'Këtu i thonë Burrel, që hyn e nuk del'! Historia tragjike e ish-drejtorit: Bëra 32 vite burg për një shkronjë

'Këtu i thonë Burrel, që hyn e nuk del'! Historia tragjike e ish-drejtorit: Bëra 32 vite burg për një shkronjë

Publikohet historia e panjohur të Mersin Vlashit me origjinë nga fshati Lis i Burrelit dhe i rritur në Jetimore, i cili në vitin 1953, teksa vazhdonte Shkollën Pedagogjike në Elbasan, shkroi gabim parrullën “Rroftë Komiti Qëndror”, e cila u bë shkas që ai të mos lejohej të ndiqte shkollën e lartë, por u dërgua ushtar në Pogradec, ku dhe u dënua me dhjetë vjet burg për tentativë arratisje. Kalvari i Mersinit në kampet e burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, ku ai u ridënua në Revoltën e Spaçit në vitin 1973 për arsye se pikturoi shqiponjën pa yll në flamurin kombëtar, gjë e cila u bë shkas që ta dërgonin në burgun e tmerrshëm të Burrelit, ku ai u ridënua përsëri dhe mundi të lirohej  vetëm në shkurtin e vitit 1991. Pse e pranoi Mersini detyrën drejtorit të burgut të Burrelit pas viteve ’90-të, edhe pse ai ishte kundër hapjes së atij burgu, pasi mendonte që të kthehej në një muze …?!

“Në vitin 1973, unë mora pjesë në revoltën e të burgosurve të Spaçit dhe aty pikturova shqiponjën në flamurin që u ngrit mbi taracën e godinës së kapanoneve tona. Pasi u shtyp ajo revoltë, së bashku me shumë të tjerë që ishin organizatorët e saj, më arrestuan e më nxorrën në gjygj, ku më dënuan me dhjetë vjet të tjera. Përpara trupit gjykues, unë deklarova se isha i vetmi shqiptar që dënohesha me burgim, pse kisha pikturuar shqiponjën pa yll në flamurin Kombëtar”. Kështu e kujtonte Mersin Vlashi, ridënimin e tij në Revoltën e Spaçit në vitin 1974, gjë e cila bëri që ai të vuante 32 vite në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës, duke qenë i vemti shqiptar që dënohej me burg politik, vetëm pse kishte pikturuar shqiponjën pa yll në flamur. Kush ishte Mersin Vlashi dhe cila ishte e kaluara e tij? Përse u dënua dhe u ridënua ai duke kaluar 32 vite të jetës së tij në ferrin e burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës?! Lidhur me këto dhe të tjera ngjarje nga jeta e tij, Mersin Vlashi na i ka rëfyer në vitin 1994, kur ai shërbente si drejtor i burgut të Burrelit, teksa me një grup xhirimi të RTSH, (me gazetarin Adrian Murra dhe operatorin, Adnand Qeraxhi), dhe deputetin Agron Qoku, kishim shkuar për të realizuar një dokumentar televiziv për krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës.

Nga Lisi, në Shtëpinë e Fëmijës

Mersini u lind në fshatin Lis të Matit në vitin 1938, në një familje fshatare jo shumë të njohur, pasi të parët e saj nuk ishin përzier asnjëherë  në luftra dhe në politikë e punët e shtetit. Pasi i vdiq i ati në vitin 1943, familjes së  tij  ju shtua më tepër  varfëria. Sikur të mos mjaftonte humbja e babait, pak kohë më vonë, nënës së Mersinit e cila mundohej që të rriste tre fëmijët jetim, i ndodhi një aksident nga i cili humbi njërën këmbë. Lidhur me atë ngjarje e rrethanat në të cilat u ndodh pas aksidentit të nënës, Mersini kujtonte:”Në ato kushte, nëna nuk mund të na mbante dhe nga fillimi i vitit 1946, mua së bashku me tre fëmijë të tjerë nga zona ime, që kishin mbetur jetim ashtu sikurse dhe unë, na sollën në Shtëpinë e Fëmijës në Tiranë. Aty trajtoheshim shumë mirë, pasi atë shtëpi  e furnizonte rregullisht me ushqime e veshmbathje UNRRA. Pasi mbarova shkollën fillore në Tiranë, më dërguan në konviktin “Tom Kola”, të qytetit të Shkodrës, ku vazhdova shkollën “Vasil Shanto”. Mbarova 8-vjeçaren, kërkova të vazhdoja Liceun Artistik për pikturë, pasi e kisha pasion, por ajo  nuk mu realizua, pasi më dërguan të vazhdoja Pedagogjiken në Elbasan. Aty qëndrova katër vite dhe në vitin 1957, mbarova maturën, nuk munda të shkoja dot në shkollën e lartë, ndonëse e kërkova me insistim.

