Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mbrëmjen e djeshme me zë dhe figurë në një deklaratë për mediat akuzoi se trafikantët e drogës mes të tjerash kanë financuar direkt apo indirekt edhe televizione.

"Vjedhja e votave ka çuar në kapjen e shtetit dhe të ekonomisë nga krimi. Trafikantët e drogës sot financojnë direkt apo indirekt kompani ndërtimi, projekte zhvillimore, kompani minerare, kompani transporti, televizione, koncesione publike, punë publike, janë në naftë në minerale ne rezorte turistike dhe në zhvillimin e pronave. Jo pak biznese tani kanë bërë aleanca me kriminelët për menaxhimin dhe mbrojtjen e bizneseve të tyre sepse krimineli u ofron atyre edhe forcën e dhunës, edhe mbrojtjen e shtetit" tha Lulzim Basha.

Por, pas deklaratës së liderit të opozitës pyetjet që lindin dhe që kërkojnë përgjigje nga vetë ai janë të shumta. Cilat janë televizionet që u referohet Lulzim Basha se janë ndërtuar me paratë e drogës? Derisa kryedemokrati i ditka emrat e këtyre televizioneve, pse nuk i denoncon me emër dhe mbiemër pa bërë aludime që hedhin baltë edhe mbi mediet e tjera që janë të pastra?

Çfarë marrëdhënie ka Lulzim Basha me këto televizione që ai thotë se janë financuar me paratë e drogës? Pra, derisa Basha ka informacione se ka televizione që financohen në këtë mënyrë, ai bashkëpunon me këto televizione apo i mban larg?

Pas denoncimit shumë të rëndë lideri i opozitës duhet të sqarojë për cilat media bëhet fjalë. Dhe ai vete duhet të distancohet publikisht nga këto televizione. Në vend të tymnajës, lideri opozitar që pretendon që të vijë në pushtet do të ishte mirë që të ishte transparent në gjithcka thotë duke publikuar të gjithë informacionet që ka pa krijuar aludime duke i futur të gjithë në një thes.