Kallëzim për ndjekje penale

Drejtuar: Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë

Për dijeni: Prokurorisë së Përgjithshme, Tiranë.

Të kallëzuar: Z.Genc Pollo, Ministër për Inovacionin Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, si dhe punonjës dhe/ose drejtues në Ministrinë për Inovacionin Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, si dhe shtetas të tjerë persona, akoma të paidentifikuar.

Objekti: Kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj Z.Genc Pollo si dhe personave të kallëzuar akoma të paidentifikuar, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara respektivisht nga nenet 248, 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Baza Ligjore: Nenet 281 dhe vijues të Kodit të Procedurës Penale.

I/E nderuar z/znj. Prokuror(e),

Në ushtrim të detyrimit qytetar dhe ligjor për të kallëzuar faktet dhe rrethanat e paligjshme për të cilat kemi ardhur në dijeni, si shtetas shqiptarë dhe si anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, ju parashtrojmë kallëzimin për ndjekje penale si më poshtë të parashtruar:

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë për Inovacionin Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (MITIK), është njoftuar tenderi ndërkombëtar për garën koncesionare “Për Financimin, Projektimin, Ofrimin, Instalimin, Trainimin dhe Transferimin e Rrjetit DVB-T2 për Republikën e Shqipërisë” (For the Finance, Design, Supply, Installation,Training and Transfer of a DVB-T2 Netëork for the Republic of Albania), parashikuar për tu zhvilluar më 13 Maj 2013, me një fond limit të papërcaktuar dhe me autoritet kontraktor Ministrinë për Inovacionin Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit (MITIK). Pas njohjes me procedurat e ndjekura deri më tani dhe me dokumentacionin bashkangjitur, kemi konstatuar se kjo garë koncesionare po zhvillohet në kushte jo ligjore.

Për këto arësye i kërkoj Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të fillojë një hetim të thellësishëm, sepse në vlerëimin tonë: njësia e prokurimit apo personat e ngarkuar me funksion shtetëror për kryerjen e procedurave të tenderimit, të përgjegjshëm përpara ligjit, me veprimet e tyre të kryera me dashje dhe me faj, në bashkepunim, kanë kryer kryer veprime në kundershtim me ligjet dhe aktet nënligjore që rregullojne lirinë e pjesëmarrësve dhe barazinë e shtetasve në tendera publikë, për të krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për të tretët, fakt ky i provuar plotësisht me shkresat bashkëlidhur këtij kallëzimi.

Kush janë shkeljet e konstatuara nga ne në këtë garë koncesionare?

Së pari, procedura po kryhet me anë të veprimeve të kundraligjshme në format e përzgjedhjes së procedurave të prokurimit, shkeljen e rregullave, që pengojnë lirinë e pjesëmmarjes dhe realizimin e barazisë së shtetasve në tendera dhe ankande publike, për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretë, për të eleminuar konkurentët e padëshiruar në garë dhe në forma e mënyra të tjera. Kjo bazuar në ligjin nr 9643 date 20.11.2006 (i ndryshuar) për Prokurimin Publik, në VKM nr.166 datë 03.06.2013 dhe në VKM nr.1 datë 20.01.2007(i ndryshuar).

Në kerkesat për kualifikimin e subjekteve të huaja janë vendosur nga njësia e prokurimit kritere të cilat janë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimeve në Republikën e Shqipërisë.

Së dyti, procedura po kryhet me dashje të drejtëpërdrejtë dhe me qëllim për të krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, nisur nga motivet se e ka të afërm, mik, shok apo interesa të tjera materiale ose morale.

Subjekt i kallezimit janë persona të ngarkuar me një funksion shtetëror, konkretisht zoti Genc Pollo, Ministër për Inovacionin Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, si dhe punonjës dhe/ose drejtues në Ministrinë për Inovacionin Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit; njësia e prokurimit në MITIK, dhe sekretariati teknik apo komisioni i vleresimit te ofertave.

Mënyrat se si konsumohet kjo vepër penale janë dy:

1. pengimi i palëve për të marrë pjesë në tender/ankand për shembull: pengim fizik për të hyrë në ambjentet ku zhvillohet tenderi; mosdhënie në kohe e dokumentacionit; mospranim në kohë i dokumentacionit, përjashtim abuziv nga pjesëmarrja në tender/ankand, shtyrja e datës së tenderit/ankandit derisa të largohet shoqëria e padëshiruar, vendosja e kushteve fiktive apo kushteve që dihet se, plotësohen vetëm nga pjesëmarres te caktuar, etj. Në këtë garë koncesionare “Për Financimin, Projektimin, Ofrimin, Instalimin, Trainimin dhe Transferimin e Rrjetit DVB-T2 për Republikën e Shqipërisë” janë vendosur kritere abuzive.

2. vlerësim i pabarabartë i një kushti/disa kushteve të plotësuara nga të gjitha palët. Pra, pavarësisht se pjesëmarrësit janë në kushte të barabarta konkurimi, njëri apo disa nga këto kushte vlerësohen në mënyrë jo të barabartë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave dhe vetëm ky/këta kushte dhe asnjë tjetër të pas-sjellin fitoren e njërit pjesëmarres dhe skualifikimin e pjesëmarresve të tjerë.