Parrulla gabim dhe burgu i parë

Lidhur me atë ngjarje të largët, Mersini kujtonte:”Nga që më jepej shumë për pikturë dhe dizenjo, më caktuan që të shkruaja një parullë në qytet, pritej të vinte një delegacion sovjetik. Unë në vend që të shkruaja “Rroftë Komiteti Qëndror, gabimisht shkrova rroftë Komiti Qëndror. Për këtë më bënë problem duke më thënë se e kisha bërë me dashje, gjë e cila nuk ishte aspak e vërtetë. Kështu mbas mbarimit të Pedagogjikes, nuk ma dhanë shkollën e lartë por në nëntor të 1957-ës, më dërguan ushtar në Pogradec”. Mersini nuk e pohonte plotësisht, se nga ajo ngjarje, nuk mundi të shkonte në shkollën e lartë, por as nuk e mohën atë …?! ” Kur shkova ushtar, më lindi ideja për tu arratisur nga Shqipëria, ndonëse pakënaqsitë për sistemin komunist më kishin lindur që më përpara. Idenë e arratisjes e bisedova me një shok tim ushtar.  Ai e bisedoi me dy shokë të tij tiranas E. Bërxolli dhe Z. Fortuzi. Këta të dy më denoncuan tek operativi i repartit M. Vito, i cili na arrestoi së bashku me shokun tim, më 23 prill të vitit 1958. Pasi më mbajtën për gjashtë muaj në birucat e Degës së Brendëshme të Korçës, ku unë nuk pranova asgjë, gjygji ushtarak me kryetar, kolonel Mithat Goskovën më dënoi me dhjet vjet burg. Pas dënimit, më dërguan në kampin e Thumanës, ku punonim bashkë me qindra të dënuar të tjerë, për tharjen e kënetës. Në atë kamp, ku qëndrova për shtatë vjet, u njoha me Asllan Allamanin e Ali Çollakun, që ishin nga familje të mëdha të Matit, me prejardhje zogiste. Në atë rreth shoqëror, të cilët ishin simpatizantë të Monarkisë së Zogut, unë u formova dhe krijova bindjet si nacionalist”.

Arrestimi në Laç e burgu i dytë

Në vitin 1965, pasi bëri shtat vjet burg, Mersin Vlashi u lirua dhe u kthye në fshatin e tij të lindjes, në Lis të Matit.  Në atë vend malor, ai nuk kishte asnjë mundësi jetese, prandaj u detyrua që të zbriste në qytetin e ri  të Laçit, i cili kishte tre katër vjet që kishte filluar të hidhte themelet e tij. Lidhur me atë kohë, Mersini kujtonte:” Në atë qytet  më mbanin e më ndihmonin për të jetuar, dy të njohurit e mi, Selman Doda e Sadik Nika, që punonin si elektriçist e hidraulik. Pas dy vjetëve në Laç, në shtator të 1966-ës, Dega e Brendëshme e Burrelit dërgoi urdhërin për arrestimin tim. Akuza kundër meje ishte: “agjitacion e propagandë dhe tentativë arratisje”. Në qelitë e Degës së Burrelit, F. Kraja dhe hetuesi V. Plaku, më torturonin dhe më linin të zhveshur në mes të dimrit. Në shkurt të 1967-ës, më nxorrën në një gjygj “shembullor” në qytetin e Burrelit, me prokuror R. Metën. Aty unë i thashë trupit gjykues: ‘Asnjëherë nuk kam bërë agjitacion e propagandë kundër regjimit komunist, por meqënse ju insistoni në një gjë të tillë, unë po ju them tani këtu në sallën e gjygjit, që ta dëgjoni me veshët tuaj’. Dhe aty në atë sallë, nuk lashë gjë pa thënë kundra regjimit komunist të Enver Hoxhës. Pas fjalëve të mija, ata më dënuan maksimalisht me dhjet vjetë burg politik. Burgun e dytë e fillova në qytetin e Elbasanit dhe pas një viti, në prill të 1968-ës, kur u hap për herë të parë burgu i Spaçit, më dërguan menjëherë atje”

