Ketro: Një ndryshim ligjor që do na sjell presidentë normal në të ardhmen

Ketro: Një ndryshim ligjor që do na sjell presidentë normal në të ardhmen

Në këtë afro tri dekada pas shpalljes së pluralizmit politik, Shqipëria ka pasur 7 presidentë të republikës. Historia presidenciale nis me Ramiz Alinë 1991-1992, vijon me Sali Berishën 1992-1997, Rexhep Meidanin 1997-2002, Alfred Moisiun 2002-2007, Bamir Topin 2007-2012, Bujar Nishanin 2012-2017 dhe Ilir Metën nga 2017 e në vazhdim.

Nga gjithë emrat e lartpërmendur, vetëm dy prej tyre nuk shfaqën ambicie politike, as gjatë e as pas lënies së detyrës. Ata janë i ndjeri Alia dhe presidenti Moisiu.

Presidenti Berisha gjatë detyrës së tij ishte kryetar de facto i Partisë Demokratike dhe menjëherë pas lënies së detyrës u rikthye në krye të PD-së.

Presidenti Meidani mbajti distancë nga PS-ja, por edhe ai sapo mbylli mandatin konkuroi për të marrë drejtimin e partisë nga e cila kishte dalë.

Edhe presidenti Topi nuk duroi shumë gjatë dhe, sapo la zyrën presidenciale, u vu në krye të një partie të re.

Presidenti Nishani mbajti lidhje të afërta me PD-në gjatë presidencës së tij dhe ashtu si të tjerët, edhe ai nuk i shpëtoi tundimit për t’u rikthyer tek partia nga e cila kishte dalë duke marrë një post të lart politik. Shpesh herë në media emri i tij është përfolur si një pasardhës i kryetarit aktual të PD-së, pasi ky i fundit të ketë pësuar humbjen e radhës.

Presidenti Meta është ende në detyrë dhe nuk e dimë fatin e tij politik pasi të shkarkohet, ndonëse një përfytyrim paraprak e kemi. Ama, askush nuk mund ta mohojë se presidenca e tij është kaq shumë e njëanshme, ku opozitarizmi i tij nga kolltuku i kryetarit të shtetit konkurron suksesshëm atë të Lulzim Bashës, saqë në një ballafaqim me presidencën e Berishës, më rezulton se Meta e ka tejkaluar në vetëm 2 vjet njëanshmërinë e institucionit në raport me 5 vitet e Berishës.

Në Kushtetutën e Shqipërisë roli i presidenti paraqitet si përfaqësues i unitetit të popullit. Si i tillë atij i kërkohet që të jetë i barazlarguar nga palët politike, të ruajë një frymë bashkëpunimi dhe kur të flasë ai, jo vetëm që duhet të jetë i bazuar në ligj, por edhe vetë palët ta kenë busull orientimi këndvështrimin e presidentit.

Fatkeqësisht shumica e presidentëve e kanë dhunuar këtë pozicion që ia kërkon kushtetuta qysh kur kanë projektuar që e ardhmja e tyre do të jetë sërish në politikën aktive. Përdorimi i postit të presidentit për ta shfrytëzuar atë për vijimin e karrierës politike në të ardhmen, e dëmton jashtëzakonisht shumë rolin e presidentin që është ende në detyrë. Kjo pasi ai del jashtë funksioneve të tij kushtetuese, qoftë edhe pa e kuptuar në rastin më të mirë, dhe krijon atë hendekun e madh siç po ndodh tashmë me presidentin Meta.

Që Shqipëria të ketë presidentë që nuk mendojnë gjatë detyrës për të ardhmen e tyre politike; që fokusi i punës së tyre të jetë zbatimi i kushtetutës dhe ligjeve të tjera; që gjithë partitë politike t’i shohë njësoj e jo ca të nënës e ca të njerkës; që të mos ketë pjesë të fjalorit të tij as ironitë e as denigrimin për drejtues të institucioneve të tjera të pavarura, atëherë lipset të bëhen disa ndryshime ligjore që na sjellin një president normal dhe të fokusuar vetëm tek detyra e tij siç ia imponon kushtetuta.

Ashtu sikundër të zgjedhurve ligji i pamundëson nisjen apo vijimin e detyrës nëse nuk kanë shkruar në një formular se në filan datë janë ndaluar kot më kot në një rajon policie; ashtu sikundër prokurorët dhe gjyqtarët nëse japin dorëheqjen para se të kalojnë në vetting nuk kanë të drejtë që të rikthehen në sistemin e drejtësisë pa kaluar 15 vjet, ashtu edhe presidentit të republikës i duhen vënë disa kufij, që të mos dalë përtej detyrave dhe frymës që mbart kushtetuta.

Edhe nëse një president gjatë ushtrimit të detyrës së tij tregohet i paanshëm, tingëllon hipokrizi në qoftë se të nesërmen e lënies së detyrës ai atashohet në një parti politike. Nisur nga këto fenomene që na kanë shoqëruar, ajo që unë e shikoj si shumë racionale është që presidentit të republikës, në përfundim të detyrës së tij, t’i dalohet për një periudhë të arsyeshme, le të themi, jo më pak se 10 vjet, që të jetë kryetar i një partie politike, deputet, ministër apo kryeministër.

Mendoj se kjo gjë do i dekurajoj shumë syresh që e shohin presidencën si vend protagonizmi për të nxjerrë në pah aftësitë personale si xhonglerë politikë, duke shkallmuar kësisoj kushtetutën në çdo dimension të saj. Këto ndalesa japin shpresë që të kemi presidentë si zoti Moisiu, i cili nuk i shtynte zgjedhjet pa një aneks ligjor që e parashikonte këtë, apo që i mbyllte palët politike në konflikt brenda në presidencë dhe nuk i linte të dilnin prej saj nëse nuk arrinin një marrëveshje.

Natyrisht, nuk them që këto ndalesa kushtetuese të nisin me presidentin aktual Ilir Meta, por me atë që do e pasojë. Sepse nuk është nevoja që të bëjmë një ligj enkas për Ilir Metën, por Ilir Meta të jetë shkaku i një ligji të tillë me qëllim që çdokush pas tij të jetë i përgjegjshëm për detyrën e lart që mban. Pa akrobacira politike dhe pa ankthin se mos dëmtohet partia e tij e së ardhmes.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë