Kola:Kur përfundon rrahja e mendimeve
shpifja bahet vegël e humbësit

Kola:Kur përfundon rrahja e mendimeve<br />shpifja bahet vegël e humbësit
Mbas shkrimit tim në nji të përditshme “Esenca feminile në poezinë e sotme shqipe”, ― i cili duhet thanë që shkaktoi shumë pakënaqësi ndër autoret e përmenduna gjatë trajtesës, si dhe natyrisht miqve të tyne të cilët së shumti kanë qenë “frymëzues” me i çue në atë pikë, ― ka pasë nji reagim po në nji të përditshme nga z. Jozef Radi me titull: “Për vjedhsit e kohës dhe dhuruesit e emocioneve”, që e paraqet veten si shumë të prekun nga ajo kritikë. Këtë shkrim e mirëpres për aktin qytetar të ndamjes së mendimit të tij në formë të hapun (gazetë dhe blogun e tij personal RadiandRadi), demokratike me lexuesin, (çka ndonji intelektual pohon ndër burime private që do të reagojë publikisht, por kurajon si duket nuk e ka gjetë ende! E vazhdojnë si ai edhe të tjerë tue u fshehë mbas faqes së FB me miq). Nga shkrimi i autorit në fjalë, natyrisht që nuk mirëpres “keqleximin” që i ka ba artikullit tim.
Në shkrimin e tij, i cili nuk asht gja tjetër përpos se gjykim prej moralisti (sikur ai të ishte autoritet moral), si me pasë qenë bash Jozef Konradi, e jo Jozef Radi, ka shtrue nji varg fyemjesh ndaj personit tim, për shkak të natyrës së kritikës sime që përveçse nuk i paska pëlqye, i paska humbë edhe kohë (ma saktë autorit i pëlqen me e quejtë “vjedhje” sepse me këtë gjuhë ndihet ma komod gjatë krejt shkrimit) nga koha e tij e shtrejtë, gja për të cilën mundem me e sigurue zotni (Kon)Radin që e njëjta “humbje” kohe ka qenë edhe për mue në leximin e shkrimit të tij. Por ç’e do se shkenca i ka këto punë! Argumentet e mia mbi këtë artikull, po i rendis në përputhje me numrin (8) dhe natyrën e frymës së z. Jozef (Kon)Radi:
 
1. Jozef (Kon)Radin e ka shqetësue “sulmimi” (kështu me terma luftarakë parapëlqen autori me folë) i 8 autoreve gege për nga shkrimi dhe gjeografia, dhe kërkon me e ditë medoemos arsyen e kësaj përzgjedhjeje dhe numri. Arsyeja asht shumë e thjeshtë: këto autore kanë nji emnues të përbashkët estetik. Por mund të shtoj se trajtesa ime (siç e kam theksue edhe në shkrimin e parë nëse, gjithmonë, e keni lexue me vëmendje!), ka pasë nji shtrimje shumë ma të gjanë autoresh, por për arsye respektimi të hapsinës në shtypin e shkruem janë trajtue vetëm këto autore, të cilat mjaft dukshëm janë përfaqësuese edhe të simotrave të tyne që nuk janë përmendë. Për arsyet selektive të autorëve/-eve në qëndrimin e nji kritike, mos vallë duhet me i marrë leje kujt? Mandej siç thotë edhe latini: “De gustabis non est dispuntandum”.

2. Faktit që ju shpreheni se: “kur shumica e tyne e kanë ba ma së pakut nji libër?!”, prapëseprapë i përgjigjem se nuk të ban poet nji libër, e me raste as dy as tre e as treqind. Po të jetë kjo logjika juej, atëherë çdo kooperativist, buldozerist e traktorist të cilët nuk kursyen nji kosh me vargje për regjimin e kaluem, do të quhej poet kombëtar (larg qoftë!). Me këtë që thoni, më bani me mendue që e keni të dobët kujtesën me leximin e shumëve sosh tek gazeta “Nëntori”, në të faqet e së cilës, për fatin tonë të keq, ndodhën edhe shumë miq tuej që i pandehni si të tillë, mbase pa ua njohë shumë mirë biografitë. Megjithëse Lisandri Kola (të cilin me shumë gjasë nuk e keni lexue kurrë, se ndoshta po ta kishit këndue, do t’ju kishte ba me ndërrue raportet me shumë miq), ua ka sjellë shumë të qartë me emën e mbiemën figurat e devotshme me kontribute tek “Nëntori” apo “libra” që i bajnë “poetë” – simbas jush gjithmonë. Aksidentalisht i bani ftesë për suportin e shkrimit tuej edhe ndokujt që ka sadopak gjurmë në ngjyemjen e pendës për komunizmin.   