Ridënimi në Revoltën e Spaçit

Në burgun e Spaçit, Mersini qëndroi deri në vitin 1979, kur e transferuan për në burgun e Burrelit, ku mbaheshin personat më të rrezikshëm dhe kundërshtarët potencialë të regjimit komunist.  Pse nuk u lirua Mersini në vitin 1978, kohë në të cilën i mbaronte dënimi prej dhjet vjetësh dhe përse u dërgua ai në burgun e sigurisë së lartë të Burrelit? Lidhur me këtë, ai dëshmonte:”Në kampin e Spaçit ku unë vuaja dënimin, mora pjesë në revoltën e të burgosurve që u bë në majin e 1973-it, ku pikturova shqiponjën pa yll, në flamurin Kombëtar që u ngrit mbi taracën e kapanoneve tona. Ajo revoltë, ndonëse u organizua si protestë ndaj kushteve të këqia, kishte një karakter të theksuar politik, sepse në një farë mënyre ne mbajtëm gjallë qëndresën antikomuniste për të cilën kishin dhënë jetën me qindra nacionalistë shqiptarë. Sami Dangëllia, Luan Burimi, Demir Pojani, Luan Koka, Bedri Çoku, Dervish Bejko, Paulin Vata, Hodo Sokoli, Nuri Stepa, Koço Papa, Gëzim Çela, e ndonjë tjetër, ishin organizatorët kryesorë të asaj revolte. Mbas arrestimit ne na nxorrën në gjygj, ku unë deklarova se isha i pari shqiptar që dënohesha me burg politik, sepse kisha pikturuar shqiponjën pa yll në flamurin Kombëtar. Në atë gjygj mua më ridënuan duke më shtuar dhe dhjetë vjet të tjera burg. Në kushtet e rënda që kishte kampi i Spaçit, unë nuk kisha asnjë ndihmë, pasi familja ime ishte tejet e varfër. Vetëm nëna ime e moshuar me një këmbë, vinte aty ndonjëherë për të më sjellë ndonjë shportë me rrush. Në atë kamp më mbajtën deri në vitin 1979 dhe më pas më transferuan në burgun e Burrelit”, kujtonte Mersini ato vite kur ai u ridënua pas revoltës të burgosurve të Spaçit.

Dënimi i katërt në Burrel

Pas dymbëdhjet vjetësh në burgun e Spaçit, në majin e vitit 1979, Mersin Vlashin e dërguan në burgun e famshëm të Burrelit, ku siç e kujton ai, drejtori i asaj kohe Idajet Deda, ju thoshte të burgosurve që shkonin aty: “Këtu i thonë Burrel, që hyn e nuk del”. Lidhur me vitet e gjata në burgun e famshëm të Burrelit, Mersin Vlashi kujtonte:”Burreli, ndonëse konsiderohej si ferri i burgjeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës, për shumë nga të burgosurit intelektualë ishte i preferuar, pasi aty ata i shpëtonin punës së rëndë nëpër galeri që bëhej në kampet e tjera. Gjatë 12 vjetëve të qëndrimit tim në atë burg, kam pasur rastin që të rri në një qeli me shumë persona, ku dua të veçoj: Abdulla Sallakun, Avni Alikon, Shik Stërmasin, Pjetër Arbnorin, Bedri Çokun, Luan Burimin, Kapllan Resulin, Spartak Ngjelën, Sherif Allamanin, Bedri Blloshmin, Qani Sadikun e ndonjë tjetër, me të cilët gjatë gjithë kohës bisedonim kundra pushtetit komunist. Në bisedat e gjata që bënim, ne kishim bindje se komunizmi do të merrte fund një ditë dhe jo vetëm për ne, por dhe për të gjithë popullin shqiptar, do të vinte ora e lirisë. Duke mos pasur asnjë ndihmë ekonomike nga familja gjatë atyre viteve, pikturoja portretet e shokëve dhe kartolina të ndryshme, që ata i dërgonin me raste festash tek të afërmit e tyre. Nga kjo punë që unë e bëja, nxirrja ndonjë lek, apo paketë cigaresh.Në burgun e Burrelit, u arrestova dhe u dënova për herë të katërt, duke më shtuar dhe dhjetë vjet të tjera burg, me akuzën e agjitacionit e propagandës. Asokohe që vuaja dënimin në qelitë e Burrelit, mbaj mend se aty vdiqën gjeneralët Gjin Marku e Vaskë Gjino dhe një tjetër nga familja e madhe e Vrionëve. Nga ai burg, munda të dal vetëm në shkurtin e vitit 1991, kur filluan zhvillimet e reja politike dhe regjimit komunist po i tundeshin themelet”, kujtonte Mersini vitet e vujatjes së dënimit në burgun e Burrelit, ku u ridënua për të katërtën herë dhe shton:”Mos u habisni, me 32 vitet e mija të burgut, ka  të tjerë që kanë vuajtur shumë më tepër se unë në ato burgje. Një nga ata është Sami Dangëllia, i cili kaloi  36 vjet nëpër burgje. Pas Samiut vijnë dhe nja njëqind të tjerë që kanë bërë më shumë se 32 vite burg, e pastaj jam unë”!

