Jahjaga: S'ka dyshime, dialogu me 
Serbinë sjell njohjen e Pavarësisë

Jahjaga: S'ka dyshime, dialogu me <br />Serbinë sjell njohjen e Pavarësisë
Dialogu me Serbinë do të përfundojë me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë dhe, për Presidenten Jahjaga, ky është një rezultat pa alternativë. Duke lënë mënjanë modestinë si kryetare e shtetit, Jahjaga deklaron se kur të largohet nga zyra e Presidencës, ajo do të ketë lënë trashëgimi një udhëheqësi kushtetuese të paprecedent, pasi ka ditur të jetë mbi palët dhe të mos ndikohet nga emocionet.

Për herë të parë Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka rrëfyerprapaskenat e ngjitjes së saj në Presidencë, paragjykimet me të cilat përballet në zyrën e kreut më të lartë të shtetit vetëm sepse është grua, betejat e saj për mbrojtjen e grave të dhunuara, ISIS-i, por edhe se ku do ta shikojmë atë pas përfundimit të mandatit të Presidentes, në prill të vitit 2016.

Jahjaga i ka shpjeguar gazetarit Alban Dudushi edhe arsyet e kësaj vizite të vonuar në Shqipëri, por nuk ngurron të tregojë të vërtetën edhe për prapaskenat e bashkëpunimit të munguar me Serbinë, në këtë valë eksodi që përfshiu Kosovën në fund të vitit që lamë pas, por dhe në fillim të këtij viti.

Sa i përket Gjykatës Speciale, Jahjaga shprehet se nuk ka pasur presione dhe se ky do të jetë një premtim i mbajtur për të pastruar figurën e Kosovës përballë ndërkombëtarëve.

Intervista e plotë e Presidentes Atifete Jahjaga me gazetarin Alban Dudushi
Për herë të parë për një vizitë shtetërore, për herë të parë në një studio televizive shqiptare, është Presidentja e Kosovës, zonja Jahjaga. Mirëserdhët! Në fakt do t’ju pyes edhe sesi shkoi vizita juaj në Shqipëri, por ajo që më vjen ndërmend së pari është, përse kaq vonë një vizitë shtetërore?

Alban, meqë është vizita e parë që bëj dhe është një ndër intervistat e para që jap në studiot e televizionit tuaj, së pari dua t’ju përshëndes juve, të gjithë stafin realizues të televizionit tuaj dhe të gjithë shikuesit shqiptarë, kudo që janë. Unë, kur vij në Shqipëri, ndihem si në shtëpinë time. Kam ardhur në Shqipëri edhe herë të tjera, sepse jam adhuruese e madhe e bregdetit shqiptar. Të gjitha pushimet e mia verore i kam kaluar këtu.

Edhe këtë vit?
Edhe këtë vit, edhe pse ishte pushim shumë i shkurtër, isha sërish këtu.

Ku?
Isha në Durrës.

Aty ku shkojnë pjesa më e madhe e kosovarëve?
Faktikisht isha në skaj të Durrësit, kështu që pata rastin të pushoj disa ditë. Unë kam pasur takime me Presidentin Nishani, me ish-Presidentin Topi, me zyrtarë të lartë të institucioneve të Republikës së Shqipërisë, si këtu në Shqipëri, edhe jashtë saj. Aspektet e vizitës zyrtare janë çështje, të cilat harmonizohen në bazë të protokolleve të kabineteve të dy presidencave tona. Mirëpo, e them edhe njëherë, që unë në Shqipëri ndihem si në shtëpinë time. Edhe pse kjo është vizita ime e parë shtetërore, unë vij shpesh këtu dhe do të vazhdoj të vij sërish.

Duket se, meqë ndiheni si në shtëpinë tuaj, nuk e keni ndierë nevojën të bëni një vizitë shtetërore?
Jo, absolutisht nuk është ajo.

Ama, tani në fund të mandatit po e bëni këtë vizitë?
Jua thashë edhe më herët, që vizitat zyrtare janë rezultat i punës së përafërt, të ftesave zyrtare dhe protokollove, që bëhen mes presidentëve dhe kabineteve presidenciale, e kjo është ndonjëherë edhe jashtë axhendave tona. Por, këto janë çështje protokollare.

Po këtë herë, çfarë kishte të frytshme kjo vizitë shtetërore?
Axhenda ishte jashtëzakonisht e ngarkuar. Fillova me një takim shumë të ngrohtë, të përzemërt me Presidentin Nishani. Pastaj vazhduan takimet me kryetarin e Kuvendit e kryeministrin, ku u diskutuan çështje të përbashkëta mes vendeve tona. U diskutuan edhe disa çështje të përmirësimit të bashkëpunimit mes nesh. Përveç kabinetit tim, në delegacion kam marrë edhe dy ministra të kabinetit qeveritar të Republikës së Kosovës.

Ministrin e Bujqësisë dhe...?
Ishte ministri i Bujqësisë dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, në mënyrë që të ofrojmë mundësi pak më të mëdha, që të diskutojmë disa gjëra më në thelb dhe të zhvillojmë disa çështje më hollësisht mes nesh.

Në këto fusha çalojnë më shumë punët, meqë keni marrë këto dy ministra me vete? Flas në nivel të bashkëpunimit mes dy vendeve tona... Apo ka shumë gjëra për t’u përmirësuar? Për shembull, gjëra të aspektit kulturor; televizionet, këngëtarët, skena e estradës janë unifikuar në një lloj kuptimi. Ekonomia duket se është ajo, që çalon më shumë?
Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë të tilla, që shkojnë përtej këtij kuptimi tradicional të shteteve. Të gjithë ne e kuptojmë kontekstin historik e kulturor të gjakut, të gjuhës e të historisë mes Kosovës dhe Shqipërisë. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë forcuar pothuajse në të gjitha fushat. Mendoj se, këto vitet e fundit kemi shënuar progres të konsiderueshëm, sa i përket avancimit të bashkëpunimit të Kosovës dhe Shqipërisë. Tani kemi bashkëpunim politik, ekonomik, tregtar, por edhe të shkëmbimit kulturor. Unë jam e përkushtuar, si Presidente e Kosovës, që të thellojmë këtë bashkëpunim. Juve iu referuat edhe marrëveshjeve mes dy qeverive dhe ne kemi një numër të madh marrëveshjesh. Vetëm në këto dy mbledhjet e fundit, që janë mbajtur midis dy kabineteve qeveritare, janë nënshkruar diku te 12 marrëveshje, të cilat kanë pasur si fokus të veçantë thellimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Mendoj se duhet ta vlerësojmë më shumë bashkëpunimin në aspektin e zbatimit konkret të këtyre marrëveshjeve.

