Rama: Rishikojmë Kodin Penal, do të ndajmë politikën nga krimi, opozitën s'e presim gjatë për Reformën Zgjedhore

E ndërsa jashtë sallës opozita protestoi për tre orë, Kuvendi zhvilloi seancën normalisht dhe pas pesë orësh diskutime ka miratuar rendin e ditës. Projektligji më i rëndësishëm që u diskutua ishte ai për ndryshimet në vettingun për policinë e shtetit që u miratua me 78 vota pro, 4 abstenim dhe 6 kundër. Mes atyre që abstenuan ishte edhe ish-ministri Fatmir Xhafaj.

Ai doli kundër ndryshimeve në ligj që bëri pasardhësi i tij, Sandër Lleshaj. Me ndryshimet që u votuan sot, ligji parashikon që vettingun për policët ta bëjë Shërbimi për Cështjet e Brendshme dhe Ankesave, pasi të kalojë vetë në filtër së bashku me 300 gradat e para, por Xhafaj u shpreh se kjo e cënon procesin, pasi ky institucion është në varësi të ministrit, ndërsa SHÇBA-ja nuk ka kapacitetet. Pas deputetëve të shumicës dhe opozitës, fjalën e mori edhe kryeministri Edi Rama i cili theksoi se shumica po përgatit shumë shpejt ndryshimet në Kodin Penal. 

Përveç ashpërsimit të dënimeve për goditjen e funksionarëve të shtetit, një tjetër pikë e rëndësishme që pritet që të bëhet në Kodin Penal është ndarja e politikës nga krimi. "Patjetër paketa duhet të përfshijë edhe vullnetin tonë për ta thelluar ndarjen e politikës nga krimi dhe të qeverisë nga kriminelët, e cila ndryshe nga sa është propaganduar gjithë këto vite ka filluar vetëm kur ne e kemi marrë mandatin tonë të parë" u shpreh ai.

Duke u ndalur te reforma zgjedhore, Rama tha se është gati që ti japë opozitës të drejtën e vetos për hir të vulave të partive, PD dhe LSI-së, por nuk do ta presin gjatë, pasi reforma do të miratohet para qershorit për negociatat duke bashkëpunuar me opozitën e re. Në fillim të seancës së sotme në Kuvend u betuan edhe dy nga tre deputetët e rinj të opozitës, Arben Elezi dhe Adriatik Alimadhi, ndërsa Ambra Borova e LSI-së nuk ishte e pranishme duke e shtyrë betimin për seancën e radhës. Numri i deputetëve të opozitës së re nga PD dhe LSI-ja që kanë pranuar mandatin ka arritur në 20, ndërsa në total së bashku me shumicën në 99.

Rendi i ditës
Miratohet me 83 vota pro, 4 abstenim dhe asnjë kundër raporti i veprimtarisë vjetore të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale për vitin 2018

Miratohet me 78 vota pro, 4 abstenim dhe 6 kundër projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.12/2018, “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme

Miratohet me 88 vota pro, asnjë abstenim dhe asnj kundër projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Malit të Zi dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar IPA II, Mali i Zi – Shqipëri, alokimet e vitit 2017”

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:05
Rama: Rishikojmë Kodin Penal, ashpërsojmë dënimet për barbarët në parlament dhe rrugë, do ndajmë politikën nga krimi

Kryeministri Edi Rama është shprehur se shumë shpejt qeveria do të sjellë në Kuvend ndryshimet e reja që do të bëhen në Kodin Penal për të ashpërsuar dënimet për ata që dhunojnë mjekët, dhunën në futboll, por edhe goditjet për shkak të detyrës së deputetëve në Kuvend (sulmet nga opozita me vezë, miell dhe sende të tjera), por edhe punonjësve të shtetit, përfshirë policët gjatë protestave. Përveç ashpërsimit të dënimeve për goditjen e funksionarëve të shtetit, një tjetër pikë e rëndësishme që pritet që të bëhet në Kodin Penal është ndarja e politikës nga krimi.