3. Shqetësimi tjetër i autorit vjen për përdorimin e sarkazmës dhe të ironisë gjatë trajtesës sime (efekte stilistikore këto), gja që më ven shumë në dyshim nëse zotni (Kon)Radit i asht dhanë rasti me lexue ndojherë kritikën “autoriale”(e theksoj “autoriale”, prejse kjo e imja gjithnji ka trajtue poezinë dhe jo autorin) të Dom Lazër Shantojës për Fan S. Nolin a të ndokujt tjetër, apo, fjala vjen, të Krist Malokit për L. Poradecin, etj.? Due me mendue se jo! Se përndryshe, autori i shkrimit na paska paragjykime edhe për mjeshtrit e polemikës, siç asht Shantoja! Fundja, a ka kritikë ma të vyeme sesa me të futë në nji “gjyq” me Dom Lazrin?!!

4. Keqkuptimi i juej z. Radi (si dhe i shumë të tjerëve si ju), ka ndodhë sepse ju jeni mësue me kritika MIRATUESE, çka artikulli në fjalë nuk ua ka ofrue. Nuk e di pse ju shqetëson kaq shumë nji formë e tillë kritike, e cila njihet gjatë në histori të letrave si pozicionale (gja që edhe ua citova ma nalt), dhe kur funksioni i saj (pra i kritikës) asht gjithmonë i dobishëm. Po kështu, receptimi i nji poezie asht i ndryshëm në lexues/kritikë të ndryshëm. Varet sa e vendos koeficientin e cilësisë secili. Ju për shembull ju japin nji iks emocion, e dikujt nji ipsilon emocion. Ato autore janë në TREG, dhe duhet të mirëpresin kritikat e specialistëve! Siç asht e natyrshme me ndodhë në krejt botën. Përderisa kanë marrë kurajon me publikue, le të kenë guximin me e mirëpritë kritikën.    
Edhe për pohimin tuej: “i sheh me tmerr mundësinë e cilitdo të kësaj bote me organizue diçka pozitive jashtë suazave t’njasaj politike përjashtuese dhe përçmuese çmimesh që kahera po ndjekin ministritë e kulturës!”, drue më duhet me ua përsëritë që keni qenë totalisht i pavëmendshëm në leximin e artikullit, mbasi në të gjeni edhe emna institucionesh ku bajnë pjesë këto autore. Por varet se çka e si ju intereson me (e) lexue. 

5. Prapë ma përforcon çudinë kur shpreheni që “mësohu me i pranue ata që luftojnë me bà diçka ma mirë, diçka ndryshe, qoftë edhe tuj gabue”. Tash pra ju po më udhëzoni dhe po përligjni që edhe qëllimet “e fisme” të Don Kishotit duhen inkurajue? Apo kur shtoni se “sa s’mundesh me u ftillue e me u futë nëpër birë t’gjylpanës, e me përndritë shpirtin tand prej lajthize!”, me keqardhje ju shkruej se nuk mund ta “ngushtoj shpirtin” për hir të disa pseudo-poezive të cilat me dritën e tyne të shkurtë nuk kanë me mujtë me ma shndritë rrugën time të gjatë. Flaka e kashtës, siç e dini, s’mban gjatë... Qëndrimet e mia m’i ka udhëzue prof. Arshiu me të tjerë, në këtë rrugë të përvuejtshme!