Në fakt, duket sikur janë më shumë deklarative, sesa është bërë punë në terren. Unë kam pasur rastin të jem herë pas here në Kosovë dhe shqetësimet kryesore janë: sa ndërmarrje të Kosovës kemi në Shqipëri, sa ndërmarrje të Shqipërisë kemi në Kosovë, sa vëllim shkëmbimi tregtar kemi mes dy vendeve... Lë shumë për të dëshiruar apo jo?
Absolutisht që pajtohem me ju, sepse ne duhet të shohim më shumë rezultate konkrete në implementimin e këtyre marrëveshjeve. Për këtë arsye, në këtë vizitë shtetërore unë kam sjellë dy ministra, në mënyrë që të diskutojmë konkretisht çështjet dhe të thellojmë bashkëpunimin. Të shohim ku janë problemet, ku janë vështirësitë dhe çfarë duhet të përmirësohet, në mënyrë që të kemi një intensifikim të gjerë. Këtë e bëjmë me qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe ndërtimin e mirëqenies. Shoh që kemi shumë hapësirë për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme mes dy vendeve tona. Jo vetëm në këto fusha që ne përmendëm, por të marrim - për shembull, - ne ende nuk kemi ndonjë projekt të përbashkët substancial kulturor. Përkundër vullnetit dhe përkundër zotimeve që kemi dhënë, por edhe përkundër vullnetit të elitës kulturore të të dyja vendeve tona, ne ende nuk kemi pasur një projekt substancial kulturor. Pra, duhet të fillojmë me kthimin e simbolikave që përçojnë një mesazh të madh për qytetarët dhe mbarë rajonin. Ju përmendët edhe aspektin e investimeve. Të gjithë e dimë se ne i dëshirojmë. Duke filluar që nga unë, por edhe çdo qytetar i Kosovës dëshiron të shohë më shumë investime nga Shqipëria në Kosovë, të shohim më shumë investime nga Kosova në Shqipëri. Duhet ta pranojmë se, biznesmenët tanë kanë probleme të shumta, të natyrave të ndryshme, qofshin edhe burokratike, të cilat ne duhet t’ua lehtësojmë. Duhet të mënjanojmë këto probleme dhe duhet t’ua lehtësojmë jetën atyre, sepse përmes lehtësimit të jetës së biznesit, ne do t’ua lehtësojmë jetën edhe qytetarëve tanë.

Alban Dudushi: Kjo, le të themi që ishte edhe një pjesë e rëndësishme, që Ju diskutuat gjatë vizitës në Tiranë, duke pasur parasysh edhe faktin që kishit me vete ministrat. Çështje të tjera, që u diskutuan përveç ekonomisë...?
Patjetër që, në fokus të kësaj vizite ishte edhe çështja e përkrahjes së madhe nga Shqipëria. Unë shfrytëzova rastin që, në emër të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të falënderoj të gjitha institucionet e Shqipërisë dhe shqiptarët për një përkrahje të vazhdueshme, që kanë dhënë për Kosovën dhe popullin e Kosovës në tërësi. U bisedua çështja e së ardhmes së Republikës së Kosovës, çështje të fuqizimit të rendit dhe të ligjit, sepse prioritet, si për Kosovën edhe për Shqipërinë, janë fuqizimi i rendit dhe qetësisë, lufta efikase kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Edhe pse kemi bashkëpunim të mirë, shoh ende hapësirë për fuqizimin e këtij bashkëpunimi, sepse përgjigjja më e mirë ndaj këtyre dukurive negative është bashkëpunimi i mirë.

Le të kthehemi pak pas në kohë, znj. Presidente. Pikërisht në periudhën kur Ju u zgjodhët Presidente e Republikës së Kosovës. Ishte një lajm, për disa arsye. Ju ishit një personazh jo i përfshirë në skenën politike të Kosovës, ishit një grua dhe jeni ndoshta e vetmja grua kryetare shteti në Ballkan. Por, kurioze ishte edhe mënyra sesi Ju erdhët në Presidencë. Cili ishte kumbari juaj? Cilat ishin rrethanat, kur iu erdhi propozimi për t’u bërë Presidente?
Ju e dini që në vitin 2011, Kosova kalonte fazën e një krize të thellë politike. Kishte dhënë dorëheqjen një President, pastaj ishte zgjedhur Presidenti i ri në vend. Gjykata Kushtetuese kishte marrë një vendim, që procedura e zgjedhjes së tij nuk ishte respektuar dhe, në atë kohë, 3 partitë kryesore në vend kishin dalë me qëndrimin për të përkrahur kandidatin konsensual për President të vendit. Unë nuk kam qenë pjesë e marrëveshjes për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës, por mua më është ofruar detyra që t’i shërbej vendit në atë periudhë jashtëzakonisht të vështirë për Kosovën, për qytetarët e saj, gjatë një krize të thellë politike, kur ishin sfiduar institucionet e vendit dhe kur besimi i qytetarëve tanë në to sa vinte e rrënohej.  Unë them se, nuk ka nder dhe privilegj më të madh, sesa t’i shërbesh vendit tënd. Nuk ka nder dhe privilegj më të madh, sesa të jesh përfaqësues i vendit tënd në një moment të rëndësishëm dhe vendimtar, siç ishte Kosova në atë kohë, në një moment vendimtar për shtetin tonë dhe qytetarët tanë.

Kështu që, Ju nuk patët dilema për ta pranuar propozimin?
Askush dhe asnjëherë, jo vetëm unë, por asnjë qytetar nuk duhet të ketë dilema, kurdo që duhet të shërbesh për vendin dhe qytetarët e tij. Sepse, në atë moment nuk është në pikëpyetje vetvetja, por janë në pikëpyetje vetë shteti dhe qytetarët e saj.

Ju po e ndiqnit në atë periudhë, të gjithë atë “tollovi” politike që kishte ndodhur? Kishte dhënë dorëheqjen Presidenti Sejdiu, Qeveria ishte e paqëndrueshme dhe kaloi në zgjedhje të parakohshme. Ishte prapë një situatë, kur nuk po gjendej konsensusi për Presidentin. Ju, në atë kohë, ishit nëndrejtoreshë e Policisë së Kosovës, apo jo? E ndiqnit politikën? Ishit e interesuar? Apo ishit e fokusuar te detyra juaj?
Natyrisht, sikurse çdo qytetar i Kosovës, edhe në atë post kam përcjellë zhvillimet politike në vend, gjendjen dhe situatën në të cilat gjendeshin institucionet e vendit. Në atë kohë isha në detyrën që ju përmendët, që kishte të bënte me ofrimin e kapaciteteve të mia në rritjen e vazhdueshme dhe profesionale të institucionit të Policisë së Kosovës, që ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga institucionet më të besueshme. Dhe, të them të drejtën, asnjëherë nuk kam pasur as këmbënguljen, as qëllimin që të bëhem pjesë e spektrit politik.

Pra, juve ju erdhi si “rrufe në qiell të pastër”?
Mund të kuptohet edhe kështu, për rrethanat që kanë qenë në atë kohë.

Është sekrete, apo mund të na e thoni se, cili ishte ai që Ju propozoi? Kujt i vajti mendja te Ju?
Ende nuk ka ardhur koha, por një ditë do të shpalosen në kujtimet e mia, që unë do t’i shkruaj patjetër në të ardhmen.

Shkollimi juaj ka qenë në Prishtinë, ku Ju keni mbaruar Fakultetin Juridik, por pastaj keni ndjekur trajnime e specializime në SHBA. Shumë vetë thonë se, ishin pikërisht amerikanët, që Ju morën dhe Ju sollën këtu...?
E them përsëri, që këto çështje nuk janë për t’u zbuluar dhe diskutuar tani, por do të vijë një kohë, kur të gjitha këto sekrete do t’i vendos në kujtimet e mia, kurdo që të kem kohë, pas përfundimit të mandatit tim kushtetues si Presidente e vendit. Ndoshta për dikë do të jenë befasuese, e për dikë tjetër jo të tilla.

Ndërkohë, do t’Ju pyes edhe se çfarë do të bëni, pasi të përfundojë mandati. E theksova edhe në fillim, duke qenë ndoshta e vetmja grua kryetare shteti në të gjithë Ballkanin Perëndimor, natyrisht një person që është në krye të shtetit, ashtu siç ka lavdërime, ka edhe kritika. Por, a keni ndierë Ju nota seksizmi në kritikat ndaj jush? E kam fjalën për pozicionim ndaj jush për shkak të të qenit grua dhe jo për shkak të asaj se çfarë bëni?
Absolutisht që po! Unë kam thyer shumë barriera gjatë karrierës sime. Kam qenë gruaja e parë, që ka pasur pozitën më të lartë në kuadër të një institucioni, siç ka qenë Policia e Kosovës, që - sikurse ka qenë gjithmonë, - kuptohet si një profesion i rezervuar për meshkujt. Me zgjedhjen time si Presidente e Kosovës, unë kam bërë histori jo vetëm për vendin tim, por edhe për të gjithë Ballkanin, pse jo edhe më gjerë. Detyrat, përgjegjësitë dhe gjërat e njerëzit, me të cilët merrem unë, nuk dallojnë aspak me detyrat e përgjegjësitë e një Presidenti mashkull, kudo që veprojnë nëpër vende të ndryshme të botës. Natyrisht që jam ballafaquar me shumë probleme, sfida, madje edhe me një lloj qasjeje seksiste. Shpeshherë, mendimi im është gjykuar vetëm se jam grua, ka pasur edhe një përqindje të opinionit publik që më ka paragjykuar, por mund të të them se unë jam ndierë shumë rehat me atë çfarë përfaqësoj. Dy milionë qytetarë të Republikës së Kosovës janë shumë të përkushtuar dhe të përqendruar, që unë të ndërtoj një shtet të qëndrueshëm, një shtet në prosperitet dhe një shtet demokratik. Unë jam votuar në Kuvendin e Kosovës me 2/3-tat e votave dhe asnjëherë nuk e kam kthyer kokën pas, që të paragjykoj këtë besim dhe këtë mbështetje që më është dhënë.

Politika, në përgjithësi është e egër. Imagjino sa e egër është politika e burrave. U ambientuat shpejt? E kam fjalën, duke mos qenë një personazh politik, duke mos qenë një personazh që kishit ambicie politike, a u ambientuat shpejt në gjithë këtë vorbull të intrigave politike dhe gjithë kthinave që ka politika?
 Patjetër që më është dashur të ambientohem dhe, normalisht që, janë bërë edhe shumë gabime. Por këto janë gabime, që kanë qenë pjesë e punës së vazhdueshme. Dua të them se kam pasur një përkrahje të fuqishme, duke respektuar normalisht Kushtetutën e ligjet e vendit, nga të gjitha institucionet dhe spektri politik i vendit, por gjithmonë duke ruajtur atë neutralitetin e zyrës sime në kuadër të partive politike, por edhe në lidhje me ndarjen e pushteteve me institucionet e tjera. E them përsëri se, për mua ka qenë një nder dhe privilegj t’i shërbej vendit tim, t’u shërbej qytetarëve të Kosovës, t’u shërbej institucioneve të vendit tim.

Thatë pak më parë që Ju bëtë histori. Dhe jo vetëm historinë tuaj, por edhe të Ballkanit, duke qenë Presidentja e parë grua. Në një vend si Kosova, në një shtet si Kosova, që ashtu si Shqipëria është një shoqëri maskiliste deri diku... Duke thënë këtë nënkuptojmë që gratë dhe femrat e tjera, ato që nuk janë në pozicionin tuaj, nuk janë në një pozitë më të mirë sesa dje. Çfarë keni bërë Ju për to?
Absolutisht që kam bërë. Përkundër detyrave të mia kushtetuese dhe ligjore, ka qenë edhe një detyrim - moral mbi të gjitha, - që të përkujdesem për fuqizimin e rolit të gruas në shoqërinë tonë. Gruaja në Kosovë ka luajtur një rol të rëndësishëm. Ajo ka qenë pjesë e të gjitha proceseve, në të cilat shteti ynë ka kaluar, qoftë në periudhën e rezistencës, qoftë në periudhën e luftës, qoftë në periudhën e ndërtimit të shtetit tim. Ka qenë fokusi im i veçantë në fuqizimin dhe avancimin e rolit të gruas, përmes projekteve dhe nismave të ndryshme, duke siguruar që gruaja të jetë e përfaqësuar si në jetën institucionale, ashtu edhe në atë politike e vendimmarrëse. Veçanërisht, fokusi im ka qenë në procesin e vendimmarrjes, që të kemi përfaqësim të grave në të gjitha nivelet.  Ju e dini se në Kosovë, një vit më parë kemi adaptuar një kuotë prej 30%, që parashikon në kuadër të ligjeve të Kosovës, përfaqësimin e grave në jetën institucionale, veçanërisht, si në nivelin qendror, ashtu edhe në atë lokal. Kjo është zbatuar deri më sot. Për shembull, 1/3-ta e Kuvendit përbëhet nga gratë, por pas krijimit të Qeverisë së fundit, kjo përqindje ka rënë. Menjëherë pas marrjes së detyrës nga ana e kryeministrit të ri, unë kam ftuar në takim atë dhe, një ndër kërkesat e mia të para ka qenë ajo se “ku janë gratë?”.

