Kryeministri Edi Rama vizitoi te marten  një fermë në Balldren të Lezhës, ferme e cila  ka një ambient modern,  teknologji bashkëkohore në prodhim, rritje të fuqisë punëtore, si dhe mbyllje të ciklit të prodhimit, pas investimit të kryer edhe falë përfitimit nga skemat e mbështetjes.
Kryeministri Rama theksoi ne kete vizite se, arritjet jane rezultat i ndryshimit të qasjes për mbështetjen e fshatit, e orientuar nga nxitja e investimeve për fuqizimin e infrastrukturës prodhuese, që krijon dhe punësim zinxhir.
"Ky është ndryshimi që bëmë ne dhe kthesa  e këndvështrimit për mbështetjen e fshatit. Në vend që të shpërndanim lëmosha që nuk kishin asnjë rezultat, ne po fuqizojmë kultivuesit dhe prodhuesit, në mënyrë që këto qendra kultivimi dhe prodhimi të krijojnë punësim zinxhir. Kështu, me cikle të mbyllura, punësimi shtohet me qindra e mijëra vende pune në gjithë territorin", tha Rama.
Kryeministri shpjegoi edhe avantazhet e reformës administrative edhe për nxitjen e zhvillimit të bujqësisë.
"Me reformën administrative dhe me bashkinë e re, që tani nuk është më thjesht administratore e zonës së qytetit, që ka qenë e rrethuar nga shumë komuna që nuk kishin fare lidhje me ju dhe me punën tuaj, do të kalojmë në një fazë ku bashkia do të ketë më shumë përgjegjësi, qoftë për vaditjen, qoftë për kullimin që do kalojnë në përgjegjësi të bashkisë, por qoftë edhe prioritizimin e investimeve më të rëndësishme, në bashkëpunim me privatët në tryezën rajonale".
"Ne do të ndërtojmë disa rajone të menaxhimit të përbashkët, në mënyrë që të gjitha problemet e mëdha, që kanë të bëjnë me ujin, me transportin, me mbeturinat, por që kanë të bëjnë edhe me nxitjen e zhvillimit në bujqësi, të jenë të trajtuara në mënyrë të atillë që qeveria ta dijë se ku duhet bërë ndërhyrja e parë, ku e dyta dhe ku e treta, duke u konsultuar me ju, duke marrë kështu vlerë të shtuar", nenvizoi shefi i qeverise.
"Kombinimi i vaditjes dhe kullimit me transformimin e bordeve në përgjegjësi të drejtpërdrejtë të bashkisë, - ligjin e ka përgatitur qeveria dhe do t'ia çojë parlamentit - nga ana tjetër, mundësia që bashkia me ju, me privatët, të administrojë tokën djerrë, në mënyrë që toka djerrë të rikthehet në punë. Por mund të rikthehet në punë vetëm përmes ciklit të prodhimit, nuk mund të rikthehet në punë nga ata që e kanë aty dhe nuk kanë asnjë mundësi ta zhvillojnë, kurse ata që janë zotërues të tokës djerrë, ata futen në ciklin e prodhimit", tha kryeministri Rama.
Në bisedë me fermerin që drejtonte këtë fermë, Kryeministri tha se shumëfishimi i këtyre investimeve do të sjellë dhe rilindjen e plotë të sektorit të bujqësisë. Në këtë vizitë në këtë fermë shoqërohej nga deputetet e qarkut Lezhë Mimi Kodheli e Monika Kryemadhi, si dhe Kryetari i Bashkisë Viktor Tusha.
/atsh/