6. Sa i takon dyshimit tuej për bashkautorësi në artikull TIM ku shpreheni: “çka më len edhe ndonji hije dyshimi në bashkautorësi…”, ju informoj se kjo gja asht sqarue njiherë publikisht prej meje dhe prej “të dyshuemit” L. K. (artikullin mund ta gjeni këtu: https://sbunker.net/op-ed/89157/kush-e-trazoi-folene-e-grethave/). Tash o keni qenë i pavëmendshëm ose jeni në rrethin e thashethemeve e të shpifjeve edhe ju. Por meqë ju perifrazuet Sokratin, po ju përgjigjem po ashtu me Sokratin, tek shprehet: “Kur përfundon rrahja e mendimeve, shpifja bahet vegël në duert e humbësit”. Në këtë vijë gjykimi, po ashtu edhe kur shpreheni: “kur nji jopoete turret ndaj 8 vargzueseve mediokre”, prapë ju informoj se poezitë e mia si dhe shkrime të tjera të miat i gjeni të botueme këtu e njado vite ma parë, por natyrisht në heshtje siç shkruen Camaj: “E JO PARA MIKROFONIT / SI TË ÇETËS SË POETËVE TË TJERË”. Pra, prapë rrugët tona i dashtun Jozef ndahen: unë me Camajn, Pipën e të tjerë dhe ju me autoret e përmenduna në trajtesë e me shoqet e tyne e të tjerë.

Çka e mirëkuptoj! 
7. Kur ju me akuzoni mue për nji gjuhë të “ashpër” dhe “agresive”, unë nuk di si me e quejtë atë tuejen drejt meje. Që para së gjithash duhet thanë, në fakt, krejt e pahijshme me iu drejtue nji femne (tue marrë shkas nga arsyetimi i juej për etizëm) me atë soj fjalori e aq ma tepër nga nji zotni dyfishi i moshës së saj. Nji duzinë fyemjesh personale e akuzash të çdo lloj niveli. A mund të më thoni sa të “limuet e keni shpirtin tuej” mbasi më cilësoni apo shpreheni për shkrimin tim me leksemat: “cinike, helm, gjepura, shkrim denigrues, fletërrufeiste e përkryeme, cmirë (mbase keni dashtë me thanë “smirë”!), gjylpanë femnore, prokurore dënimesh etj. Këto fyemje e akuza, për ju si njeri i jurisprudencës, e dini shumë mirë sesa peshë kanë! Për ma tepër mbërrini edhe në përcaktime metafizike të tipit “shpirtin tand prej lajthize”, pra tue u ba kësisoj edhe pneumametër! Cilësi e veçantë e jueja me i matë shpirtin dikujt!? Me sa duket asht nji disiplinë inovatore kjo, që ju e ushtroni herë mbas herë. Pra jeni ju që i vendosni kutin e SHPIRTIT njerëzve. Tue pasë parasysh situatën tuej familjare në sistemin ogurzi komunist, me të vërtetë NUK GJEJ FORCË ME U KAPË ma andej për këtë temë. Jo se nuk di, e jo se nuk mundem. Por e kam aq kujdes e etikë, ndërsa ju përdorni nji regjistër evokativ të asaj periudhe pa u mbështetë në asnji informatë të sensibilitetit dhe pozicionit tim si studiuese për atë regjim.   

8. Përpos të gjithave, zotni (Kon)Radin e mirëkuptoj ― që me e mbyllë aty ku zuna fill ― që nuk e vendos “e” (e sotme) në titull të shkrimit, çka asht nji lapsus joautorial; që nuk e vendos shquesin “a” të emnit tim për me krijue lojën e tij me fjalën “artiste”. Po kështu e mirëkuptoj si redaktor e shkrues të parathënies së njenes prej autoreve (e në këtë rast nuk mund të mos e mbrojë produktin e vet) e po kështu që u ban ftesë 5 autoreve që të botojnë poezi tek blogu i tij (kupto haptas suport), megjithëse kur i numëron i dalin 4. Ndoshta ka “harrue” ndonjenen që pretendon se i ka poezitë e publikueme veç në faqen personale të facebook-ut, se mund t’i ketë dalë jashtë mendsh që i ka të publikueme me kohë edhe në site/blogje të tjera për gjithë botën. Çudi këta njerëz që nuk bajnë google search nganjiherë për vete të paktën! Ju mirëkuptoj...
 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari.

Ishte duke prerë dru bashkë me djalin, plagoset aksidentalisht 59-vjeçari.