Në qeveri?
Ku janë gratë në qeveri? Ku është përfaqësimi i tyre? Ku është respektimi i ligjit?

Cila ka qenë përgjigjja?
 Përgjigjja ka qenë: “E dimë, por më jep pak kohë dhe patjetër do ta përmirësoj këtë”. Ka disa muaj kohë, por ende nuk është arritur në nivelin e dëshirueshëm. Kjo çështje përbën një rikujtim timin të vazhdueshëm, që bëj ndaj institucioneve të vendit. Situata nuk dallon shumë nga Kosova në Shqipëri, por nuk dallon as prej vendeve të tjera në rajon. Ne kemi evoluuar shumë si shoqëri, si në Shqipëri edhe në Kosovë, dhe në këtë drejtim ka evoluuar edhe roli e pozita e gruas në shoqëri. Mirëpo ne duhet të këmbëngulim tashmë në qëndrueshmëri. Duhet të fillojmë të mënjanojmë idenë e të interesuarit për “a kemi përqindjen e nevojshme”, “a kemi përqindjen e domosdoshme”? Këtë duhet ta bëjmë një normë të rregullt të funksionimit dhe operimit brenda jetës sonë, qoftë institucionale apo shoqërore. Por, baza dhe thelbi i fuqizimit të rolit të gruas, them se nuk është vetëm nëpër institucione - duke marrë parasysh një garant, - por është te familja! Ne kemi ende punë për të bërë për fuqizimin e rolit të gruas në familje, e nga aty të kemi fuqizimin e madh të gruas edhe në shoqëri. Një çështje tjetër që dua ta prek këtu, kur kemi të bëjmë me çështjen e grave, është njëra me të cilën unë jam marrë menjëherë pasi kam marrë detyrën time. Ju e dini që Kosova ka pasur një të kaluar shumë të rëndë. Ne kemi pasur dhjetëra e mijëra qytetarë të Kosovës, që janë vrarë dhe masakruar, kemi pasur me qindra qytetarë, që ende rezultojnë të zhdukur në varrezat masive në territorin e Kosovës, por edhe jashtë saj. Por ne kemi edhe mbi 21 mijë gra, që janë viktima të dhunës seksuale gjatë luftës së Kosovës, të cilat kanë qenë në mëshirën e askujt për këto 15 vite, pas përfundimit të luftës.

Kjo është me të vërtetë shumë e rëndësishme. Mos gaboj, dy vite më parë, Top Channel ka realizuar një dokumentar shumë tronditës, pikërisht me këto gra, viktima të dhunës seksuale gjatë kohës së luftës. Duke qenë shpesh atje dhe duke biseduar edhe me aktivistë të shoqërisë civile, më kanë treguar se është një nga gjërat “tabu” në Kosovë, është një nga gjërat që nuk përmendet. Ato gra, përveç se kanë vuajtur në atë kohë, vazhdojnë të vuajnë edhe sot stigmatizimin edhe ndaj familjarëve të tyre, për shkak të asaj që kanë pësuar në atë kohë...
Absolutisht po! Kjo ka qenë edhe pikënisja e nismës sime, që kam themeluar vitin e kaluar. Kam krijuar Këshillin Kombëtar për trajtimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës. Këto gra, jo vetëm që nuk kanë qenë në mëshirën e askujt, por është ajo që thatë edhe ju: ka qenë një temë “tabu”. Ka qenë një temë, që nuk është lejuar të diskutohet në shoqërinë tonë, kanë qenë të stigmatizuara, së pari nga familja e tyre, nga rrethi i tyre, e më pas nga e gjithë shoqëria. Për ato gra, lufta nuk ka përfunduar ende. Edhe 15 vite pas përfundimit të luftës, ende në shpirtin e mendjen e këtyre grave ka luftë, ka dhimbje, ka vuajtje dhe kjo vuajtje u është rritur gjithnjë e më shumë përmes stigmatizimit të shoqërisë, që u është bërë me vetëdije apo pa vetëdije, kësaj shtrese të prekur.

Çfarë bën ky Këshill Kombëtar?
Ky këshill ka përfshirë të gjitha institucionet e vendit, ministritë, ka përfshirë edhe shoqërinë civile. Pikësynimi kryesor është njohja e statusit ligjor të këtyre grave, që parashikon të njëjtat trajtime sikurse viktimat civile të luftës. Pastaj është marrë me riintegrimin, rehabilitimin dhe risocializimin e këtyre viktimave të dhunës. Ky këshill u ka dhënë zë këtyre grave dhe zëri më i fuqishëm është dëgjuar gjatë instalacionit të fundit, që patëm në ditën e Çlirimit. Ishte një instilacion artistik në qendër të Prishtinës, ku u shfaqën 5 mijë funde dhe fustane të mbledhura vullnetarisht, të grave dhe vajzave në të gjithë territorin e Kosovës, që së pari ka pasur për qëllim rritjen e vetëdijes te qytetarët tanë dhe, së dyti, përkrahjen e këtyre grave në Kosovë, sepse nuk ka qenë turpi i tyre, nuk është faji i tyre.

Si reagon shoqëria?
E thashë edhe më herët, që kjo ka qenë një temë “tabu”, por që prej një viti, ajo është një pikë qendrore diskutimi në çdo komunë të Kosovës, në çdo vend të Kosovës. Ende kemi punë për të bërë, sidomos në fuqizimin ekonomik të këtyre grave, pasi fuqizimi ekonomik u jep zë këtyre grave. I bën më të pavarura dhe i bën më të zëshme në kërkimin e drejtësisë. Dhe, e dyta, por që është më e rëndësishmja, është qasja në drejtësi. Ende, që pas përfundimit të luftës, ne nuk kemi asnjë autor të këtyre veprave makabre, i cili të jetë dënuar për këto krime. Pra, kemi ende punë për të bërë. Presioni kryesor që duhet bërë, normalisht është ndaj Serbisë, që duhet të hapë dosjet dhe të bashkëpunojë me Kosovën për zbardhjen e këtyre krimeve. Gjithsesi edhe ndërkombëtarizimin  e statusit të këtyre grave, sepse ua kemi ne borxh. Kosova ua ka borxh, sepse ato janë heroinat tona.

Jemi rikthyer në këtë pjesë të dytë, jo pa qëllim me një këngë të Muharrem Qenës, “O vendi im”, që “spiunët” tanë na thanë se e keni shumë për zemër.
Me të vërtetë e kam shumë për zemër dhe u emocionova tani, teksa kjo vajza (Kamela Islamaj) e këndoi me një zë të jashtëzakonshëm.

