Kinematografia “guerile” shqiptare
kaos në mënyrën e menaxhimit

Kinematografia “guerile” shqiptare<br />kaos në mënyrën e menaxhimit
TIRANE- Kaos me ligjet, kaos me mënyrën e menaxhimit dhe projekte po aq kaotike. Kjo është situata e kinematografisë shqiptare sot. “Qendra Kombëtare e filmit është kisha që falen kineastët”. Kështu tha dje producentja Sabina Kodra, e cila ka përmendur disa nga eksperiencat e saj në fushën e realizimit të filmave në tryezën e debatit, organizuar për kinematografinë nga Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Producentja Sabina Kodra diskutoi për  Tax Credit dhe Tax Sheeter, dy mekanizma që në Evropë po nxisin shumë kinematografinë lokale si edhe bashkëprodhimet në vende të ndryshme.

Keto janë dy menyra financimi shumë dinamike, e para është rimbursimi i TVSH dhe taksave te tjera, nëse arrihen investime me bashkëprodhime në vendin përkatës dhe e dyta është qe nëse biznese të ndryshme duan të investojnë drejtpërdrejt në kinematografi shteti ia njeh si investim dhe ia zbret nga taksat.  “Në vjeshtë dua të bëj filmin. Madje dua të bëj dy. Kam dy filma në sirtar”, kërkon të dijë sesi t’ia bëjë gjatë debateve për reformën në kinematografi regjisori i ri Gentian Koçi. Ndërsa kineasti Bujar Alimani rrëfeu  modelin e  “kinemasë guerile” kineastët indipendentë, të cilët prodhojnë filma me buxhete të vogla. Në praninë e ministres së Kulturës, gjatë dhjetëra debateve, Qendra Kombëtare e Filmit është vendosur në epiqendrën e gjykimeve, ku drejtori i saj Artan Minarolli nuk e ka pasur të lehtë të rezistojë pa u bërë herë pas here nervoz me kolegët.

Ndërsa ministrja e Kulturës ka deklaruar se do të ketë reforma edhe në fushën e filmit, duket se një reformë e thellë pritet të përfshijë gjithë kinematografinë shqiptare. Diskutimet dje nuk sollën ndonjë konkluzion konkret, por sollën shfaqjen e njëkohshme, nën vëmendjen e ministres së Kulturës, të problemeve të mëdha të kinematografisë shqiptare. Vetë ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, është shprehur se ligji për filmin do të rishikohet dhe jo vetëm për filmin. Më së shumti diskutimet e djeshme kanë rrahur në mënyrën si do të sponsorizohet filmi. Regjisori i ri, Joni Shanaj, ka sjell si shembull modelin e Kroacisë, i cili është marrë nga vendet skandinave dhe ky model preferohet sipas tij, sepse këto vende kanë prodhime të shumta filmike dhe me cilësi. “Nuk është arritje, nëse bëjmë dy filma në vit, -tha dje Shanaj, -por kjo ndodh se ne nuk kemi kineastë në Shqipëri, staf teknik, ne s’kemi profesionistë.

Kinematografia duhet të sillet si industri në Shqipëri që të hap punë për aktorët dhe profesionistët”. Shanaj është shprehur se Qendra Kombëtare e Filmit ka një rol shumë të vogël, e cila ka mbështetur vetëm prodhimin. Ndërkohë regjisori i njohur, Saimir Kumbaro, pasi ka përkrahur disa nga idetë e të rinjve, ka shtuar se gjithçka duhet të bëhet tek futja  e duarve te ligji që të bëhet një reformë e kinematografisë. “Kemi gabuar në shumë nene të tij”, tha Saimir Kumbaro, duke u shprehur se ligji ekzistues ka shumë mangësi. Edhe regjisori Robert Budina u shpreh se duhet bërë ndërhyrje në ligjin për kinemanë. “Mungojnë teknikët e kinemasë, i marrim nga jashtë. Teknikët do të na lejojnë të punojmë. Tha Budina.
 
 Dedikime klanore në debatet që ngrihen
Shqetësime kanë ngritur edhe producentët e filmit të animuar. Artan Maku tha se “Filmi i animuar, gjinia e tij ka degraduar”. Ndërkohë regjisori Bujar Alimani ka ngritur si shqetësim vonesën e projekteve të aprovuara nga QKK. “Kam dy vjet me një projekt me Kosovën dhe buxhetin janë gati të marrin mbrapsht. Unë mund të bëj edhe kinema guerile, por e mira është që të lëvrohen projekte nga QKK. Të tjera diskutime që erdhën ishin se mund të bëhen edhe filma me buxhet të vogël, “sepse ka raste që lekët e disa  filmave treten rrugës”.