Vlerësojmë se specifikimet teknike në garën koncesionare “Për Financimin, Projektimin, Ofrimin, Instalimin, Trainimin dhe Transferimin e Rrjetit DVB-T2 për Republikën e Shqipërisë”, janë të pamiratuara nga Radio Televizioni Shqiptar si përfituesi direkt i këtij projekti.
Shpallja e procedurës dhe vendosja e këtyre kritereve si dhe në tërësi administrimi i kësaj procedure nga MITIK e drejtuar nga zoti Genc Pollo, përmban elementë të figurës së veprës penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal, pasi “persona të ngarkuar me funksione shtetërore kanë vepruar në kundërshtim me ligjet që rregullojnë lirinë e pjesëmarrjes dhe barazinë e shtetasve në tendera duke krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët.

Gjithashtu mungon një projekt i qartë zbatimi dhe një studim fizibiliteti për projektin.

Një shkelje tjetër e konstatuar është fakti se autoriteti kontraktor shpall qëllimisht data të ndryshme për këtë tender ndërkombëtar: data 6 Maj 2013 në gazetën ndërkombëtare “Financial Times” dhe datën 3 Maj 2013 sipas dokumentacionit të publikuar ne portalin e krijuar: www.dso.mitik.gov.al

Këto përcaktime bien në kundërshtim me ligjin “Për Prokurimin Publik”, sipas të cilit autoritetet prokuruese “duhet të përcaktojne sa më saktë dhe në mënyrë sa më të plotë objektin e prokurimit për të krijuar kushte për një proçedurë të pa-anshme ndërmjet të gjithë kandidateve”.

Gjithashtu kompanive të ineresuara nuk u jepet munësia për sqarime në formë shkresore, ata nuk njoftohen qëllimisht për ankesat. Dhe pas vajtjes në komisionin e prokurimit procedura vazhdon kur minimalisht duhej të ishte pezulluar nga vetë autoriteti kontraktor me marrjen e ankesës.

Data e zhvillimit të tenderit është 13 Maj 2013, ndërkohë marrja e vendimit dhe shpallja e fituesit do të jetë 17 Maj 2013, duke mos lënë mundësinë operatorëve ekonomikë të ankohen.

Autoriteti kontraktor, MITIK dhe konkretisht njësia e prokurimit nuk ka zhvilluar procedurat ligjore të percaktuara nga ligji i prokurimit. Autoriteti kontraktor nga motive konkrete, me qëllim për të favorizuar një/disa subjekte në dëm të subjekteve të tjera pjesemarrëse në tendera. Motivet e favorizimit apo/dhe diskriminimit negativ të subjeteve pjesëmarrese në tender mund të jenë të ndryshme.

Pasoja e realizimit të këtij tenderi është konkrete sepse sjell dëme ekonomike për buxhetin e shtetit, projekti është i pa-llogaritur sic duhet në vlereë ekonomike.

Nga sa më sipër, si dhe në vlerësim të dokumentacionit bashkëlidhur, konstatoj se i kallzuari (të kallëzuarit) zoti Genc Pollo, Ministër për Inovacionin Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, si dhe punonjës dhe/ose drejtues në Ministrinë për Inovacionin Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit; njësia e prokurimit në MITIK, dhe sekretariati teknik apo komisioni i vleresimit te ofertave në MITIK, me veprime dhe mosveprime të kundraligjshme kanë konsumuar elementët e veprave penale të kallëzuara.

Këto veprime dhe mosveprime të kundraligjshme, për nga natyra e tyre kërkojnë koordiminimin dhe bashkëpunimin midis personit urdhërues dhe atyre të niveleve zbatuese, duke qënë në këtë mënyrë, para kritereve dhe rrethanave rënduese të kryerjes së veprës penale në bashkëpunim, të parashikuara nga neni 25 i Kodit Penal.

Duke marrë shkas nga vlera e madhe e dëmit (afërsisht 25 milionë Euro) si dhe rëndësinë e vecantë që paraqesin faktet e mësipërme, i kërkojmë prokurorisë si organi kushtetues i ushtrimit të ndjekjes penale, të hetojë me objektivitet e paanësi, dhe e pandikuar nga presionet politike, në zbardhjen e aferave të denoncuara në këtë kallzim penal.

Gjithashtu duke qënë së jemi para veprave penale me dëm ekonomik dhe mundësi përfitimesh të paligjshme, kërkojmë që hetimi të jetë proaktiv duke vleresuar ekzistencën e elementëve të veprave penale të “Korrupsionit dhe/ose pastrimit të produkteve të veprës penale”, që lidhen pashmangëshërisht me krimin ekonomik të kryer nga zyrtarët e lartë publikë.

Për sa më sipër, i kërkoj Prokurorisë së Rrethit Gjyqsor Tiranë, fillimin e procedimit penal në ngarkim të zotit Genc Pollo, Ministër për Inovacionin Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, si dhe personave të tjerë të kallëzuar akoma të paidentifikuar, për kryerjen e veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryera në bashkëpunim, të parashikuara respektivisht nga nenet 248, 258 dhe 25 të Kodit Penal.

Duke besuar në objektivitetin dhe pa-anshmërinë tuaj, në respektim te detyrimit kushtetues për ushtrimin e ndjekjes penale,

Me respekt,

Kallëzues

Alfred Dalipi Taulant BALLA

Deputet Deputet

Tiranë, më 3.05.2013

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë

Spanjë/ Kapet gomonia me sasi të madhe kokaine, arrestohen 7 shqiptarë