3 ditë përpara se të mbahen zgjedhjet për kryetar në Partinë Demokratike Gjykata e Tiranës i ka kthyer mbrapsht ankimin Evi Kokalarit, të përjashtuar nga gara, e cila kërkonte sigurimin e padisë për të pezulluare procesin zgjedhor deri në një vendim final të Gjykatës.
Pas refuzimit të kërkesës nga Komisioni Zgjedhor në PD, për t’u regjistruar në zgjedhje si kandidate, Kokalari i ishte drejtuar me një padi Gjykatës së Tiranës por këtë të mërkurë gjykata i ktheu aktet Kokalarit me argumentin se “kërkesa ka të meta, për shkak të mos plotësimit të kritereve formale procedurale."
“Kërkesa është vlerësuar nga Gjykata brenda afati ligjor, në përfundim gjykata ka vendosur kthimin e kërkesës me të meta, për shkak të mos plotësimit të kritereve formale-proceduriale të parashikuara nga legjislacioni procedural civil (nenet 154-156 Kodit të Procedurës Civile)”, thuhet në vendim.
Tanimë Kokalari duhet t’i ridërgojë aktet në gjykatë në mënyrë të rregullt dhe më pas të bëhet vlerësimi i gjykatës për sigurimin e padisë, edhe pse mund të mos ketë vlerë për shkak se zgjedhjet do të mbahen të shtunën e datës 23 maj.
“Gjykata ka theksuar gjithashtu, se vendimi për kthimin me të meta të kërkimit nuk përfaqëson një vendim përfundimtar (nuk e zgjidh çështjen ne themel), pala kërkuese pasi të plotësojë të metat sipas konstatimit të gjykatës ka të drejtë të drejtohet përsëri në gjykatë. Në rast të kundërt ka të drejtën e ankimit të veçantë në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 ditëve nga e nesërmja e komunikimit të vendimit të arsyetuar”, arsyeton gjykata.
Përpara Kokalarit, edhe ish-kandidatja Mereme Sela kërkoi përmes një padie pezullimin e zgjedhjeve, moslejimin e Berishës për të kandiduar dhe kthimin e saj në garën për kryetar.
Gjykata ia ktheu mbrapsht padinë duke thënë se mungonin “dokumentet shoqëruese”, por mjekja nga Fushë-Kruja e ankimoi më pas vendimin në Apel. Më pas, ka dorëzuar edhe një kërkesë të re në Gjykatën e Tiranës, këtë herë të korrigjuar, ku kërkoi sigurim padie dhe pezullimin e zgjedhjeve të 23 majit në PD.
Komente