Ke kohë për t’u marrë me muzikën? E konsumoni artin, tani që jeni në zyrën e Presidentes?
Pak kohë mbetet për këto aktivitete, por gjithmonë mundohem në maksimum. Veçanërisht ftesat e artistëve në Kosovë mundohem t’i përkrah dhe së paku t’i nderoj me praninë time. Për mua nuk do të thotë shumë, por për ata thotë shumë një përkrahje dhe një mbështetje e fuqishme, për të cilën ata kanë nevojë, sidomos në këto rrethana.

Sa kohë keni, për shembull, pa vallëzuar pa bashkëshortin tuaj?
Ndoshta një muaj. Kishim një dasmë familjare dhe atje ishim të pranishëm.

Ndonjëherë, kur bashkëshortja është në detyra të rëndësishme, burri duket sikur është më në hije. A e ka përjetuar mirë të qenit në Presidencë bashkëshorti juaj?
Dua të them se, kam pasur një përkrahje të jashtëzakonshme mbi të gjitha nga familja ime. Edhe më herët e kam thënë se, kam thyer barriera të shumta dhe këto barriera nuk mund t’i thyesh pa pasur një përkrahje të fuqishme, më së pari nga ata që ke në krah, nga familja jote. Kam pasur përkrahjen e babait tim, të nënës sime, të vëllait tim dhe tani kam një përkrahje të fuqishme edhe nga bashkëshorti im, Astriti, i cili ka qenë pranë meje pa marrë parasysh rrethanat. Ai ka qenë një shtytje e fuqishme, e të gjitha këtyre fazave që unë kam kaluar. Nganjëherë kanë qenë të mira, nganjëherë të rënda, por kanë qenë pjesë e punës dhe jetës sonë të përbashkët.

Meqë e nisëm me muzikën; Muharrem Qena është më i dashuri ndër artistët për Ju, apo ka edhe këngëtarë të tjerë që i pëlqeni?
Është një ndër artistët më të dashur për mua, veçanërisht domethënia e kësaj kënge. Ka të bëjë shumë me atë që unë besoj fuqishëm, që duhet ta ngulisë secili prej nesh në zemrat dhe në mendjet tona: dashurinë për atdheun, dashurinë për vendin tonë! Kjo këngë shpjegon shumë për bukuritë e secilit vend, atë se çfarë dashurish duhet të zhvillojmë për vendet tona.

Jeni melankolike në muzikë, apo Ju pëlqen në muzikë edhe Bled Sejko, në kitarë, kur e djeg me “Hard Rock”, “Heavy Metal”, etj?
Të ndryshme, nuk zgjedh edhe aq!

Të kthehemi te disa çështje më serioze. Emigracioni masiv i jashtëligjshëm është një problem serioz në Shqipëri, e gjithashtu në Kosovë. Këtu e kam fjalën për emigracionin e kosovarëve drejt Gjermanisë. Sipas jush, në analizën tuaj, cilat janë shkaqet? Kush janë përgjegjësit?
Fatkeqësisht, ne jemi përballur me disa fotografi dhe skena shumë të rënda, në përfundim të vitit të kaluar dhe në fillim të këtij viti, të ikjes së qytetarëve tanë nga Kosova. Unë, si qytetare e Kosovës dhe si Presidente e vendit, nuk kam mundur të rri duarkryq ndaj asaj çfarë po ndodhte. Dola të bisedoj me gjithsecilin prej qytetarëve në shumë komuna dhe qytete të Kosovës, që të kuptojmë prej së afërmi situatën se çfarë po ndodhte. Pikërisht arsyen se përse po iknin.

Ekonomike besoj...?
Janë faktorë të ndryshëm, qofshin të brendshëm, ashtu dhe faktorë të jashtëm. Së pari, është ndjenja e stanjacionit të përgjithshëm në rajon; së dyti, është aspekti i premtimeve për një zhvillim të hovshëm brenda shtetit, për gjenerimin e vendeve të reja të punës; pastaj është edhe mungesa e lirisë së lëvizjes, sepse Kosova është ende vendi i vetëm në këtë pjesë të Europës Juglindore, ku nuk është hapur ende procesi i liberalizimit të vizave. Pastaj, ka pasur edhe elementë kriminalë të përfitimit të trafikantëve në këtë proces. Pra ka qenë një kombinim i faktorëve të ndryshëm, por ne si institucione kemi reaguar menjëherë. Kemi filluar të marrim masa në parandalimin e një hovi kaq të madh të qytetarëve tanë, që shkonin drejt vendeve të Bashkimit Europian. Por, në këtë proces nuk kemi pasur një bashkëpunim me shtetin fqinj në veri të Kosovës, Serbinë, sepse korridori që i përcillte emigrantët tanë përfundonte në territorin e Serbisë. Ata kishin një sjellje, që të linte të nënkuptohej se nuk dëshironin të kishin bashkëpunim.

Bashkëpunim për t’i kthyer apo...?
Bashkëpunim për t’i kthyer, për t’i ndaluar, për çfarëdo lloj kërkese, që shteti ynë ka pasur. Nuk kemi hasur në përkrahjen e tyre dhe nuk kemi pasur përgjigje pozitive. Së paku, të mos jepnin përgjigje pozitive për Kosovën, por të përmbushnin detyrimet e tyre. Ju e dini shumë mirë se, çdo vend që ka hyrë në procesin e liberalizimit të vizave, ka një detyrim shtesë nga BE-ja, të cilin Serbia nuk e ka kryer as ndaj Bashkimit Europian, as ndaj Kosovës si shtet fqinj. Ndërsa ne, si institucion, kemi ndërmarrë të gjitha masat, të gjitha veprimet e nevojshme për parandalimin e kësaj dukurie që kishte filluar dhe, brenda një muaji kemi arritur ta ulim në minimumin e mundshëm. Nga mijëra qytetarë, i reduktuam deri në dy apo 3 qytetarë të tjerë që dëshironin të iknin ilegalisht nga Kosova. Njëherësh kam kërkuar nga institucionet e vendit, që të shqyrtonin në mënyrë emergjente planet ekonomike të tyre, mundësitë e gjenerimit të vendeve të punës, për të hapur një perspektivë krejtësisht tjetër për qytetarët tanë. Në këtë çështje janë edhe elementet e rinisë dhe të dinamikës. Jemi një popullsi shumë e re. 60% e popullit të Kosovës është nën moshën 30-vjeçare. Kështu që është një dinamikë jashtëzakonisht e madhe.

Edhe papunësia është më e lartë...?
Edhe papunësia është më e lartë, por ne duhet që këtë potencial njerëzor ta kthejmë në gjenerim në kuadër të vendit, në forcimin dhe avancimin e vendit tonë. Pra kemi marrë masa, kemi adresuar menjëherë gjërat dhe kemi ulur këtë përqindje të daljes së qytetarëve. Kjo qëndron gjithmonë një sfidë për Kosovën. Po marr një shembull konkret: qytetarët e Kosovës mund të shkojnë pa viza vetëm në një shtet dhe ai është shteti i Turqisë.

