Ilirjan Celibashi vendosi sot për të lënë në detyrë në krye të bashkisë së Kuçovës, Kreshnik Hajdarin. Celibashi thotë se Hajdari nuk është në kushtet për t’i hequr mandatin, pasi me shlyerjen e shërbimit të provës për fshehjen e dënimit në Greqi, në formularin e dekriminalizimit, dënimi i tij konsiderohet i paqenë.

KQZ i përmbushi detyrimet që rridhnin për rishqyrtimin e kësaj çështjeje, duke kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dokumentacionin që urdhëronte KAS. Është e qartë se ai dokumentacion njihet nga të gjithë dhe nuk ka dokumentacion shtesë. Kemi marrë të gjitha vendimet e çdo institucioni mbi këtë çështje: të KQZ-së, KAS-it, Kolegjit Zgjedhor, gjykatës dhe Gjykatës së Posaçme. Cili është vlerësimi im?

Jemi përpara faktit që ai ka paraqitur formularin e dekriminalizimit. Me nxitje nga PD ka pasur një proces shqyrtimi penal. Ka një vendim penal për këtë çështje, i cili e ka sanksionuar me atë masë dënimi dhe, në fund, ka urdhëruar që ajo masë dënimi të shlyhet me orë pune në komunitet.

Aplikimi i nenit 63, a e vendos në kushtet e ndalimit apo jo? Ne kemi pasur një qëndrim për një rast të ngjashëm, por në gjykimin tim, sipas interpretimit që kam për ligjin, mendoj se nuk jemi në kushtet e ndalimit për këtë subjekt. Ky është një qëndrim që e kam mbajtur edhe më parë dhe jam i bindur në këtë interpretim.

Nëse ndaj dikujt aplikohet neni 63, dënimi është i paqenë. Një gjë e paqenë është zero, është bashkësi boshe. Përtej diskutimit që mund të bëhet për moralin, fakti ligjor mbetet ky që thashë: ky subjekt nuk është në kushtet e ndalimit. Këtë qëndrim e kanë konfirmuar më herët edhe KAS-i dhe Kolegji Zgjedhor për rastin e Mallakastrës. Për arsyet që i rendita, kryetari i Bashkisë Kuçovë nuk është në kushtet e ndalimit”, tha Celibashi.

Hajdari u dënua përfundimisht me vendim të formës së prerë në korrik të 2024 me 6 muaj burgim për falsifikimin e formularit të dekriminalizimit, i konvertuar në shërbim prove.

Ky dënim erdhi pasi kryebashkiaku nuk kishte deklaruar një dënim të marrë 23 qershor të vitit 1999 me vendim të formës së prerë nga Gjykata e Janinës për hyrje në territorin grek pa leje, i konvertuar më pas në masë riedukuese të “qortimit” për shkak të moshës 17 vjeç. Ky mosdeklarim në formular i ka kushtuar një betejë të gjatë politike me opozitën, e cila prej më shumë se 3 vitesh kërkon t’i hiqet mandati.