Ndërsa debatet sillen rreth mënyrës së menaxhimit dhe pengesave të projekteve nga qendra Kombëtar e Filmit, Elvis Hoxha që përfaqëson shkollën e filmit “Marubi” e kritikon këtë mënyrë të diskutuari. Ai i kërkoi ministres që të ketë një diskutim të veçantë me specialistët, sepse sipas tij këto diskutime bëhen në pikëpamje të interesave të secilit producent apo shtëpie filmike. “Diskutim i pafrytshëm” e quajti Elvis Hoxha debatin në tryezën e hapur. “Do të ishte i frytshëm, vetëm atëherë kur të mos ketë asnjë dedikim klanor në debatet që ngrihen. Çudi e madhe të gjithë dalin kundër ligjit. Natyra njerëzore është aq e keqe, sa jemi gati të marrim ligjin më të keq, vetëm që të shkojë për shtat të interesave. Ne vendosim një merak personal. Këtu e kemi të gjithë hallin”, tha Hoxha.

“Nga forma dhe mendësia sesi janë organizuar këtu gjërat prej vitesh për kinematografinë dhe mënyra sesi organizohen, këtu përpara më lëviz fantazma e Ylli Pangos”, tha dje drejtori i shkollës së filmit “Marubi”, Kujtim Çashku, i cili ia ngarkon pjesën më të madhe të përgjegjësisë për problemet e filmit ish-ministrit të viteve 2007-2009, Ylli Pangos. Ai tha se nuk krijuam një ligj që të krijonte një frymëmarrje për kinematografinë.

“Ju s’mund ta merrni me mend se çfarë krimesh janë kryer duke shkelur ligjin e kinematografisë”, tha dje Çashku, duke theksuar rëndësinë e kinemasë si dokument sintetik shpirtëror të një populli. Çashku tha se filmi shprehet edhe si nevojë e shprehjes së gjuhës shqipe ndër shqiptarët e ndarë në tre shtete, duke shtuar se kinematografia duhet të jetë në qendër të vëmendjes dhe të kulturës shqiptare.


Mirela Kumbaro: “Mbështes strategjitë vizionare, po jo vetëm me buxhetin e shtetit
 
Me nismën dhe prezencën e Ministres Mirela Kumbaro Furxhi, dje u organizua një tryezë-konsultimi për filmin shqiptar, dokumentarin dhe filmin e animuar, mbi ecurinë, mangësitë dhe sukseset e tij.  Takimi u bë me pjesëmarrjen e drejtorit të QKK-së Artan  Minarolli, kineastëve dhe producentëve Bert Budina, Ilir Butka, Saimir Kumbaro, Andi Deliana, Joni Shanaj, Edmond Topi, Genc Përmeti, Iris Elezi, Gentian Koçi, Sabina Kodra, Kujtim Çashku, Mevlan Shanaj, Artan Maku, Bertrand Shijaku, Eno Milkani, etj.  Disa nga shqetësimet  që u diskutuan ishin: pёr kё po  realizohen filmat shqiptare? Si do i risjellim nё kinema dhe kush ёshtё shikuesi i filmit shqiptar? Sa mund të ndihmohet industria e filmit nga buxhetet e deritanishme dhe a është kjo rruga e vetme për të prodhuar filma.

Ministrja Kumbaro Furxhi garantoi për vullnetin dhe dëshirën e  Ministrisë që ajo drejton për të mbështetur strategji dhe idetë vizionare për ecurinë e filmit, por jo vetëm nga buxheti i shtetit. Ajo theksoi në fjalën e saj se  “Është shumë e rëndësishme takimi dhe ballafaqimi i mendimeve tuaja për të bashkëpunuar të gjithë së bashku në koordinimin, orientimin dhe krijimin e një sinergjie që do të ndihmojë prodhimin, mbështetjen dhe promovimin e filmit”. Vlen të theksohet rrahja e mendimeve pro dhe kundër buxheteve të mëdha dhe të vogla, të cilat jo gjithmonë janë tregues i suksesit të një filmi.  Ministrja Kumbaro garantoi edhe ecurinë e të gjithë temave të nxehta të debatit në një takim të dytë, ngritjen e një grupi ekspertësh që do të jenë pjesëmarrës të përmirësimit të ligjit të kinemasë.
 

Shkrimi u publikua sot (15.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane