në Holandë apo Gjermani dhe çmimi arrinte deri në 40 euro për gram. Shumë pacientë të tjerë, e gjenin në rrugë duke ua dhënë paratë trafikantëve të drogës.
 
Koloneli tregon se çmimi i marijuanës mund të ulet nën 15 euro, ndoshta edhe 5 euro për gram. Ky çmim sipas tij mund të jetë i ngjashëm me çmimin e marijuanës në tregun e zi.
 
Duke prodhuar 100 kg në vit qeveria italiane shpreson të ulë numrin e trafikantëve të drogës në rrugë.