"Më shpejt se vonë të vijë paketa për të ndërhyjë në kodin penal për t'u dhënë përgjigje disa shqetësimeve serioze nga goditja për shkak të detyrës deri te adresimi i disa boshllëqeve, brenda së cilave prokuror dhe gjykatës bëjnë hajgare, i japin vetes të drejta që nuk duhet ti lejojnë duke bërë interpretime në kodin penal. Ka një punë të nisur për rishikimin rrënjësor të kodit penal, por kjo nuk pret. Barbarët futen në fushat e futbollit dhe ushtrojnë dhunë, barbarëve që u kthehen mjekëve, nga janari deri sot janë goditur katër mjekë.

Lironi djemtë tanë, bërtet partia e endacakëve që vjen vërdallë. Paralajmërojnë se do të ndodhë kjo apo ajo. Nuk do të ndodhë asgjë tjetër përvese se ata do të shkojnë duke u rrudhur dhe ne do të vijojmë të bëjmë detyrën që na kanë dhënë. Barbarëve edhe këtu në parlament, përgjithmonë nuk mundet deputeti të ketë imunitet për të goditur deputetin, për t'iu turrur foltores fizikisht, edhe kjo do të përfshihet në Kodin Penal. Nuk mund të vijohet më kështu.

Shprehja 'politika me krimin ushqen krimin', ka zënë vend e ilustruara në këtë vend gjatë gjithë këtyre viteve kur ministria dhe kryeministria janë goditur me baltë dhe gurë të rëndë fjalësh rregullisht. Patjetër paketa duhet të përfshijë edhe vullnetin tonë për ta thelluar ndarjen e politikës nga krimi dhe të qeverisë nga kriminelët, e cila ndryshe nga sa është propaganduar gjithë këto vite ka filluar vetëm kur ne e kemi marrë mandatin tonë të parë
" tha Rama.

Ora 14:54
Rama: Opozitës i japim të drejtën e vetos për reformën zgjedhore, por s'do e presim gjatë

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se reformën zgjedhore do ta miratojnë edhe pa opozitën nëse nuk pranon që të bëhet pjesë e tryezës së diskutimeve. Rama u shpreh se për hir të faktit se Basha dhe Kryemadhi kanë ende vulat e partive, do u hapet një derë për të diskutuar, por nuk do të pritet shumë gjatë. Ai tha se në këtë proces do të diskutohet edhe me opozitën e re në Kuvend. 

"Ata e dinë që nuk fitojnë dot me zgjedhje, janë të dëshpëruar dhe pa shpresë. Ata rrugën kanë zgjedhur dhe në rrugë të rrinë dhe ne të vijojmë në rrugën që kemi marrë përsipër që të udhëheqim shqiptarët. Për hir të rrugës që kemi zgjedhur t'u japim mundësinë që të ndjehen të përfshirë dhe kjo ka vetëm një mundësi. Të japin kontributin e atyre për atë që u kanë rrokanisur kokën ndërkombëarëve dh epartnerët e tyre partiakë në Gjermani ndikuan që të futen në rekomandimet e komisionit reforma zgjedhore. Jemi gati me gjithë relfektimin tonë me të gjitha rekomandimet për reformën zgjedhore, ndërsa ata janë në rrugë. Unë jam kundër votimit elektronik, por se dëshironim të gjenim një rrugë dakordësie, se mbase do të pranonin rezultatin, kemi punuar për këtë mekanizëm. Ne duhet të ecim përpara.

