Ku përfunduan 160 mijë
eurot e një salle në Romë?!

TIRANE - MTKRS-ja, dje, me anën e një komunikate shtypi, u përpoq të hedhë poshtë faktet e botuara mbi keqadministrimin e fondeve për ekspozitën “Thesare te Kulturës Shqiptare të hapur në Romë dimrin e kaluar. Me fjalë boshe dhe të përgjithshme, hartimi i shkruar nga Drejtori i Trashëgimisë (emëruar pa konkurs në kundërshtim me ligjin) mundohet të bëjë ironi dhe të tallet me një shqetësim shumë legjitim.

Fatkeqësisht ky “Drejtor” i cili për vetë faktin se është shkolluar në një vend që e merr shumë seriozisht trashëgiminë kulturore duhej te paktën të ishte më i kujdesshëm në një komunikim publik. Është e vërtetë që unë gërmoj dokumentet e dosjeve që merrem shumë me historitë e se kaluarës shqiptare. Por unë mund t’i vë në dispozicion disa dokumente që ai dhe të afërmit e tij mund t’i gjejnë me shumë interes.

Flasin për të kaluarën sigurisht. Por t’i kthehemi thelbit të debatit.... Askush nuk mendon se ekspozita të tilla nuk mund të organizohen në Metropolet Europiane. Përkundrazi, ato janë shumë të nevojshme dhe të vonuara, pasi publiku europian dhe ai botëror do t’i gjente këto ekspozita me shumë interes për të parë kulturën e një populli ende shume pak të njohur.

Por problemi i debatit qëndron në mënyrën e menaxhimit të fondeve publike.... Si shembull, mund t’i përmend “Drejtorit” dhe Ministrit të Jashtëm Bumçi se prezantimi i Ekspozitës së hartave të vjetra mbi Shqipërinë që u organizua në Bruksel nga Artan Shkreli dhe Artan Lame u bë në zemrën e Parlamentit Europian.

Kjo Ekspozitë u hap ne një sallë që nuk kushtoi asnjë qindarkë dhe u vizitua po ashtu nga shumë personalitete europiane dhe vizitorë të shumtë. Çështja e këtij debati publik nuk është fakti nëse duhet apo jo të hapen ekspozita, ku të prezantohet kultura jonë. Çështja është se a mundet që fondet publike të Trashëgimisë të mos bëhen rrush e kumbulla, duke paguar firma private për të hapur ekspozita të tilla?

Në përgjigjen e MTKRS nuk u përmend asnjë fjalë mbi firmën italiane që ka përfituar fondin e kësaj Ministrie. Nuk u shpjegua se përse kjo firme mori paratë të cilat mund të përdoreshin për të restauruar 10 monumente kulture. Çfarë pune bëri dhe përse duheshin 160 mije euro qe te hapej ekspozita ne Rome?

Ministria nuk përmendi se ku gjenden dokumentacioni i plote i kësaj afere qe ne ta shikojmë dhe te bindemi se keto para nuk kane shkuar ne xhepat e dikujt para fushatës. Ministria nuk përmendi se perse ne Rome salla u pagua 160 mije euro e kusur ndërsa në Palaco Madama ne Torino salla u dha falas?

Ministria nuk i tregoi publikut se për Ekspozimin e Objekteve ne Torino u interesuar vete Kryetari i Bashkisë Piero Fassino që kjo ekspozitë të vinte edhe ne këtë qytet. E për këtë, ai ofroi sallën falas. Aftësia e administratoreve tanë të Kulturës duhet te jetë në faktin se si ata të mund të gjejnë më shumë Kryetarë Bashkish si ai i Torinos.

Se me 160 mijë euro në dore nuk ka Muze që të refuzon ekspozimin. Për ta zbardhur një herë e mirë këtë çështje unë i kërkoj publikisht si “Drejtorit”, si Ministrit Bumçi të botojnë dokumentacionin e plotë të kësaj afere, si dhe të shpjegojnë se ku përfunduan 160 mijë eurot e një sallë në Romë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.05.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen