Kryetarja e Kuvendit, Nikolla, drejton mbledhjen e Grupit të Deputetëve 'Miqtë e Fëmijëve', në Kamëz

Kryetarja e Kuvendit, Nikolla, drejton mbledhjen e Grupit të Deputetëve 'Miqtë e Fëmijëve', në Kamëz

Lindita Nikolla

Nën drejtimin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, u zhvillua sot mbledhja e Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”.  Mbledhja u organizua në bashkëpunim me Bashkinë e Kamzës dhe u mbajt në mjediset e shkollës “Ibrahim Rugova”.

Në mbledhje, përveç anëtarëve të Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”,  morën pjesë edhe përfaqësues  nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Rinisë, Agjencia e Fëmijëve, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Instituti Demokratik Kombëtar (NDI) në Shqipëri dhe organizata të tjera të shoqërisë civile, nxënës së Shkollës së Mesme “Raqi Qirinxhi”, Korçë, si edhe mjaft nxënës, mësues e prindër nga Bashkia Kamëz. Në rendin e ditës së mbledhjes ishte fuqizimi i mekanizmit dhe rritja e efikasitetit të kontrollit e kufizimit të dhunës në shkolla.

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, pasi falenderoi Kryetarin e Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, për mbështetjen për organizimin e kësaj mbledhjeje, vuri në dukje se Grupi i Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve” po nis një traditë të re, që mbledhjet t’i zhvillojë edhe jashtë Kuvendit, në territor, atje ku ndeshen edhe problematikat e mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve.

Në fjalën e mbajtur në fillim të mbledhjes, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla,  nënvizoi se lufta kundër dhunës ndaj fëmijëve në shkolla, është një çështje thelbësore e arsimit dhe një çështje ekzistenciale e shoqërisë. “Shkolla është vendi ku ju merrni cilësinë e dijes, por përtej cilësisë së dijes është vendi ku merrni edukimin me ato vlera dhe qëndrime që janë të nevojshme për t’u zhvilluar nesër si qytetar të denjë të një shoqërie demokratike. Por është dhe hapësira dhe vendi ku ju kaloni një pjesë të madhe të ditës suaj, një pjesë të madhe të kohës, jetës suaj. Dhe ku patjetër që ne të gjithë kemi detyrimin që këto mjedise të jenë të sigurta. Që ju të ndiheni të qetë, të sigurt për të zhvilluar atë që është talenti apo prirja juaj. Për të zhvilluar të qetë komunikimin me mësuesit tuaj, me njëri-tjetrin, por edhe me një faktor tjetër të rëndësishëm të jetës së shkollës, siç janë prindërit. Por përpos të gjithë aktivitetit që shkolla kryen në rritjen dhe edukimin tuaj, është edhe një hallkë e zinxhirit ku ndodhin fenomene të dhunës, bullizmit apo shfaqje të tjera të fenomenit të dhunës.

Një raport i fundit i UNESCO nënvizon se rreth 20% e nxënësve janë prekur nga bullizmi që është një fenomen i dhunës dhe që ne duhet ta adresojmë me shqetësim, sepse është një fenomen që haset çdo ditë e më shumë në shkollat tona.”

Duke vlerësuar përpjekjet për shndërrimin e shkollave në qendra komunitare, znj.Nikolla theksoi nevojën e rritjes së ndërgjegjësimit, në mënyrë që mbrojtja e fëmijëve nga dhuna të mos jetë një çështje teknike, administrative apo institucionale. “Projekti ‘Shkollat qendra komunitare’ kërkon që ta sjellë shkollën në një pikë të rëndësishme rëndese të zhvillimit të komunitetit, në një hapësirë ku të gjithë aktorët e jetës së saj,  mësuesit-prindërit-nxënësit kanë shansin të provojnë si funksionon një jetë demokratike. Besoj që edhe në këtë funksion si qendra komunitare, shkollat do të krijojnë më shumë hapësira për debat, ndërveprim, aksion, ide, për projekte për të mundësuar edhe minimizimin e këtij fenomeni shqetësues, që është dhuna në shkollë”, u shpreh Kryetarja Nikolla, njofton zyra e shtypit.

Nxënës të gjimnazit “Raqi Qirixhi” Korçë prezantuan disa vlerësime të tyre rreth problematikave të abuzimit seksual të të miturve, si dhe ngritën shqetësimin se ky fenomen është një rrezik emergjent për të cilin duhen marrë masa. Nxënësit paraqitën disa ide konkrete se si  mund të parandalohet fenomeni, duke nisur me rritjen e numrit të oficerëve mbikëqyrës ndaj grabitqarëve seksualë, rehabilitimi i personave abuzues, si dhe marrja e masave dhe parashikimeve ligjore për të garantuar në një mënyrë më të mirë mbrojtjen e të miturve nga abuzimi seksual apo rreziqet që i kanosen nga ana e pedofilëve në internet.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, informoi mbi arritjet, vështirësitë dhe propozimet mbi fuqizimin e mekanizmit dhe rritjen e efikasitetit të kontrollit e kufizimit të dhunës në shkolla. Në raportimin e saj, Ministrja Kushi vuri në dukje se lufta dhe parandalimi i dhunës ndaj fëmijëve në shkolla është një çështje jo vetëm e institucioneve, por e gjithë shoqërisë dhe për këtë qëllim MAS ka ndërmarrë një sërë hapash konkretë dhe politikash për të drejtat e fëmijëve të bazuar në Objektivin e Zhvillimit të Qëndrueshëm- Arsimi 2030. Ndër masat e marra ministrja Kushi përmendi sensibilizimin nëpër shkolla se ku fëmijët duhet të drejtohen në raste të dhunimit apo abuzimit me ta; vendosjen e oficerëve të sigurisë dhe trajnimit të tyre; vendosjen e psikologëve nëpër shkolla, si dhe hapat që po ndërmerren për sigurinë kibernetike.

Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, informoi mbi fokusin e Ministrisë së  Rinisë për luftën kundër dhunës në shkolla dhe pasi i përgëzoi nxënësit për iniciativën e peticionit, vuri në dukje disa nga hapat pozitivë që janë ndërmarrë për parandalimin e fenomenit. Mes të tjerash ministrja theksoi se krahas këshillimeve dhe trajnimeve në shkolla, janë marrë disa masa dhe hapa konkretë për parandalimin dhe denoncimin e dhunës seksuale, ku mes të cilave përmendi Platformën e Sigurt, si dhe punën për krijimin e një aplikacioni për të mbrojtur fëmijët nga rreziqet e internetit, në mënyrë që ata të denoncojnë kërcënimet dhe të kenë një qendër ku të mbrohen, të bisedojnë për t’i shmangur ato.

Zëvendësministrja e Arsimit dhe Sportit, Denada Seferi, informoi mbi punën për fuqizimin e mekanizmit të kontrollit dhe kufizimit të dhunës në shkolla dhe parandalimin e ndikimit të tij në shëndetin e nxënësve dhe shëndetin publik.  Seferi nënvizoi se viti 2022 është viti i fëmijëve dhe ata janë vendosur si prioritet i strategjive dhe është krijuar Agjenda për mbrojtjen e fëmijëve, si një plan kombëtar konkret për të parandaluar dhe eliminuar çdo lloj dhune ndaj fëmijëve.  Seferi sqaroi se janë ngritur dhe funksionojnë tashmë qendra multi-funksionale gati në të gjitha bashkitë e vendi, si dhe qendra më të specializuar për dhënien e ndihmës psiko-sociale për fëmijët. 

Kryetari i Bashkisë, Kamëz, Rakip Suli, solli përvojën e shkollave të Bashkisë Kamëz në luftën kundër dhunës dhe theksoi rëndësinë e krijimit të kushteve të përshtatshme në kopshte dhe shkolla për rritjen e mirëqenies fizike dhe psikologjike të fëmijëve, si dhe rritjen e ndërgjegjësimit të tyre për të denoncuar çdo lloj dhune ndaj tyre.

Erida Skëndaj, Drejtoreshë Ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, paraqiti vlerësimet e Komitetit të Helsinkit mbi luftën kundër dhunës në shkolla në kontekstin e mbrojtjes  së të drejtave të nxënësve. Duke iu referuar disa takime që Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka organizuar me të rinjtë e gjimnazeve në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku janë realizuar peticione dhe propozime ligjore, me fokus në të drejtat e të rinjve, Skëndaj theksoi se është e rëndësishme detyrë e gjithë shoqërisë, jo vetëm e institucioneve, inkurajimi dhe fuqizimi i rrjeteve të të rinjve për të qenë sa më aktiv në jetën komunitare.

Në mbledhje diskutuan edhe anëtarë të Grupit të Deputetëve “Miqtë e Fëmijëve”. Zëvendëskryetarja  e Grupit, Desantila Tahiraj, në diskutimin e saj nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së të gjithë aktorëve të shoqërisë në parandalimin e çdo lloj forme dhune ndaj fëmijëve dhe theksoi se takime të tilla shërbejnë jo vetëm për rritjen e ndërgjegjësimit, por dhe njohjes me hapat dhe masat që janë marrë nga institucionet në këtë drejtim.

Zëvendëskryetarja  e Grupit, Ina Zhupa, theksoi se pavarësisht hapave pozitivë të ndërmarra, nevojitet rritja e numrit të psikologëve dhe punonjësve socialë, por dhe oficerëve të sigurisë nëpër shkolla. Në të njëjtën kohë Zhupa propozoi nevojën e trajnimeve të mësuesve për fenomenin, por dhe futjen në tekstet shkollore të informacioneve se ku mund të drejtohen fëmijët në raste se bëhen pre e dhunës, etj.  Deputetët Petrit Vasili, Shpresa Marnoj, Saimir Hasalla, në diskutimet e tyre theksuan nevojën e shmangies së stigmatizimit, krijimit të mekanizmave dhe rrugëve që fëmijët të ndihen të sigurt dhe të kenë kurajë të denoncojnë dhunën. Ata shtruan nevojën e angazhimit më të madh të shoqërisë dhe institucioneve për mbrojtjen e fëmijëve.

Në përfundim të diskutimeve, duke falenderuar për raportimet, diskutimet dhe impenjimin e kontributin e të gjithë anëtarëve të Grupit, Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla,  nënvizoi se këto diskutime dhe rekomandimet e masat konkrete që u propozuan  të mos mbeten në procesverbalin e mbledhjes, por të përkthehen në veprime konkrete, në mbrojtje të fëmijëve e të rinjve nga dhuna

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar

Kazakistan/ Rrëzohet avioni me të paktën 70 pasagjerë në bord! 6 të mbijetuar