Drejtor i burgut të Burrelit pas ’90-ës

Në vitin 1995, Mersin Vlashit i thanë se ishte emëruar Drejtor i Burgut të Burrelit, ku ai kishte pasur “fatin” të kalonte 12 vjet të jetës së tij. Lidhur me këtë gjë, Mersini kujtonte: “Ndonëse ishte rast unikal ndoshta në të gjithë botën, që një ish i burgosur të caktohej drejtor i burgut ku kishte vuajtur vetë dënim më përpara, e pranova menjëherë atë detyrë, sepse ai post nuk kishte asgjë të ngjashme me drejtorët e atij burgu të periudhës së regjimit komunist. Gjatë asaj kohe, unë nuk e ndjeja veten si drejtor, por si i barabartë me të gjithë të burgosurit dhe përpiqesha me çdo mënyrë për t`ua lehtësuar vuajtjet atyre, edhe pse ata ishin të dënuar për krime ordinere. Ndonëse e pranova atë detyrë me koshiencë të plotë, unë isha kundër rihapjes së burgut të Burrelit, ai burg duhej të mbetej si muze, sepse ishte simbol i kështjellës së qëndresës antikomuniste që nga viti 1946 e deri në 1991-in”, përfundonte Mersini rrëfimin e tij, ku nga 56  vjeç që ishte në atë kohë që i morrëm këtë intervistë, 32 vite i kishte kaluar në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës. Duke qenë shqiptari i vetëm që kishte vuajtur mbi tre dekada burg, për një parrullë që shkroi gabim në vitin 1953 dhe për shqiponjën pa yll që e pikturoi në flamurin kombëtar në Revoltën e Spaçit në vitin 1973!/Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • A.n.: 26/02/2020 08:17

    Ka qene periudha me e erret e shqiperise ajo e diktatures komuniste. Menyra me e mire qe gabimet mos te riperseriten eshte qe te rikujtohen here pas here keto ngjarje.

    Përgjigju
  • alo alo: 21/02/2020 09:34

    Monarkia e Zogut ia la familjen në varfëri, regjimi i radhës e mori të varfër, jetim e rriti edhe e shkolloi falas, por ky përsëri donte monarkinë !!! Eh çfarë njerëzish këtu.

    Përgjigju
    • Femijet ku ti kesh: 22/02/2020 10:00

      More ribq*r komunist, po ti di jesh nga ata familjet e humbura qe Partia ju dha gjithcka. Nga ata injorantet qe nuk benin dot prokopi, se nuk ishit te zotet dhe ndaj ju pelqen komunizmi. Ne kohen e Zogut ka pasur me zhvillim dhe sa per dijeni o injorant akoma me rruget dhe ndeetesa e ndertuara ne ate kohen e zogut nga ju komunistat mburret shqiperia ne infrastrukture .. sepse Komunist eshte ai qe nuk ka asgje dhe deshiron ta ndaje ate me te gjithe.... Vdekje tradhtareve te Komibit Shqiptar dhe rrofshin nacionalistet

  • Shabani: 21/02/2020 08:55

    Vetem me shkolle te mesme dhe cv me 32 vite burg e bene drejtor. Sjellje tipike komuniste. I njejti model komunist injorant dhe shkaterrimtar ku aftesia ska vlere.

    Përgjigju
    • bruno: 21/02/2020 10:45

      shkolle te mesme dhe qe nuk dinte akoma te shkruante, se po te kishte ditur mire shkrim e lexim ishte bere gjygjtar.

    • Ermela: 21/02/2020 09:10

      Po Sali Berisha shkatrroi ushtrine dhe forcoi policing me barit e dhive me arsim tetvjecar,te gjithe militantet new pa shkoll ishin ne Pune

  • Eri: 21/02/2020 08:20

    Qenke kenaqur shum mire SE askush nuk te fit njeri me burg pa arsye,Shansi si jetim e ke patur po ske mendu per jeten tende,ke mendu per zogun,dhe paske gjetur bukur.

    Përgjigju
    • Like: 21/02/2020 10:53

      E paska oasur hak burgun per nje shkronje pse genje ti oaska wene fashist ne ato kohe i thoshin kulak tradhetar

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja