TIRANE- Presidenti Ilir Meta ka shpallur 'Non grata' në presidencë ambasadorin e OSBE në Shqipëri, Bernd Borchardt, pasi sipas tij, ka vënë në disktutim dekretin e 5 muajve më parë të presidentit për anulimin e zgjedhjeve vendore, dhe nga incidenti i ndodhur në kryeqytet ku ambasadori i tregoi gishtin e mesit  disa protestuesve.

Meta thotë se ambasadori nuk është më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

"Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë i paraqet komplimentat Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenghagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit MEPJ në Tiranë dhe u bën me dije se:

Z. Bernd Bochardt, i cili vuri në diskutim Dekretin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta për zgjedhjet vendore në Shqipëri të muajit qershor 2019 dhe që publikisht i tregoi gishtin qytetarëve shqiptarë nuk më i mirëpritur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë përfiton nga rasti për t'i shprehur Zyrës së Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në Kopenhagë, Zyrës së Prezencës së OSBE-së në Tiranë dhe Drejtorisë së Protokollit të Shtetit të MEPJ në Tiranë dhe vlerësimet e konsideratës më të lartë", thuhet në shkresën që presidenca i dërgon Zyrës së OSBE-së.

Nga selia blu ku mori pjesë në një takim me kryedemokratin Lulzim Basha, Borchardt ka refuzuar të komentojë këtë veprim të presidentit Ilir Meta, ndërs i ka kërkuar gazetarëve ta lënë të qetë. Ai ka deklaruar se OSBE është organizatë që kërkon dialog mes palëve.

Ambasadori i OSBE u përfshi në një incident me banorët e Astirit më 13 Tetor. Teksa po dilte nga hyrja e një pallati tek "Myslym Shyri" një prej banorëve të Unazës së Re që po protestonte para drejtorisë së Policisë duke kërkuar lirimin e banorëve të 'Astirit' i tha "Shame on you" ndërsa ambasadori reagoi duke i treguar gishtin e mesit. Pas incidentit Borchardt kërkoi edhe ndjesë publike.

Çfarë deklaroi Bochardt pasi Meta nxori dekretin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit?

Ambasadori i OSBE Bernd Borchardt tha se u takon institucioneve shqiptare te zgjedhin cila palë ka argumentet më të mira ligjore. Sipas kryediplomatit, çfarë po ndodh është çështje mes Parlamentit, Kushtetutës dhe Gjykatës Kushtetuese. Ai u shpreh se deklarata e Presidenti Ilir Meta për të anuluar zgjedhjet është çështje e brendshme ndërsa shtoi do të jenë institucionet shqiptare që do të zgjedhin se cila palë ka argumentet më të mira ligjore, duke mos u pozicionuar pro apo kundra tij.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:02
Meta shpalli non grata ambasadorin e OSBE-së, për t'i ndaluar vizitën zyrtare të programuar dy ditë më parë

Presidenti i Republikës, Ilir Meta priti sot në një takim një delegacion të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Presidenti i Asamblesë, George Tsereteli, dhe Sekretari i Përgjithshëm, Roberto Montella. Ajo që ra në sy ishte pikërisht mungesa e ambasadorit të OSBE-së Bernd Borchardt, i cili është prezent në çdo takim zyrtar që OSBE zhvillon me personalitet në vend.

Takimi u zhvillua vetëm pak orë pasi presidenti Ilir Meta shpalli 'non grata' kryediplomatin duke deklaruar se ai ka vënë në disktutim dekretit e presidentit për zgjedhjet e 30 qershorit dhe i ka nxjerrë gishtin e mesit disa protestuesve.

Shqiptarja.com mëson se ky takim ka qenë i programuar në axhendë prej dy ditësh dhe kjo ka qenë arsyesja që kreu i shtetit ka dërguar shkresën pikërisht ditën e sotme për t'i ndaluar Borchardt vizitën zyrtares në institucionin e presidentit.

Kreu i Shtetit falënderoi Asamblenë Parlamentare të OSBE-së për mbështetjen që ka dhënë ndër vite për forcimin e shtetit ligjor dhe institucioneve demokratike të vendit, duke kërkuar njëkohësisht vëmendje dhe angazhim edhe në të ardhmen në ruajtjen dhe forcimin e vlerave që Organizata dhe shtetet pjesëmarrëse mishërojnë.

Meta deklaroi se duhet zbatuar Reforma në Drejtësi, sipas Kushtetutës së miratuar me konsensus tre vite më parë.

 Në lidhje me procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe rajonit, Presidenti i Republikës vlerësoi angazhimin e sinqertë të të gjitha vendeve anëtare të BE-së për të mbështetur procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut do të jenë përsëri objekt shqyrtimi në Samitin e Zagrebit që do të zhvillohet në maj të vitit 2020”, - vijoi Presidenti i Republikës, “dhe, në këto 6 muaj, 9 kërkesat e Bundestagut duhet të shërbejnë si harta e vetme e rrugës për Shqipërinë që mund të çojë në një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit me BE-në”. Në lidhje me Kryesimin nga Shqipëria të OSBE-së për vitin 2020, Presidenti Meta u shpreh se, Shqipëria ka mundësinë që të japë një kontribut thelbësor për Organizatën.