Nuk kemi ngut ne të kalojmë reformën zgjedhore akoma, patjetër që zonjat e zotërinjtë që janë këtej (opozita e re) nuk i kemi sjellë ne, por lista e firmosur nga artisti Lulzm Basha dhe doktoresha. Në komisionin zgjedhor do të gjejmë rrugën që të ketë një derë edhe për ata, jo këtu (ne Kuvend), por një derë në tryezë. Jemi gati që atyre (PD-LSI), sidoqoftë, meqë kanë vulat e partive, t'u njohim të drejtës e vulës dhe vetos po të duan por nuk do të presim gjatë, aq sa është e arsyeshme, pasi nuk e lëmë veten në dorë të gjykimeve subjektive në qershor se ata nuk duan të vijnë. Ata nuk i duan negociatat dhe mendojnë se duke bërë këtë mund të pengojnë negociatat. Mund të ndikojnë, por duke menduar se do e kenë më kollaj të marrin pushtetin është dëshpërim. E mira e tyre është të hyjnë në zgjedhje. Zgjedhjet do të bëhen
".

Ora 14:39
Vettingu në polici, Rama: Ndryshimet, qasje më praktike

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar ndryshimet në ligjin e vettingut për policinë e shtetit. Ai tha se Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, pasi të kalojë vetë në vetting do të kalojë trupën e policisë. "Ndryshimet reflektojnë një qasje më praktike dhe ngarkojnë SHCBA-në për ta çuar deri në fund procesin, pasi të kalojë e para" tha ai.

Ora 14:30
Rama: Opozita, grup endacak, të dëshpëruar dhe të verbër

Sërish kryeministri Edi Rama ka dënuar sulmin e opozitës me bojë kundër Ministrisë së Brendshme, ndërsa e ka cilësuar PD-në dhe LSI-në si një grup endacak që kërkon pushtet me dhunë.

"Ata që sot për turpin e tyre hodhën bojë të zezë në muret e Ministrisë së Brendshme për ta eksportuar, pasi nuk mund të eksportojnë imazhet e një tufe punonjësish të bashkive të Shkodrës, Vorës dhe bashkë me Dashon e Lazaratit që mbillen këtu dhe këndojnë himnin. Boja mbi muret e ministrisë sot është një produkt që do të thithet nga tregu ndërkombëtar i medias, që nuk janë të paktë eurokadrinjtë, që ngjajnë me kadrinjtë lokalë që kemi ne. Ata janë të pafajshëm, pasi pak ose aspak dinë dhe duhet të ushqejnë me lajme sensansionale.

Eksplozivi nëse nuk do të ishe një nga mjetet e shfrimit demokratik të PD-së të kthyer në grup endacak, që kërkon pushtetin, por nuk di sesi merret ndryshe, vecse me zgjedhje dhe duke mos e ditur këtë është fshehur në mes të 'popullit' duke kërkuar njerëz të dëshpëruar dhe të verbër, të rinj rrugëhumbur, që vendosin kapucin e xhupit në kokë dhe mësyjnë drejt policisë të inkurajuara nga muzika e filmit Skënderbeu dhe huri i flamurit të Kukësit, e kam fjalën për të vetmin Flamur për të cilin Kukësi nuk është krenar (Flamur Noka)" tha Rama.

Ora 14:26
Rama tallet me ish-deputetin e PD-së: Babalja, Niçja i Shijakut dhe shoku i tyre Salianji

Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar punën e policisë së shtetit, që sipas tij ka vendosur rend dhe garantuar siguri shumë më shumë se pesë vite më parë, ndërsa shtoi se ka edhe shumë për të bërë. Në fjalën e tij, Rama ka ironizuar edhe ish-deputetin e PD-së, Salianji që denoncoi dosjen Babale, por u mor i pandehur për kallëzim të rremë.

"Ishte një mundësi për të parë edhe njëherë panoramën e ndryshimit rrënjësor që ka nisur dhe vijon në policinë e shtetit dhe të sigurisë në vendin tonë. Sot Shqipëria është një vend shumë më i sigurt se pesë vite më parë edhe pse diskutohet rregullisht pa pushim në të gjitha klubet mediatike. Një mori episodesh me lajme pa lajm që ziejnë dhe arrijnë pikët e vlimit kur shfaqet Babalja dhe Nicja e Shijakut, apo shoku i tyre i pandashëm Ervin Salianji" tha ai.