Është edhe Shqipëria... Edhe Maqedonia, po ashtu...?
Nuk e llogarisim qarkullimin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Ju i prekët disa nga arsyet dhe unë po i marr edhe njëherë me radhë. Po kujtoj për shembull se, kryefjala e fushatës së fundit zgjedhore në Kosovë ka qenë pikërisht ekonomia, nga i gjithë krahu politik, me një garë të jashtëzakonshme premtimesh mbi atë se çfarë do të bënin, nëse merrnin qeverinë. Tani kemi një qeveri koalicioni të gjerë, siç është ajo mes LDK-së dhe PDK-së. Ju si i shikoni? A po i mbajnë premtimet këto dy forca politike, që kanë krijuar koalicionin?
Premtimet elektorale, nëse i kanë mbajtur apo jo, është elektorati që i vlerëson, është qytetari që i vlerëson.

Qytetarët, në përgjithësi janë të pakënaqur. Unë po Ju pyes juve: në analizën tuaj, çfarë mendoni?
Unë ua lë qytetarëve. Është qytetari, ai që vlerëson a janë përmbushur premtimet, apo jo, dhe në çfarë mase janë përmbushur ato. Mendoj se gjendja ekonomike dhe zhvillimi ekonomik janë baza qendrore dhe jetike për zhvillimin e mëtejshëm të një vendi. Zhvillimin ekonomik, unë e shoh të lidhur ngushtë me sundimin e rendit dhe të ligjit. Ne si shtet kemi ende shumë punë për të bërë sa i përket fuqizimit të rendit dhe të ligjit, veçanërisht në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Unë kam këmbëngulur ndaj institucioneve të vendit, veçanërisht ndaj qeverisë, që të përshkallëzojë më tutje reformat ekonomike, t’i thellojë ato, që të hapen mundësi për investime të huaja, që do të gjenerojnë vende të reja pune për qytetarët, për të rinjtë dhe të rejat tona. Ka qenë në fokusin tim kryesor, gjatë këtyre 4 viteve si Presidente e Kosovës, përkundër përmbushjes së detyrimeve të mia, jo vetëm në Kosovë, por duke e shtyrë më tej procesin e nevojshëm të reformave, edhe jashtë Kosovës. Kam bërë një advokim të jashtëzakonshëm për tërheqjen e investimeve të huaja, duke e shfaqur Kosovën si një vend të sigurt për to.

A ia keni dalë?
Së fundi dua të marr një shembull konkret. Kam ndihmuar në bashkëpunimin ekonomik mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe qeverisë së Republikës së Kosovës, e brenda këtyre dy viteve (përfshi aktualin) do të kemi disa projekte madhore, të cilat do të gjenerojnë një qasje krejtësisht të re sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Shpresoj që t’i përmbushin edhe ata detyrimet që kanë marrë mbi vete e të ecim përpara. Zhvillimi ekonomik shkon në mënyrë të drejtë me të gjitha proceset e tjera të shtetit, garanton qëndrueshmërinë dhe funksionimin e mirëfilltë të shtetit.

Popullata atje ka një ndjenjë frustrimi, për disa arsye. Njëra prej tyre është ajo që Ju e përmendët pak më parë: çështja e liberalizimit të vizave. Është kthyer në një lloj “getoje” Kosova? Duket e pakuptimtë, që pikërisht vetëm Kosova është jashtë këtij procesi të lëvizjes së lirë, të cilën ne po e shijojmë prej disa vitesh. Mali i Zi po ashtu, sikurse Maqedonia, Serbia po e po, e këtu flasim për vende që janë pothuajse në një stad. Çfarë po ndodh? U premtua shumë, që brenda një viti mund të kishit liberalizim të vizave...?
Fatkeqësisht po, Kosova është i vetmi vend në rajon, që ka mbetur pa përfitimin e procesit të liberalizimit të vizave. Në vitin 2012 e nisëm atë me marrjen e udhëzuesit për liberalizimin e vizave dhe, nga atëherë, kemi pasur një numër të konsiderueshëm ekipesh vlerësuesish, të cilët kanë ardhur në Kosovë për të vlerësuar më konkretisht proceset që janë duke u zhvilluar. Në maj të këtij viti, ne kemi përmbushur të gjitha kriteret teknike, të cilat kanë qenë të parashikuara në kuadër të raportit të fundit të ekipit vlerësues. Një muaj më parë patëm një ekip tjetër vlerësues të BE-së, pas përmbushjes së kritereve teknike. Unë besoj fuqishëm se, ky raport i fundit që do të dalë nga ekipi i fundit që ishte në Kosovë, në korrik të këtij viti, do të bëjë një propozim dhe rekomandim pozitiv për procesin dhe hapjen e liberalizimit të vizave për Kosovën, një proces i domosdoshëm për shtetin tonë.

Sa kohë do të duhet për t’u përfunduar dhe për t’u bërë konkrete kjo histori?
Kjo varet nga Bashkimi Europian.

Ju i keni plotësuar të gjitha detyrimet?
Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrat dhe detyrimet. Në maj të këtij viti, e kemi përmbyllur këtë kapitull të përmbushjes të kritereve teknike, tani mbetet në duart e ekipeve vlerësuese të Bashkimit Europian, dhe unë besoj e shpresoj që të ketë një rekomandim pozitiv për Kosovën.

Jemi duke folur për atë çfarë krijon një lloj frustacioni te popullata në Kosovë. Një nga ato është edhe çështja e dialogut, e marrëveshjeve me Serbinë. E fundit fare është bashkimi i komunave serbe. Kjo krijon frikën  e një lloj kantonizimi, një variant i Bosnjës për Kosovën. Si e shikoni?
Procesi i dialogut që kemi nisur 4 vite më parë, ka pasur për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë dhe ka qenë alternativa e vetme. Marrëveshja e fundit, e cila është arritur në Bruksel, pas takimit të dy kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së, që ka pasur krijimin e Asociacionit të komunave, është edhe një detyrim nga ana e pakos së Ahtisaarit, pasi ne po i harrojmë disa detyrime që ne i kemi marrë përsipër më herët.

Kjo parashikohet në pakon e Ahtisaarit?
Kjo parashikohet dhe është si vijueshmëri e pakos së Ahtisaarit.

Nuk ka asgjë më tepër?
Nuk ka asgjë më tepër, për të mos thënë që ka edhe më pak sesa ishte parashikuar në kuadër të asaj pakoje.

Nuk rrezikon kjo ndarjen dhe kantonizimin e Kosovës?
Absolutisht që jo. Asociacioni i komunave serbe në Kosovë është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Dhe, në asnjë çast nuk e bën ndarjen e pushteteve e nuk e krijon pushtetin e tretë në Kosovë.

