PRISHTINË, 1 dhjetor/ATSH/. - Me ribonin e kuq, që është shenjë kundër stigmatizimit të personave të prekur me HIV/AIDS, 97 tullumbace (ballona) u ngritën në qiell. Krejt kjo për t'u solidarizuar me ata persona që kanë vdekë nga sëmundja e HIV/AIDS-it dhe ata që tashmë e bartin këtë virus. Tullumbacet u ngritën në sheshin "Zahir Pajaziti" në Prishtinë, sot në Ditën Ndërkombëtare të HIV/AIDS-it. E gjitha e organizuar nga organizata PEN(Peer Educators Network), ben te ditur KosovaPress.
Qëllimi i PEN-it është që çdokush të jetë i informuar për sëmundjen e HIV/AIDS-it, duke ditur se në Kosovë mungon informacioni i gjerë për këtë virus, sidomos në zonat e thella rurale, që po mbesin pothuajse të painformuar për AIDS.
Aulonë Kadriu, koordinatore në PEN, mendon se duhet bërë shumë në drejtim të informimit të personave për këtë sëmundje. Sipas saj, në zonat e thella rurale ka pak informacion mbi këtë sëmundje. E kjo, sipas saj, sepse edhe organizatat po iu shmangën atyre zonave.
Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se përkundër disa vështirësive logjistike, ia kanë dalë që me ndihmën e UNICE-'it të sigurojnë terapinë për një periudhë afatgjatë, për të gjithë ata persona që tashmë e marrin një mjekim të tillë. Faik Hoti, zëdhënës për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë për KosovaPress, se aktualisht janë 14 pacientë te prekur me këtë sëmundje, që trajtohen në Klinikën Infektive, ku 7 raste janë diagnostifikuar gjatë këtij viti. /a.ke/