Ora 13:20
Vettingu në polici/ Xhafaj kundër Lleshajt për ndryshimet: Cënohet pavarësia

Ish-ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, që udhëhoqi miratimin e ligjit të Vettingut në Policinë e Shtetit ka kritikuar rishikimin që u kërkua nga pasardhësi i tij dhe që u miratua sot në Kuvend. Dy janë pikat kryesore që u ndryshuan dhe që Xhafaj abstenoi, afati dhe komisionet që do të bëjnë vettingun. Në ligjin e ri parashikohet që vettingun në policinë e shtetit, në fazën e parë për drejtuesit e lartë, 300 grada ta bëjë një komision i jashtëm sikur është deri tani, ndërsa 13 mijë punonjësit e policisë ti kalojë në skaner më pas SHÇBA-ja. Por, për Fatmir Xhafajn, ky institucion nuk mund të bëjë një filtër të tillë, pasi e para është në varësi të ministrit dhe mund të cënohet pavarësia e procesit dhe e dyta sepse SHÇBA-ja nuk ka kapacitetet e nevojshme. 

"Puna serioze e kanë bërë policinë institucionin më të besuar, 63% e shqiptarëve i besojnë policisë së shtetit, ndërsa në 2013 kjo shifër ishte 30% më pak. Policia ka qenë kjo edhe në kohën e Bashës, po cfarë ka ndryshuar? Vullneti politik. Policia nuk është pasuri e partive, por shtyllë e shtetit të së drejtës. Vetingu mbetet instrument kyç.

Keqardhje që me alibi false nuk u bë i zbatueshëm në kohë, por për dy vite futëm në procesin e zbatimit në drejtësi. Gjithsesi më mirë se vonë se kurrë, nuk është herezi ndryshimi i një ligji, por në vlerësimin tim ndryshimet nuk janë të duhura në disa arsye, mund të cënohet pavarësia e procesit. Kemi të bëjmë me skanim të vecantë, dhe nuk mund të bëhet nga SHCBA, në varësi të ministrit.

Një nga sukseset e vettingut në drejtësi është se është i besueshëm nga të gjithë. Së dyti cënohet cilësia dhe shpejtësia e procesit. SHCBA-ja nuk ka kapacitetet për ta kryer këtë proces. Ti besojmë vettingun 13 mijë punonjësve një institucioni që ka 100 punonjës vlerësoj se do ta ngadalësojë procesin. Argumenti financiar nuk është i justifikuar, ajo shumë që mendohet se do të kursehet 2 mln euro, është e papërfillshme nga ajo që pritet. Por një gjë është pozitive,nuk preket thelbi i vlerësimit dhe kriteret
" tha ai.

Ora 11:53
'Jam ende ministri kampion'/ Murrizi-Tahirit: Je turpi i policisë

I vetmi që ka replikuar me shumicën në Kuvend në seancën e sotme ka qenë Myslim Murrizi, i cili nuk pranoi që të digjte mandatin duke qëndruar në Kuvend.  Gjatë replikave me Ballën, ai thumboi edhe Sajmir Tahirin për deklaratën e tij pak ditë më parë në gjykatë  se 'Jam ende ministri kampion'.

"Thoni se do e pastrojmë policinë, por kush e bëri pis? Më thoni një emër të vetëm nga ata që gjetët në shtator të 2013 kur morët në pushtetin që është i implikuar. Ne ua sollëm Jaeld Çelën, Gjergj Kohilën, Arben Skëndon etj, i kthyer ju me bujë të madhe, duke rikthyer ata që u shkarkuan nga qeveria Nano.

Pse ne e sollëm Arben Çelën apo Aranit Arapin? Morët 248 militantë politikë dhe askush nuk është më në polici sot, ose janë në kërkim, ose po presin që ti bashkohen këtij kampionit që thotë faleminderit, kampioni juaj në gjykatë, ky është turpi i policisë
" replikoi ai.