Një tjetër pikë që ka ngjallur debat të madh - dhe këtu do të ndalemi pak më gjatë, - është Gjykata Speciale. Pati një dështim të kalimit të ligjit në Parlament; u rimblodh Kuvendi më pas; u krijua një konfuzion i brendshëm dhe, natyrisht, kosovarët nuk janë të kënaqur me Gjykatën Speciale. Flas për publikun në Kosovë, por nga ana tjetër duket që ka një presion të madh ndërkombëtar. Pyetja e parë është: Deri në momentin e konstituimit të Gjykatës Speciale, pra deri në momentin e kalimit të ligjit, është e vërtetë që ka pasur edhe një lloj izolimi ndërkombëtar të Kosovës? Është e vërtetë që ambasadori juaj në SHBA e ka pasur shumë të vështirë të komunikojë me zyrtarët amerikanë, pikërisht si ‘dënim’ për moskalimin e ligjit për Gjykatën Speciale? Pati një presion të tillë ndërkombëtar?
Para se të kaloj te Gjykata Speciale, dua të them edhe diçka për dialogun. Procesi i dialogut, jo vetëm që do të normalizojë marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë, por ky proces do të përfundojë me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Kjo është e paalternativë.

Duket si një ëndërr më shumë...?
Nuk është ëndërr. Procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë do të përfundojë me njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë!

Duket sikur Presidenti apo kryeministri i parë i Serbisë, që do të ndërmarrë një hap të tillë, do të përfundojë si Gjingjiç apo edhe më keq...?
Këto janë çështje për konsumim të brendshëm të politikës së Serbisë.

Dua të them që, publiku atje s’besoj se është kaq entuziast ndaj një historie të tillë...?
Nuk ka alternativë tjetër Alban! Kjo është alternativa e vetme. As për Kosovën, as për Serbinë, as për bashkësinë ndërkombëtare nuk ka kthim mbrapa. Ne duhet të ecim përpara dhe ecja jonë është njohja e Pavarësisë së Kosovës nga Serbia. E ardhmja e Kosovës, e ardhmja e Serbisë dhe e të gjitha vendeve të Europës Juglindore është drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Ju e dini se cilat janë parakushtet e integrimit në BE. Ajo nuk dëshiron të importojë probleme, ata dëshirojnë të importojnë zgjidhje.

Kthehemi te Gjykata Speciale... Nëse mundeni të më jepni një përgjigje të drejtpërdrejtë për këtë izolim që thashë, këtij presioni të shtuar ndërkombëtar, qoftë nga SHBA-të, qoftë nga BE-ja për Gjykatën Speciale?
Ne patëm marrë një detyrim ndërkombëtar vitin e kaluar, pas letërshkëmbimit që kemi pasur mes Presidentit të vendit dhe Përfaqësueses së lartë të Bashkimit Europian, për krijimin e kësaj gjykate në Kosovë. Një detyrim, që ishim të detyruar ta përmbushim. Ju mund të thoni presion, ju mund të thoni izolim, mirëpo ne nuk kemi hasur në një qasje të tillë. Gjatë gjithë këtij procesi, ne kemi pasur një përkrahje dhe mbështetje nga ana e partnerëve ndërkombëtarë në procesin e themelimit të Gjykatës Speciale.

Pas rrëzimi të ligjit në Parlament, për herë të parë, reagimi i tyre ishte i dukshëm. Le të themi, ndërkombëtarët ishin të zhgënjyer. Ishte pothuajse pa doroshka, apo jo?
Mesazhet e tilla mund të interpretohen, edhe për ne si institucione, por edhe si udhëheqës. Ka qenë një interpretim i tillë, mirëpo Kosova ka dëshmuar të kundërtën, sepse kemi marrë një detyrim ndërkombëtar, që e kemi përmbushur, dhe këtë e kemi realizuar në gusht të këtij viti.

Duket sikur Kosova paguan shumë haraçe për të arritur atë që do. Gjykata Speciale është një nga këto haraçe? Në gjykimin e shumëkujt, duket shumë e padrejtë që një Gjykatë Speciale ngrihet në vendin që ishte viktimë, dhe jo agresori i asaj çfarë ndodhi në fund të viteve ’90?
Kur flasim për Gjykatën Speciale, dëshiroj që këtë çështje ta kuptojmë në një kontekst pak më të gjerë. Dëshiroj që të jap një shpjegim të gjerë për opinionin në Shqipëri. Në vitin 2010, Kosova u përball me një raport të Këshillit të Europës, i cili ka ngritur akuza të rënda dhe serioze për krimet e luftës të bëra në Kosovë gjatë periudhës 1999-2000, pra gjatë dhe pas përfundimit të saj. Në qendër të këtyre akuzave kanë qenë krimet kundër komunitetit serb dhe kundër të ashtuquajturve bashkëpunëtorë të Serbisë. Këto akuza kanë dëmtuar në masë reputacionin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), kanë dëmtuar në masë të madhe figurat e pazëvendësueshme të UÇK-së dhe kanë dëmtuar në masë të madhe edhe shtetin e ri të Kosovës. Në atë kohë, ne ishim në një valë të madhe të njohjes së Pavarësisë. Gjykata Speciale është parë si domosdoshmëri, me qëllim që të krijojmë një proces të besueshëm, i cili do të adresojë njëherë e përgjithmonë këto pretendime që janë ngritur. E kemi për detyrim moral t’i adresojmë të gjitha këto përgjegjësi individuale, sepse kjo Gjykatë Speciale ka të bëjë me përgjegjësitë individuale për krimet që janë zhvilluar në Kosovë dhe të mos lejojë të njolloset lufta e vazhdueshme të UÇK-së. E kam thënë shpeshherë që, me themelimin e Gjykatës Speciale nuk do të paragjykohet lufta e lavdishme e UÇK-së dhe as përpjekjet tona për liri dhe çlirim. Sa i përket pjesës suaj të parë të pyetjes, mund të them se Kosova është betuar të ndërtojë një shtet të së drejtës, një shtet për përparimin e drejtësisë së të gjithëve dhe ne nuk do t’ia mohojmë drejtësinë asnjë qytetari tonë.

Megjithatë, Gjykata Speciale - disa analiza thonë kështu, - pritet të shkaktojë një tërmet në politikën e Kosovës. Një tërmet, që - le të themi, - mund të çojë në zgjedhje të parakohshme...?
Nuk mund ta paragjykojmë situatën. Procesi i Gjykatës Speciale ka qenë një vendim i vështirë. Unë e kam thënë edhe në Kosovë: është për t’u përshëndetur qasja e spektrit politik në Kosovë, i cili ka përkrahur krijimin e këtij procesi, si një poçes të besueshëm, i cili njëherë e përgjithmonë do të largojë këto akuza, që rëndojnë rëndë në supet e Kosovës, në supet e institucioneve. Kudo që kam udhëtuar jashtë Kosovës, pa marrë parasysh a kam qenë në vizitë zyrtare, apo në vizitë shtetërore, a kam qenë në konferencë apo samit, nuk kam pasur asnjë rast të vetëm, gjatë të cilit nuk është ngritur çështja e Gjykatës Speciale, çështja e këtyre akuzave të Këshillit të Europës.

Të mendojmë që kjo është sakrifica e fundit, që duhet të bëjë Kosova për të nxjerrë të vërtetën e saj përpara komunitetit ndërkombëtar. Po çfarë sjell kjo? A sjell një përshpejtim të afrimit të Kosovës ndaj Bashkimit Europian? A sjell kjo një përshpejtim dhe njohje të Kosovës edhe nga ato vende, që sot janë anëtare të BE-së, por nuk e njohin Kosovën? Cilat janë përfitimet e drejtpërdrejta, përveç atyre morale, që Kosova do të ketë nga konstituimi i kësaj Gjykate Speciale?
Patjetër që do të ketë përfitime gjatë proceseve të mëtejshme të Kosovës, jo vetëm në realizimin me krijimin e Gjykatës Speciale. Folëm pak më parë për procesin e liberalizimit të vizave. Kosova ka filluar gjithashtu një proces krejtësisht tjetër, që ka të bëjë me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, i cili është një moment i ri, një marrëdhënie kontraktuale që ka të bëjë mes Kosovës dhe vendeve të Bashkimit Europian, të cilat për Kosovën kanë ecur pak më ngadalë nga ç’është parashikuar. Shpresoj që, shumë shpejt, Kosova të nënshkruajë MSA-në, duke shënuar hapin e parë konkret tonin drejt procesit të integrimit, e duke vendosur kështu Kosovën në qendër të politikave të zgjerimit të BE-së. Ju e dini që ne kemi 5 shtete anëtarë të BE-së, të cilat nuk kanë njohur Pavarësinë e Kosovës. Një numër i tyre kanë pasur një qëndrim goxha të ngurtë deri më tani, por kemi filluar të shikojmë një lëvizje pozitive në qasjen e këtyre shteteve. Por, të jemi të qartë, mosnjohja e këtyre shteteve nuk ka të bëjë asnjëherë me raportet mes këtyre shteteve dhe Kosovës, por ka të bëjë me proceset dhe çështjet e brendshme të tyre. Miratimi i Gjykatës Speciale dhe proceset e tjera që kemi kaluar, konsideroj se duhen shfrytëzuar si momente të mira edhe nga ana e partnerëve tanë ndërkombëtarë, edhe nga vendet e BE-së, edhe nga ana e aleatëve tanë strategjikë, me qëllim avancimin e Kosovës dhe afrimin e saj drejt proceseve integruese.

Do të flasim pak edhe për çështjet e sigurisë. Në fakt, mediat botërore janë mbushur me foto të Lavdërim Muhaxhirit, sa rrezikohet realisht Kosova nga terrorizmi islamik?
Fatkeqësisht as Kosova, as Shqipëria, as vendet europiane, por as vetë Shtetet e Bashkuara nuk kanë mundur të jenë imunë ndaj kërcënimeve globale të ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm. Kosova ka qenë e vendosur në përgjigjen e saj ndaj këtyre veprimeve të dhunshme dhe këtyre radikalizmave të dhunshëm, që janë shfaqur në Kosovë. Si Presidente e Kosovës jam zotuar edhe publikisht, se Kosova nuk do të jetë kurrë çerdhe e këtyre aktiviteteve ekstreme radikale, të cilat po cënojnë shtetin tonë, po cënojnë të ardhmen tonë, po destabilizojnë shtetin, demokracinë dhe lirinë tonë, të cilat i kemi fituar me aq mund.

Kjo është sëmundje në fakt. Si një sëmundje që zë atë, që ka imunitet më të dobët, edhe kjo zë shtresat më të margjinalizuara, shtresat e varfra. Është një sëmundje që shkon, pavarësisht nga premtimet që jepni Ju?
Është një kërcënim global, që ne nuk duhet ta nënçmojmë. Vitin e kaluar, duke pasur parasysh këtë kërcënim të sigurisë kombëtare të vendit tonë, ne i kemi dhënë një përgjigje të fuqishme, i kemi dhënë një grusht të fuqishëm. Organet e sigurisë dhe të rendit të Kosovës, pas një varg operacionesh të organizuara në mënyrë jashtëzakonisht profesionale, kanë arrestuar një numër të madh të qytetarëve të Kosovës, të cilët kanë qenë pjesëtarë të strukturave të organizatave terroriste të ISIS-it dhe organizatave të tjera. Po ashtu, i kanë trajtuar të gjithë ata individë, që nën petkun fetar janë munduar të indoktrinojnë të rinjtë dhe të rejat tona. Kemi mbyllur shumë organizata joqeveritare që kanë operuar si front në Kosovë, jo vetëm për këto aktivitete, jo vetëm për indoktrinimin e të rinjve dhe të rejave kosovare. Ne i kemi fuqizuar aleancat jo vetëm rajonale, por edhe ndërkombëtarisht, për luftimin dhe parandalimin e kësaj dukurie. Edhe njëherë e them, që ky është një kërcënim, që nuk duhet nënçmuar dhe duhet adresuar siç duhet.

Ju thoni që e keni luftuar dhe natyrisht që kjo është përgjigjja e parë që të vjen në mend. Por, a është përgjigjja e vetme, pikërisht për këto farëza të radikalizimit që mund të mbijnë, mund të zhvillohen dhe mund të përhapen?
E përsëris, ne nuk duhet ta nënçmojmë një rrezik të tillë. Unë mendoj se Kosova i ka mekanizmat e nevojshëm institucionalë, që të luftojë dhe parandalojë radikalizimin politik në vend. Por, çështja e luftimit të radikalizmit nuk është vetëm punë e policisë. Nuk është vetëm e shërbimeve informative, nuk është punë vetëm e organeve të  rendit dhe sigurisë. Kjo përfshin edhe një gamë të gjerë institucionesh, të

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Vdekja e 38-vjeçarit në Ksamil, Policia: Po presim ekspertizën! Gazetari i akuzon: Ngjarja u fsheh, u vra me ‘JetSki’

Vdekja e 38-vjeçarit në Ksamil, Policia: Po presim ekspertizën! Gazetari i akuzon: Ngjarja u fsheh, u vra me ‘JetSki’