Ora 11:47
Balla: Të korruptuarit urdhëruan të inkriminuarit të godasin policinë, Basha peng i Rusisë

Kryetari i grupit të Partisë Socialiste, Taulant Balla i ka cilësuar drejtuesit e opozitës që po protestojnë para parlamentit si grup të korruptuarish, ndërsa lëshoi akuza të forta në drejtim të Bashës për të cilin tha se është peng i Rusisë pas zbulimit të detajeve të reja nga lobimi në SHBA.

"Një grup politikanësh të korruptuar në përpjekje për të vijuar punën për bllokimin e rrugës europiane të Shqipërisë po protestojnë para Kuvendit. Policia ka mbështetjen tonë për vijimin e punës së vettingut. Do të doja të kundërshtoja deputetin e opozitës (Myslim Murrizi), ne nuk tërhiqemi nga asnjë lloj vettingu. Ky ligj ka marrë edhe votën e LSI-së atë kohë kur u miratua, ndërsa PD-ja ishte në gjumë. Ata politikanë të korruptuar urdhërojnë elementë të inkriminuar me sms të godasin policinë.

Duhet të forcojmë edhe ligjin e financimit të partive. Jemi përpara një akti të konfirmuar se për fatin e keq të shqiptarëve, sot dëshmohet që PD-ja të jetë peng i një financimi të dyshimtë me burim rus prej më shumë se një milion dollarësh. Nuk është rastësi që në të njëjtën datë zhvillohet protestë edhe në Shqipëri edhe në Serbi, madje sipas urdhrit po e spostojnë në darkë si atje. Do të sjellim një ligj për financimet
" tha Balla.

Ora 11:32
Lleshaj kërkon dy ndryshime për vettingun në policinë e shtetit

Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj kërkoi sot votën pro miratimit të ndryshimit në ligjin për vettingun në polici, që ka qëllim shtyrjen e afatit të vettingut në polici, pasi deri tani ligji parashikon përfundimin brenda marsit të 2020. Një tjetër pikë që parashikohet në ndryshimin e ligjit lidhet me procesin. Lleshaj propozon që komisioni i jashtëm të bëjë vetëm fazën e parë të drejtuesve të lartë, ndërsa më pas punonjësit e policisë ti kalojë në filtër SHCBA-ja (Shërbimi për Cështjet e Brendshme dhe Ankesave).

"Problemi themelor  që lidhet me këtë situatë ka të bëjë me kohën, e cila është në dispozicion për të mbyllur procesi e Vettingut. Sipas ligjit aktual, procesi i Vettingut për 13 mijë punonjës të Ministrisë së Brendshme duhet të mbyllet në marsin e vitit të ardhshëm, ndërkohë që procesi ende nuk ka filluar dhe praktikisht është e vështirë, për të mos thënë e pamundur, që ky proces të mbyllet ashtu sikundër ligji e parashikon, pra në marsin e vitit të ardhshëm. Së pari, propozohet që punonjësit e SHÇBA-s, e cila është strukturë e dedikuar për t’u kujdesur për integritetin e Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës,  të kalojnë Vettingun në fazën e pare të tij. Ligji aktual parashikonte që SHÇBA-ja të kalonte në një fazë të dytë, jo në fazën e parë. Ne propozojmë që SHÇBA të kalojë në fazën e parë me qëllim që SHÇBA-ja të shndërrohet në aktorin kryesor të procesit për më tej, ashtu sikundër  e parashikon dhe ligji organik i saj, si strukturë, siç e përmenda më parë, ekziston për t'u kujdesuar që Policia e Shtetit dhe Grada e Republikës të jenë struktura të pastra, me integritet dhe të angazhuara vetëm në shërbim të ligjit dhe në asnjë lloj shërbimi tjetër.

Vlerësimi i fazës së parë do të mbetet i pandryshuar, siç është, do të kryhet nga një Komision i Jashtëm prej 15 anëtarësh dhe një staf teknik prej 15 personash. Komisioni i Jashtëm ndërkohë është ngritur dhe ka filluar punën e tij dhe kjo ka shënuar praktikisht fillimin e procesit zyrtar të Vettingut dhe pritet që në një kohë të shkurtër të fillojë dhe të hapen dhe dosjet e para të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit  dhe Gradës së Republikës, me qëllim që rezultatet e para të procesit të jenë të prekshme në një kohë shumë të shkurtër. Ndryshimi i dytë që propozohet qëndron në faktin SHÇBA-ja do të shndërrohet në një strukturë, e cila do të kryejë më tej Vettingun për pjesën e mbetur të Policisë së Shtetit, pra fazën e dytë dhe të tretë, për punonjësit e nivelit të mesëm dhe atyre të nivelit bazë. Pra, ndryshe nga sa e parashikon ligji aktual ku ky vlerësim në fazën e dytë dhe të tretë do të kryhej nga struktura ad-hoc, me propozimet e bëra ky vlerësim duhet të bëhet nga vetë SHÇBA-ja. Një arsye tjetër që ka të bëjë me kërkesën për të ndryshuar ligjin lidhet me volumin e madh administrative që kërkohet për të realizuar atë, kërkohet që rreth 240 punonjës me kohë të plotë, nga strukturat e Policisë dhe të SHÇBA, të shkëputen nga funksioni i tyre bazë dhe ti dedikohen Vettingut me kohë të plotë, pra kjo është një volum shumë i madh administrativ dhe këtij volumi administrativ  i bashkëshoqërohet dhe një faturë jo e parëndësishme financiare, e cila shkon rreth 3 milionë dollarë, kosto e parashikuar e këtij procesi" deklaroi Lleshaj.

Ora 11:30
Seanca plenare sot, deputetët e rinj opozitarë dhe mendimet ndryshe brenda mazhorancës (FOTO)

Miratohen ndryshimet në ligjin për vettingun në policinë e shtetit, Xhafaj abstenon. Sot janë betuar edhe dy nga tre deputetët e rinj, Arben Elezi nga PD Elbasan dhe Adriatik Alimadhi aleat i PD, njëkohësisht kreu i Ballit Kombëtar, ndërsa Ambra Borova nga LSI Shkodër nuk ishte e pranishme në seancën e sotme.Rama theksoi se shumica po përgatit shumë shpejt ndryshimet në Kodin Penal, ndërsa e vendosi theksin edhe te reforma zgjedhore.

Ora 11:28
Vettingu në polici, Murrizi: Nuk duhet të ketë njerëz që i vërtit “Babale compani'”

Deputeti demokrat Myslim Murrizi i përjashtuar nga Partia Demokratike pasi nuk pranoi që të hiqte dorë nga mandati, nga foltorja gjatë diskutimit të ndryshimeve në projektligjin për vettingun në policinë e shtetit kërkoi që ky organizëm të jetë i depolitizuar. Ai kërkoi hetimin e të gjithë funksionarëve të Policisë së Shtetit që sipas SHISH-it kanë qenë të implikuar në trafikun e drogës.

"Nuk besoj që PD-ja ka luftë me 13 mijë policët. Vettingu ka ardhur në nevojë për faktin e pamohueshëm që ju në shtator të 2013 deri në janar 2014 rikthyet 248 ish-oficerë të liruar nga qeveria e PS 1997-2005 nga grada të ulëta deri te Artan Didi që u bë drejtor. Askush nga këta 36 të rikthyer nuk është më në radhët e policisë. Nga Artan Didi, Neritan Nallbati, Fatmir Lleshi etj, nuk janë më në policinë e shtetit. Këta që merrnin përqindje nga hashashi duhet të hetoheshin.

Dy ministra tuaj janë të shkarkuar. 128 emrat thoshte SHIK-u janë të implikuar në trafikun e kanabisit. Duhet vullnet politik për të luftuar drogën dhe trafikun. Hiqni 128 që i keni në tavolinë dhe ato që iu morët nga komisionerë të PS dhe i prutë në polici. Unë mbështes cdo lloj ligji që i vjen në ndihmë policisë. Drejtor i SHÇKB-së ishte për katër vite Arben Skëndo, e hoqët e çuat në Korçë, atje u kap autobusi me drogë, dhe sot nuk dihet ku është dërguar. Policia nuk duhet të ketë njerëz që i vërtit 'babale compani'
" deklaroi Murrizi.

Ora 11:12
Gjylameti: Opozitës po i ngushtohet laku

Kryetarja e PS-së për qarkun e Tiranës, Blerina Gjylameti sulmoi opozitën pas protestave të dhunshme. Ajo tha se në pushtet nuk vihet me gurë apo molotov. "Gurët dhe molotovi nuk janë rrugët për të ardhur në pushtet. Do të duhet të ishin këtu. Prej tre dekadash kanë konsideruar si bastione të tyre Shkodrën dhe Lezhën, por cfarë kanë bërë për ata?

Kanë qenë tetë vite në pushtet por cfarë ka bërë? Tjetërsuan interesat e qytetarëve. Opozita cënon punën dhe hedh baltë. Opozita ka sulmuar policinë dhe ndaj atyre që mbrojnë institucionet. A mos vallë, rastësi është që opozita ka frikë që laku po i ngushtohet dhe nuk mund të mbështetet më te krimi?" deklaroi Gjylameti.

Ora 10:19
Sot u betua/ Deputeti i ri opozitar: Gati të votoj reformën e re zgjedhore

Pas betimit në Kuvend, deputeti më i ri i opozitës së re në Kuvend nga listat e PD-së, Arben Elezi ka deklaruar se është gati që të bashkojë votat me shumicën për të miratuar reformën zgjedhore. "Pranimi i mandatit është vendimi më i drejtë, pasi jam kandidati që në zonën më problematike, Peqini mora më shumë vota krahasuar me kandidatët e tjerë dhe askush më shumë se unë nuk kishte të drejtë që të përfaqësonte atë zonë. Listat e mbyllura nuk shprehin vullnetin e votuesve shqiptarë. Unë jam për sistem mazhoritar dhe lista të hapura. Do të votoja me shumë dëshirë ndryshimin e sistemit zgjedhor. Do të votoj cdo ligj në interesin e shqiptarëve" deklaroi ai.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tiku: 28/03/2019 14:26

    NDRYSHIMI I LIGJIT TE VETTINGUT DHE KRYERJA E TIJ NGA SHCBA ESHTE JO LIGJORE DHE E GABUAR. VETTINGU NGA KOMISIONET E JASHTME BEN VERIFIKIMIN KALIMTAR TE PUNONJESVE NDERSA SHCBA KA PER DETYRE LIGJORE KONTROLLIN PERIODIK TE TYRE. DHE KUSH NJEH LIGJET KETO JANE DY GJERA TE NDRYSHME. POR TEPER TE RENDESISHME PER CILESINE UROJ QEVERIA RAMA TE DIJE TA VLERESOJE CDO TE THOTE "VERIFIKIMI KALIMTAR" MINISTRI XHAFA E KA BERE LIGJIN ME SERIOZITET NDAJ DO ISHTE GAFE E MADHE PO TE NDRYSHOHET.per me teper me justifikim se ska buxhet..hahaha kur nje institucion blen makine 50 mij euro dhe harrojne se ka makina dhe 10 mij euro.. dhe qe jane shume te mira por po duket se tepsia.....

    Përgjigju
  • lymi: 28/03/2019 13:57

    O minister LESHI mos be shpikje te tipit qe propozon opozita per vetingun, vetingun nuk mund ta bejne njerezit qe varen nga ty.... Vej men punes mos u merr me shpikje se ti je gjeneral per me vu ushtaret ne rjesht nuk je niveli i zotit Xhafaj....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shijak/ Kërcënuan me thikë dy persona dhe u morën celularët, një në pranga, tjetri në kërkim

Shijak/ Kërcënuan me thikë dy persona dhe u morën celularët, një në pranga, tjetri në kërkim